Dilema e shkrimtarit Zeqir Lushaj (Shënime mbi librin me shkrime publicistike” Zbehje e heroizmit” të shkrimtarit Zeqir Lushaj) / Nga: Fatmir Minguli

Dilema e shkrimtarit Zeqir Lushaj

(Shënime mbi librin me shkrime publicistike” Zbehje e heroizmit” të shkrimtarit Zeqir Lushaj)

 

“Zbulimet e çdo brezi janë hedhur poshtë si të rreme nga teknologjitë

e brezit pasardhës. Dhe kështu kishte vazhduar gjatë shekujve.

Njeriu sa më shumë mësonte, aq më shumë kuptonte se nuk dinte

asgjë. ”

Dan Brown, ” Simbol i humbur” Dudaj, Tiranë, 2009, f. 75

 

Nga:  Fatmir Minguli

 

Të flasësh per heroizmin në ditët tona ndokujt do i duket si blasfemi. E për të shkruajtur një libër për heroizmin, çfarë do t’i dukej dikujt?

Përgjigjen e merr në esenë e mrekullueshme të autorit Zeqir Lushaj në krye të librit të tij të cilin po e trajtoj ” Zbehje e humanizmit”, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë:

” Unë jam i vendosur, i bindur në idenë time( jo politike) për heroizmin dhe për heroiken, pa synuar në asnjë çast që të jem avokat i heronjve…”

Ky autor me një jetë të zhdërvjellët plot aktìvitet e plot përkushtim ndaj jetës deri tani i ka dhënë kulturës shqiptare plot 12 libra, ku katër janë me prozë, me publiçistikë, ditare, skica, portrete, reportazhe e ku midis tyre zgjodha librin ” Zbehje e heroizmit “ ku forma paskajores e fjalës ” zbehje ” i jep një mbi vlerë këtij libri, botuar në vitin 2016.

Në libër ngërthehen shkrime që janë botuar nga viti 1976 e deri në 2011. Eshtë me vend të theksoj se                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                            nuk i kam lënë mënjanë librat poetikë të Zeqir Lushaj, por ato kanë vlerat e veta artistike dhe janë komplementare ndaj prozës së këtij autori, libra që shpresoj ti trajtoj më vonë.

Të njihesh me portretin e Zeqir Lushaj, mjafton të citoj fjalët e të ndjerit Halil Katana, të shkruara në parathënien e këtij libri:

” Lexuesi duke shfletuar këtë libër, do të ketë fatin e mirë të njihet me një talent të spikatur, që ka një botë shpirtërore të thellë e të gjërë sa deti e që karakterizohet nga sinqeriteti e shpirti i pastër që shkon deri në vetmohim.”

Dhe më tej ai jep karakteristikat e këtij shkrimtari si për mendimin e tij të thellë, stilin krejt të veçantë, çka shoqërohet me talentin e tij origjinal.

Përpos këtyre unë do të shtoja dhe guximin e tij të madh duke perifrazuar Zhan Pol Sartrin që thotë:

“Nuk mund të jesh intelektual  po qe se nuk zotëron përveç dijes dhe guximin.”

***

Libri ”Zbehje e heroizmit” ndahet në tre pjesë apo tre cilke siç i quan vetë autori, dhe që titullohen “Heroizëm..!? – portrete;

“E djeshmja –ditar për sot e ( më shumë) për nesër”- reportazhe;

“Amanet mos e hup vorrin” –skica.

Janë të tre ciklet pjesë të një “romani” të lloit të vet, si një zhanër që kam dëshirë ta trajtoj në këtë shkrim. Dihet mjaft  mirë se Zeqir Lushaj ka qenë dhe është një nga gazetarët më të mirë dhe reportazhet e tij janë vepra të vërteta që lëvizin midis skicës dhe esesë. Duke bashkuar këto tre pjesë ne lexojmë dashje pa dashje një roman për heroizmin njerëzor, nëpërmjet fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura, kurrsesi të sajuara. Një kritik letrar Alen Rodwej thotë: “Duke u ndarë në romancë dhe kronikë, romani romancë dhe romani reportazh u desh të zgjidheshin problemet e unitetit dhe të pranueshmërisë së iluzionit.” (Çështje të romanit, Prishtinë 1980, f. 355)

Dimë gjithshtu se romanet kanë heronj, herë të vërtetë dhe herë të imagjinuar. Por Zeqir Lushaj na i sjell që në ciklin e parë ashtu të gjallë për të mos i harruar kollaj. Por ai gjithashtu përdor edhe një artificë mjeshtërore duke na dhënë pas  ciklit të parë dy pjesë që i shërbejnë pikërisht temës së tij kryesore,“heroizmit”. Duke e emëruar cikin e dytë “ E djeshmja- ditar për sot e ( më shumë_ për nesër” më kujton thënien e Dan Braunit “ Te e kaluara shohim të ardhme” (Simboli i humbur, Tiranë 2009. Këtu duhen neglizhuar hamendësimet e kuptimit direkt mbi të kaluarën por duhet të përdorim aparatin psikologjik të analizës , shkurt duhen përjashtuar gjykimet e miltitantëve nostalgjikë të të gjitha kahjeve.

