Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

SI NJË IMAZH I VOGËL NË DJEP

Sa shumë kollitej nëna ime e madhe
Kollitej
Si mali nën gjethet e fishkura
Dhe e pështynte tërë mllefin
Nga shpirti i saj i dërmuar

Kolla e rënd përngjante me lisat
Të plakur nga qindra zgërbonja
Sa herë që kollitej nën jorganin e trishtimit
Si toka e plasaritur e verës
Nga etja i çaheshin mushkrit

Nëna ime e madhe e sot
Ajo grua e vogël
Sa shumë djersitej nga pesha e dhembjes
E patëm mbështjellë
Edhe me gjethet e manit të egër
Sepse na than se ia zvogëlojnë dhembjet

Sa shumë e zvogëluan dhembjet nënën time
Sa që na dukej
Si një imazh i vogël në djep
Nga sytë e sajë të kaltër buronte një dritë
Sa inkandeshente
Po aq edhe misterioze dhe e trishtë

Nëna ime
Ajo grua e madhe sa shumë u zvogëlua
Në çastet e fundit të frymëmarrjes
U zvogëlua
Sa që ngjante
Me kukullat prej shkopinjve
Të motrës time të vogël.

 

DIMRAT KËTU ZGJASIN ME VITE

Netëve të vona e të acarta
Secili prej nesh
I themi nga një fjalë të urtë erës
I flasim fjalët tona më misterioze

Flasim edhe me drurët
Kallkanëve ua dimë fare mirë qëllimet
Sa herë që i afrohen tokës
Ne u ngrehim nga një kurth të akullt

Dimrat këtu zgjasin me vite
Sa herë që ndërrojnë stinët drurët qeshin
Dhe nga qeshja e tyre misterioze
Si kërpudhat këputen meteorët

Sërish sa ora ndërrojnë stinët
Trenat kthehen nëpër stacionet të vjetra
Bisedojnë me fshehtësitë e valixheve
Bisedojnë me udhëtarët e vonuar të natës

Nëpër lagështit e muranave ka kohë
Që nuk punojnë orët e brymta të kujtimeve
Nuk mejnë as lotët e binarëve
Qielli këtu gati njëqind vjet loton.

 

ERA I PËRQAFON KUAJT E VERBËR

Sot është e diel
Pemët kanë një tjetër hije
Që nga rrënja
Lastarët lëshojnë jetë

Nëpër çdo shtëpi këndohen psalmet
Shtrohen sofrat e darkave të shenjta
Dymbëdhjetë lugë prej shimshiri
Rrinë ulur përballë oxhakut

Ku një valixhe për çdo stinë
Hapet herët në mëngjes
Kjo ngjanë vetëm të dielave
Kur këndesat e zgjojnë agimin e fjetur

Nënat tona të mira veç i kanë pjekur bukët
Nëpër çdo shtëpi hapen portat
Depërton aroma e ngrohtë e thekrës
Në krah zogjsh kungohen kujtimet

Njerëzit dalin në rrugë
Era i përqafon kuajt e verbër
I përqafon drurët
Stina e dimrit veç troket nga malet.

 

I BELBËZON ÇASTET E HUMBURA

Nëpër stacione trenash
Shoh gojë fëmijësh që s’dinë asgjë tjetër
Përpos të qajnë
Me orë të tëra qajnë për një qese me qumësht

Gratë me gjokse të zbrazëta
Përngjajnë me ikonat e varura në kishën
E Shën Mërisë
Që me fytyra të zbehura shikojnë lashtësinë

Një hije e fishkur nën kambanoren e kishës
I përngjanë me një cope të mjegullës
E cila varet për çdo mëngjes
Si një zog i shenjtë nëpër degët e selvisë

Më tutje te kajsishtat një grumbull zogjsh
Bisedojnë me eklipsin e diellit
Gjersa hëna noton nëpër kujtesën e pemëve
Noton nëpër lagjet e kalldrëmta të një kohe

Një orë e vjetër të një kohe edhe më të vjetër
I belbëzon çastet e humbura
E duart e zgjatura dridhen në shi
Dridhen trungjet e pemëve
Deri në skajshmëri.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s