Poezi nga Berzat Sadiki / Shkëputur nga vëllimi poetik “Më fal, o shpirti im”


Poezi nga Berzat Sadiki

 

MËSIM PREJ FLUTURAVE

Sa kam dëshirë
t’u vihem fluturave pas
më mashtron jeta e tyre
pa brenga bredhur fushave –
larg llojit njeri

Të marr mësim prej fluturave
të mos dal më ndër njerëz
se njerëzit janë lakmitarë të posteve
nga xhelozia shajnë
torturojnë dhe përmbysin drejtësinë –
me të arriturat dinake krenohen

Ca janë dhelparakë
ca si arinj
nga gënjeshtrat
nga fuqia
(assesi nga urtësia)
“jetojnë, përparojnë”

Dua të bëhem
mu sikur flutura
e cila fushave, livadheve
lule më lule
bredh gazmore –
larg llojit njeri.

 

  TË DUA EDHE ATËHERË!

Të dua kur ma drejton atë gisht
të dua kur je nevrike
dhe sillesh tejet egërsisht

Të urrej pa fund
sepse nga mendtë më tund

Të dua në thellësi, në gjatësi
dua të humbem në atë gjeografi.

 

COPËZA HISTORIE DASHURIE

Edhe
ciganja
që bredh
dyerve dynjasë
ruan në vete copëza
historie dashurie që
në vetmi ua rrëfen
flakëve të
zjarrit.

 

MË FAL, O SHPIRTI IM

Më fal,
o shpirti im,
që nuk munda të të qetësoj
Zemra më zhvendoset,
herë rreh tek unë,
herë diku, përtej

S’e di në ç’hapësira jetoj,
kurrsesi të kthehem,
atje, në fillim

Më fal,
o shpirti im,
që nuk di të të jetoj

Dëlirësisë
dhe dashurisë
m’i patën kurdisur kurthe

Me vonesë dorëzuar jam luleve,
shikimin mba përpara ngulitur,
pa lëvizur, duarhapur pres.

 

ZEMRAT ME LULE T’I MBUSH

Më lodhën rrugët, erërat më rrahën,
tanimë, i njoh erërat me fishkëllimat e tyre!
Lodhjet dhe rrahjet, i kam kaluar në fjalë –
fjalë që bëhen rrugëtim, që bëhen shpresë

Për hir të fjalës, mendimet më çojnë gjithandej.
Ndonjëherë, djalli më ndërhyn nëpër fjalë.
Ndodh të ballafaqohem edhe me hijen time,
ndodh të gjendem edhe në kopshte të rreme

Hënës magjike, ia puth rrezet e zemrës,
diellit jetëdhënës, ia përkëdhel rrezet e ngrohta.
Valët e detit i kam djep, ujërat e burimeve, gjak i kam;
fluturat, bilbilat dhe lulet, i kam nxitje për jetë

Lules së zemrës, ia njoh aromën e urtësisë,
lules së qenit, ia di bukurinë edhe gërdinë!
Më verbon horizonti i shikuar me sy të huaj.
Në emër të lumturisë, zemrat me lule t’i mbush.

 

NDONJËHERË DUHET …

Ndonjëherë duhet të ikësh diku,
për të parë se kush do të vijë me ty

Ndonjëherë duhet të flasësh në heshtje,
për të parë se kush ta dëgjon fjalën

Ndonjëherë duhet të zihesh me dikë
për të parë kush është në anën tënde

Ndonjëherë duhet të gabosh,
për të parë se kush të korrigjon

Ndonjëherë duhet ta largosh dikë,
për të parë se a do të braktisë.

 

  MOS LUAJ ME VETEN, MIKE!

kurrë mos mendo se fatin tënd e ke në dorë,
mos e vë veten në tavolinën e fatit
se ai rrokulliset sipas qejfit të vet

kur bota të lëvdon, luan me ty,
mos u prish me veten për botën

kjo botë kaq e dalldisur
që po sillet rreth bukurisë sate,
me ty luan lojën e Hirushes

një ditë krejt lakmuesit do ikin,
ҫdo lojë e ka fundin e vet

mos luaj me veten, mike
se mbetesh pa kulm jete

kur të mbarojnë aventurat e kthehesh në vete,
dera e shtëpisë nuk do të jetë në vend të vet –
as vetja nuk do të dëshirojë mirëseardhje,
nuk do dëshirojë të jetojë me ty si dikur.

 

AS SPITALI S’MË MBA

po
shkoj
në shtëpi
të vdes atje
këtu në mërgim
as spitali s’më mba
po dal në ballkon pak
kjo është dalja e fundit
në mbrëmje, me aeroplan
kthehem në shtëpi se vdekja
më pret, kështu më thanë mjekët
flokët më kanë rënë dhe i dobësuar
kockë e lëkurë, mezi marr frymë
kujtoj fëmijërinë në vendlindje
nëna qëndronte para meje
më pyeste se sa e doja
i hapja krahët aq sa
kisha mundësi
i tregoja se
e doja sa
qielli.

 

ATY, MË EKZEKUTO

E kam ditur
e kam pritur
se do të më dënosh me varje

Trekëndëshin
litarin –
ngrite në zemrën tënde

Aty, më ekzekuto.

 

E BUKURA MERITON LOT!

Më thanë se isha përlotur!
Ziliqarët më kishin përfolur.

Lot derdhin vetëm të gjallët –
andaj, bëhuni të gjithë të gjallë!

Ju, sa të doni më përfolni!
Shpirtkëqinjtë janë të vdekur!

Nuk kam frikë nga të vdekurit!
Kurrë nuk ndahem nga lotët e mi,

sepse e kanë burimin te çiltëria!
Ata, të pashpirtët, nuk qajnë!
Nuk ia dinë vlerën bukurisë!

Unë, do të qaj vazhdimisht,
sepse e bukura meriton lot!

 

T’I KAM PIKTURUAR SYTË

Sytë,
t’i kam pikturuar
thellë në kujtesë,
sikur dy margaritarë
vezullues

Dy rruaza të larme
shkëlqimqelqta,
ngjitur
mbi dy qiej të bardhë,
që zgjohen
me mallëngjim,
për t’i pranuar
takimet e pandërprera
të puthjeve
të ëmbla.

Shkëputur nga vëllimi poetik “Më fal, o shpirti im” 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s