Adem Abdullahu

Adem Abdullahu

Adem Abdullahu u lind më 10.09.1964, në Shipkovicë të Tetovës, Maqedoni. Punon mësues në vendlindje. Ka mbaruar Akademinë Pedagogjike në Shkup, Fakultetin Pedagogjik në Shkup dhe magjistraturën në Fakultetin Filozofik, Programi Studimor: Pedagogji e përgjithshme në Tetovë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” në Tetovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë në Shkup. Ushtron detyrën e kryeredaktorit të revistës PLEJADA, organ i shoqatës Oeneum në Tetovë.

Ka filluar të botojë që nga viti 1985 nëpër revista e gazeta të kohës. Është fitues i çmimit të III-të në Takimet poetike të Karadakut në Kumanovë. Ka fituar çmime të ndryshme letrare në Maqedoni, me librin “Svilenite nasmevki na lubovta” – (Buzëqeshjet e mëndafshta të dashurisë), libër i botuar në dy gjuhë: maqedonisht dhe arumanisht, vendin e II-të në konkurs në nivel të vendit. Ka fituar çmimin e III-të në takimet poetike të Korçës, Shqipëri dhe një varg diplomash e mirënjohjesh letrare. Shkruan poezi dhe prozë.

Është pjesëmarrës në shumë konkurse letrare dhe fitues çmimesh. Që më shumë se 17 vjet e boton revistën për fëmijë YLBERI plus në Tetovë.

Ka botuara këto vepra:

ECJA VERTIKALE – poezi, Naim Frashëri, 1993 Tiranë.
ARADHA E SHKRONJAVE – poemë për fëmijë, 1994 Tetovë, e ribotuar disa herë.
DETI DHE KULLA – skica, tregime e përralla, 1996 Tetovë.
LOTËT E LULEVE – poezi, 1997 Tetovë.
KATI I TRETË – tregime për të rritur, 1999 Tetovë.
BUKURIA PËR DHEMBJE – prozë, 1999 Tetovë.
TRIDHJETË E GJASHTË KALLËZIME E NJË
PËRRALLËZ – kallëzime popullore, 2000 Tetovë.
TË TRETË – pjesë skenike për fëmijë, 2002 Tetovë.
TOKË E DASHURI – poezi për të rritur, 2003 Tetovë.
BREG LIQENI – 2005, Tetovë.
SVILENITE NASMEVKI NA LJUBOVTA, maqedonisht dhe arumanisht.
Libri poetik “BREG LIQENI” i është përkthyer në bullgarisht me titull “EZEREN BRIAG”.

 

Autori ka përkthyer nga bullagrishtja këto libra:

ÇARÇAFËT E BARDHË, poezi, Katia Ermenkova.
UNIVERSI NDRIÇUES, poezi, Viktoria Ivanova.
LINDJA E PERËNDIMIT, poezi, Violeta Sëbeva dhe librin me kritikë teatrale:“TRAJNIMI I AKTORIT NË SHEKULLIN XX”, kritikë teatri, Rumiana Nikollova.

Shumë poezi i janë perkthyer ne gjuhën ukrainase, rumune, italiane dhe janë të publikuara në faqe të ndryshme elektronike.

Poashtu është përkthyes i gati të gjithë poetëve nga Bullgaria, pjesëmarrës në takimet poetike “Ditët e Naimit” në Tetovë dhe të takimeve poetike “Netët e poezisë korçare” në Shqipëri. Përkthen nga gjuha kroate, bullgare, maqedone etj.

Autori vazhdon në mënyrë paralele të botojë revistën “Ylberi plus”, të krijojë e të përkthejë.

 

Poezi Adem Abdullahu

JETË DHE RRUGË

Jeta është rrugë ku
duhet bërë ca pushime
fisnike dhe akrobacione kondicionale…

Me kthesa, udhëkryqe e labirinte,
ku mjeshtri duhet për zgjedhjen –
zgjidhjen e tyre.

Sheshpushimoreve neutrale a të kamufluara,
teatrove madhështor a të shëmtuar,
duhet luajtur rolin qoft si hero,
qoftë si i mjerë, qoftë si i marrë…!

