“ARENA E DHEMBJEVE” TË AUTORIT BRAHIM AVDYLI, SI NJË ARENË MISTICIZMI DHE PROLOG I QENËSISË ARSYE NË RAPORT ME NDËRGJEGJEN KOHË / Nga: Agron Shele

“ARENA E DHEMBJEVE” TË AUTORIT BRAHIM AVDYLI, SI NJË ARENË MISTICIZMI DHE PROLOG I QENËSISË ARSYE NË RAPORT ME NDËRGJEGJEN KOHË

Nga: Agron Shele

“Arena e dhembjeve” është një tjetër vëllim poetik i autorit Brahim Avdyli, i cili në fushën letrave shqipe ka kohë që është shfaqur si; poet, shkrimtar, dramaturg por dhe studiues i mirëfilltë i gjenezës tonë kombëtare, studime të cilat vijnë nga mugëtira e shekujve për të hedhur sadopak dritë mbi atë të shkuar që fshihet misticizmit kohë, por dhe përpjekjes për tu asimiluar dhe bërë pjesë e kulturës së vendeve të ndryshme fqinje. Pavarësisht se ky libër vjen i shkruar në formën e poezive dhe poemave të shkurtra, aty ndeshesh me teatrin e madh të zhvillimeve gati epike me zanafillë kohore që nga lashtësia e herët, Iliria e për të vazhduar deri në ditët e sotme, si përqasje por dhe shqetësim për gjithë format e zhvillimeve më të fundit social kulturore e politike të Kosovës në tërësi e mbarë trevave shqiptare në përgjithësi.
Çfarë është kjo arenë dhembje që trondit autorin, e mban atë në ankth dhe që trishtueshëm ndjek herezinë e kohës nga amfiteatri i ngritur për të ndjekur fatin, dramën dhe tragjizmin e lirisë njerëzore?
Deshifrimi i vargjeve poezi pas poezie të çon në ato kufij ku kjo arenë (kuptim simbolik) është një oshëtimë dhembjeje së pari për vetë kohezionin përjetues, është klithmë e ndërgjegjes më të kulluar për kaosin dhe anarkinë, është lot burri për një Pirro të vrarë tinëzisht, është përdëllim për një Mujo që ngre shtat e fuqi në përkundje zanash, është një akuariel shenjtësi ndjenjash e fjalë që ka mbetur në pusin e errët të grishtësisë jetë dhe e gjithë kjo si në një poligon të nemitur nga shkretia shpërthen vullkanin e brendshëm që djeg e përvëlon gjithë qenësinë. I gjithë ky vëllim poetik ndahet në pesë këngë, i cili në harmoni të plotë dhe gërshetim përmes një boshti përshkues jep mesazhin filozofik dhe lajmotivin e asaj jete që ka rendur përbrenda një kulti, një tradite të shkëlqyer drejt përnjohjes dhe përpjekjes për identifikim të përsosmërisë njeri, bulëzuar në një ëndërr e shpresë për të prekur ato kufij dhe hapësira që çelin të tjera porta mendimesh e qëllimesh të shenjta, të cilat dhe pse ringrihen mbi arena dhembjesh kapërcejnë horizontet e largëta e ashtu të mbetura pas një ylli në një cep galaktike shndrijnë pareshtur vetëdijen dhe përjetësinë e një shpirti të rilindur. Ajo që vlen të theksohet është ndërthurja e motiveve gati epike, të cilat të ardhura si nga përtej mitika ndërthuren me dramatizmin dhe prognozën shoqërore sot, me oshilacionet dhe gjurmëhapat e hedhur asaj memorie që di të depërtojë përmes kurtheve dhe qerthullit ngritur në shtjella gri dhe për lansimin e atyre grimcave të padukshme që shfaqen kornizave paskohë me nuanca fluide. Pra e gjithë kjo prurje estetike, me trajta metafizike dhe kuptime e dimensione të thella është trazimi i asaj bote që di të ngrejë dhembjen njerëzore në art, ta bëjë atë më reflektuese përbrenda gjithë lakonizmit dhe ndjesive njerëzore, duke përcjellë frymë nga fryma e muzave dhe misticizëm nga imazhet përftuese, për të ndriçuar atë mjedis që hijëzohet pas memories sot.
Për një vëzhgim më të detajuar le të ndalemi në ciklet e këtij vëllimi poetik e të hedhim më shumë dritëhije rreth mesazhit dhe botëkuptimit ideo-artistik të autorit Brahim AVDYLI.

Brahim Avdyli

Vëllimi poetik nis me ciklin “ Këngët e paprekura” dhe që në fillim ndeshemi me atë shqetësim të ligjshëm që si në eremi të plotë e lë autorin para një suprine tavoline me një vështrim të heshtur nga korniza dritare për gjithë botën vetmitare që kalon njeriu, por dhe shpresën e ditëve të pritjes.

“Është zë i trishtueshëm
mjaft melankolik-

me vetminë e erërave
e stuhitë e dhembjes
në atë degë të pritjes…”

Është një kumbim i heshtur, në dukje melakolike dhe me regëtima të largëta kujtesash pas asaj kohe, natyralizuar në erëra të ndieshme që trasmetojnë dhe tingujt më të pazëshëm të telave të këputur, në formë pëshpërime hapësirës tutje e shpërndarë më pas asaj tymnaje të mjegulluar dhembjeje gjithmonë në pritje e pritje.
Në ciklin e dytë “ Si të dilet prej ëndrrës” autori vjen me një inkluiditet tjetër shpirtëror, në dualizëm dhe referncë mes dy vizioneve, atë të paramendimit se si e imagjinon atdheun dhe se si është në realitetin e brishtë.

