PARAFJALA e librit ” Tautuazhet e shpirtit – Transletërsia e Moikom Zeqos” nga vetë autori Fatmir Minguli

PARAFJALA e librit ” Tautuazhet e shpirtit – Transletërsia e Moikom Zeqos” nga vetë autori Fatmir Minguli

Jeta e njeriut është një shtegtim. Padyshim, shumë i ndërlikuar.

Shëmbëlltyra e udhëtimit të Odiseut Homerik mund të krijojë një kuptimshmërit më të thjeshtëzuar, por jo më pak simbolike për vehtet tona.

Unë që po i shkruaj këto rradhë si dhe gjithë të tjerët, që janë qenie të arsyeshme, mendoj se jam një shtegtar në kohë.

Sa do të mundohem për ta thjeshtëzuar jetën time, nuk mundet dot ta formalizoj në një kronologji vitesh.

Jam i ndjeshëm, dhe jam i ndërgjeshëm, se jeta ime është një lojë e rasteve, qoftë të mira dhe të këqija brenda strukturës së Domosdoshmërisë.

Prirja ime e hershme ka qenë shkencat, universi i matematikës. Përgjithësisht më tepër kam besuar tek formula shkencore. Kam shkruar dhe botuar disa libra teknikë, që janë libra konstruktiviste. Pra, janë libra të përllogaritëshëm.

Këto libra janë pjesa e jetës sime të profesionit.

E di, se bota inxhinierike është bota e kulturës politeknike.

E di, se përgjithësisht numrat na çojnë tek një teknikë e skajshme dhe shpesh e pashembullt. Por mund të them se gjatë gjithë jetës jam marrë dhe me gjëra, që mund të kenë lëvizje në boshllëk. Pra, çështje sterile.

Në përgjithjësi kam qenë një lexues i etur, ose më mirë i thekur.

Krahas leximit në shqip kam lexuar një bibliotekë të tërë në italisht, ku natyrshëm kultura matematikore ndërthuret me kulturën letrare, filozofike, apo antropologjike.

Kështu në botën time janë përplasur konceptet dhe idetë . Mund të them se shijen letrare, e cila është estetike e kam të kultivuar ndërmjet një situate paradoksale, disa herë jo të qartë, por dhe të mjegullt.

Por si arrita unë të bëhem një hulumtues i përshpirtshëm i letërsisë?

Pse ndodhi kjo dukuri e habitshme tek unë? Pse vallë? E vërtëta është se çdo intelektual e ka një koleksion shëmbëlltyrash në kokë. Këto shëmbëlltyra janë të ndryshme. Këto shëmbëlltyra janë të kundërthënëshme. Këto shëmbylltyra janë dukuri sinoptike. Pra, të ndërlidhura. Të gjithëmbarshme.

Nuk dua të bëj një sinopsis për njohjen time me Moikom Zeqon. E kam njohur që në fëmijëri, por s’e di pse nuk më pëlqente.

Moikomi qe i famshëm që në shkollen e mesme, sepse kishte botuar libra poetikë. Por një ndjenjë e pashpjegueshme sikur më largonte nga ai. Aq më tepër se nuk kishim një lidhje a njohje të përbashkët. Janë gjëra që ndodhin në jetë. Simpatitë dhe antipatitë janë gjëra rastësore.

Në vitin 2002, Moikomi botoi një libër që quhej “Kënga e Këngëve”. Që në fakt ishte një shqipërim i një kryevepre biblike.

Dihet se ne Bibël është dhe libri i “Këngës së Këngëve” që në menyrë apokrife, i dedikohet, Solomonit.

Moikom Zeqo në një prirje të ifinitshme nuk qe mjaftuar me shqipërimin.

Shqipërimi është shpesh përshtatje. Ose një zhvendosje nga një gjuhë në tjetër. Ai i kishte shkruar komentet linguistike, por njëkohësisht kishte filluar krejt letrare, të pangjashme dhe të guximshme.

Në atë kohë Moikomi qe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.