Asaj rruge që fundi i duket në hiç,
detyrimish duhet marshuar,
herë si kalorës krenar,
herë si lypës,
herë si hero a fisnik i vrarë.

Dhe kështu
rrugëtimi vazhdon…,horizontalisht,
rrugëtimi vazhdon, vertikalisht!

 

KËNGË TË PAKËNDUARA

Këto nuk janë vargje,
këto janë shpirti im,
plaga ime…

Lotët e mi janë këto,
të cilët rrjedhin
netëve me shi…

Hija e bukurisë
dhe lulet e pranverës…

Këto janë ngjyra e gjakut tim,
frymëmarrja,
mushkëritë e mia…

Ashti im,
janë forca ime…!

Po, vargjet janë arsenali im
dhe lulet e mia…

Vargjet, këngët…,
janë këngë e këngëve të mia
të pakënduara!

 

TOKA IME

Toka ime
në kokë më pararend
krenaria e paraardhësve të mi,
që mirësinë ia sollën
më shumë Ballkanit se mua…

Toka ime e përdjegur
mbi shpinë mbaj mëkatin e gjyshit tim,
që s’ti ngjiti dot krahët e prerë…

Toka ime…, neveritem,
çmendem tani,
kur as mund të krenohem,
as mund të t’i qep plagët e moçme…

 

GRUAJA SHQIPTARE

Gruaja shqiptare ngeli e fortë
edhe pse iu lëndua njëri gji,
edhe pse e dridhi tërmeti atë natë zezonë,
edhe pse iu shua njëra dritë e qiirinjtë,
edhe pse i ra një gërshetë nga rrufeja…

Ajo ngeli e efortë
edhe kur shumë dolën nga dera e saj
e s’u kthyen më kurrë.
Ajo ngeli e fortë…

Aty e ka rrënjën shtetësia im e lashtë.

 

S’KAM FRIKË

Për Zotin s’kam frikë
nga bashkimi me tim vëlla.

Po. Pikërisht s’frikohem,
edhe pse atëherë
do ta humbin vlerën
këngët patriotike,
poezitë e mia…,
shokët patriotë.

Atëherë do të ndryshojnë
rregullat e lojës,
por unë
jam dakord
me humbjen time të vogël.

Rroft bashkimi me t’im vëlla!

 

BASHKOHUNI NJERËZ

Përpara njerëz
mblidhuni Ju…
Kaloni Tokat tuaja,
gjuhët, gjinitë, kufijtë…

Kaloni barikadat,
kaloni racat…
Çarmatosni uniformët,
fajtorët, rrenacakët,
frikacakët!…

Përpara njerëz,
bashkoni Librat e Shenjtë,
bashkoni Zotërat, Faltoret…
Bashkoni Profetët,
bashkoni dhembjet,
dituritë, dashuritë
dhe bashkërisht
ndaluani vrapin jonjerëzve!

 

KISHTE NJË FJALË PREJ GURI

Rrënjën kërkoi në tokën e kuqe Ilire,
etjen shuajti me verë në shtambë botte,
gjithandej kërkoi fjalën prej guri, pa hile,
në Anadoll, Londër, Paris,kudo kërkonte.

Këngën e qyqes dhe varrin gjurmonte,
shpend që ngadalë zdukej,
zhurma e hutinit veshin ia gjëmonte,
sarajeve të bardha përsëri futej…

 

TË MËDHENJTË

As lindjet nuk janë të njejta
për të gjithë…

Të mëdhenjtë as jetojnë,
as vdesin si vdektarët tjerë.

Vdekjet e tyre janë të bukura,
janë madhështore, planetare.

Të mëdhenjtë ngelin të gjallë,
amshueshëm mbahen mend.

 

RRUGA IME E LIRISË

Rruga ime nuk u ngjanë
rrugëve tjera të lirisë.

Ajo nuk është rrugë
e shtruar me gjemba –
ajo është gjemba vetë.

Rruga ime e lirisë
nuk u ngjanë rrugëve të nxehta,
as atyre të akullnajave…

Rruga ime ka shumëçka
nga të dyja
në kundërstinë.

Mike, rruga e lirisë
është e gjatë, e sigurtë…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s