LOJA E QENVE OSE EDHE NJË HERË BEKETI / Tregim nga Zade Kuqi

LOJA E QENVE OSE EDHE NJË HERË BEKETI

 

Tregim nga Zade Kuqi

Ora kishte pushuar së maturi kohën dhe akrepat e saj qenë stopuar atje tek numrat që shënojnë momentet kohore buzë mëngjesi, kurse nuk dihej si kishte zbardhur dita, pa kuptuar sa qe koha kështu. Ajo foli me zërin plot bindje, të mbushur dhe të frenuar pak.
Përkundër çdo rrethane, dua që ti në shtratin e vdekjes të ma mbash dorën, i tha gruaja, gjersa qëndronte gjysmë e shtrirë mbi shtrojat e shtratit, ngjyrë të errët të mërzitshme.
– Do të shërohesh, – ia ktheu burri.
– Nuk dua!
– Pse? – e pyeti paksa mendueshëm ai. Brenga në sy iu bë edhe më e madhe.
– Ende nuk e mësova të mirën e shpresës?
– Të gjithë e dimë atë, – iu përgjegj burri.
– Unë jo, ose ndoshta më mirë të mos e kuptoj, – tha gruaja.
– Ndoshta më mirë e ke të merresh me studimin e luleve, – ia ktheu burri, -s’ka mbetur vend ku do të mund t’i mbillnim ato.
– Në dritat e fikura të shpirtrave, do të duhej të provoje.
– Aty ku rritet me te madhe kanabisi, a? – Pyeti gruaja, gjersa luante me duart e veta, ku dalloheshin qartë dejte blu, gjersa provonte ta gjente nje vend të përshtatshëm rreth qafës, ku do të mund t’i pushonte për pak. Pas asaj a-je të gjatë pyetëse, në fund të pyetjes së saj, ajo shtrembëroi buzët nga një e qeshur e ftohtë.
– Ti do të shërohesh, e dashun, vazhdoi burri, s’ke pse të mos shpresosh këtë?
– S’dua të zbres nga treni, ku kam hypur. Pastaj edhe kam filluar të pajtohem me këtë vendim timin dhe në një farë mënyre, edhe po më pëlqen. Edhe ashtu, nga ana tjetër, brenda shpirtit sikur nuk kam asgjë, përveç një grope, ku prodhohet qymyr me të madhe dhe krrokama korbash të bardhë, të cilët ushqehen me këtë lloj qymyri të zi, si nata.
– Përse je kaq e tronditur? – vazhdoi burri.
– Nga shpejtësia e madhe e fatkeqësisë, – ia ktheu gruaja.
– Mos qëndro, pra, te porta, se është rrezik, – prapë i foli burri.
– S’ka një vend tjetër më të dashun për mua, pasi që shumica, duke bërë, sikur s’do të iknin, ikën.
Ai iu afrua krejt afër dhe gati me pëshpërimë i tha:
– Unë ta mësova filozofinë, më duket?
– Bah, ia ktheu ajo, – gjersa vazhdonte te mendonte rreth lojës së qenve, nga shtrati, ku qëndronte gjysmë e shtrirë. Në këtë gjendje gjysmë zgjuar, gjysmë mbytur në mendime, ia ktheu burrit:
-Gjithmonë ishte pjesë e imja, vetëm se flinte diku në një dhomë të zbrazët. Ngase ishte e zbrazët ishte dhe e ftohtë. Pastaj plotësisht e ktheu mendjen në përfytyrimin e lojës së qeneve. Ata ishin gjithsejt tre qen. Njëri prej tyre, ajo me dobëta dhe me vogla me trup, dallohej, se ishte qenushe. Njëri prej qenëve i binte në qafë vazhdimishtë qenushës, duke iu përgjëruar që t’i hypte, për pak dashuni e shumë volum shfrimi fizik. Por ajo, në anën tjetër, me të gjitha fuqitë e kundërshtonte, duke vrapuar, sa në njërin skaj, në tjetrin, brenda një cope të vogël blerimi, rrethuar, nga njëra ane me kanxhela dhe me disa lisa të rrallë, nga tjetra anë, me kalimtarë të shumtë që po vanin e kthenin nga një ndërtesa e punëve ministrore të ditës. Ajo qe ndalur në një vend të papërcaktuar në hartën e mundshme të atij qyteti pa ngjyra të theksuara optimizmi e besimi dhe me dhëmbë e sy skërmitës vështroi për disa minuta skenën me qentë. “Ҁ’ishte ajo lojë e çuditshme e tyre? A ishte, në të vërtetë loje apo çka? Ndoshta qenushja e kundërshtonte, jo ndjenjën e arritjes së kënaqësisë sipërore të aktit, por përgjegjësinë e të qenurit nanë. Jo!Ajo do të kishte diçka jetër në kokë, – dëshirën e madhe të aktit të përsëritur të mëmësisë, gjininë e shtuar.” E Në këtë pikë të mendimit fytyra e saj u rëndua nga ndjesia. Një varg rrudhash ia theksuan çdo pjesë të saj. Sytë i morën dimension përcaktues, po vështronte pamjet larg dhe qiellin larg. Pastaj poshtë barkut të saj të thatë, dalloi gjinjët e saj gati të tharë. “Jo të tharë”, mendoi, “por të viktimizuar nga pasojat shtypëse të jetës së huaj, degjenerimit të përgjithshëm të detajeve dhe nuancave, kur gjithçka po ik nga baza e emruesit. Sa keq!”Dhe ata ishin jo një, apo dy, por disa.
