FATALISHT NË GOJËN E BALENËS – Petrit Sulaj / Tregim i shkëputur nga libri ” Koleksion njerëzish” i autorit Petrit Sulaj

FATALISHT NË GOJËN E BALENËS

 

Tregim nga Petrit Sulaj

Dua ti mbush mendjen vehtes se dhimbja e njeriut kalon, sado e madhe qoftë ajo. Nuk e di pse, por sot dhëmbjen time kam qejf ta krahasoj me lumin, të cilin ka gati dy vjet që nuk e shoh. Rrjedhën e lumit kur e sheh nga larg duket sikur është ndalur në vend, por sapo i afrohesh rrymës, sheh që nuk është aspak ashtu si të dukej ty né largësi. E vështron rrjedhën pa lëvizur vendit dhe ja, dallon se uji që një sekondë më parë ishte aty pranë teje, poshtë syve të tu, tani për ta ndjekur të duhet të spostosh qafën dhe kokën mbi të, majtas që të mund ta shohësh dhe ca çaste të tjera; ndërkohë që ujin e vjetër një çast më parë aty me ty e që tashmë ka marrë rrugën pa kthim drejt detit, e ka ka zëvendsuar ujë i ri, lëndë tjetër, e kështu pafundësisht sa të jetë jeta.Nuk e di pse, po sot dua ti mbush mendjen vehtes se koha ka pushtet të transformojë gjithëçka. Koha dhurata më e vyer që na është bërë në jetë; pasi sillet herë si don ajo të bëjë me ne e herë si duam e si mundim të sillemi ne me të, pikërisht koha: kjo magjistare numur një, duke ushtruar pushtet mbi mua e unë duke e administruar sa e si mundem atë, deri sa në fund fare si mua e si asaj, të dyve na duhet të bëjmë bilancin reciprok. Koha për mua tashmë është bërë thjesht një hartë shtesë për mendimin tim. Një hartë e madhe e paraqitur me tre bojra: jeshilja, ngjyra e vendit që përfaqson të shkuarën time, e zeza shteti i mentalitetit tim aktual dhe grija ai i të ardhmes. E ndërkaq si për të dashur të vetndëshkohet, vehten e saj koha e masakron keq, e bën kufomë, ndërsa bëmat e saj mi lë mua dhuratë që të merrem me të; madje dhe për ti seleksionuar kë të mbaj e kë të flak, kë të bëj kujtim të denjë për të mos e kujtuar e cilin nostalgji për ta jetuar dhe në ëndërr. Me një fjalë thënë troç, jeta ka dy vjet që luan seriozisht shah me mua, unë e gjora thjesht bëj sikur mbrohem.Dua të bëj kokfortën e ti mbush mendjen vehtes se kalon gjithçka bashkë me kohën, edhe se për mua nuk ka qenë kështu; dhimbja ime tashmë as më shumë e as më pak, është berë vetmi realitet i përditshëm, madje dhe ëndërrat nuk shkojnë më tej se sa realiteti kështu si jam; një barrë e rëndë për të gjithë e jo vetëm për vehten time. I kërkoj hesap vehtes teksa e gjej tulatur si një kafshë e plagosur: pse në vend që të jem kështu orë e çast një e vdekur mbi dhe nuk qërohem nga sytë këmbët? Por kot e kam, sidoqë të bëj e ngado të shkoj me mendimin tim, nuk kuptoj më shumë se sa mund të kuptonte një kafshëz e pafajshme e plagosur papritur e kujtuar në lule të moshës; që s‘ kupton më as vehten e as botën pas gjëmës e kobit që i ka ndodhur. Por në ndryshim nga një kafshë, unë nuk ulërij me zë, po nën vehte, gjithçka e bëja brenda meje; e kisha inatin me të gjithë e me asnjë, madje dhe me vehten kështu.Britma e heshtur e gjithë qënies time kërkonte të merte përgjigje nga intelekti im e inteligjenca e botës, kërkonte të gjente një kuptim, një arsye, një spjegim të gjithë këtij ndryshimi të tmerrshëm që më kishte ndodhur; por sidomos këtë e kërkonte si e tërbuar jeta ime e mëparshme. Ishte ajo që këmbëngulte të dinte, se pse unë nga një flutur, siç isha dikur e që nuk e zinte vendi vend një çast, isha transformuar sa hap e mbyll sytë në një thes i rëndë rëre, që për të lëvizur nga vendi duhet ta mbartin të tjerët në krah ose ta shtyjnë sipër një karroce e cila tashmë është bërë vetë fati im.Cdo gjë është bilanc kohe, dhe njeriu. Asgjë mund të njihet jashtë kohës që ai e përdor, kohës që atij i është dhënë për ta administruar. E duke qenë se historinë e tij as vetë i zoti e interpreton si duhet, kështu për rrjedhojë asgjë mund të njihet në mënyrë të përkryer të njeriu. Shumë shumë, me një punë të jashtzakonshme, mund të arrijmë deri në kuptimin a mos kuptimin e gjërave që ne vetë dhe të tjerët bëjmë a nuk bëjmë.Shkoja nga shkoja me mendimin tim nopran dhe në finale gjithmonë ndalesha në një pikë fikse: „ A do vijë një ditë që edhe nëse nuk do të arrij të ec me këmbët e mija, të paktën do të mund të bind vehten që transformimin e tmerrshëm që unë kisha psuar ta pranoja si fatin tim, i cili vetëm kur e mendoj më terrorizon; ta konsideroja në fund të fundit një gjë normale, një fat i pranueshëm, vetë jetën time né vazhdim?“

