Poezi nga Kolec P. Traboini / Shkëputur nga libri “Requiem për një gjethe”


Poezi nga Kolec P. Traboini
Tiranë – Boston 2005

 

U BËRA TRUNG…

Po gdhend një statuetë të drunjtë në trungun e mallit,
që mes shqotave u trand, degët ju thyen e rrënjët kanë nisur ti kalben,
Përditë e gdhend, por formë nuk merr e mezi i dallohen tiparet,
pastaj si të isha Zoti i qiellit, i jap frymën time e druri nis e ngjallet.
Rri e shoh krijesën time, që më përqesh si Pinok i zhgënjyer
e veten e ndjej, si dru që lëviz, në këtë mërgim të urryer.

U bëra trung, tërë jetën u vetgdhenda
E kurrë nuk shpëtova prej kalbjes…

 

MAKTHI I NGRICAVE

Hyrja e piramidës-heshtje është mbyllur
me tonelata blloqe akulli tiranik
e dielli s’ka fuqi ta ngroh akullsinë;
më gjeni një shteg të dal e të ik.

Preka me frymë fasadat e ngrira
e duart mbi akull i mbajta gjatë,
nisën të ravizohen lot të bardhë
që në stalagmite ktheheshin prap.

Kërkoj të çlirohem prej makthit të ngricave,
mendimeve që brenda rrashtës akullflenë,
si një femër lakuriq në trurin tim
kurrfarë ngrohtësia pa marrë e pa dhënë…

 

PENGU I FUNDVERËS

Ende kam në duar një copëz të vogël jetë
dalë prej skuta shpirti si një dritëz e kaltër
luhatur pas pejzave të dëshirave
mbetur peng nga fundi i verës
si i pari rrezatim vjeshtor
mbi gjethnajën me klorofilë të vdekur.

Ende kam një dëshirë që digjet
si një diell i plloçtë brenda meje.

 

REQUIEM PËR NJË GJETHE

Ra një gjethe mbi stol një ditë vjeshte,
kur në lulishten e qytetit tim isha vetëm.
Nuk e di pse më erdhi e ç ‘donte të më thoshte
e ç’ notë muzikore kish sjellë me vete.

E lashë të këndonte vokalica si vajzë
që nga mësimet e liceut kish ikur,
por fryjti një erë djallëzore e ftohtë
e këngën ja ndërpreu papritur.

Frymën e fundit la në dorën time
me një tingull të verdhë, të venitur.

 

NJË GUR

Është punë e kotë të kërkosh me xhelozi
në dashuritë e njeriut,
që shfaqet si mozaik ngjyra-ngjyra në një mur,
ti për atë mund te jesh e kaltra,
por e verdha, bluja e kuqja nuk bëhesh dot kurrë.

Një dashuri nuk mund ta bëjë njeriun,
ashtu si mozaikun nuk e bën dot një gur.

 

NUK TË LË TË LAGËSH VETËM NË SHI

Mua shiu më pikon në shpirt e jo në xham
kur të shoh ty përjashta të rrish
nën pullaze që pikojnë pikëllueshëm në kalldrëm,
ndaj të thërras të bëj strehëz – në shpirtin tim
të rrish.

Në mos ardhsh brenda – unë përjashta do të vij
Nuk të lë të lagësh vetëm në shi!

 

FLOKU I KUQËRREMTË

Ndodhemi larg – në skaje kontinenti
ndaj rri e mat çapitjen e stinës
me perëndimin e bakërremtë të diellit,
që përkëdhel trupin e një nimfe floknajë
tek zhytet e del mbi liqenj ëndërrimi.

Më jep një fije floku të kuqërremtë
ta kem si dritëz nëpër shtigje kërkimi!

 

NËN ZERO

Ngricë. Minus 20 gradë nën zero në North Amerika,
u ngri Liqeni i Miçiganit e Niagara mezi merr frymë…

E megjithatë tej e përtej liqeneve veriore
ndjej të zgjohen tingujt e një violine
e kristalet e akullit nisin të thyhen
brenda qenieve njerëzore.

Koncerti i Vivaldit “Në katër stinë” të jep shpresë
se pranvera troket prap tek njeriu.

 

DIMRI I DASHURUAR
ME PRANVERËN

Përvëluar dora ime
prej diellit do të jetë
në mjegullnaja
do të shfaqet
një korb i zi
do të jem unë
që do vdes
e jo ti.

Shumë diej
e shumë hëna
prej teje jam larg
ti ke pranë një verë
të ngrohtë e të artë
unë shkoj
në mugëtirat
e poleve të acartë.

Jam dimri i akullt
fryma e fundit
e ëndrrave
që nëpër cicërima
të mardhura
po zgjohen
jam pjergulla flokërënë
tek pragu oborrit.

Jam thinja e panjave
nën shirat e nëntorit
jam vargu
i kojrrilave
në ikje
në një tjetër vend
që në qiell shkruajnë
emrin tënd.

Ti je pranvera
zgjimi dëshirave
që flenë
në çdo prag
e largët, magjepse
pa arritur
të përkëdhel
e dorën ta jap.

 

YLLI IM

Ti je ylli im i pikuar
këtë verë
e një yll – kurrë,
nuk pikon dot
dy herë.

 

MENJËFJALË…

Si humbe kështu, largësive të përtej oqeanit
a në thellësi kontinentesh, një dreq e di,
sa kohë që në qiell nuk gjen një dallëndyshe
ç’të rrije, ç’të kukuriseshe dhe ti?

Që prej mungesës tënde merrem me gjethet,
që druajtur prej dimrit ende s’kanë dalë,
e ndjehem trung, qerthuar me akull,
si një i pakallur në shi – menjëfjalë…

 

VDEKJE NË FLUTURIM

-Jam nga ai fis që vdes kur dashurojnë.

-Atëherë ti zog qielli, që vdes në fluturim,
merrmë në lartësira e në dreq të shkojmë
se u treta dhe u mpaka në këtë lis
ku vdekur kemi para se të rrojmë.

Merrmë diku në ndonjë kaltërsi Mesdheu
e bëj me ëndrrën time një litar
të kapen pas tij dhe ëndrrat e të tjerëve
para së vdekur shpresat na kanë…

…këtu në trungun e lisit të mërgimit
në thinjat e përhimëta të mendimit…

 


 Shkëputur nga libri “Requiem për një gjethe”
Tiranë – Boston 2005

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s