Marigo Posio: Qëndistarja e Flamurit / Nga Xheni Shehaj

Marigo Posio: Qëndistarja e Flamurit

Punimi i mëposhtëm nuk është studim i thelluar, por është më shumë një informacion mbi figurën e Marigo Posios, gruas që të gjithë shqiptarët ia dinë emrin por jo kontributin. Sa herë afron Festa e Flamurit, përmenden pareshtur figurat e larta të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, etj. Mes emrave të burrave të shtetit, del turbullt dhe emri i saj, Marigo. Ajo ndër vite është etiketuar si vajza që qëndisi Flamurin e Pavarësisë. Figura e saj në një farë mënyre ka mbetur në harresë, e shtypur nga pesha e burrave që i dhanë  lirinë vendit dhe nga pluhuri i viteve. Por kush ishte Marigoja dhe çfarë roli luajti në ngjarjen e shënuar të popullit shqiptar? Ishte thjeshtë një grua që dinte të përdorte mirë perin e gjilpërën apo ishte e brumosur, e lexuar e me ide të qarta? Figura e saj paraqet interes jo vetëm sepse qëndisi flamurin kombëtar, por si aktiviste e palodhur e çështjes shqiptare.

– Fillimet e saj

Marigo Posio lindi në qytetin e Korçës, më 1878 (ka paqartësi në datën e lindjes).

“Ajo rridhte nga një familje me tradita të shquara mëmëdhetarie. I ati, Kosta Poçi, kishte lidhje farefisnie e sidomos idesh me shumë nga atdhetarët e shquar korçarë, që vepronin brenda dhe jashtë vendit”.[1]

Marigoja u rrit në një mjedis atdhedashës. Që herët spikat ndër shoqe për zgjuarsi dhe dashurinë për dije. U mësonte vajzave shkrim e këndim, u lexonte poezitë e rilindasve, u mësonte qëndisjen.

Të gjendur nën përndjekjen e turqve, shumë patriotë korçarë u shpërngulën në Vlorë. Ndër ta ishte dhe Marigoja me të shoqin, Jovanin. Këtu nisi më me vrull puna e saj e palodhur për përhapjen e ideve patriotike dhe shkrimit shqip.

“Me të ardhur në Vlorë, Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politiko – patriotike dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetare, ku zhvilloheshin biseda e qaheshin halle për fatin e mëmëdheut e sidomos për gjendjen e keqe të gruas shqiptare. Ajo u mësoi shumë vajzave dhe nuseve të reja vlonjate alfabetin dhe u dha të lexonin gazeta e libra shqip”.[2]

Marigoja ka luajtur rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e klubit “Labëria”. Punonte krahas burrave për përhapjen e ideve, botonte në gazeta të ndryshme, mbante letërkëmbime me atdhetarë brenda e jashtë vendit.

– Marigoja dhe Flamuri

Hipotezat nëse ka qenë Marigoja që ka qëndisur flamurin apo jo kanë qenë të shumta. Ka pohime, mohime, argumente. Në fakt, nuk do zgjatemi së tepërmi në çështjen e flamurit pasi siç dhe e kemi thënë në fillim të shkrimit na intereson figura e Marigosë, gjurmët që la në histori jo vetëm si qëndistare por dhe si atdhedashëse.  Ajo do mbahet mend si qëndistarja e flamurit por duke zbuluar aktivitetitin e saj si patriote dhe grua do mund ta etiketojmë ndryshe.

“Në gazetën “Zëri i Vlorës” dhe “Përpara” si dhe në revistën “Shqiptarja e re” shprehet mendimi se Marigo Posio është autorja e flamurit historik që u ngrit më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë. Hajati i shtëpisë së Marigo Posios 2 – 3 ditë më parë se të shpallej Pavarësia u kthye në një punishte të vogël flamujsh ku Marigoja me vajzat e saj dhe me aktivistë të tjerë të klubit “Labëria”, Thanas Floqin e Petro Dhimitër Fotografin, qepën e stamposën me qindra flamuj të tjerë të thjeshtë me të cilët zbukuruan sallën e Kongresit e gjithë qytetin e Vlorës më 28 Nëntor të vitit 1912”.[3]

– Kontributi i Marigosë në “luftën” për emancipimin e gruas shqiptare

Marigoja në çdo veprimtari patriotike që kish ndërmarrë nuk kishte lënë kurrë mënjanë gratë. Kur me fjalë e kur me vepra, ajo është munduar t’u mësojë shkrimin, qëndisjen, përfshirjen në ngjarjet e mëdha të kohës. Pas shpalljes së Pavarësisë, Marigoja u përqëndrua më shumë tek gratë.

“Në këtë kohë ajo ktheu sytë nga një fushë tjetër e palëvruar të cilën e kishte kujdes për vite me radhë: nga rrethi i grave. Propozon mbledhjen e një kongresi të gruas shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914 themelohet shoqëria <Shpresa kombëtare>”.[4]

Më vonë, gratë me Marigonë në krye nisën të botonin në shtypin e kohës gazetën me të njëjtin emër. Shkrimet e saj në gazetë flisnin për bashkim kombëtar, për shkrim e këndim shqip, për emancipimin e grave, etj.

“Në gazetë nuk mungojnë dhe protesta me karakter thjesht politik siç është dhe mohimi i së drejtës së votës për gratë, i cili i privonte ato nga e drejta për të marrë pjesë në jetën politike të shoqërisë”.[5]

Marigoja dhe aktivistet që mblidheshin me të, merrnin pjesë thuajse në çdo ngjarje historike të vendit. Ato ndihmuan refugjatët e ardhur në Vlorë që përndiqeshin nga shovinistët grekë, ndihmonin bashkëatdhetarët kudo ndodheshin, i dërguan telegrame Gjykatës franceze për lirimin e Avni Rustemit.

“Ato i kërkojnë jurisë së Gjykatës franceze dhe ministrit të Drejtësisë së Francës “të marrë parasysh dëshirën tonë të flaktë për të parë të lirë Avni Rustemin…”. Telegrame me përmbajtje të tillë gratë e Vlorës u drejtuan dhe gazetave “Temps”, “Matin”, “Information”, “Petit parisien”, “Figaro”, “Eco dë Pari”, “Tajms”, “Gazete dë Luzane”, “Zhurnal dë Zhëneve”, “Cicago”, “Tribjun”, “Dielli”.[6]

Gratë vlonjate me në krye Marigo Posion, u përfshinë në një sërë aktivitetesh në ndihmë të vendit. Marigoja besonte në forcën e femrës, në fjalën e saj, dhe këtë kërkonte t’ua përçonte dhe vajzave të tjera. Ajo luftonte të krijonte një liri për femrat shqiptare, kërkonte arsimimin e tyre, vendimmarrjen, emancipimin në disa sfera jetësore.

“Luftohej të krijohej një shoqëri femrash gjithëkombëtare, ose të paktën të kishte degët apo veprimtaret e saj në disa nga viset kreysore të vendit. Shoqëria “Shpresa kombëtare” dhe organi i saj vunë një nga gurët e parë në themelet e organizimit të grave shqiptare”.[7]

 

[1] “Marigo Posio”, Zeko Braho, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 6.

[2] po aty, f. 11.

[3] po aty, f. 22 – 23.

[4] po aty, f. 27.

[5] po aty, f. 62.

[6] po aty, f. 33.

[7] po aty, f. 81.

 

Nga: Xheni Shehaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s