***

Krejt jeta ime më parë se të më ndodhte gjëma që më zuri poshtë, sa herë e kujtoj më ngjan me një autostradë të gjërë krejt drita e gjelbërim në të dy anët e saj, një autostradë e paparë që shpon tejpërtej zemrën e një mali të madh, e që deri çastin para se të më ndodhte kobi që më ndodhi, ndjehesha mrekullisht mirë, krejt e sigurtë, tërësisht e lumtur, deri sa né një çast të mallkuar, befas, papritur e kujtuar mali me çfarë ka e s’ ka sipër, gurë e shkëmbenj, shembet e më zë poshtë me gjithë ç‘ kam e s‘ kam unë.Ec pastaj e provo e mba barazpeshën e këtij tërmeti, moj mendja ime. Mos të rëntë në kokë. Provo të mbash ekulibrin kur të ka zënë bota poshtë. Provo e do të kesh rast të bindesh se psikologjia spjeguar nga të tjerët, madje dhe nga psikologu më kreativ i botës, është një zero me xhufkë. E ndërsa mjeksia dhe vetë Zotin e vë në dyshim, unë nuk po bëj kushedi çfarë tashmë pas kësaj që më ndodhi, thjesht nuk po u besoj më gjërave siç u besoja më parë dhe pikë. Por edhe se e kam humbur këtë privilegj, ndërkohë vendi i saj nuk është bosh e kanë mbushur gjëra të tjera, sidomos shumë fare i besoj kurajos njerëzore, guximit tim për ta përballuar jetën edhe se në fakt e kam tmerrsisht të vështirë; nuk mundem as të ngrihem ndenjur për të bërë dhe punët më elementare të jetës. Po po, nuk kam ndrojtje më të them se kurajoja ime për të shkuar para është baraz me krejt psikologjinë e psikoterapinë e botës, me krejt mjeksinë e gjithë perenditë e fetë marrë bashkë, përjashtuar Zotit tim që gjendet brenda meje.Për një gjë tashmë jam bindur një herë e mirë, për faktin se njerëzit me probleme fizike janë më të aftë e më të lirë se ata me shëndet të pacënuar nëse gjëma e tyre nuk j’ua ka cënuar mendjen, a më saktë nuk j’ua ka paralizuar intelektin. Njerëzit e ndëshkuar në këtë plan, kështu kaq rëndë, të paktën i kanë mbijetuar vdekjes në planin fizik dhe një njeri i tillë që i mbijeton vdekjes është shumë më i lirë, tepër më i aftë për të kapur gjërat më të rëndësishme, gjërat më thelbësore e esenciale të jetës se sa të tjerët, njerëzit normalë. Por ndërkohë nuk kanë të drejtë kur lënë hapur çeshtjen e paralizës, topitjes së mendjes. Njeriu me handikap fizik është një qënie me mendje brilante, nëse tërmeti i rënë mbi fizikun e tij nuk arrin të ja rrafshojë intelektin. I shoh këto gjëra te vehtja ime, unë për më pak se dy vite kështu e gozhduar në karrocë, kam bërë përvojë me mendjen time më shumë se sa për njezet e kusur vitet e tjera marrë bashkë të cilat i kam kaluar si qënie normale. Vetëm tani në këto dy vite me jetë të penalizuar, duke bërë përvojë ndryshe, e kam njohur mirë vehten time; dhe kam arritur në konkluzionin se vetëm në tre raste mund të jem në rregull me të: rasti i parë, kur e kam xhan, rasti i dytë kur ja nxij jetën dhe treta, kur pasi ja nxij jetën, menjëherë nje çast më vonë kthehem dhe e kam xhan më shumë se kurrë vehten time.

***
Kam qenë gjithmonë një vajzë e urtë, asnjë herë nuk e kaloja masën në gjendjet e mia shpirtërore e emocionale, ndoshta këtë gjë mund ta kem bërë vetëm kur përdorja imagjinatën time. Dhe që të jem e saktë këtu shquhem sepse prej kohësh e di që akti i të imagjinuarit ka kosto xero, mjafton që ti marrim leje me mirsjellje çastit dhe ja vëmë fletë e fluturojmë aty ku duam.Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer surprizat e të tjerëve nëse më parë nuk arrija ti imagjinoja me fantazinë time, por kur një ditë një surprizë e madhe sa goja e balenës vjen e të ngul dhëmbët befas, mu në çastin kur ti ke imagjinuar e pret gjëra të tjera, atherë të mbushet mendja si më është mbushur mua se jeta nuk është gjë tjetër veçse një surprizë me dy pamje: njëra shtojzavalle e bukur dhe tjetra shtrigë e keqe. Varet kë të taks fati dhe mos mendoni se do të më bindni duke më thënë se është ndryshe e jo kështu si them unë.Kam bredhur tashmë krejt spitalet më të famshme të botës. E kam nis nga Tirana, vetëm dy ditë né spitalet e saj. Kam shkuar në Romë, dy muaj atje krejt kot. Pastaj në Vjenë gjashtë ditë dhe e mbylla ciklin në Cikago. E rifillova përsëri pas një viti udhëtimin, pasi Andoni me babin tim zbuluan në internet se në Kinë kishte shpëtim për sëmundjen time dhe për momentin këtë odise pa shpresë e kam mbyllur me Pekinin.Krejt kot udhëtimet e mija të mundimshme, të gjithë më jepnin shpresë, po askush mundej ta realizonte. Mbi të gjitha më vjen keq për trishtimin e vuajtjen, por dhe për paratë që të mijtë, të afërmit e familjes time e të njohur e të panjohur investuan për shërimin tim. Ja tani jam këtu duke bërë fizioterapi, unë në krevatin e drunjtë e sipër meje specialistja më e mirë fizioterapiste, tek merret me gjymtyrët e mija tashmë të ngrira që prej dy vitesh e që me sa duket e kanë ndarë mendjen të mos më binden më.Nuk kam asnjë autoritet mbi duart e as mbi këmbët e mia, nuk mund ti lëviz, nuk mund ti ngre e ti ul e kur provoj; por do ti po të mbyll sytë, dmth të mos i ndjek me sy sforcimet e mia mendore, them me vehte se arrij të bëj me ta çfarë dua, njësoj si dikur, madje nganjëherë shkoj deri atje sa e zë vehten duke u kacavjerur në foljetën e kopështit të shtëpisë ku jam lindur e rritur. E gjej vehten herë duke mbledhur frutat e vockla ngjyrë të errtë që aq shumë më pëlqenin – po njesoj kështu u pëlqenin dhe mëllenjave – e herë duke prerë thupra nga degët e saja sepse i duheshin nënës time. Por kaq është filmi, sepse sa hap sytë i shoh duart e mia tek dergjen aty si dy dega të prera të thata foljete, në pozicionin ku flenë prej dy vitesh.E ndërsa me mua merret fizioterapistja, jashtë në sallon më pret Andoni, është bashkë me Leon, djalin tonë të vetëm, pesë vjeçar. Nga këtu ku jam shtrirë j’ua degjoj zërat të dyve. Në atë çast, sigurisht Leo po vrapon rreth e rrotull sallonit e im shoq e këshillon:” kujdeees, kujdeeeeees Leoooo, kujdes ku hedh këmben, shihe vazon! “ pastaj një minutë heshtje dhe përsëri dëgjoj zhurmat e hapave të tim bir dhe zërin e Andonit tek i jep këshillën e radhës.O Zot po sikur Leo të ketë sëmundjen time? O Zot më vjen ky mendim shtrigan dhe unë shtangem më keq se një shkëmb kur e godet rrufeja teksa më kalon për mendje ky mendim i tmerrshëm, aq keq bëhem sa shtangem më keq se jam, aq sa vështrimi më ngel i dënuar, varur né tavan si lëkurë gjarpri.Fizioterapistja e kap në çast ngurosjen time dhe më vështron pa e ditur hiç se pse u bëra keq dhe pa e hequr vëmendjen nga puna e saj me duart, më pyet: “ Je mirë, bukuroshe!?” Po, i them unë, pa ditur se ç’ po them ashtu dhe ndërkohë vij në vehte.Realiteti është si është tashmë për mua, aspak i mirë, por me atë që imagjinova një çast më parë nuk krahasohet, jo. Nuk mund të rri pa e çuar në fund mendimin kur them me vehte se le të jetë sa të dojë realiteti i pamëshirshem me mua, por jo më tej, mjaft ndalu këtu të lutem, me Leon nuk ke punë.Eh, e pastaj ec me thuaj se për çfarë duhen psikologët mjekët e krejt perënditë nga janë e s’ janë kur të paktën as këtë s ‘arrijnë ta bëjnë; të më qetsojnë tani pak mua, jo për vehten time por për vogelushin tim, për pjellen time, për shpirtin tim të bukur.Kemi prenotuar dhe vizitën për të bërë analizat komplekse gjenetike për gjithë familjen, një tmerr i vertetë deri sa ti bëjmë e të shohim rezultatin. O zot po sikur Leo të ketë marrë vetëm genet e mia? O Zot e pse duhen mjekët, pse kanë shpikur psikologët e perenditë kur askush nuk arrin të më sigurojë se birit tim të shtrenjtë nuk do ti ndodhë gjë e keqe. Nuk ka rrugë tjetër, bëhem gjithmonë e më keq me kalimin e minutave, aq sa dhe fizioterapistja e humb sigurinë e saj prej profesionisteje dhe si nis e më përkdhel tashmë fytyrën me duart e saja, e jo më gjymtyrët si për të qetsuar më shumë vehten se mua, më thotë se po shkon të më sjelle një gotë me ujë. E ndërkohë thirr dhe burrin tim dhe gjithçka merr fund kështu atë ditë krejt trishtueshëm.

