Poezi nga Ferit Rama
M A S K A R A D Ë
Çdonjëri prijësin e vet lartësonte si Zotin,
po prijësin e tjetrit e shante ç’ i mban pragu..
Me fjalë e me grushte goditën shoqi – shoqin
e hundëve të dërrmuara vërshoi gjaku.
Po prijësit, pas zënkash të egra në sy të botës,
zhytur në kolltuqe luksoze, drekonin si mbretër.
Qeshnin e dolli ngrinin për shoqi – shoqin
e në gurmaze u gurgullonte verë e vjetër.
* * *
Mua gishtat m’u thafshin, ah, ç’bëra !
Ç’u këputën rruazat edhe ranë.
Nëpër bar na u fshehën të tëra
dhe më kot i kërkojmë ku janë.
Mos u vrej për gjerdanin që t’u prish,
sa gjëra humbasim, moj xhan…
Më të bukur do ta sjell dhjetëfish.
Para teje ç’vlen një gjerdan…
( Nga libri “Zogjtë e vendlindjes” )
REPLIKË ME NJË ZONJË
E dehur, krejt tapë, e dëndur me verë,
një zonjë sarhoshe më thoshte njëherë:
– Poet je vërtet, po burrë nuk je…
Sa shkruan për femrat, trilluar i ke.
– Ah, zonjë,- i thashë,- paç jetë e shëndet !
Poet i dëgjuar, në qofsha vërtet,
jam burrë sojli, me gjak e me dell,
krejt femrat, si berrat, s’i shkoj nëpër hell…
Si gjeli të isha, i ndezur si furrë,
kur ty të të shihja, s’do bëhesha për burrë.
As këngë s’do merrja, siç bën çdo kaposh,
se krifa, e trembur, do më ulej përposh.
D H R A M A’
Dhramë, moj Dhramë !
T’i nisa djemtë zambak e trëndafil,
të mpakur m’i kthen e të plakur .
Të tutë i degdis në Gjermani a në Brazil.
E pasur je a e varfër?
Edhe e varfër, edhe e pasur,
edhe e largët, edhe e afërt,
edhe e urryer, edhe e dashur
më je, moj Dhramë.
Një gjysmë këtu,
një gjysmë atje.
Fëmijët tanë,
me dy atdhe,
me vete mbajnë
dy gjysmëfe.
Na ndoqi fati me gur-hobe.
Çapis i mardhur andej-këndej
e lot i hidhur më rrjedh përdhe,
e prehje s’gjej.
Përmallur shkojmë,
brengosur vijmë,
se zemrat atje i lamë.
Vrapojnë vitet
si erë e marrë.
Ne ikim nga Dhrama
e shkojmë në Dhramë.
_____
‘Dhrama – qytet në Greqinë Veri – Lindore.