Alfred de MUSSET
Kalendari poetik: Alfred de Musset (1810-1857)
U lind më 11 nëntor 1810 Alfred de Musset, poet, shkrimtar dhe dramaturg francez, njëri nga përfaqësuesit më të shquar të romantizmit në letërsinë frënge dhe botërore. Një nga kryeveprat e tij është edhe “La Confession d’un Enfant du Siècle”, me karakter autobiografik. Shëndeti nuk qe i mbarë për poetin, vdiq i sëmurë dhe i harruar pa mbushur 47 vjeç. U varros në varrezat në Père-Lachais, në Paris dhe sipas vullnetit të tij të fundit, nën një shelg. Shelgu ndodhet ende atje, mbi varrin e poetit.
Ja një shqipërim nga de Musset:
TRISHTIM
Jeta po më shkon, me të dhe fuqia,
Bashkë me gëzimet, miqtë që doja,
Po më ikën madje dhe krenaria,
Se paskam qën’ i mençur, siç besoja.
Të Vërtetën kur pashë dhe e njoha,
Besova se për mua do t’qe mike,
Veçse kur deri në fund e dëgjova,
Menjëherë do të më neveritej.
E Vërteta një është përgjithmonë,
Por kur këtej nga ne ajo kalon,
Nuk e njohim, themi, s’e kemi parë.
Zoti kërkon përgjigje kur na flet,
E vetmja e mirë që bëra vetë,
Është se ndonjëher’ edhe kam qarë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj