Poezi nga Anila Qirjazi Mihali
***
Shqipja derdhet mbi Vardar
Nga çdo fjalë tingull i magjishëm
Gjoksit më përplaset.
Minutat ajrin mbledhin grusht
Mbi to e lëshoj orën e zemrës
Qytetit t’ia ndiej rrahjet .
Derdhet muzë mbi Vardar
Mëkon Nënë Tereza mëngjeset
Hëna si mëndeshë djepit me yje…
Kërkoj frymën time në përtejnatë,
ku hijet pa sy më zhvatin mendimet,
mbështillem e bëhem flamur.
Pa cak
Çuditërisht fustanet më pëlqejnë prej ere
me copa të kuqe, si zjarri ndezur në zemër,
për ta qepur, mendimin e kam prej reje
do e gjej dhe një të tille rrobaqepës.
Do të shkoj dhe sonte të vallëzoj me retë
në pistën qiellore, pa cak të rreptë fjale
Vërshoni ju tinguj trupit jepni jetë
Fryma e poetit veç tek yjet fle.