Parathënie e vëllimit poetik “Muzg femre” i autores Drita Gera / Nga: Ilir Bushi

Parathënie e vëllimit poetik “Muzg femre” i autores Drita Gera
 
 
Nga: Ilir Bushi
 
Parathënie
 
Zakonisht, për të portretizuar një krijues që publikon vëllimin e parë poetik, kërkohen metafora të fuqishme, që kanë lidhje kryesisht, me fenomenet natyrore, si tërmete, meteorë, rrebeshë, uraganë, apo ajzbergë, por në rastin e poetes, Drita Gera (Lamllari), gjithçka ndryshon. Sepse ajo nuk është një udhëtare e rastit, që shfaqet përkohësisht, në rrugët e universit letrar, për të mbledhur disa lëvdata gazetash, që t’i vendosë pastaj, në albumet e biografisë së jetës, të cilat më vonë, t’ua tregojë familjarëve, apo të afërmve. Ajo është një banore e re e universit të letërsisë, por një përfaqësuese e racës së poetëve, e cila që sot e tutje, do të jetë e përhershme, duke na rrëfyer hap pas hapi, katalogët e krijimtarisë së djeshme, të sotme, por edhe të nesërme.
Me vëllimin e ri poetik, “Muzg femre”, poetja sapo ka trokitur në portën e letërsisë dhe kjo trokitje i bën nder komunitetit të krijuesve të shumtë, që janë identifikuar si banorë autoktonë të artit, dhe që prej kohësh quhen shkrimtarë, apo poetë.
Poetja Drita Gera (Lamllari), me një fletore vjershash në dorë, vjen drejt nesh, me aromën brilante të parfumit femëror, që e ka burimin te lulet e fushave të Përmetit, apo tingujt melodiozë të Shkodrës, ku kënduan dy korifejtë e mëdhenj të poezisë shqipe, si Naimi e Fishta. Në mënyrë të vetvetishme, gjatë hyrjes në mjediset poetike, ajo imponon qetësi dhe vëmëndje. Kjo, jo për shkak të efekteve artificale, që kanë të bëjnë me formën, si psh, ngjyra e dekoldesë, apo kombinimi i minifundeve, por për shkak të thelbit të universit poetik që shpalos magjia e veprës së saj, të parë, te lexuesit. Gjithashtu, sipas traditës së vjetër të Parnasit, poetët imagjinohen si kalorës të hipur mbi pegasin e lashtë, ose në ditët e sotme, të hipur mbi podiumet e servilizmit politik dhe mbi reklamat e pushtetit, ndërsa disa poete – femra, “të suksesshme”, vijnë mbi makinat e blinduara të pronarëve të tyre, duke zbritur si “princesha”, në sallat e promovimeve. Ndërsa Drita Gera (Lamllari), vjen para nesh, me një ecje të ndrojtur, mbi takat femërore, pa dashur që të bëjë zhurmë. Por zhurmën e vërtetë e krijojnë ritmet e metaforave dhe kombinacionet e vargjeve të saj, të cilat përbëjnë një zbulim të veçantë në atmosferën dhe mjedisin e sotëm poetik.
Ajo ushtron profesionin e mësueses së letërsisë, i cili e nderon dyfish, identitetin e mbretërisë së saj në poezi. Tani e tutje, në Shkodër, sa herë të vijë agimi dhe qytetarët të thonë, “ka zbardhur drita”, lexuesit e poezisë do të sjellin ndër mend, Drita Gerën dhe poezitë e mrekullueshme të saj. Me të vërtetë, ardhja e saj mund të krahasohet me mëngjesin e një dite të re, ku dritat e vetëtimave dhe zhurmat e bubullimave paralajmërojnë bllokim të trafikut letrar, për të evidentuar më qartë ardhjen e një personaliteti të letërsisë.
Drita Gera (Lamllari) ngjason me rrezet e mëngjesit, pavarësisht se libri i saj titullohet “Muzg femre”. Sepse aty, janë rreshtuar sekretet e një poeteje të çuditshme, që ia ka besuar intimitetet e universit femëror, ditarit të saj poetik, i cili deri dje, ishte personal dhe i ndaluar për të tjerët, por nga sot, ajo e bën publik për të gjithë lexuesit. Natyrisht, ky libër përmbledh një tematikë të gjerë të botës femërore, por në radhë të parë, ai është një radioskopi e ndjenjave të fshehta të vajzave dhe grave. Padyshim, dashuria është kryefjala e librit, ku ajo me profesionalizëm, na zbulon mëngjeset dhe muzgjet femërore, duke ndriçuar zemrën e një femre, në të cilën fshihet përmasa e sakrificës, pasionit, vuajtjes, ndonjëherë pendimit dhe shpesh e dëshirës për t’i rijetuar “gabimet”, apo “lajthitjet” mbrëmësore të adoleshencës, e rinisë së hershme.
 