Vinte çdo mengjes nga Durrësi, ku jetonte në një apartament të vogël 60 metra katror, një dhomë e një kuzhinë, mes librave dhe pikturave të pafund dhe mes dy krevateve me dy kate të tipit marinar, ku flinin gruaja, dy vajzat dhe djali i tij, se ai vetë flinte në një divan.

Pikërisht, në një nga mëngjeset, unë i dola përpara makinës me të cilën udhëtonte, dhe i fola.

Nga xhami i hapur i makinës i dhashë një dorëshkrim të shkruar me dorë, ku kisha bërë një ese pikërisht për librin e tij “Kënga e Kengëve”. Moikomi qe i heshtur. Por shumë i vëmendshëm. E mori dorëshkrimin. Dhe më falënderoi.

Mbas dy ditësh u botua në një gazetë të kryeqytetit.

Ky ishte një zgrib, ose më saktë një fillim.

 

Moikom Zeqo

Në vitin 2002 dhe deri më sot, për afro 15 vjet unë shkrova, duke respektuar habitërisht, në mënyrë kronikore rrjedhën e studimit për librat e Moikom Zeqos.

Ndërkohë, botova dhe dy libra për të. Librin “Tjetërlloj” dhe “Poezia moderne dhe Moikom Zeqo”. Kështu u lidha me këtë krijues.

Në fillim më habiste. Por, në vetëvete doja më tepër ta kundërshtoja, për ta përballuar përtej çdo mitizimi. E kuptoja në mënyrë të brendshme se të shkruash analiza për një shkrimtar, nganjëherë është gati e pamundshme. Ose në shumicën e rasteve është thjesht një koment i komenteve.

Në rininë time kisha bërë dhe shkrime letrare. Por nuk kisha guxuar të shkruaja ide me të larta dhe sinteza të thella për vepra letrare.

Por duke lexuar libra të Moikomit kam ndjerë dlirësim. Por dhe një mangësi, për të kapërcyer shumë gjëra, që i dija më parë si koncepte të gatshme, por jo të verifikuara. Fare mirë mund ta kisha lënë këtë punë.

Fare mirë mund të mos i kisha kushtuar kaq shumë kohë. Por si vallë e vazhdova kaq gjatë? Dhe me kaq intensitet shtegunn tim të hulumtimeve?

Vepra e njeriut që kisha përballë shpesh më dukej e pafundme. Shkrimi i tij qe i komplikuar.

Ndoshta më eruditi dhe më i papërballueshmi në letrat shqipe.

Ai të huton me korpusin e tij poetik, si të dymbëdhjetë Miscellaneave dhe me vëllimet e mëdha poetike, të nxjerra dhe të zbardhura nga arkivi i tij vetjak.

Një trashëgimi e tij poetike ishte e patjetërsueshme e tjetërllojshme, nuk dokumentohet tek një asnjë poet shqiptar, por asnjë poet botëror.

Nuk e kam shumë të qartë nëse kam mundur të bëjë analiza adekuate, që të jenë të referueshme.

Gjithashtu ky autor e ka lënë edhe korpusin e prozës së gjatë dhe të shkurtër.

Janë shumë libra, sa më të drejtë estetin Alfred Uçi ka thënë se “përbën një bibliotekë”.

Proza e tij e madhe “Kështu foli Mona Liza” është një parodi Niçeane. Me të nis dhe një kufi kronologjik i ndryshimit të narrativës së prozës shqipe.

Deri më 1998, proza shqipe dhe në arritjet e veta më të shkëlqyeshme nuk i shmanget dot strukturës së narrativës lineare. Pra, të strukturave subjektore të vijuara.

Më tej, Moikomi me librin “Grishja e Florimontit” bën një shtjellim më cilësor, të copëzimit dhe të fragmentaritetit për të krijuar një unitet më virtual dhe simbologjik të temës dhe substancës letrare.

Tjetër gjë janë prozat e shkurtra që të kujtojnë më tepër letërsinë alternative të Arthur Rimbaud-it dhe të Borgesit.

