Poezi nga Ramiz Kuqi

Poezi nga Ramiz Kuqi

 

QYTEZA IME

E rinisë sime
Herët m’i paske harruar
Ëndrrat e lumit
Që m’u derdh nëpër vargje
Si ujëvarë dikur
Ndonjë fëshfërimë gjethi
Ti mbaje njē herë e stinët
Me zogj ndër male
Mallin e zjarrtë nëpër fjalë
Po lumenjtë nuk harruan
Të më buzëqeshin
Qyteza ime
Pa zhurmë fabrikash
Leckë për kohë të kanë bërë
Uzurpatorët modern!

 

BËJ

Zh (bëj)
Të (pa)bërën
Të urtës
Ia kanë qëndisur
Fustanin e grisur

Mbi rroba të leckosura
Ngjyra të përziera

As me syza
Nuk e shoh borën e bardhë !

Bëj !

 

S’P0 BIE …

Asgjë për trupi më
As këmishë e jelek
Shungullohet kjo erë dimri
Nëpër shpirtin e kombit
Ndarë në pesë dete lumenj
Male të krasitura
Gjemba gjerdhesh
Vetëm kuajt
Enden pa fre
C’po bie kjo borë
E ftohta stinë!

 

KUR IK NJË POET

Mbyllet një kaptinë libri
Një fjalë e varg
Qielli
Mbetet pa një yll
Heshtja bie
Mbi dhomën e letrave
Kur ik një poet !

 

KJO KOHË

I njeh netët me shi
Orët e pakta me diell

Shpirtin e lig të pronarit
Ëndrrat për bukë të lypsarit

Dosjet e panjohura nëpër legjenda
Plagën në rrëfimet llahtar të luleve

Egon e Evropës mbështjell me gëzof dhelpre
Flamurtarët e flamujve nëpër sportele të grindura

Ashtin e lëpirë deri në kockë e lëkurë
Lumenjtë e dalldisur në breg të zemrimit

Kjo kohë marroqe
Që grrith tokën me thonj maceje

Kjo Kohë !

Fëmijët e luftës / Nga: Diana Skrapari

Fëmijët e luftës

 

Nga: Diana Skrapari

Mami, zgjohu, – thotë  një vajzë e vogël duke qarë dhe duke  përkëdhelur  butësisht të ëmën . Por trupi i saj nuk reagon megjithë lutjet e vajzës së vogël. Trupi i saj mbetet i palëvizshëm në fushën e luftës me  njerëz të tjerë të pafat. Vëllai i saj më i madh përpiqet të mos tregojë dhimbjen e tij para motrës së tij të vogël. Ajo shtrëngon dorën e ftohtë të nënës së saj dhe nuk do ta lëshojë. Vëllai i saj  i thotë se ata duhet ta lenë atë të pushojë atje, se ajo është e lodhur dhe ka nevojë për të fjetur.

-Do sillem mirë, mami, të premtoj,do jem vajzë e mbarë, ngashërente vajza e vogël me gjithë dhimbjen e zemrës së saj.

Unë do të bëj çdo gjë që ti do, mjafton që të hapësh sytë dhe të më thuash diçka! Më qorto, më buzëqesh, më mbajë në krahë përsëri! Më fol,mami! !Më bëj sërish të lumtur!

Vëllai i saj e  tërheq prej krahu duke u shtirur si i fortë përballë kësaj tragjedie.

-Mjaft tani! – i bërtet ai. Je gocë e madhe! Mami do të ishte e lumtur nëse do të silleshe si një vajzë e madhe, jo si një fëmijë.

Ajo vazhdon të qajë duke shikuar prapa. Ata largohen  dhe vajza kërkon të dallojë trupin e nënës së saj në këtë varrezë të një fushe lufte.

-Mami, kthehu! Kjo britmë can qiellin.

Rruga që ajo ka bëri, u mbulua me lot. Trupi i saj u kthye në një shtyllë kripe duke parë këtë kasaphanë, si gruaja e Lutit kur iku nga Sodoma dhe Gomora.

Vuajtjet të cilat shndërruan në një statujë një fëmijë, duhet të na mësojnë se ne nuk duhet t’i shkaktojmë fëmijëve tanë dhembje të tilla!

E qeshura e tyre mund të na ndricojë në rrugën e kësaj bote duke na larguar nga rruga pa krye e urrejtjes.

Statuja e Manneken-Pis është simboli i një fëmije që e shpëtoi qytetin e Brukselit.

Shpirtrat engjëllore të fëmijëve do të shpëtojnë botën tonë nga shkatërrimi.

Quo Vadis botë? Mos bëj më të qajnë fëmijët e tu, shpresa jote e  vetme për një të ardhme më të mirë!