***
Si ka mundësi që ndërsa tani je përsëmbari, deri një çast më parë aq mirë je sa nuk don të jesh më shumë se kaq, aq përsëmbari sa nuk mund të imagjinohet më mirë më tej, kur pas vetëm një çasti të tillë fillon e të dhëmb koka, të shkallmon aq shumë kaplloqja e mjerë, sa të duket se ajo po kërkon të hapet që të dalin trutë jashtë; e njeriu nuk duron më tej, aq shumë të merren mendtë sa menjëherë bie në tokë i alivanosur. Vjen në vehte dikur, nuk dihet pas sa kohe dhe gjëja e parë që zbulon është se nuk mund të ngrihesh në këmbë, kjo jo e jo po as ndenjur.Kështu ka ndodhur me mua atë ditë të zezë, kur për më tepër nuk kisha dhe njeri pranë. Andoni ishte në punë, Leo në çerdhe e unë vetëm duke u marrë me punët e shtëpisë. Kur erdha né vehte, isha e shtrirë në dysheme me duar para poshtë fytyrës, instikti më kishte ndihmuar, e kisha mbrojtur kokën nga përplasja dhe kaq. Njëra dorë po më dhimbte tmerrsisht. Koka po e po, aq shumë, sa më dukej se nuk kisha kokë fare, po né vend të saj një gur mulliri teksa bluante kockat e mija pa mëshirë, aq dhimbje kisha.Provova të ngrihem e nuk kisha fuqi, madje nuk mund të lëvizja as duar e as këmbë, u tmerrova kur kuptova se nuk po mundja të komandoja asgjë nga trupi im, përjashtuar syve. Fillova të thirr, po kush mund të më degjonte, telefoni fiks ishte larg në cepin e sallonit, celularin nuk e di ku e kisha. Por edhe sikur të ishin pranë nuk do të mund ti përdorja. Provova mos tërhiqesha zvarrë po asgjë, njësoj; mere me mend nuk mund të lëvizja as qafën majtas e djathtas. Kur mu mbush mendja se nuk mund të bëja asgjë me vehten time, fillova të qaja. O Zot sa shumë kam qarë atë ditë, më dilnin lotët valë të nxehtë nga sytë dhe kur mbusheshin gropat, rrëshqitnin krejt të shëllirtë poshtë faqeve drejt e mbi duart e mia. Nuk mundja as ti fshija lotët. Nuk kisha qarë ndonjëherë kështu më parë në jetën time. Dikur, kur lotët mbaruan, një herë mendova se nuk kishte ndodhur gjë, thjesht një shaka e fatit me mua. Fillova ta merrja vehten me të mirë: “Hajt, ja tani do ngrihesh e dashur, ja sa të bësh provë…” dhe u përpoqa të lëviz, por jo e pamundur, njësoj.Kuptova se tani e tutje lëvizja ishte bërë për mua ndërmarrja më e vështirë. Nuk mund të komandoja asgjë në trupin tim përjashtuar vetullat e syrit, brenda të cilëve lotët ca më parë pellg e tani të tharë, kishin lënë kripën e tyre që po më digjte aq keq. Ah, përjashtuar dhimbja e kokës dhe e krahut që e kisha zënë posht krejt gjërat e tjera të mijat ishin si më parë, vetëm një gjë nuk shkonte: këmbët e duart nuk më funksiononin. Boooh, çudi. pastaj hajde e beso ne psikologji, mjekesi e akoma më tej se kaq.