Një tjetër korpus i studimeve, që është më pak i artikuluar apo jo, është ai i librave eseistikë që përbëjnë koleksionin e ndërlidhjeve, gati universale midis kulturave dhe qytetërimeve dhe shkollave letrare dhe stileve.

Natyrisht, nuk duhet harruar edhe korpusi i studimeve të tij origjinale arkeologjike të historisë së artit, kulturës bizantine, por dhe të epokave filozofike, të antikitetit dhe të mesjetës. Por dhe të iluminizmit europian të filozofisë moderne, të Dekartit, Spinozës, Stjuart Millit, Kantit, të Hegelit, Marksit, Rasëllit. Nuk di sinqerisht, që për hir të instiktit të klasifikimit të vë në këtë koleksion dhe shkrimet politike dhe juridike të Moikomit.

Në publicistikën shqiptare jo vetëm që është një zë kryesor, por mbas De Radës, Faik Konicës Shahin Kolonjës dhe Fan Nolit, është kampioni i një prodhimtarie të madhe shtypin print dhe në media online.

Dua të jem i qetë më më fund. Që do të thotë se dua të jem i qartë të paraqes mbas para lexuesve të librit.

Në këtë libër është një sintezë studimesh, për t’u njehsuar në një kryesintezë. Detajet lëvizin, vihen në dukje, dalin nga errësira në dritë ose zhduken përsëri në errësirë, por thelbi i thelbeve është se ky libër i imi është tashmë një Unicum, për të tërë librat që kam mundur të vëzhgoj dhe të bëj persiatje për Moikom Zeqon.

E rëndësishme është të nënvizoj pse metodologjia e shkrimit tim nuk ka parapëlqime. Pra, nuk ka as postulate. Çdo gjë është një ballafaqim disa herë skeptik, por anjëherë idolaktrik. Kam bërë aq sa kam mundur. Por kjo nuk do të thotë, se nuk kam pasur asnjë ambicje të madhe.

Kam pasur një ambicie për të pamgjashmen.

Arti Moikomian është i pangjashëm. Apo kryesimboli i një gravitacioni të pafund simbolesh.

Ajo që kam dashur të shpreh apo të vë në reliev, është fakti se krijimtaria Moikomiane është një dukuri e re e letërsisë dhe kuturës shqiptare.

Shpresoj, që kam ecur me një shpejtësi të një semantike bashkëkohore.

Shpresoj, që kam qenë ndër të parët që e ka parandjerë këtë.

Shpresoj, se me gjithë kundërshtitë apo dhe mendimet e kundërta, ose dhe paragjykuese, unë në substancë nuk kam gabuar.

Por, mund të gjykojnë lexuesit e gjeneratave më mirë se bashkëkohësit.

Tashmë libri ka përfunduar.

Çdo libër paraqitet, kinse si një formë e limituar. Por jo nga përmbajtja, por as nga imagjinata që të shtjellon dhe shumëfishon leximi.

Ky libër është libri i jetës për mua.

Nuk do të mund të bëj një libër tjetër si ky. Pra, ky libër është dhe si një materie memoriale sui generis, pra të tjetërllojtë. Pa pasur nevojë të shpik zhanre të reja, them se thjesht se nuk e kam shpikur këtë libër. Libri ka diçka autentike. Sepse e faktorizon dhe sublimon emri i krijuesit.

Jam i sigurtë se për Moikomin do të shkruhen shumë libra, por librat e mi janë ndër të parët. Dhe kjo nuk është pak.

Para shumë vitesh, Dritëro Agolli shkruajti në një intervistë të tij duke thënë se letërsia e Moikom Zeqos do të kujtohet shumë vonë, pas dhjetra vjetësh.

Mirë që nuk tha, shumë kohë pas vdekjes së Moikomit.

Por kjo thënie e Agollit qe një shtysë nxitëse e padurueshme dhe përvëluese për mua.

