Shtëpia e ëndrrës (tregim i jetuar) / Nga: Namik Selmani

Shtëpia e ëndrrës

( tregim i jetuar)

 

Nga: Namik Selmani

.. Kur mbërriti në Arpicë, ishte drekë. Një drekë qershori. Ishte vapë dhe ullinjtë kishin lidhur kokrrat e të gjithë besonin se në vjeshtë do të ishte prapë një stinë e mbarë për ullinjtë, për vajin, për dasmat. Plot e plot. Ia vuri syrin një shtëpie që ishte e ndërtuar në majë të një kodre pranë një kroi, nga më të mëdhenjtë e fshatit. Ishin vitet e para që hapeshin kufinjtë e Lutfiu me disa shokë po ndjenin një lloj mikpritje që banorët në atë fshat.
Para se të shkonte në atë fshat kishte shkuar te një mik i tij dhe i kishte kërkuar që ta mësonte se si mund të suvatohej, se si mund të mbillte e të rriste lulet. E pranoi që edhe emrin ta ndërronte nga Lutfi në Vasil. Kishte punuar dhe në disa fshatra të tjerë të Çamërisë për të ushtruar dhe më shumë profesionin e mjeshtrit të gurit. I duhej që të mësonte dhe pak greqisht, të mësonte emrat e objekteve që përdoreshin në ndërtim. E dinte se pa gjuhë, edhe bukë nuk mund të haje e lekë të fitoje. I zoti i shtëpisë ku shkoi atë mesditë quhej Stavro. Që në fillim ia tha emrin. I tha se kishte dy djem që kishin disa vite që punonin në Gjermani. Edhe ai i tha se quhej Vasil i dhimbte kur e thoshte këtë emër, po kështu e donte puna. Do ta kishte më të lehtë që edhe punë të gjente.
Me greqishten që e njihte mire, e nisi bisedën me Stavron. Iu duk një burrë i qetë dhe me një lloj burrërie, me të cilin dhe mund të merreshe vesh edhe për llogarinë e punës që do të bënte.
Në bahçen që ishte para shtëpisë duhej se kishte punë, mjaft punë. Dora e njeriut kishte kohë që nuk ishte vënë. Mungonin perimet, lulet, blerimi, një pus e shumë gjëra. Ia hodhi sytë e si një familjar i mirë edhe i dhembi ajo pamje. Nisën të rrufitnin një kafe greke, si i thonin shqiptarët që deri atë kohë ishin mësuar me filxhanët e vegjël.
Djemtë e Stavrosit prej kohësh nuk kishin ardhur në shtëpi. Sillnin herë pas here ca lekë, po nuk ishin kujtuar për të ardhur, pa le për ta rregulluar, ashtu si duhet atë shtëpi të rënë pak nga vakti, po që nuk ishte vështirë që ta mendoje se dikur ishte mjaft e bukur dhe e fortë. Edhe pleqtë po plakeshin dhe e ndienin mungesën e dorës së djemve. Vitet që kishin në supe dukeshin se i kishin plakur më shumë se duhet.
Shtëpia ishte dykatëshe. Tetë dhoma. Stavrua jetonte në katin e dytë që shihte nga deti. Dhoma e katit të parë mbante zahiretë. Ishte prapë e vogël për të mbajtur tërë atë vaj që nxirrnin kodrat e Arpicës ku ata kishin me qindra rrënjë ullinj. Një pjesë e shisnin dhe ua merrte një makinë që vinte rregullisht në atë stinë të begatë.
Kur nisën bisedën, Vasili u njoh edhe me Evdhoksinë të shoqen e Stavrosit. Ajo rrinte përherë me të zeza. Ishte shumë fetare dhe herë pas here bënte dhe kryqin.
Mbase bekonte për ditë udhën e jetës së djemve të saj. Mbase e kishte si zakon që nga fëmjëria.. Nganjëherë futej në bisedë edhe fjala shqip. Vasili i kuptonte fliste pak me të.
Në Greqi ishte në fuqi akoma marka. Në Shqipëri marka po binte me shpejtësi , po u gjet pazari shpejt. Ai do ta rregullonte të gjithë shtëpinë, do të bënte suvatimet kudo ku nevojitej do të lyente do të bënte një banjo moderne.
