Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

OAZET E MIA

Nuk di pse s’lodhem nga gjysmëëndrrat,
Është punë e vështirë, më thoshe një ditë,
Por unë me ato ndërtoj oazet e këngëve
Janë kopshtet ku fjalosem me perënditë!

Bëhem magjistar që larton kështjella
Rrethuar me kopshtet e luleputhjeve
Atje s’guxon të afrohet pranvera
Atje gjelbëron fryma jonë e lutjeve.

Herë të krijoj si fëmijë të llastuar,
Ti më shpërblen me një det lumturi
Herë më dukesh si nënë e përgjëruar
Atëhere verbohem nga lotët për ty!

Shpesh ndërtoj ishuj për dy banorë
Dhe varkën e djeg, për të mbetur atje
I ftojë yjet për të qenë dasmorë
Nga qielli zbret Hëna si lule mbi re.

Blerojnë çdo stinë gjysmëëndrrat e mia
Herë lundrojnë larg, herë dhe në kujtesë
Të marr në krah, siç merret dashuria
Dhe çmendem në prush, dehem me jetë!

Pastaj endem nëpër qiejt e kujtimeve,
Të urtat më ndjekin pas si manare
Veç më kujtojnë detet e premtimeve
Dhe besën e farkëtuar nëpër zjarre.

Ta kam dhënë besën si unazë në dorë,
Ti zemrën ma ke falur, zog në kafaz
Nëse mbretërit mburren se kanë kurorë
Unë jam më i lumturi se kam ty fat!

Ku nuk më çojnë këto gjysmëëndrra,
Ëndrra nëpër gjumë nuk di të shikoj,
I thur e i ç’thur ndër vargje tek kënga
Me lirën e shpirtit nëpër qiej i këndoj

S’jetoj dot pa gjysmëëndrrat e mia,
Atje je ti, fryma, parajsa ime e vetme.
Vdekja do të më vijë nga lumturia
Pastaj, po të doni e quani dhe vdekje!

Nuk di pse s’lodhem nga gjysmëëndrrat,
Është punë e vështirë, më thoshe një ditë,
Ato për mua janë gjithë oazet e këngëve
Janë kopshtet ku fjalosem me perënditë!

 

NUSJA E QIELLIT
(Kanina-Djepi i Legjendave)

Nusja e qiellit e ndez hënën
Me një yll-pishtar në dorë,
Pena ime lëmon këngën:
Perëndia përmbi Vlorë!

Kaninë-kala e heshtur,
Kurorëndezura me yje;
E vjetër si verë shekujsh,
Përmbi det dallgë stuhie.

Valët ta ngrohin gjirin,
Ti liman dhe ti fanar;
Hënën si vetull floriri,
Ke në gushë si gjerdan.

Legjendat zgjon nga gjumi,
Rend mbi kalë Arianiti;
Varrin mbi një gjoks guri
Djepi me rrënjë graniti.

Nuk t’u lodhën kurrë sytë,
Sa mbi Krujë e sa mbi det;
Etjen e shuan me dritë,
Atje ku dehen rrufetë.

Kullon sofra shtruar mjaltë,
Bekuar nën diell të Zotit.
O vendi që nuk njeh natë,
I dhe dritë Kastriotit.

O e bukura Miss Kurorë,
Meka e Arbërisë sime;
Ati i urtë mjekërdeborë
Piu qumësht prej Kanine.

Me verë hëne i lyen flokët,
Sytë i lan me dritë dielli;
Buz’e detit t’i pì lotët
Kur të zemëron qielli.

Si gërshet e lidh ylberin
Mjegulla pudër mbi faqe,
Përmbi rè ngrite themelet,
Ullinjtë-simbole të paqes.

Zoti s’bën më dot Kaninë,
As shekujt, as legjendat,
U them brezave që vijnë
Nuk shikohen dy herë ëndrrat!

 

DHEMBJA JOTE

Unë jam dhembje,
dhembje e të gjitha dhembjeve jam,
këngë loti,
binjak i rrënjëzuar me shpresën
puth kristalet e dritës
veshur i gjithi me mall e zjarr!

Jam orteku i trishtimit,
kam marrë fuqin e Dhembjes,
që kur shpirti
u ngjiz me poezinë!

Jam dhembja e ajrit,
e tokës,
e qiellit,
e krahut të zogut në fluturim,
jam loti i diellit!

Unë-udha e plagës së puthjes,
gjurma e psherëtimës
në shtratin e përmendores së lutjeve
mbi polet e kësaj bote.

Unë …
dhembja jote!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s