Antologjia Poetike : “Trirema e Poezisë Joniane” (Edicioni XI ) – Flutura AÇKA (ALBANIA)


Trirema e Poezisë Joniane
 
Me poetë pjesëmarrës në takimin portik, “Trirema e Poezisë Joniane“, organizuar nga Klubi i Krijuesve Jonianë Sarandë. 29 shtator – 01 tetor 2017 Edicioni XI
 
 
Flutura AÇKA, ALBANIA
 
 
Qiej të largët
 
Në qiej të largët ti je,
ekzistencë e brishtë, njollë kujtimi.
Mes reve lart dritares së avionit,
në gjah jam, të një ylli,
që mund të jetë yti.
 
Të të prek,
largësinë ta zhbëj, mik.
Nën këmbët e mia,
Detit Tirren shtron napën e natës,
eteri u err.
 
Asgjë më shumë,
veç puhi e frymës tënde,
veç ethe e erosit tënd,
veç ti, ndjesi e përbërë,
nga pejza dhe dëshirim,
prej burri,
prej njeriu,
që jep vlim.
 
Blu jashtësia,
blu dhe thonjtë,
acari prehet mbretërisë së vet aty, përtej.
Nata ditën çliron nga vargonjtë,
nëpër bruz,
një shqimëz hëne mbet’.
 
Këmbana të çuditshme,
më ftojnë për flirtin e jermët,
ku arsyeja flak arsyen
humbellës së ndëryejtë.
 
Ngopur natyre notoj nokturnit,
yshtur largesën ta bëj ca çaste,
dhe ty të mishtë
prani fryme
aty rrëzë pafundësisë
mbase.
 
 
Duke dëgjuar rënkimin e shiut
 
Andej nga gjoksi i detit bie shi,
trastat e varura të reve
lëshuar si gjinj kulloshtër mbi breg
drejt tokës epen.
Thekur,
si trup i përgjumur
në përcëllimë të vapës
shkëmbi.
Avullimi i madh pushoi
hordhia e shiut po vjen
me batërdimë e potere të hirtë.
ngjyrë t’i ndërrojë qiellit,
t’ia shuajë dheut et’.
Ç’pushtim i çuditshëm ky!
Çdo nerv ,
të hapur,
e gjen.
Tani kalatë mbrojtëse bien,
vetë lëshohen, si në një
shtrat dashurie të pritur kohësh.
 
Erdh’ shiu,
poret e athëta u mbushën
nga etja shkëmbi shkriu.
Tani çdo çast quhet dashuri.
 
Klith natyra,
si mish,
si ethe,
si rënkim njeriu
ky shi.
 
 
 
Flutura AÇKA
 
Flutura Açka (Elbasan, 1966) është poeteshë, shkrimtare dhe botuese. U diplomua për Statistikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1988 dhe për Gjuhë-Letërsi në vitin 2001 në Universitetin e Elbasanit. Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpinë botuese “Onufri”. Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë. Në vitin 1997, mori çmimin ndërkombëtar “Lira e Strugës” në Netët e Poezisë Strugane, ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite. Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë europianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë. “Frikë harimi” është përmbledhja e saj poetike e botuar në gjuhën maqedone, në Shkup në vitin 2002. Romani i saj i parë “Vetmi gruaje”, është përkthyer dhe botuar në vitin 2006 në gjuhën bullgare në një seri me shtatë autore të njohura nga Ballkani. Në vitin 2009 mori çmimin “Serembe” për prozën më të mirë me romanin “Kryqi i harresës”. Në vitin 2011 mori çmimin e dytë për poezinë më të mirë në mitingun poetik “Drini poetik” në qytetin e Prizrenit, i akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Në vitin 2013 mori çmimin e “Romanit më i mirë” në Panairin e Librit në Prishtinë. Romani i dytë i saj. “Kryqi i harresës”, i botuar në holandisht në vitin 2014, u vlerësua me katër (nga pesë) yje prej kritikës holandeze. Flutura Açka e ndan jetën e saj mes Tiranës dhe Utrechtit, Holandë.
 
Librat e botuar nga Flutura Açka:
 
 
Poezi
 
Tri vjeshta larg, poezi, 1993
Mure vetmie, poezi, 1995
Festë me ankthin, poezi, 1997
Kënga e Aretuzës, poezi, 1998
Kurth’ i diellit, poezi, 2002
Poezi, vepra poetike 1993-2003
Zbathur, poezi, 2007
Lutje dimri, poezi të zgjedhura, 2008
Rënkimi i shiut, poezi, botim i plotë 1993-2011
 
 
Romane
 
Vetmi gruaje, roman, 2001
Kryqi i harresës, roman, 2004
Hiri, roman, 2006
Ku je?, roman, 2009
Kukullat nuk kanë Atdhe, roman, 2013
Ftesë për flirt, poezi, 2015
Mysafirë në rrethin e dhjetë, roman, 2017
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s