Poezi nga Drita G’era

Poezi nga Drita G’era

 

MUNGESË

Më mungon në këtë botë,
ku të gjithë shtiren sikur duhen
dhe betohen në emër të dashurisë.
Më mungon ti, arratisja ime,
ku verbërisht, besoj
dhe vritem me dëshirë.
Më mungon dhe të dua pranë,
si një hakmarrje ndaj atyre që më buzëqeshin
dhe duan në dimër të më kthejnë.
Më mungon, ashtu si mitet i mungojnë mitologjisë,
si poetëve, u mungon një muzë,
e muzikantëve, një pentagram.
Më mungon….
E di çdo të thotë të jetosh duke vdekur,
mes klithmave të mungesës së dashurisë?

 

Ke provuar?

Ke provuar të flesh me një ëndërr të copëtuar
dhe të duash të jesh e verbër për të mos parë?
Sesi vdes një pjesë e jotja, sesi shuhen dritat
ne një shpirt të humbur, që fiket ngadalë?
Ke provuar të mos dish cilën rrugë të ndjekësh
helmuar nga dëshirat, që u pinë pafajësisht?
Të rrëzohesh nëpër fjalë e të heshtësh ulërimat
e t’i dorëzohesh dhimbjes urtë, paqësisht..
Ke provuar të ngecësh në një moment e të rigjehesh
pastaj?
Më thuaj…në mos ishte dashuria..Kush dorën ta dha?

 

Buzënatë

Mblodha gjithë kafshatat e ditës time këtë buzënatë,
e mbrëmjes së uritur ia servira në pjatë.
Por ajo prapë e pangopur më pa në sy,
sikur ta dinte që dhimbjen kam fshehur aty.

Po kaq e çmendur s’jam që nga trupi ta nxjerr,
e të helmoj të vetmen që paqen më sjell.
Ndoshta më mirë t’i ofroj dhe një gotë verë,
që të dehet e më pas të shkojë të flejë.

Do pres të flenë të gjithë,qyteti e sytë e pagjumë,
pasionet,dashuritë,lëkurat plot parfum.
Do ta ul dhimbjen nga sytë,perballë meje të rrijë.
E ata që na njohën bashkë do i çojmë në djall,të gjithë…

 

DO TË GJYKOHEMI GJITHËSESI

Do të gjykohemi gjithësesi..
Unë dhe Ti,
dhe ca të tjerë,
që dashurisë i dhuruam si trofe
veten,
dhe shpirtit i ngritëm përmendore
dhimbjesh.

Do të gjykohemi gjithësesi
dhe pse shumë herë,
i thamë: “Jo!”,mëkatit.

Ne që pimë me etje,
nga Neruda e Shekspiri
dhe u puthëm me Ferrin e Dantes.
Unë e Ti
dhe ca të vërteta të gënjeshtërta,
që i fshehëm në ca puthje të vjedhura,
pafajësisht,
mbi buzët e damkosura.

Do të gjykohemi.
Unë,Ti dhe Dashuria.
Në trekëmbëshin e xhelatit,
do të na i presin kokat,
“jomëkatarët”.

Por ne,
që pash më pash i ramë Ferrit,
dimë të urojmë,
pa sarkazëm,
pa inat,
në ditëlindjen e moralistëve:
Edhe 100 vite të lumtura Parajsës tuaj të rreme!

Advertisements

2 thoughts on “Poezi nga Drita G’era

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s