Për pak çaste largoi vështrimin nga qentë dhe filloi ta sodiste rreth e qark vjeshtën. Ngjyrat e laryshme të qiellit, nuancat e pyjeve të kuqërremta, ca nga të cilët po dukeshin vetëm në kënde, sepse horizontin pushtuan ndërtimet e egra, dhe dosjen e saj të papërfunduar gjyqësare tash 15 vjetë, dënimin, gjoja me harresë të poetit ne dhomën e ftohte, marrjen e mundësisë për ekspozimin e librave për shitje dhe vrasjen e të borgosurit në një burg të qeverisjes lokale. “Nuk e di pse qent më duken si lojë aktorësh në skenë taverne në periferi të një q yteti madhor të Evropës. Ndoshta është një lojë rrokullisjesh të froneve.” Nuk nxorri më fjalë, edhe tash brenda qenies së saj ndjeu të dridhura. Burri që i qëndronte pranë, bëri një përpjekje të çuditshme që ta këndellte. Së pari e pyeti se ç’po mendonte. Pastaj, ngadalë, si në lojën e qenve që, herë pas here zvarriteshin barkas nëpër barin e vjeshtës, drejt erës së qenushës, futi dorën poshtë mbulesës me ngjyrë të mërzitshme të shtratit, gjer te kofsha e saj. Sapo ia preku atë pjesë të trupit, u ndal. Nuk vazhdoi më tutje. Gruaja nuk bëri asnjë shenjë që mos e miratonte ose e refuzonte gjestin e tij. Ajo sigurisht që nuk e kishte dëgjuar, as pyetjen e tij të fundit. Ajo shihte vetëm gjinjtë e thatë të kuçkës dhe kundërshtimin kategorik të saj kundër miklimeve të tjetrit.
Prapë ishte vjeshtë rreth e qark saj. Përveç haloreve që të lindnin dyshim se ndoshta nuk do mbanin gjilperat e tyre të holla e të vogla, të gjithë drunjtë tjerë mbanin degët hapura, si ëndrra të zbrazëta. poshte tyre një tufë zogjësh të pyllit çukisnin me të shpejtë fijet e zverdhura të barit, si lëkura e të sëmurit me tuberkuloz.
Kishte kohë që vera kishte ikur. Lulet e çelura i kishte molisur stina dhe qenë plandosur për tokë, kurse ato shumica që ishin tharë para kohe, shkaku që nuk qe kujdesur asnjeri për ato, ishin të vdekura dhe të shkelura, duke humbur e tërë substanca e tyre. Mizoria e moskujdesit ndaj luleve kështu shquhet si madhore. Gjithçka dhe me sa shpresë e priste pranverën!
Në ndërkohë gruaja u përmend, sikur po kthehej nga një udhëtim i mundimshëm. si nëpër dhembë foli:
-Kam frikë se mos më ha terri.
Si klithi burri dhe tërhoqi dorën nga pjesa e kofshëve të saj… si me inatë. atëherë gruaja futi dorën e saj mes shaleve dhe shtrëngoi pjesë pubisi, pastaj buzët e jashtme të vaginës me tërë ato, sikur po frikësohej se mos e humbte ngrohtesinë e saj. Nuk ia lëshoi dorën burrit, ndërsa ai kishte shmangur pak trupin. Shikoi librat rrotull tij dhe fytyrën e rënduar e domethënëse të tij. Pa e kthyer në asnjë drejtim, por duke e mbajtur me sy ngulitur mbi atë, shikoi burri dhe më thellë, që kishte pushuar e nuk ishte tërhequr më tutje vijës së shtratit, i tha gjithë pyetje e përgjegje bashkë:
-Edhe sa do të zgjasë kjo agoni e këtij sistemi me tërë këto lojëra konfigurale? Bëhen bashkë zjarr e ujë dhe ulurojnë kundër njëri-tjetrit, gjersa të gjitha i paguan toka e qielli, si? Pse? Ndoshta, sa për ta rivarrosur edhe një herë Kafkën në bodrumet, por në bodrumet mbi re, të ndjekjeve të tij? Të lutem fiki dritat, ndërprite gjirimin.
“Disa nga pjesët nuk ishin në program”, foli një zë nga ana tjetër… “Sheshi le të pushojë në errësirë. Kjo ishte edhe ideja.”
Mezi ju kujtua të thoshte, “e tërë kjo më hap horizontin dhe nuk bëhet të mos më nxjerr fjalët, – edhe një herë Beketi.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s