“Atdheu i ëndrrave
sikur është zhdukur

e më është kthyer
për një riatdhesim
Zvicra Konfederale
në vizionet e mia…”

Të ndjerit i vetmuar dhe i huaj në atdheun tënd është një dhembje edhe më e thellë dhe në kurbëzim apo strukturë poetike vazhdon të përvuhet thellësisht e shpirtërisht dhe kjo në kuptim definitiv jo vetëm për autorin, por për gjithë ata emigrantë që janë përballur me problemet e mbijetesës në vendet ku kanë shkuar, më pas me sfidat integruese, ndërsa pas verdhësisë së syve të tyre shfaqej një atdhe gjithmonë e më i largët, më në vagëllim, si në mohim që ka zbuar bijtë e vetë duke i shndërruar në shpendë shtegtarë, pa fole, pa strehë dhe pa asnjë të ardhme.
Cikli i tretë poetik “ Arena e fjalëve” vjen në një dimesion filozofik por dhe psikologjik ku qendërzimi i gjithë reflektivitetit njeri është përgjegjësia arsye si shprehishmëri dhe kodifikim gjuhe, pra vetë fjala, elokuenca e saj, simbolika, bukuria dhe fuqia, mendësia dhe preludi i gjithë personalitetit njeri.

“A jam unë feniksi i çuditshëm
e pyes veten nëpër dallgë,

kur ndalet prushi i kalljeve
është koha e hirit të fjalëve…”

Fjala ka peshën që të rilind dhe ringrejë si feniksi, ka ornamentin e gjithë harmonisë dhe etikës shoqërore, ka zërin e saj që flet me mijëra ngjyra, pra është sentenca e gjithë idekuivokeve të brendshëm në raport me vizionin për atë të shkuar ardhur nga mistika më e thellë, të sotmen, si dhe të nesërmen që deshifron spektrin jetë e tejçon gjurmët e pamohueshme të vetë modalitetit kohë dhe qenësisë tonë.
“Në pusin e vargjeve” cikli poetik ndërthuret mes qerthullit të një bote të tërë ndjenjash, ku elementi lirik dhe pse përshfaqet përmes ëndrrash e shgjëndrrash, honesh të gremisura apo lartësive hidhërim, aspekti poetik dhe përzgjedhja e fjalëve e krijojnë atë hapësirë dhe përafrojnë kuptimësinë e një dashurie të bardhë dhe të dëlirë.

“ndonëse larg
qe hapisëra,

shkumb i bëri
flaka e ndjenjave!”

Një largësi që ndan shumë hapësirë thotë autori, një pus që të fut në labirinte të tjera, një det trazimesh e përjetimesh, por dhe një shkrumbim i madh ndjenjash që digjet në flakë, që prek thellësinë shpirt dhe mbetet e përkryer, e dëlirë, e bukur dhe magjike, si vetë hyjnorja dashuri.
“Poligoni i dhembjeve” përmbyll dhe gjithë ciklin poetik, kronizon një shpirt të vetmuar, por të ri që çel për çdo ditë sythet e shpresës, mbi atë trung të rrënuar stuhish, mbi atë paskohë që ka lenë vrunduj shqetësimesh e hidhërimesh dhe si në apokaliptikë ka arritur të ringrihet mbi atë kaos kohor e shpirtëror pët të rrëfyer zanafillën dhe vetë misionin që duhet ta përafrojë dhe zhvendosë në të tjera horizonte, në të tjera hapësira, të tjerë qiej e të tjerë diej, që të zgjojë të nesërmet e një besimi të ri.

“Shpirti i ri
në trupin e vjetër
më qanë, rënkon e gjëmon

zogjve të malit nuk mund t`u ngjaj
pamundësia është bërë
dallgë me erën “

Duket sikur notat e pesimizmit kanë errësuar dritën e brendshme, është shndërruar në një kornizë iluzive ku mbizotërojnë ngjyrat gri, një hijëzim i fashitur gjer në dhembje, por ravijëzimi i të tjera vargjeve tejçon atë shkëndijë që shpërthen çdo errëti dhe mbjell kudo shpresën e një tjetër dite, tjetër jete, tjetër nocioni kohor, tjetër kuptimi, tjetër dëshirash e të tjera qëllimesh të shenjta, përnjohjes e përndritjes së vetëdijes më njerëzore.
“Arena e dhembjeve “ të autorit Brahim Avdyli është një arenë që mbart të shkuarën oshëtimë përplasur konfuzioneve mure, kufizuar pas kulteve e ardhur në formën më mistike e mitike , mbart të sotmen shfaqur përmes fasadave të rreme dhe shkëlqimit ikandeshent që fsheh dhembje të frikshme poshtë rrënojave jetë dhe për më tepër vjen si një deshifrim dhe gjurmë e një të nesërmeje tjetër, e cila e ngritur në art dhe konture artistike përbën shëmbëlltyrën dhe përpjekjen njerëzore pët të zgjuar të tjera vizione dhe për të vështruar me sytë e sugjestionit më të thellë në hapësirë dhe kohë.
Ky vëllim portik padyshim që me mesazhin e dhënë do krijojë debatin e duhur për vetë ndërtimin struktural, përcjelljen artistike, frymën e sjellur, formën estetike dhe metafizike, por dhe si përshfaqje e asaj arene misticizmi dhe prolog i qenësisë arsye në raport me mendimin letrar sot dhe ndërgjegjen interkulturore interferuar në hapësirën bashkëkohore sot.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s