Poezi nga Erjon Muça

Poezi nga Erjon Muça

 

SKA SHPËTIM

E kërkuam heshtën e fatit,
s’e gjetëm, e ajo na u ngul
thellë në mendje, më tepër
se në shpirt.
Ah shpirt: Fjalë e krijuar
nga filozofët për të hutuar
primatët që evoluojnë ngadalë,
ditë për ditë.

“Vera është e nxehtë
të korrat kaluan,
e ne akoma s’kemi shpëtuar”:
nga çfarë, si, kurrë, kush duhet
ta shpëtojë këtë fole
mizash dheu të harbuara?

O shpëtimtarë hipotezash,
supozojmë se keni të drejtë!
Meqë deri tani jemi mes stuhisë,
të rrezikuar, pa shpëtuar, mbi këtë
planet, rrethuar nga pafundësia
e pakohë, e errësuar,
pasi të ne keni shpëtuar,
mos vallë,
gjithçka do ndalojë si me magji?!

Mos vallë do ndalojnë luftërat,
bombat do qëndrojnë pezull,
në ajrin pa smog, e mbi to lejlekët
do ndërtojnë fole migruese,
nuk do bjerë lëng tjetër prej qiellit,
përveçse shi,
dhe fëmijët e kësaj race
të pa shpëtuar ende,
do vdesin
në pleqëri?!

Pa më thoni ju, o shpëtimtarë,
ju që gjeni fjalë të mëdha,
mbi këtë planet të vogël,
populluar nga qenie mikroskopike,
a jeni në gjendje,
të shpëtoni veten nga kjo
çmenduri apokaliptike…?!

Jo! As ju, as unë, e as ne
S’jemi në gjendje të shpëtojmë.
Ndaj, herë Gralin e shenjtë,
herë heshtën e fatit,
si të vetmet shpëtimtare,
mes tymnajës së zjarrit ndezur nga ne,
zhytur në thellësinë e verbërisë totale,
i gjakojmë…

Sa më tepër kërkojmë shpëtimin,
aq më thellë në rrezik futemi!
Jemi mbi shtatë miliardë frymë mbi dhé,
dhe për fatin tonë, një pakicë e vogël
merr vendime, për të korrat e vaditura
me gjak shtyrë nga thirrjet e tyre, me kosa
dhe drapër në dorë, ngutemi…

S’ka shpëtim…

 

MAKTHE HARD

Tashmë ka ca kohë
që frikësohem, kur mbrëmja
mbi gjithçka na rrethon,
tiranike si prej plumbi
bie.
Më tmerron kujtimi i ëndrrave
të netëve të shkuar,
që më rrethojnë gjatë ditës
si të ishin hije të dehura.

Janë ëndrra të frikshme,
jo makthe mbytëse
që nga gjumi
djersë të zgjojnë.
Këto të mbajnë lidhur pas gjumit,
e pamëshirshmërisht
gjatë të gjithë natës të torturojnë.

S’ka më ëndrra naive
përgjatë netëve të mia,
ëndrra që i ngjasojnë një zhveshje
më tepër anuese nga sensualiteti,
se sa nga erosi.
Tashmë ato janë kthyer në krijesa,
të dhunshme
kapërthen pa ndalesë gjatë natës,
në më të përgjakshmet
sfilitëse orgji…

Kanë marrë shëmbëlltyrën reale,
ëndrrat që më vizitojnë
netëve të plakjes time mjerane.
Njëlloj si përbindëshi që rritet
nën rrudhat e brazëta, larg çdo shëmbëlltyre
shjentorësh me plakje prej perëndie;
shtazore…

Vdesin njerëzit dhe ne i varrosim
në dhé, ose në zjarr i djegim,
ndërsa ëndrrat i lëshojmë,
mes stuhisë së fatit të tyre.
Nuk mund të llogaritet koha,
që a kaluar, nga ëndrra e
humanit të parë, e tashmë
kushedi se sa janë shtuar?
Ndoshta çiftuar…!

Ndoshta gaboj, por jam më se i bindur!
Vizionet që netëve më tmerrojnë,
nuk janë vetëm ëndrrat e mia.
Kushedi se çfarë bastardësh krijesa
lozin valle të çmendur, kur shqisat
m’i kaplon qetësia.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s