 
Drita Gera
 
Libri nuk është një biografi personale poetike, por një skaner i impulseve femërore, në fillimshekullin e 21-të, me të gjitha ulje – ngritjet, diagramat, reflekset, vuajtjet, pagjumësitë, dobësitë, dhe magjinë e saj.
Në pamjen e parë, një njeri i palexuar mund t’i kuptojë disa nga vargjet e këtij libri, si një funeral dashurie, por në të vërtetë, për çdo njeri që e njeh poezinë, ai është një piedestal dashurie. Gjëja e parë që mund të themi, ka të bëjë me formën e mrekullueshme të shkrimit të poezive, kur në letërsi, të gjithë ata që shkruajnë, e dinë që nuk ka rëndësi se çfarë shkruan, por rëndësi ka, se si e shkruan atë.
Mënyra bashkëkohore e shkrimit të poezive, tregon se Drita Gera (Lamllari), është e përgatitur dhe e sigurtë për konkurrimin dhe pjesëmarrjen dinjitoze në këtë fushë. Vargjet e saj ndërtohen me figura të shumta letrare, të cilat, duket se ajo i ka gjetur me lehtësinë e një mjeshtre, që e identifikon që në fillim, si përfaqësuese të vërtetë, të racës së poetëve. Por i rëndësishëm është edhe fakti, që këto figura janë të arsyeshme e të logjikshme dhe jo të hedhura kot, në erë, apo pa lidhje me kontekstin.
Ja, si shprehët ajo, në poezinë “Femër”.
 
“Jam femër,
me pasione të thella,
sa oqeani,
me ndjenja të flakta
e dëshira gjakndezur.
 
Dhe më poshtë vazhdon:
 
Jam gjithësi përvëluese,
që shkrijë gjithë trupat rreth meje.
 
Jam natyra që dashuroj
mijëra diej.
 
Tokësorja dhe qiellorja,
qendra e universit.
 
Jam dashuria.
 
Jam femër.”
 
Ndërsa, në poezinë “Në gjinjtë e një femre”, poetja konstaton:
“Në gjinjtë e një femre,
flenë balada,
të lashta sa jeta,
aty, mbi damarë
u ngritën kështjella.”
 
Dhe në poezinë tjetër, të titulluar “Brishtësi”, ajo shprehet:
 
“…Delikatesë dhe brishtësi..
Quhet femër.
 
E bukur,
thurur nga ëndrra hyjnish.
 
E lakmuar,
e paragjykuar.
Shën Mëri dhe Mëri Magdalenë.
Engjëll dhe djall.
Mallkim dhe dashuri”….”
 
Në poezinë “Pa titull”, poetja zbulon pasojat e ikjes, apo mungesës së njeriut të dashur, në shpirtin femëror, me vargjet:
“Ti ike.
U vranë metaforat.
 
Papritur jeta u kthye
në një poezi pa titull.
Titulli ishe ti”.
 
 
Por ndjenjat e forta të pasionit erotik, ndonjëherë, kalojnë edhe në filtrin e analizës së arsyetimit, për të kuptuar më mirë, se çfarë jemi në të vërtetë. Kështu, në poezinë “Komedia njerëzore”, poetja zbulon një të vërtetë të frikshme, kur thotë:
 
“Jemi thjesht, protagonistë
të një Komedie Njerëzore.
Shkojmë drejt aktit final,
drejt një fundi të trazuar.
 