Ndaj kam shkruajtur pa pushim, ndaj kam kapërcyer mbi kundërthëniet edhe mbi tezat e kundërta dhe mendimet dashamirëse dhe negative. Nuk është e vërtetë që kuptimshmëria e lexuesve mund të ketë një imcak të prapamendjes mendore. S’ka pse të kemi paragjykime të tilla.

Bashkësia e lexuesve përbëhet nga nivele të ndryshme kulturore.

Librat e shkrimtarëve si Moikomi nuk janë të shijeve populliste, por as të shijeve mesatare të kultivuara nga shkrimtarët mesatarë, ky është një dallim i madh i rëndësishëm. Por jo gjithmonë shkrimtarët e rëndësishëm përjetojnë një mirëkuptim të rëndësishëm.

Më të vonuara janë mirëkuptimet speciale. Më specifike.

Këtë gjë e shpjegon vetë Moikom Zeqo në librat e tij sinoptikë dhe të pakrahasueshëm për Onufrin, Naim Frashërin, Deradën dhe Migjenin nëse optika e përdorur prej tij është e vlertë dhe horizontëhapëse, nuk ka pse mos ta përdorim dhe ne.

Kjo përbën një bashkërëndim apo edhe një kultivim të një risie, përtej idividuales, për të krijuar një pritshmëri të estetikës dhe kriticizmit mendor.

Por vepra e letrare e Moikomit që e kalon numrin 100 librave, jo thjesht

në gjuhën etnike që ai shkruan. Gjuha etnike nuk e bën domosdo dhe letërsinë thjeshtësisht në mënyrë dogmatike. Në një nga librat e tij “Refuzimi i shkrimit”, Moikom Zeqo i përdor nocionet e ndërvarura për të treguar se teksti i sendërtuar i një gjuhe native, të caktuar natyrshëm ka tendencë për të shtegtuar, për të ikur, për t’u shmangur nga gjuha amtare, për t’u konvertuar në gjuhë të tjera etnike, të vogla apo të mëdha të botës.

Me të vërtetë ka ndodhur diçka e pangjashme, kur konstatojmë se librat poetikë të Zeqos janë botuar nga shtëpitë e mëdha botuese të Amerikës.

Për këto libra, poetë amerikanë të shquar kanë shkruar artikuj me vlerësime të larta për Moikomin, duke e krahasuar me Whitmanin, Eliotin, Ginsbergun, Ashberin etj.

Këto vlerësime të epërme janë të pavarura, ata s’e kanë idenë dhe nuk e kanë takuar Moikomin si njeri dhe nuk mund të konsiderohen qoka këto vlerësime të guximshme të sinqerta dhe ndërkombëtare për Moikom Zeqon në fundin e shekullit të XX dhe në fillim të shekullit XXI, e gjithë kjo përbën një fakt të mirëfilltë estetik.

Të gjithë e dinë se nga viti ‘92 e deri më sot, Moikomi është shkrimtari për të cilin janë shkruar më shumë shkrime e artikuj të kritikës letrare dhe eseistike, duke shtjelluar idetë e brendshme, shpesh të mistershme të estetikës së kultivuar të librave të tij.

Të gjitha këto i kam patur parsysh.

Këto janë evidenca e një arkivi të tërë. Kjo tregon se prapambetja e shijeve të lexuesit shqiptar, më tepër sesa konvencionale është relative. Sepse unë besoj te progresi mendor dhe te kapërcimi i standardit të vrazhdë dhe banal të mediokritetit.

Së fundmi, çdo libër ka një strukturë të caktuar. Kjo strukturë i ngjan urbanistikës së një qyteti.

Qyteti ka qendra kryesore dhe rrugë kryesore. Por ka dhe qendra më të vogla, ka dhe rrugë ndërmjetëse dhe anësorë të nënrenditura, por dhe qarkulluese, që quhen hapësira kapilare, të ndërfutura.

Libri im strukturohet sipas një kronologjie, pra pashmangshëm është në mënyrë të mirëfilltë i ngjashëm me një urbanistikë të substancës mendore.

Libri im paraqet edhe shkrimet përcjellëse të Moikomit që anojnë më tepër nga eseistika që zbërthen kulturologjinë dhe analizat e stilit të përkushtuar.