Cikli i tretë  përsëri rreh po në të njejtën temë duke u emëruar “Amanet mos e hup vorrin” cikël që i shërben shqiptarëve kudo ku janë.

Hyrja e ciklit të parë është një ese me frymë migjeniane ku kundërvëniet autor – lexues i mundshëm polemizues janë trajtuar me bazamente ekzistencailiste ku vetë autori sillet lirshëm, butë  dhe në formë demokartike për të ndriçuar sa më mirë idenë e tij mbi trashëgimin e popullit tonë. Ai e sjell heroizmin si një nga format më dalluese të një populli të qytetëruar,  i cili nuk ka nevojë të sajojë heronj, se i ka ata ndër shekuj.

***

Jemi mësuar të lexojmë dhe të diskutojmë për heroin e romanit, filmit, për heroin e Champions League-s së futbollit dhe pak diskutojmë për herozmin masiv. Diku lexon se ka ardhur vdekja e romanit, librit në përgjithësi, se librat nuk lexohen  për shkak të internetit  por edhe kemi lexuar shumë se si u dehorizuan heronj që bënë luftrat anti pushtuese  apo anti fashiste. Ka pasur raste që të elemininohen edhe epoka, periudha të tëra për popuj të ndryshëm, por në krye të këtyre reformuesve kanë qenë forcat politike e kështu me radhë. Kështu ndodhi edhe me fushatën e çuditshme për zhdukjen e fesë në 1967 në Shqipëri, por lexoni se çfarë shkruan mjeshtërisht, me një stil të rrallë Zeqir Lushaj te skica “Shtëpia e zotit” për Baba Dervish Luzhën, për varret në malin e Shkëlzenit, për besimin e njerëzve në fe dhe ai shpërthen: “ Me të drejtë, njeriu i thjeshtë, besimtar apo jo, cilido, edhe lexuesi i këtyre rrjeshtave  ka të drejtë të pyesë më shumë:-  “More  po ç’janë këto varre? Të kujt janë? Të ç’farë kohe? “ – dhe kanë të drejtë të pyesin.

 

Zbehje e heroizmit

Në të gjithë librin shihen pamjet e një jete të skanuar me kujdes nga Zeqir Lushaj. Ai nuk tremebet se sjell të kaluarën sepse e sjell me syrin e kritikut, të atij gazetari që kërkon të ardhmen  duke hulumtuar në të kaluarën. Ndryshe nga militantët e aksh partie. Dhe gjithçka bëhet me sinqeritet njerëzor dhe intelektual.

Fjodor Dostojevski na sjell një fragment nga bota e tij psikologjike: “Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim që e sheh tjetrin drejt e në sy, ka më shumë kuptim se dhjetra faqe nga një  libër.”

Zeqir Lushaj i ka të dyja, edhe sinqeritetin njerëzor dhe librin e sinqertë.

 

***

Pa tjetër që publicistikën, portretet dhe skicat e librit “Zbehje e heroizmit” e shoqërojnë idetë e përparuara si për kohën e kaluar ashtu dhe për të tashmen, shoqërojnë idetë e heronjve, arketipave  të ndryshëm  duke na thënë se ata nuk ekzistojnë vetëm në mite dhe legjenda, në përralla, në ëndrra, në shprehje fetare dhe artistike.Arketipat janë gjithmonë brenda nesh duan apo s’duan disa. Edhe kur grupe skulpturale të ndërtuara në kohën e monizmit hiqen nga sheshet qëndrore dhe hidhen në skuta qytetesh, përsëri e kuptojmë heroizmin mprapsh, duke mohuar ne radhë të parë artistin që e ka bërë skulpturën  dhe zhdukim dokumentin e kohës, pra zhdukim kohën vetë. Bota  e qytetëruar ka muzetë që ruan kohën, jo se i bën reklamë por i tregon brezave të rinj të popullit të vetë të kaluarën me fakte.

Ky fenomen dallon shumë qartë në portretet e këtij libri ku shfaqet dhe fakti se jeta dhe bëmat e heronjve janë të lidhura me fisin dhe aq sa mund të shuhen fiset aq mund të shuhen dhe heronjtë. Zeqir Lushaj i bie kryq e tërthor tokave shqiptare dhe jo vetëm tokave por edhe kohëve që kalojnë trojet shqiptare. Në hyrjen e ciklit të dytë autori na sjell një shprehje të princit Lekë Dukagjini që thotë: “Mos folni keq për kohët, se bani ma shumë dam.”

Pikërisht për gazetarët e sotëm e ka fjalën i mençmi Zeqir Lushaj, tek analizon  gazetat e kryeqytetit shqiptar që veç për fshatin e për zonat e thella të atdheut të tyre nuk flasin. Një djalë në facebook shkruante se edhe në fshatin e tij e paguanin taksën e TV shqiptar dhe jo pak po mbi njëqind familje, por- vazhdon djali- kurrë nuk pashë një emision për fshatin tim apo për ndonjë fshat tjetër, por kam parë se si një vajzë e bukur tregonte në një emision të televizionit publik se si i kishte kaluar pushimet në Dubai!

Koha kalon dhe kërkon shpagim. E djeshmja- thotë Zeqir Lushaj- është ditar për sot, e (më shumë) për nesër. Lum ai që e kupton këtë thënie kaq interaktive, ku çdo gazetar i sotëm do ta kishte si një udhëzues. Duke kërkuar atdheun, duke kërkuar njerëzit e thjeshtë dhe jo vetëm vipat e politikës apo të biznesit ata do gjejnë dhe heroizmin e vërtetë, do kuptojnë se “Djepi i heroizmit duhet përkundur çdo ditë” siç e shkruan autori në një shkrim të ciklit të tretë. Ky heroizëm është thjeshtë të qenit shqiptar, ku nuk shfaqet megalomania dhe as euforia, por jeta e vërtetë e njerëzve shqiptarë që kanë mërguar dhe janë larg të dashurëve të tyre.

Libri “Zbehje e heroizmit” është një doracak për gazetarë dhe shkrimtarë  se me thjeshtësinë e tij jep shembuj se si ka ndodhur dhe automativisht të bën të kuptosh se si duhet të ndodhë. Shembulli i shkrimit  “Kavalieri Ali Ohri “ është kuptim plotë për figurën e njeriut me taban, me botkuptim të patundur dhe fisnik. Ja si e jep këtë figurë Zeqir Lushaj:” Ali Ohri nuk u bë “demokrat” pas ’90- tës.Ai ishte gjithë jetën…,dhe mbeti i tillë.”

Dhe si ai ka plot në Shqipëri ku nuk e kthyen trupin në  lëkurë kameleoni, dhe nuk kanë veshur syze të huaja se ato i prishin sytë e vetë  atyre. Fenomenologjia e arketipit të heroit vlen dhe për heroizmin e cila ndodh në momente të caktuara të shkëmbimit të transformimeve brenda shoqërisë herë herë e shoqëruar edhe me vdekje psikologjike, ose më lehtë mund të thuhet me lindjen e një psikologjike tjetér. Pikërishte në këto etapa shkëmbimesh kërkohet të futen dhe heronjtë e rinj, të rrëzohen një palë dhe të ngrihen të rinj duke harruar faktorin kohë.  Por fatkeqësisht historia nuk rrëzohet, ajo ka petkun magjik të së vërtetës, aq sa mund të rrëzohet edhe fisnikëria e një fisi.

Sot në gazetarinë dhe historigrafinë shqiptare ndodh fenomeni i “dominosë” që do të thotë se kur filan profesor ka dhënë një ide që është e gabuar, por profesori ka emér mediatik, atehere të gjithë mbështeten pas dominosë se tij e cila përkohësisht qëndron në këmbë dhe kur ajo rrëzohet, mbas saj rrëzohen edhe të tjerat.

Zeqir Lushaj nuk e luan këtë lojë! Por edhe po ta luaj domino ja e tij do të qëndrojë pafundësisht në këmbë. Shembulli është ky libër ku ai prek fenomenin e zbehjes së heroizmit shqiptar, se si krahinalizmat kanë qenë në periudhën e monizmit dhe përsëri vazhdojnë duke u shoqëruar me vendosjen e drejtuesve që edhe janë pa tru. Ai nuk harron të bëj kritikën e sistemit monist, çka e lexojmë në skicën –  tregim “Kolltuku i  Partizanit”, një paralele me ” lugën e floririt” permutar nga komunistët në vigjilje të fitores së tyre politike.

Në librin e Zeqir Lushaj “Zbehje e heroizmit” faqe pas faqesh në udhétojmë në kohë dhe në këtë udhëtim takojmë heronj dhe heroina, njerëz të thjeshtë dhe burra fisi, njihemi më ngjarje të jetuara dhe i biem kryq e tërthorë natyrës shqiptare, e kur shkojmë nga bjeshkët takojmë Mujon dhe Halilin e pastaj Isa Buletinin e deri sa zbresim në Rivierë, takojmë njerëzit fisnikë të Lukovës.  Por nuk mund ti përmend të gjitha takimet që gazetari i paepur Zeqir Lushaj sjell në këtë libër që duhet lexuar.
Durrës, Nëntor 2017-

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s