***
Si ka mundësi që çdo gjë fillon e mbaron, pa filluar e mbaruar në fakt kurrë? A nuk ju ngjan juve jeta me një rrotë që sillet përjetsisht rreth boshtit të saj, në qendër të cilit je ti? Kundërshtomë ose jo, njësoj kundërshtimi yt fillon e mbaron edhe kur nuk fillon e mbaron kurrë. I heqim puplat jetës tonë përditë, siç bën amvisa me një pulë. Mirë, pula nuk e din, se këtë punë ja bëjnë të gjorës pasi më parë i kanë hequr kokën, e i falet. Po njeriut jo, nuk i falet.E di mirë, për vehten nuk jam asgjë më shumë se një mister i madh, ndërsa për të tjerët një njeri për të patur mëshirë e për të ardhur keq për të. Për kush më njeh e di historinë time, po e po, por dhe të tjerët, madje dhe për ata që më shohin për herë të parë. E di, u bënë gati dy vite që po trondis gjithçka dhe gur e mur, po ç’ mund të bëj në këtë mes unë, nuk është as faji e as merita ime që jam katandisur kështu. Nëse ka fajtor në këtë gjurulldi, duhet ta kërkojnë e ta gjejnë të tjerët jashtë meje, ata që kanë marrë përsipër të administrojnë jetën e të tjerëve. Nuk kisha menduar se do arrija të bëhesha mister e gjë komplekse dhe për psikologët, për mjekët e profesorët e madje dhe për vetë krejt perënditë jashtë meje. E di, që të gjithë sa ishin, përpiqeshin me krejt mundësitë e tyre, pa kursyer gjë që të mos më linin në fatin tim të tmerrshëm. Isha i bindur që nuk kishin lënë gjë pa bërë, po krejt puna e tyre dhe e imja ndalej këtu. Askush del mbi vehten e tij e kështu që nuk bëj me faj askënd, madje thënë të vërtetën nganjëherë më vjen keq më shumë për të tjerët se sa për vehten time që s’ mund të bëjnë asgjë, sepse është kështu, kanë bërë të pamundurën për mua e vetëm sa kanë dështuar.Më keq më vjen keq dhe për perënditë, sa keq më vjen dhe për ta. Shpesh herë – si për tu hakmarrë ndaj gjendjes time – them me vehte: “ Ah sikur të kem mundësi e të bëhem dhe njëherë si kisha qënë më parë se të sëmuresha, krejt rigjenerimin tim, gjithë këtë mrekulli do të ja dedikoja Zotit, do të dilja në televizor e radjo, në gazeta e kudo e do të deklaroja: “ja Zoti eksiston, qepeni ju ateistët e mbarë botës, ja është Ai që më ka ngrit mua në këmbë.***
Tani mund të them krejt e bindur, se gjërat më të rëndësishme në jetë nuk mësohen kur je në gjendje të mirë, madje as kur je në gjendje normale, e mbi normale jo e jo. Gjërat më të rëndësishme në jetë mësohen vetëm kur normaliteti yt i deri një çasti më parë kështu, kthehet përmbys, sepse vetëm atherë jeta jote nuk është më e këndëshme për tu jetuar e administruar, por vetëm për tu kuptuar; jeta në këto raste është shumë pak veprim dhe me tepri pasojë, deri në fatalitet. Jeta jonë kur normaliteti kthehet në anën e kundërt të medaljes, është një çast fatal dhe pikë; si të them është sikur ne gjendemi befas para një kamioni né rrugë dhe nuk ngelet më gjë në dorën tonë për të vepruar më tej, nuk kemi mundësi të reagojmë për të dalë nga situata jetë a vdekje; sepse tashmë nuk mund të jemi më tej veprim, por vetëm një pasojë mjerane. Tashmë ne jemi thjesht një milingonë ndërsa jeta a vdekja është krejt në dorë të veprimeve te kamionistit; dmth se ai na shtyp apo na le gjallë më tej, varet kryekëput nga ai; në se shoferi është i kujdeshëm dhe frenon e na shpëton jetën, në të kundërt po qe se nuk e ka mendjen në vend, na shtyp.Pak a shumë kështu është dhe kur pasi të paralizohet trupi, ti mund të sillesh si një kamionist me vehten tënde kamion, ta kufizosh dëmin deri né pikën që të pranosh të shtanget vetëm trupi dhe jo krejt qënia jote; sepse vetëm pasi të tronditesh si qënie në themel, vetëm pas kësaj pastaj ke mundësi të shohësh se sa të vlen lëkura, dmth nuk lejon që bashkë me trupin të bllokohet e paralizohet dhe mendja, apo ti vësh rrotat sipër fizikut e intelektit tënd.Sa të të mjera janë fjalët kur flitet për njerëzit me probleme të rënda fizike si puna ime. Sa pa paraqitje janë.Asgjë ose shumë pak mund të përshkruhet nga gjendja psikologjike e humori i tyre me fjalë, pastaj dhe vetë një né këtë gjendje, i paralizuar nuk mund të shprehë me llafe e mendime gjithë çfarë ndjen e mendon brenda lëkurës së tij, mendo pastaj se sa mund ta përfaqsojnë fjalët e thëna nga të tjerët kategorinë e tillë. Sa ndërmarrje e kotë, atë që ndjej nuk mund ta them as unë, mendo ç’ mund të thotë një tjetër në vend tim, sado i zoti qoftë. Ndjehem e zhgënjyer tepër e pakënaqur dhe me vehten kur ndërsa po mendoj se po përshkruaj atë që ndjej, kuptoj se as edhe tendenca ime e dashuria për artin për të ngjallë emocione te të tjerët, nuk më ndihmon kushedi çfarë, edhe se unë jam më e ndjeshme se sa fjalët edhe se kam aftësi e përvojë ta kullundris më parë atë që dua them në disa këndvështrime, e këndvështrimi me i fuqishëm për mua do të ishte që duke bashkpunuar me fjalët të arrij ti jap jetë sa të mundem, sa pak instiktit të nënës që tashmë është bërë ndjenja e misioni im i vetëm, stimuli që më shtyn para në jetë.Vetëm tani kam arritur të kuptoj se problemet që njerëzit normalë hasin gjatë jetës së tyre të zakonëshme krahasur me problemet e një njeriu në karrocë janë lodra kalamajsh, përralla me mbret. Vetëm tani në këtë gjendje kam kuptuar se problemet kur lindin e dalin në sipërfaqen e mendjes njerëzore, nuk është se po i kërkojnë njeriut të merret me ta e ti zgjidhë se ata kanë nevojë kështu, jo , jo aspak, hallet u dalin para njerëzve thjesht për të mundur që ti vënë ata né lëvizje, që t’ ju tërheqin veshin e të tentojnë të kapin te vehtja polin më intelektual tyrin, në mënyrë që ai pastaj ta orientojë sa më shpejt njeriun, sa më drejt e sa më shumë në mënyrë efikase tensionin pa kokë e këmbë që jeta i ka lëshuar sipër.Nuk dua të bëj shembull vehten por edhe pa thënë se njerëzit me probleme të rënda fizike duhet që të tjerët ti pranojnë si mësues të mirë, a të paktën të jenë një pikë referimi e pazevendsueshëme për ta, nuk mund të rri. Njerëzit me realitet të përmbysur janë të vetmit që të mësojnë praktikisht se si ta lirosh mendjen nga ngarkesa të kota psikologjike, se si ta hapësh mendjen e ta bësh fizarmonikë, për të pranuar e përcjellë krejt tingujt që jeta mbrun né heshtje e fshehtësi.Sa herë kam thënë me vehte netëve të gjata kur gjumi s’ pranonte të vinte te unë, se një problem i caktuar për njeriun është si puna e hijes se një pulbardhe në punë të vet, që po fluturon mbi det. Hija e shpendit paqyrohet mbi sipërfaqen e ujit vetëm kur ajo është e pranishme si realitet fizik, kështu edhe problemet për njeriun duhet të merren në konsideratë vetëm kur ke përballë një situatë që i tejkalon gjendjet normale me të cilat mendja dhe trupi është mësuar një jetë të tërë të merret me të. Më thoni ju, a ja vlen atëherë që të mendojmë për gjëra kot më koti e që njerëzit me mendjelehtësi i fusin né kategorinë e problemeve e telasheve të përditëshme që jeta u vë para?Minutat e mia plakeshin e bëheshin orë dhe brenda orëve të tilla me moshë shekulli unë arrija e zbuloja gjëra që as do i kisha zbuluar sikur edhe tre jetë të zakonshme të kisha konsumuar si një normale. Isha e re fare, me njëmijë ëndërra e po kaq dëshira dhe nuk do të doja më shumë se një gjë të thjeshtë e krejt të ligjëshme: të rikthehesha ku kisha qenë, asgjë me shumë, krejt të tjerat do të jua lija me kënaqësi të madhe atyre që donin të mbijetonin normalitetit, e ti fshiheshin realitetit të tyre me fat e që në fakt nuk i kënaqte kurrë.