Në këtë hulli janë dhë shkrimet më sintetike, ku duke përdorur një ligjërim më të kursyer, unë jam përpjekur të bëj me to një njehsim.

Duke patur kujdes për t’iu afruar të vërtetës dhe jo për ta justifikuar atë, shkrimet janë të dyshkruara, për prozën dhe poezinë.

Por librat eseistikë të Moikomit, ndonëse i çmoj, jam treguar më i kursyer se për shkak të polisemantikës, më janë dukur më të vështirë për të bërë skanerin e tyre.

Pjesa e dytë e librit paraqet raporte më të lira për shkak të tipologjisë së dialogut. Kjo pjesë përbëhet nga intervista.

Këto intervista janë të shumta.

Të shtjelluara vit pas viti ato kanë atë, që mund të quhet dëshmi “juridike” e gjendjeve adekuate shpirtërore të autorit të pyetjeve kapriçoze, por shpesh jo me prapaskena ngulmuese nga ana ime. Këto intervista japin një vijimësi më të madhe të lëvizjes së ideve brenda gravitacionit, që mban ekuilibrin, pra që ruan strukturën e qendrueshme të vetë librit.

Në momentin e fundit që e mbarova këtë libër, që në të vërtetë është një libër i shkruar për 20 vjet me radhë, ndjeja se diçka mungonte dhe se të jem korrekt dhe i vetëdijëshëm për gjithçka, pa marrë parasysh as mungesat e mia vetjake e kulturore që janë të dallueshme midis meje dhe autorit dhe për shkak dhe njëkohësisht pasojë, apo për elementët kundërthënës Heraklitianë, më erdhi vetëtimthi një ide, se nuk do të ishte e kotë, as e pakuptimtë, që unë të përfshija në një farë epilogu të ekuilibrit edhe disa e-maile, që kam shkëmbyer për shumë e shumë vjet, falë mrekullisë së internetit, me Moikomin.

Është fjala për një numër të përzgjedhur e-mailesh.

Kjo do ta përshkonte natyrshmërinë e komunikimit më të shpejtë virtual, që ruan në një padukshmëri të veprimit të kompjuterit, një tjetër dukshmëri, gjithashtu të paraqitshme, por në momentin e fundit vendosa të mos i përfshi e-mailet. Le të jenë një ftesë për një botim tjetër në të ardhmen.

Libri për Moikom Zeqon është domosdo synimi drejt një risie, që nuk ka ndodhur më parë, përgjithësisht siç janë librat për autorët që kanë karakter komentues.

Pra, kemi të bëjmë me shpjegimin e aspekteve dhe formës. Kjo e bën kritikën letrare si shërbëtore të letërsisë, duke e ushtruar si diçka parazitare, duke e ushtruar si diçka apologjike.

Thënia e kritikut të madh amerikan, Harold Bloom, se para se të studiohet një autor, duhet vënë në dukje formati i tij kulturor, është e pakundërshtueshme dhe grishëse për ta aplikuar në çdo studim.

Formati kulturor është tejet substancial.

Formati kulturor është një kuotë më e lartë, nga mund të shohësh dhe thellësirat e poshtme.

Këtë përparësi të padiskutueshme ma ka dhënë vetë autori.

Lexuesi përfaqësohet si shumësi e pamatë për të sotmen dhe të ardhmen. Lexuesit janë ata që do të gjykojnë nëse libri im është dështim apo një zbulim.

Duke mos patur kohë më të humbas me hamendësime jam i prirur të dëgjoj vërejtjet dhe madje dhe të mirëkuptoj gjithçka.

Sepse mendoj se përgjithësisht intelekti i njeriut pranon dhe përhap rreth e qark konceptet dhe idetë e vërteta, se brendashkruarja e një subjekti të çdo libri, përtej procesit të të shkruarit, është gjithashtu një botë dhe univers më vete.

 

FATMIR MINGULI

Durrës, më 2 tetor 2017

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s