E meritojmë..
Aktruam bukur.
Gënjyem veten”.
 
Nga ana tjetër në poezinë, “Në mbrëmje”, autorja shprehet kundër rregullave strikte, të një regjimi të programuar jetese, duke thënë:
 
“Në mbrëmje mund të jem..
muzë vargjesh,
melodi e heshtur.
 
Dhe kujdesem,
të mos akordohem
në ndonjë notë.
 
Sepse ..
Mund të zgjoj brenda vetes,
ndonjë pentagram
të çmendur.”
 
Gjithashtu, në libër janë përfshirë edhe poezi me tematikë sociale, që zbulojnë plagët dhe mangësitë e realitetit tonë. Kështu, në poezinë “Lypësi i vogël”, autorja thotë:
“Në pedonalen e qytetit tim,
Lokalesh,
tavolinë më tavolinë.
 
“Lypësi i vogël,
në sy të shikon,
pa fjalë,
me dorën shtrirë.
 
Migjenin ma kujton!
 
Sa e trishtë!
 
Shekujt u ndërruan,
por shikimi i tij,
që lyp mëshirë..
Jo..!”
Ndërsa, në poezinë tjetër, “Ankand imoraliteti”, ajo prek një plagë të dhimbshme të realitetit të përditshëm, nëpërmjet këtyre vargjeve:
 
“Në tregun e ndjenjave,
e habitur dashuria,
pa para në portofol,
e skuqur nga varfëria,
u largua,
u vra,
nga dy duar të pasura,
që blenë virgjërinë,
në ankandin e imoralitetit.. “
 
 
Ndërsa, disa poezi të tjera si “Nëna”, “Bijës sime”, “Mësuesja e parë”, etj, paraqesin një përmasë të rëndësishme, njerëzore, të qenies dhe realitetit tonë.
Në fillim, duket sikur në libër flitet kryesisht, për pezmin e ndarjeve, zhgënjimin dhe boshllëkun që krijon humbja e një lidhjeje dashurore, apo mësimi që nxjerr një femër nga pësimet e raporteve të para, zhgënjyese, në botën intime. Por dalëngadalë, varg pas vargu, lexuesi hyn në të gjitha hapësirat dhe skutat e librit, duke shfrytëzuar të gjitha projeksionet e këndvështrimeve që krijojnë poezitë e këtij vëllimi, duke e kuptuar qartë se numri i “asortimenteve” poetike është i mjaftueshëm për të shijuar magjinë e mrekullueshme të këtij krijimi mjeshtëror. Sepse pjesa dërrmuese e poezive janë shkruar me një kalibër të lartë, që krahasohet me përsosmërinë.
Ekziston një këshillë e pashkruar e korifejve të vargut të lirë, që thotë: “Mos boto asnjë poezi, nëse aty, nuk ekziston asnjë figurë letrare”. Ndërsa, në librin që sapo merrni në duar, çdo poezi ka të paktën, dy, ose tre figura që identifikojnë shumë bukur nivelin artistik dhe profesional të autores.
Në libër përfshihen 100 poezi me një hapësirë të gjerë temash të ndryshme, ndërsa në aspektin e teknikës së vargëzimit, ajo i ka përdorur me sukses, si strofat e rimuara, ashtu edhe vargun e lirë, ku duket më e perfeksionuar. Midis rreshtave dhe vargjeve, dallohet qartë, se ajo ka një kulturë të gjithanshme dhe e njeh mjaft mirë ajkën poetike të krijimtarisë botërore e shqiptare, prandaj, duke iu referuar emrave të mëdhenj, poetja Drita Gera mund të krahasohet me Ana Ahmatovën, ose Ana Frankun. Ajo mund të ishte Helena Kadare, Flutura Açka, apo Mimoza Ahmeti. Por në fakt, emri i saj është Drita Gera Lamllari, të cilin do ta dëgjoni së shpejti, në formën e një trumpete, gjatë betejave, apo garave poetike, për lartësimin e nivelit të letërsisë sonë dhe për civilizimin e shoqërisë shqiptare.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s