Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

MESAZH

Sa herë të puth
Ti plasarit Rruzullin nga krenaria.
Mundohem të kuptoj
Se tek ty nuk jam thjesht unë
Si raport i të sotmes me të nesërmen
Por ti, në raport me dy miljard meshkuj në botë
Që fatkeqë a ndoshta të papeshë
Duhet të ndihen pa këtë puthje…
Nën efektin e puthjes time
Ti shpërfillës bëhesh ndaj dy miljard grave
Që pa puthjen tënde aq të dëshiruar
Rruzullin si gur, ia venë zemrës me dhembje
Syve shtrydhin trishtë globe të kristaltë lotësh
Lotët, tek ato lagin mungesën tënde…
Sa herë ti më puth
Matematika bëhet kaos funksionesh,e nxehtë
Infiniti nuk është më term numrash
Por kufi ndjesish.
Fizika e rishpjegon teorinë relative
nën efektin e puthjes
Dhe ligjet ribëhen prej forcës së saj.
Rruzulli ndërron peshë kaq thjeshtë
Miljarda njerëz mbajnë vesh.
Eja pra puthemi,
më shpesh…

 

I MURGU TI!

Më ka grishur gjithmonë mendimi
Si do ndihesha unë pranë një murgu?
Nëse me të do të jetoja
Kubeja e manastirit do të vlonte
Tenxhere me presion për epshet e mia
Si kalastrene, unë me gjithë ëndrrat
Mëkatet e avullta, në rrjeta merimangash do të varja
Herbariume dashurie të pamishta mbetur mureve
Eh, mëkatet e mia…
Të pangrohura me dashuri qoshkave, as puthje
Veç sy e duar përpjetë drejt Zotit atje lart
Veç lutje, lutje e lutje…
Me shpirt besoj në Zot, nga murgjit larg e tutje!
Ah, murg i ngratë
Ç’i ke bërë vetes, të të ndjekë ky fat?
Nëse mua a një tjetër grua do lejoje
Tru e trup veç një herë të të shkundë
Paskësaj gjithçka do të bëheshe
Veç jo murg…
Jo murg!

 

PA MUA NË KAFE

Ti mos e pi kafenë kurrë vetëm i dashur!
Se me dëshirën e paqtë për çlirim
Në kurth iluzionesh bie pa dashje
Tatëpjetë rrokullisesh nëpër shtigje ndjesish
Derisa mbërrin në Lëndinën e Trishtë…

Ti mos e pi kafenë kurrë vetëm i dashur!
Qerre mendimesh të zvarrisin qorrazi
Në pyje dilemash, me hije mbështjellë
Si ziliqarkë, nis e të flet vetmia
Çdo njeri ta bën baraz me dreqin
Morrnicesh nga melankolia…

Ti mos e pi kafenë kurrë vetëm i dashur!
Rend e më gjej, më mbaj, të gjerbim bashkë
Me sherr a heshtje, të jemi tok sidoqoftë
Fëmijërisht, ta teprojmë me sheqerin, e të qeshim
Ose si pleqtë, tia shijojmë hidhësinë e fortë.

Ti mos e pi kafenë kurrë vetëm i dashur!
Se ajo, nuk është një fiziologji, një ritual
Është më tepër se një përditësim, çasti në kafe
Mbarsur me miqësi, batuta, biseda, lajme
Baballëkshe, të pamenta a të mençura, duhen ca llafe.

Ti mos e pi kafenë kurrë vetëm i dashur!
Nëse nuk mundesh ndryshe…
Me një shoqëri të gabuar, rastis të ndodhesh
E rëndomta, shpirtin si triko e vjetër ta zhdërdhit
Parehatia inatçe të çon në zenit
Është zonjë mbi zonjat Vetmia
Të trishtën fisnike, atë zgjidh!

Ti mos e pi kafenë fare i dashur!
Pa mua…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s