***
Sa shumë profesorë kam parë e më kanë parë, sa shumë infermiere ndihmëse të tyre. Profesorët, të gjithë të moshuar e të shëmtuar e infermieret perri, më të bukrat e dheut kishin qëlluar; sapo shihja këtë kontrast të madh mes profesorëve e ndihmëseve të tyre, menjëherë më ikte besimi dhe te profesori i radhës: mendoj se nuk duhet të goditet një pacient i shkallës time me një pamje të tillë tmerrsisht diferencuese.Profesorët i thonin burrit tim të njejtat fjalë: e ka fajin gjenetika për sëmundjen time. Gjenetika është punë e hollë, nuk ka kurë për të, ngulnin këmbë. Sigurisht, Andoni as më thoshte gjëra të tilla, por unë e kuptoja, madje thënë saktë e ndjeja nga vështrimi i tij se sa vuante kur doktorët ngulnin këmbë në gjëra të tilla, o Zot sa keq më vinte për burrin tim të mirë, o Zot isha bërë një barrë e madhe sidomos për të. Doja të zhdukesha nga faqja e dheut, ti hiqesha qafe atij të paktën e ta lija të lirë të bënte një rifillim tjetër me jetën e tij të re, e besoj se do e bëja po të mos më mbante im bir. “Ja dhe pak, thoshja me vehte njëqind herë në ditë, sa të rritet dhe ca, sa të bëhet pak më i madh Leo dhe do ik, do ik nga kjo botë e shpifur që më bëri të paqenë”.Jo rrallë e gjeja vehten në situata të tilla tepër komplekse e të paimagjinuara më parë, deri atje shkonte puna sa imagjinoja sikur e kisha sajuar unë vetë, kastile, me qëllim sëmundjen time; si të them sikur me të doja të verifikoja praktikisht sa sa vleja unë e nga ana tjetër të verifikoja se sa me donin të tjerët në thelb. E herë të tjera mendoja të kundërtën e kësaj, imagjinoja se isha katandisur kështu për të zbuluar se sa jam e zonja të besdis vehten e të tjerët.Profesori më i cuditshëm për mua ka qenë mjeku i Pekinit. I mrekullueshëm krejt ai njeri. Ke parë ti megjithëse kinez, ishte më bukuroshi nga të gjithë profesorët e tjerë europianë e amerikanë që më kishin vizituar. Duhej ti kishte nja 55 vjeç por i mbante mirë fare vitet e tij. Sigurisht, më vonë pasi fitoi simpatinë time në gjërat që bijen në sy vetvetiu pa e vënë mendjen në punë, pra duke përdorë vetëm intuitën, arrita e kuptova se mbi gjithçka ai njeri simpatik kishte një mendje të bukur.Nuk dyshova fare, ishte truri i tij që ja konservonte vitet profesor Lu-së pa i dhënë rast fizikut të ja vinte në pah. Infermieren ndihmëse të tij nuk e pashë kurrë, i dëgjoja vëtëm zërin, flisnin në anglisht po asnjëherë në praninë time. Krejt analizat nga trupi mi mori ai vetë me duart e tija, kurrë s’ më kishte ndodhur që një profesor të merrej kaq praktikisht me një pacient, si ai me mua. Pa vonesë fillova ti kërkoj spjegime vehtes time, dmth nga përvoja një mujore këtu në Pekin, u aftësova që ti kerkoja e ti spjegoja vehtes time, gjëra që as më kishte shkuar mendja se do të kisha patur nevojë të arrija deri këtu.Mendova dhe se pas këtij profesori të mrekullueshëm qëndronte dhe një infermiere po kaq e zonja, po kaq dinjitoze, sepse gjithmonë, pranë një burri të zgjuar e të bukur nuk mund të gjesh një grua budallaqe e të shëmtuar. Këtë ma kishte thënë njëmijë herë babi im, kur vija në dyshim vehten time para se të vendosja të martohesha me Andonin, e që këtu në Pekin pata rastin ta verifikoj.Ju nuk do të më besoni, po unë nuk mund të rri pa e thënë, se nuk e di qysh e tek, por një ditë andej nga java e tretë e qëndrimit tim në spital, më erdhi një ide e marrë, e marrë ndoshta jo dhe aq por e bukur dhe dashamirëse detyrimisht që po. Idea ime u bë krejt imagjinatë e arriti deri në pikën që profesorin Lu, ta ndihmoja dhe unë që të më shëronte mua, e atë pastaj, as më pak e as më shumë si të më kishte shëruar mua, detyrimisht komisioni i Stokolmit do ti kishin dhënë çmimin Nobel. Ja kaq shumë simpati erdhi e fitoi ai njeri te unë. Ja thashë mendimin tim dhe Andonit, po ai vetëm sa më veshtroi me sytë e tij të bukur që tashmë kishin filluar ta humbnin shkëlqimin e dikurshëm nga dhimbja e madhe që ndjente, po nuk më ktheu pergjigje pa harruar të më perkdheli flokët e të më puthi lehtë né buzë.

***
Nuk mund të mohoj: tashmë jam bërë e gjitha nostalgji e gjallë. Një pemë e xhveshur nga gjithçka, përjashtuar nga palca. Bashkë me gjethet është xhvoshkur e ka ikur dhe lëkura e saj. Krejt jeta ime e bukur është atje tej, matanë murit që ngriti pa dëshirën e nevojën e askujt trilli që mori fati im, teka e përbindëshme e jetës time që më goditi me grushtin e saj të pamëshirshëm në kokë.Imagjinoni një pemë që ndërsa vjeshta i asfikson gjethet e erërat ja degdisin në qoshket më të humbura të pyellit, gjendja nuk ndalet në këtë normalitet, ngrica e dimrit vjen e tillë sa i than degët dhe i han lëkurën. Më kujtohen krejt skenat e jetës time aq të bukura e të pasura deri ditën fatzezë, të gjitha më vijnë për mendje asgjë më kalon pa e shijuar; por nuk e di pse ndalem gjithmonë më gjatë në një skenë absurde që më ka ndodhur në udhëtimin e parë që kam bërë me traget në jetën time. Të them të drejtën nuk e di sa realitet e fantazi ka në këtë ngjarje, nuk e di gjithashtu pse më vjen e më shkon e përsëri nga fillimi njësoj, një ngjarje kjo që më sillet rreth e rrotull si një enigmë, sikur don kështu të më tërheqë vëmendjen për diçka që më mua më ka kaluar pa e vënë re sa e si duhet. Nuk e di.Atëkohë nuk kam qenë më shumë se pesëmbedhjetë vjeçe. Më kujtohet gjithçka, rradha e gjatë e makinave për të hyrë në port, pluhuri i madh i mesgushtit, zhurmat e zallamahia, njerëzit e nxirë nga dielli, rrobat e tyre te holla mbi trup, zhegu i madh e gjithëçka tjetër deri në imtësinë më të vogël. Të gjithë sa ishim nuk kishim problem tjetër, përjashtuar të hynim në port, të ngjiteshin në anije e pastaj ajo të nisej sa më shpejt. Kaq duhej të ndodhte që të mbaronin problemet e tyre, por jo i imi: unë nuk kisha asnjë problem në fakt, thjesht doja të shihja se si reagonin njerëzit që papritur e kujtuar u ishin prishur planet. E me sa duket kjo pritja e ankth i tyre do vazhdonte gjatë, sepse radha e makinave nuk e kishte ndërmend të lëvizte nga vendi e njerëzit tashmë ishin shumë të shqetsuar. Zbrisnin nga makinat, ecnin deri në një farë vendi né këmbë, shihnin para duke zgjatur kokat, flisnin me njëri tjetrin për të kuptuar pse ishin ndalur e kur nuk merrnin asnjë lloj informacioni, ktheheshin pas e lëshoheshin në sediljet e makinave duke dëgjuar radion a duke diskutuar të njejtin problem me njeri tjetrin.Kalonin orët kështu në këtë mërzi kolektive, pastaj erdhi nata e ajo nuk kishte të mbaruar; askush jepte spjegime pse ishim gozhduar né hyrje të portit. Por krejt ndryshe ndodhte me mua, unë me kohë e kisha gjetur arësyen e kesaj vonese. E dija se ajo që kisha imagjinuar unë, ishte një gjetje teveqele, po më mirë një defrim i tillë se sa të vrasësh mendjen kot më kot. Arsyeja sepse ishim gozhduar ashtu para portit sipas rradakes time, imagjinatës së saj çapraze, ishte krejt e thjeshtë. Krejt për shkak se deti kishte shkalluar, deti ja mbathi, kishte marrë arratinë deti dhe bashkë me të dhe tragetet e ndjekën në këtë aventurë të tij, e neve nuk mund të bënim gjë tjetër veçse që të prisnim deri sa zbatica të rikthehej përsëri këtu tek ne, në vendin ku na kishte braktisur.E ndava mendimin tim harrakat dhe me babin kur e gjeta një çast të shpenguar, ai në fillim s‘ më dha rëndësi por kur unë ja përsërita versionin tim me ngjyra idiote, vuri buzën në gaz dhe me tha duke qeshur: „ Ti ke lindur për tu bërë shkrimtare jo unë, fillo sa më shpejt të shkruash dhe unë do të ta dorëzoj ty stafetën time mediokre.”Mëngjezin tjetër dhe kalamajtë filluan të mërziten tashmë nga pritja, për më tepër kur nuk mund të dilnim dhe jashtë sepse era e fortë qe frynte e bënte pluhurin shtëllunga shtëllunga, dhe me radhë orët kalonin e dreka na gjeti aty pa levizur as edhe një centimetër para, krejt të pluhurosur e nxirë si afrikanë me ngjyrë. Krejt makinat nuk njiheshin më nga pluhuri që kishin marrë, por sidomos ajo e babit tim ishte bërë dhe më e shëmtuar, nuk e lante ndonjeherë makinën babi im, e atë mëngjes dukej karrakatinë e sapo nxjerrë nga varreza e makinave të hedhura.Asnjë lajm, askush bëhej i gjallë dhe kështu na zuri mbrëmja tjetër, ndërsa gjendja filloj të rëndohej keq fare, për më tepër kur andej rreth filloi të vinte një erë e rëndë, gjërat e ushqimet që kishin marre me vehte udhëtarët kishin filluar te prisheshin dhe ata.Nuk mbaj mend si shkoi puna më tej. As më intereson, kaq mjafton.

***
Shkoj nga shkoj me mendjen time balerinë noprane dhe gjithmonë ndalem në një pikë. Tashmë jam e bindur se e shkuara, ajo që ka ndodhur dikur me mua është në një farë mënyre akoma pjesë imja, jo më kot kështu, por sepse më ka mëkuar me ushqimet e saj kohën kur më ka bërë shoqëri e ndërkohë që dhe unë nuk kam qenë indiferente me të, e kam ushqyer dhe unë atë në një farë mënyre sa e si kam mundur. Të them të drejtën tashmë kam qejf që të jetoj vetëm kohën e shkuar timen, atë kohë të artë para se të më ndodhte incidenti i tmerrshëm dhe deri diku ja arrij, kështu, si të them, stakoj sytë nga vehtja i mbyll dritaret botës dhe kaloj për mendje atë që më ka ndodhur, por në finale asgjë ndryshon, ajo që ka ndodhur është rritur tashmë, është bërë monument, a mund të ndryshoj unë atë më, a mund ta kthej pas?Dua ti shkoj në fund imazhit tim për kohën e shkuar, nuk lë gjë pa sjell në mendje dhe karahasimi më i bukur për të më duket kur e krahasoj të kaluarën time me nje stofë aq farfuritëse, saqë po ta vendosësh në pozicione të ndryshme ndaj dritës, stofa fillon e llamburit, merr ngjyra e reflekse sa janë ngjyrat e ylberit. Sa herë kthehem pas me kujtesën nuk e gjej asnjëherë njësoj e uniforme të shkuarën time, përjashtuar atij minuti fatal kur e gjeta vehten thes kripe në tokë e nuk mund të bëja asnjë lëvizje, as edhe më të voglën, as qafën mundja ta ktheja. Gjithë episodet e tjera janë në proces, në ndryshim. Sa herë kthehem e vozis me kujtesën time, përjashtuar çastin kur humba kontrollin ndaj trupit tim, asgjë e gjej të përfunduar, dmth një herë e mirë të bërë. Sa herë kthehem, historia ime ndryshon, farfurin si një basëm e çmuar nën reflektimin e dritës. E kaluara ime përjashtuar momentit fatal, është një ylber në ndryshim të vazhdueshëm. E nuk e di për mirë a për keq kjo gjë për mua.Nga më erdhi paraliza totale mua? Asnjë shenjë paralajmëruese, asgjë shqetsuese përjashtuar një dhimbje koke fatale. Si më gjeti sëmundja mua? Kush e dërgoi, pse më erdhi ajo? Pse pikërisht tani e jo më parë a më vonë?Tani çuditem me vehten po e po, por edhe me të tjerët të cilët ankohen që jeta nuk u ka ardhur si kishin imagjinuar ata, dhe mendo ti që njerëzit kur kanë të bëjnë me vehten duan të imagjinojnë vetëm gjëra të lumtura si psh, se pse nuk kanë gjetur akoma dashurinë që meritonin, apo që kishin gjetur një dashuri jo si e kishin imagjinuar e pastaj e kishin humbur, apo që një ëndërr që kishte mbetur thjesht ëndërr për ta e nuk ishte realizuar kurrë, apo pse akoma nuk kishin shkuar në një vend që do të kishin dashur ta shëtisnin me kohë.Po a mund të imagjinojnë njerëz të tillë, dhe si do të reagonin kur të mësonin për një person që deri në moshen njëzetepesëvjeçare krejt i lirë, i cili kishte mundësi të hapë krahët dhe ta përqafojë si don ai jetën; i vjen një moment dhe jeta i bëhet tragjedi nga një tekë e fatit, nga një kalkulim absurd genesh dhe ai ngel i gozhduar në karrocë. Dhe kohën tjetër të jetës aq sa i ngelet, jetën e tij e shoqëron vetmija dhe kur është i rrethuar me qindra njerëz? Mendoj kështu kur befas një mendim më bëhet monument: “Shoku yt më inteligjent është vetmia. Uroj të mos kalojë kohë e gjatë pa e njohur!”Në momente gjysëm turbull them se askush mund të bëjë gjë për ty, sepse jam e bindur se njerëzit nuk janë të zotë të shoqërojnë si duhet as vehten e tyre. Sepse askush mendon serizisht për integritetin e tij deri në çastin që ai i cënohet, vetëm pastaj njeriu fillon dhe e sheh vehten, të tjerët dhe krejt realitetin ndryshe. Këtë situatë kështu nuk e di pse, dua ta quaj me një emër të zakonshëm: trishtim. Po ideja që kam në mendje unë, nuk është ai trishtimi i zakonshëm që shoqëron njerëzit kur dështojnë, a në një farë mënyre kur nuk arrijnë të realizojnë atë që kanë dëshëruar të kapin gjatë ditës, vitit a krejt jetës së tyre; trishtim i tillë ky edhe se të vë para e të flak në fund të botës, duke të kujtuar se ti nuk je më shumë se një gjë e parëndsishme, në fund të fundit pas ca kohe kalon, nuk rrin gur varri e ti gjallë.Tjetër krejt është trishtimi i një njeriu të sulmuar pacipërisht në kulmin e jetës së tij, në thelbin e tij njerëzor; ky po, ky është shumë më shumë se një trishtim, është dhimbje, shkatrrim, e megjithatë përsëri njeriu jeton, vazhdon ta dojë jetën edhe pse ashtu gjysëm njeriu, më pak se kaq, vazhdon të kërkojë ta jetojë sa më denjësisht atë, sa më mirë, e në fund të fundit duke bërë kështu nuk kërkon ndonjë privilegj, por gjënë më normale njerëzore: të jetojë.Këto që citova me lart po ja them vehtes time, ose do të doja të ja kisha thënë vite e vite më parë, në mënyrë që sidoqë të më kishte ardhur jeta më vonë të mos më kishte gjetur gafil e të papërgatitur, në mënyrë që të mos pendohem për gjërat që duhej ti bëja e nuk i kam bërë, që të mos nguroja por të çaja pengesat, të luftoj akoma për të arritur realizimin e endrrave, sepse dhe njeriu në agoni ka akoma shpresë dhe e pret të nesërmen njësoj siç pret çdo njeri tjetër.

***
Më pëlqejnë krejt frutat, por sidomos bananet dhe luleshtrydhet i vë mbi të gjitha; më tepër se kaq i çmoja sepse i pëlqëjnë shumë si djalit edhe burrrit tim. Vetëm tani që nuk mund të bëj asgjë me ta , thjesht të kujtoj, kam kohë të mendoj për gjëra të tilla. Si ka mundësi, pse vetëm tani dua të jetoj me të kaluarën time më shumë se sa me të tashmen, ndërsa e ardhmja as eksiston më për mua, ndoshta jetoj akoma thjesht se dua e tmerrsisht djalin tim dhe Andonin, por dhe të tjerët i dua.O Zot sa defrehesha kur u bëja sallatë me luleshtrydhe e banane. Në fillim i laja luleshtrydhet dhe i grija në copa të vogla, pastaj vazhdoja me bananet, në fund i përzjeja me një lugë sheqer i hidhja nja tre a katër pika limon dhe kaq ishte receta për mua e Leon, ndërsa për burrin ndryshonte pak, në vend të lengut të limonit nuk harroja t’i sprucoja pak raki, ashtu si i shijon tmerrsisht atij.Tani dhe ky rit si gjithë të tjerit ka marrë fund për mua e për ta, nuk mundem unë të qëroj banane e më pak të laj e grij luleshtrydhe, tashmë në shtëpine time as mendon njeri për këto gjëra, barra e vetme, problemi i familjes tani jam unë, një telash që del e tepron për të gjithë.Gjithmonë në fillim, dy ekstremet e bananeve, fundin dhe fillimin e tyre e ndaja veç, keta pjesë i lija për vehten time, ndërsa mesin per Leon, gjithmonë kështu bëja, ishte kënaqësi e madhe për mua kur veproja kështu. Dhe me luleshtrydhet, dhe me ata bëja një operacion ekstra, zemren e frutit e ndaja per Leon, anët për mua dhe burrin. Askush e dinte ketë gjë, askush, madje as do ta dijë, janë gjërat e mia që më lumturonin dhe më lumturojnë akoma, kaq.Luleshtrydhet i kisha mbjellë në cepin e kopështit ku kishte hije, vetë me duart e mia, dhe u shërbeja me një përkushtim sa nuk tregohet. Tashmë dhe ata nuk eksistojnë më, i ka mbuluar bari e barishtet, por sapo të zerë vend puna ime, do kujdesem dhe per ta, se si e qysh, do e gjej mundësinë patjetër. Unë kam një fantazi, qe po të mundja ta vija në vepër, punë e parë njerëzit e mi nuk do ti kisha lënë të rrinin të vrenjtur, do ti kisha mrekulluar e bërë me fletë të gjithë sa hap e mbyll sytë, mendo pastaj për më tej.E kështu pra, mallkuar qoftë kjo sëmundja ime, tashmë s ka më gjëra të tilla të vockla, që mua dhe dy të shtrenjtët e mij, na kenaqin e na dëfrenin si dikur. Une jam paralizuar, nuk lëviz, madje dhe buzët per të folur mezi i urdhëroj. Nuk ka më shëtitje për qejf, vendin e tyre a kanë zënë udhetimet e gjata për hall, odisea e stërmundimshme moderne për të gjetur se ku ka humbur motori im që deri para dy vitesh punonte për mrekulli, motor i cili më vinte në lëvizje. Krejt kjo për fajin tim, po të mos isha kështu, gjithshka do ishte ndryshe.Pastaj, nuk mund të bëj asgjë më me duar, as edhe një kafe, e kafeja që ma mëkojnë të tjerët, përjashtuar kur këtë gjë e bën Leo nuk me shijon. O Zot, dhe atij i pëlqen kjo punë, sa vjen nga kopështi i thotë mamit tim: “ Gjysheeee, e ke bërë kafenë për mamin!”Madje as per qenin tim të bukur nuk mund të kujdesem më, një herë e kishin harruar dhe lënë pa ngrënë (mamaja ime e ka humbur e gjora) dhe kur e mora vesh, se qeni kishte vuajtur për të ngrënë, gjëja e parë që mendova ishte se dhe kjo gjë kishte ndodhur për fajin tim. Pse jetoj akoma, boooh, nuk e di?

