Një libër me dritë, për gra të ndritura / Nga: Vllasova Musta

 Një libër me dritë, për gra të ndritura

 

Nga: Vllasova Musta   

Sa herë marr në duar një libër të ri, kam një përjetim krejt të çuditshëm, para se të filloj leximin, më kap një lloj ngazëllimi që asnjëherë nuk kam mundur ta shpjegoj edhe pse librin e kam pasur përherë pranë dhe pjesë të pandarë gjatë gjithë jetës sime.

Me këtë ëndje e mora dhe nisa ta shfletoja librin “Testamenti i grave për gratë“, të autores Zenepe Luka.

E, nëse duhet të them një fjalë të parë, është pikërisht ajo që më erdhi vetiu, pasi e përfundova leximin e librit:

Urime zemre për këtë libër të ri, për këtë ansambël të pamatë me portrete grash, që ke ditur të strukturosh, të ndërtosh dhe ta përcjellësh me të tillë emocion dhe kaq vërtetësi!

Në këtë libër nuk ka vetëm portrete të shumta, por ka edhe jetë dhe karaktere, punë dhe krijimtari, talente dhe përkushtim, dashuri dhe dhimbje, pengje dhe amanete e mbi të gjitha ka atdhedashuri.

 

Testamenti i grave për gratë

Pasi e mbaron së lexuari këtë libër voluminoz, ndjen sikur ke ndeshur pranë vetes apo ka ardhur e të ka prekur  një kometë, një kometë e artë, por jo në hapësirat qiellore, por pikërisht këtu, në tokën tonë, në vendin tonë, në Shqipëri.

Nuk gaboj kur them se pikërisht ky mirazh të shfaqet, kometa, sepse brenda saj frymojnë, flasin, tregojnë gra të mëdha, gra që kanë bërë dritë, gra që kanë dhënë për kombin, që kanë jetuar me këtë dashuri, që i kemi duartrokitur, që i kemi pranë, që i prekim e mburremi me to dhe po kështu, të ndritura do të mbeten tek brezat që do të vinë.

Të gjitha i bëjnë dritë njëra tjetrës, i bëjnë dritë kombit dhe lartësojnë veten!

Në këtë aureolë drite shpërfaqet Nermin Vlora Falaschi, me të gjitha mirësitë e saj, me kulturën, me këmbënguljen, me patriotizmin dhe vizionin e pamatë. Ajo, ka mbetur një flakadan drite për të gjitha zonjat e Fondacionit, që mbajnë këtë emër dhe që u bënë rendëse në rrugëtimin e gjatë prej 15 vjetësh anëekënd atdheut, brenda dhe jashtë trojeve deri në Kinën e largët, në Gjermani, Belgjikë, Turqi, Greqi, Itali etj. kudo për të përcjellë mesazhin e vlerave më të mira të traditave tona kulturore dhe atë, që Shqipëria është toka jonë, vendi ynë, fryma jonë dhe ne, nënat kemi një mision të veçantë, të përcjellim modelin më të mirë të mirësisë dhe dashurisë njerëzore.

Me këtë përkujdesje e përçon çdo fjalë të saj Nënë Tereza, flakadani që ndriçoi gjithë njerëzimin, shënjtorja shqiptare dhe gruaja e rrallë që krejt jetën e saj e vuri në shërbim të sakrificës për më të varfërit dhe të përvuajturit.

Nuk di dhe s´më vjen ndërmend asnjë institucion tjetër, që të ketë arritur të mbledhë tok një bashkësi kaq të madhe me gra intelektuale, personalitete të artit dhe kulturës, të dijes dhe shkencës, sa ç´janë në këtë Fondacion Mbarëkombëtar me emrin “Nermin Vlora Falaschi”.

Nga njëra faqe e librit tek tjetra, ndeshesh me jetë, me aktivitete, me vlerësime dhe rrugëtim që duket sikur nuk do të ndalet kurrë.

 

Zenepe Luka

Këtu të flasin gra me zërin e tyre të ngrohtë e të dashur, të flasin të tjera me heroizmin e jetës së tyre, rrëfejnë për përkushtimin e pasionit e të profesionit, takon Miro Tërbaçin, Marigo Posion, Tefta Tashkon, Musine Kokalarin, Tinka Kurtin dhe Margarita Xhepën, artistet e mëdha, të nderuara me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, që kanë qënë dhe janë pjesë e pandarë e këtij rrugëtimi 15 vjeçar, të vjen pranë ëmbëlsia dhe mrekullia e Roza Anagnostit, zëri brilant i Irini Qirjakos, mpakesh kur shfleton për të mrekullueshmen Xhanfise Keko, regjisoren e filmave të bukur, ndjen dhimbje kur lexon për Violeta Manushin, për Drita Pelinkun, Besa Imamin- aktore të papërsëritshme që kanë lënë dritë në skenë, e pafundësisht emra dhe personalitete që i kemi midis nesh si Tefta Radin me maturinë dhe thjeshtësinë e saj, Silvana Braçen, me hijeshinë dhe magjinë që përcjell në skenë apo zonjën e madhe, Prof. dr. Adelina Mazreku që të shëron me fjalën e butë e të ëmbël, e që ka luftuar për dekada të tëra në luftë kundër kancerit.

Ky libër ngërthen duke i sjellë krejt natyrshëm figura grash që janë anembanë trojeve, sikur vinë në një bashkëbisedim me njëra tjetrën, gruaja arbëreshe me gruan e Shqipërisë së sotme, mjekja dhe patriotja e shquar Zylfie Duraku nga Ulqini dhe shkencëtarja Ajtene Krasniqi nga Prizreni, e palodhura në dije Migena Arllati nga Gjakova dhe e mirënjohura Vitore Stefa Leka nga Diaspora, Megi Llubani nga Berlini dhe Raimonda Moisiu nga Sh.B.A e shumë e shumë të tjera që kanë zërin dhe vlerën e tyre.

Të gjitha këto portrete, i gjithë ky rrugëtim shpreh qartë se sa i fortë dhe i patjetërsueshëm është zëri i gruas, sa i vendosur është hapi i saj, sa i qartë mesazhi që përcjellin dhe sa i fuqishëm bëhet kur të gjitha bashkë ecin krahpërkrah!

Libri i Zenepe Lukës, është një dëshmi e rrallë, është një katalog i detajuar që flet sot dhe do të flaës në të ardhmen, për atë që gratë dinë të bëjnë me fuqinë e shpirtit, pa zhurmë, pa bujë por, gjithnjë vetëm me zemër.

Në këtë libër nuk kemi një monografi, as dy, as tri. Këtu janë dhjetëra e dhjetëra portrete, jetë dhe mesazhe që përcillen me profesionalizëm nga një penë e mprehtë, që di çfarë të përzgjedhë, ku të kërkojë dhe si ta ndërtojë atë që do i japë në duar lëxuesit të saj.

Libri ka dritë se ndriçohet nga brenda. Në të rrinë  ballëlartë gra të ndritura, që të gjitha së bashku i ngjajnë kometës që lëviz dhe ecën përtej kohëve.

Urime, Zenepe Luka! 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s