***
Sa më ka marrë malli të ulem në sedile dhe me të dyja duart të shtërngoj timonin e makinës. Gjëja e parë që më vjen në mendje të bëj kur të ngrihem në këmbë si një herë e një kohë, është të marr makinën dhe të dal rrugëve e të bëj gjurulldi krejt qytetin, Do dilja rrugëve të qytetit duke ecur si e shkalluar, me njerën dorë në timon e tjetrën në bori deri sa të vinin e të më arrestonin policia dhe unë pa mu bërë hiç vonë, do dorëzohesha e lumtur në prangat e tyre. Mjafton të shërohesha dhe do bëja kështu pa dyshim, edhe se kam qenë një shofere e kujdesëshme e tepër e qetë; aq shumë e kujdesëshme kam qenë, sa i lija me qejf të më parakalonin të gjithë, dhe sa herë të tjerët më dilnin para ndjehesha gati e lumtur që i kisha bërë të gjendeshin mirë kur i lija të më parakalonin.O Zot sa e dua tim shoq, sa i mirë është Andoni, sa besim kam te ai. Unë jam gruaja e tij e ai burri im edhe tani kështu si jam katandisur unë për të një barrë, asgjë tjetër veç një thes i rëndë kripe; ndjehem gruaja e tij edhe se në fakt nuk jam më shumë se një barrë jo vetëm e rëndë por dhe e tmerrshme për të.Ai e im bir lumturia ime e fundit.Po ç’ dreqin kam që po mendoj kështu sot? Unë të gjithë sa janë i dua shumë, krejt të afërmit e mij sa janë, të gjithë më duan mua, ndërsa unë nga ana ime her herë a me saktë shumë herë, nuk e dua më vehten time keshtu si jam katandisur. Sidomos sepse e di që tashmë jam bërë një barrë për të gjithë, jo vetëm për vehten time. Më keq e kam kur mendoj kështu sidomos për djalin dhe burrin. Ata më puthin e unë s’ mund t’ jua kthej puthjet, nuk mund ti leviz buzët të dyja njekohësisht. Mirë Andoni më kupton, po im bir jo, ai është i vogël që të arrijë e të diferencojë e kuptojë ndryshimin tim të madh, e kjo është një torturë e vërtetë për mua.Më parë dëfrenim të gjithë sa ishim, tani asnjë për be; kush më sheh mua kështu dhe më i humburi i njerëzve, madje dhe një dokudo që se kam parë e s’ më ka parë kurrë më parë, shtang dhe don të më ndihmojë, o Zot pse më le kështu të bëhem barrë e papërballueshme dhe për më të pandjeshmin e më të panjohurin njeri, pse më ke bërë një subjekt që nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të j’u shkatrroj humorin njerëzve dhe atyre më të panjohurëve.Nuk e di pse nuk vë kujën, kam frikë shumë se një ditë edhe mund ta bëj ndoshta dhe këtë, por akoma më mban në ekulibër vetëm im shoq e im bir; i dua shumë fare, tmerrsisht i dua. Kur do arrij unë që ta mposht shtrigën, paralizën time? Kam frikë se një ditë do reagoj në një mënyrë që askush ka reaguar deri më tani. E duke qene se e njoh mirë jo vetem psikologjinë por dhe psikologët meshkuj e femra, e di qe trauma me madhe për mua do jete paraliza e mendimit, por kjo s do ngjajë me mua, ju siguroj njëherë e mirë profesionistë të të gjithë kohrave.Përvoja që më ka tronditur më shumë në këta dy vjet, ka qenë ajo që kam kaluar me psikologët. Kudo që shkoja më ndiqnin pas, në çdo spital, por dhe këtu. Dalngadalë sa më shumë njihesha me ta, aq më tepër ma rëndonin realitetin tim edhe se në fakt ata nga ana e tyre bënin të pamundurën që të më lehtsonin. Do ti që pas ca kohe kështu filloi të më vinte më shumë mua keq për psikologët se sa atyre për mua dhe dalngadalë, në fillim në mënyrë të pandërgjegjëshme e pastaj krejt me vetëdije fillova një farë shkëputje mendore, një lloj distancimi gradual e që nuk ra në sy të tyre deri sa këtë gjë ua bëra të qartë unë.Vazhdoja kështu dhe pa e kuptuar fare ata, erdhi një kohë kur unë nuk ndjehesha më pacientja e tyre. Ishte megjithmend një përvojë që se kisha imagjinuar të më ndodhte, dmth nga paciente të kthehesha në psikoanaliste psikologësh. Zbulova shumë gjëra, po vetëm një do ju tregoj, idenë më ekstravagante që bëra rreth këtyre profesionisteve pa profesion. Kështu, konkludova se psikologet femra nuk duhej të visheshin me fustan kurrë, dhe nuk e di pse mu fiksua fort në kokë se një femër psikologe me fustan në seancë, mendoja se i është shpifur jo vetëm zanatit, por fyen dhe intelektin njerëzor. E burrat psikologé? Burrat psikologë, O zot sa e shkalluar jam, burrat psikologë mendoj se do të donin të visheshin me fustan, ah sa do të donin; por dëshirën e tyre inkoshiente e mundte paragjykimi i tyre.Më mirë të behesh idiote si unë, se sa të kesh besim te psikologét e psikologjia!Unë nuk kam frikë më, as paragjykime: gjithçka di e mendoj, e them pa ndrojtje. Nuk më kanë pëlqyer psikologët për shumë arësye, por ajo që më ka lënë krejt të ftohte me ta ka qenë fakti se asnjëherë kanë patur guximin të ma thonë hapur atë që mendonin, e nga ana tjetër krejt me nënkuptim këtë gjë ma kanë kërkuar në heshtje, dmth në mënyrë të kamufluar që unë të shfryja drejtpërdrejt me fjalë e me gjeste, te ulërij tensionin tim tëbrendshëm, ta derdh atë egërsisht jashtë, ta zbraz kur të dua e kur të ma ketë qejfi; me një fjalë nga e terrorizuar të bëhem terroriste. Këtë gjë nuk do të j’ua fal kurrë as psikologeve femra e as atyre meshkuj, e tashmë edhe se fati, psikologjia e madje dhe perenditë jashtë meje më janë kundërvenë, unë kurrë nuk do t’ju përgjigjem me të njejtën mënyrë atyre, kurrë.E dini ju se problemi im që nuk mund të ec e të lëviz në hapsirë reale, nuk më duket kushedi se çfarë, kur mendoj se ka miliona e miliarda njerëz që e kalojnë jetën të paralizuar në nivelin e tyre mendor, dmth që nuk mund të lëvizin e spostohen me mendjen e tyre?

***
Nuk e kisha imagjinuar jetën time kështu transformuar në një figurë ekstreme gjeometrike. Shumë shumë e kisha menduar si një vijë e lakuar, hajt edhe deri me zigzage të skajshme e deri këtu. Sa e tmerrshme qenka kur jeta e njeriut merr formë gjeometrike, e sidomos kur në dy ekstremet e saj pozicionohen pa mundur të lëvizin prej vendit e shkuara dhe e tashmja jote. I bëjnë karshillëk këta dy gjendje njëra tjetrës, secila në qoshkun e saj, në njërin cep e shkuara jote e lumtur dhe në tjetrin e tashmja e mjeré. Pastaj në hapsirën mes tyre krejt e mjegulluar është strukur e ardhmja, e cila më ngjan me një balerinë të moshuar, krejt plakë. Sa herë mendoj, aq herë tre gjendjet e mia ndryshojnë dhe secila nga ata merr forma e relieve, qoshe, faqe, brinjë, diametër, rreze, hije e dritë nga më më absurdet.Këndvështrimi im sot nuk ka dimension të përcaktuar. Ndjehem e humbur dhe në këtë dimension njeriu nuk ka nga ja mban, përveçse të ndjejë dhimbje. Kërkoja të jetoj normalitet dhe gjej vetëm dhimbje për të jetuar. Nuk kërkoj kushedi çfarë, pak fare: të lirohem sidomos nga dhimbjet e problemet që më shkaktojnë të tjerët.Ishte seanca e fundit.Po e dëgjoja psikologun e turnit me vëmendje, ndërsa ai si zakonisht më bënte pyetje pafund e unë i përgjigjesha ashtu si mundja. Tashmë kisha vendosur që kjo seancë do të ishte e fundit për mua, për atë dhe gjithë kolegët e tjerë të tij. Si gjithmonë, në fillim fjalët më vinin krejt normalisht, pa u ndjerë në zor, pa u sforcuar, por pastaj sa më shumë që ai shkonte para aq më tepër mua më duhej të përmbaja vehten e kur arrinte momenti i zakonshëm, çasti i padurueshëm krejt, nuk arrija më që ta dëgjoja. Për korrektesë, më shumë se për mirësjellje, nuk ja ndaja sytë gjithë kohën. Por njësoj si gjithmonë dhe atë seance nuk po mundja ta kuptoja edhe se në fakt po e torturoja vehten që ti jepja shansin e fundit mos fitonte ndonjë pikë mjerane në favor të tij. Por më kot, psikologu më dukej se nuk po merrej me mua por me dikë që nuk jetonte në atë qytet ku banoja unë, madje as në shtetin tim, më tej akoma as në kontinentin ku gjallonim unë dhe ai. Mos po fliste me një jashtoksor psikologu dhe unë isha aty gabimisht? vazhdon ne koment…

 

 Tregim i shkëputur nga libri ” Koleksion njerëzish”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s