Jorgua i porositi qerestenë në Janinë. Njihte disa tregtarë dhe thoshte shumë herë se ata i jepnin mall të mirë dhe të lirë. I dha një dhomë në katin e parë. Mori një krevat dhe një televizor të vogël, po nuk shikonte dhe aq shumë se lodhej dhe i duhet që të qetësonte. Dritaret e vogla i prishi dhe ndërtoi disa të reja. Në të gjithë dhomat shtron pllaka të zgjedhura, nga më të mirat ndërsa në dhomën ku flinin pleqtë vuri parket. E pastroi mirë e mirë dhe pastaj bëri dhe një oxhak të mire, nga më të mirët që mishte deri në atë kohë Arpica. Kur bënte ndonjë pushim, ai merrej me lulet. Aty në oborrin e madh të shtëpisë ai ndërtoi një lulishte. Lulet i vuri në ca vazo të mëdha, po mbolli dhe në tokë. Ata nisën të buisnin një nga një. Stavrua gëzohej shumë për këtë punë që po bëhej. Sa herë që aty kalonin banorët e Arpicës, çuditeshin me atë punëdashje që kishte Vasili me atë dashuri që kishte për çdo lule, për çdo gur për çdo mur. Ia thonin këtë dhe fqinjët dhe bashkëfshatarët që natyrisht edhe gëzoheshin për këtë gjë që po ndodhte. Edhe çuditeshin me këtë që po shikonin. Edhe ata vetë ishin punëtorë. Kishin hapur vreshta, kishin hapur brazda, kishin mbjellë ullinj të rinj që toka i bënte kaq shumë po para këtij djali, ta quajmë kështu, ata sikur skuqeshin nga dallimi që kishte ai me ata. Lutfiu shihte këtë gjë po bënte sikur nuk kuptonte nga ky interesim dhe nga kjo vëmendje e tyre. Në shtëpinë e Stavrosit vinte shpesh mbrëmjeve edhe një fqinjë që quhej Kosta. Pinin dhe nga një gotë uzo E ftonin dhe Lutfiun, po ai shkonte rrallë në tavolinë e tyre, ose edhe kur shkonte pinte pak, fare pak sa për të nderuar tavolinën. I heshtur shkonte të punonte. Asnjëherë nuk ishte dehur madje as që i shkonte në mendje që ta bënte një gjë të tillë. Burrat e fshatit pinin dhe këndonin këngë për dashurinë për detin, për lulet, për ullinjtë, për kaçakët. Rrobat i lante vetë dhe po vetë i hekuroste me kujdes që të mos iu hynte në borxh atyre as dikujt tjetër. Do të ishte mirë që të kishte me vete edhe Linditën që e kishte mbesë prej Filatit.telefonat edne nuk ishin shumë e fliste rrallë me familjen. Fliste pak fshehurazi që I zoti i shtë pisë të mos dë gjonte hallet e gë zimet e tij.
Për tre muaj sa punoi në Arpicë ai nuk shkoi anjëherë në Vlorë ku kishte fëmjët, kishte prindërit. E kishte të vështirë që të shkonte se edhe dokumentat nuk i kishte bërë dhe mendonte se mund të mos kthehej dot më në Greqi. Po ta kthenin në kufi, do të mërzitej se nuk do ta mbaronte punën dhe mbase edhe fjalën ndaj Stavrosit, nuk do e mbante dot. Nuk kishte gënjyer kurrë e dhe në këtë rast nuk donte të ishte i tillë.
As Kostën nuk donte që ta mashtronte edhe se nuk do ishte faji i tij. As ata fshatarë të tjerë të Arpicës që këndonin sa e sa këngë të bukura për dashurinë, për zenmra të vrara, për fëmijë që lindnin. Një ditë barba Stavrosi i tha që të dilnin së bashku jashtë fshatit. I tregoi dy gurë të mëdhenj që rrinin në këmbë sa tre bojë njeriu. Ia tregoi edhe se çfarë historie që ata kishin. Ishin këta gurë-njerëz apo dhe tre motra që ecnin në rrugë. Një udhëtar që po kalonte aty afër i tregoi një lajm të keq. Tre vëllezër kishin shkuaar në luftë dhe ishin vrarë në betejë me turqit. Fshatin e zunë turqit dhe familja e tyre ishte nisur me varkë në Itali. Aty kaloi Zana (Zërja) e Malit të Arilës për të mos rënë në dorë të turkut Zërja i bëri gur këto vajza.
Lutfiu dëgjonte por nuk kishte shumë kohë që të shetiste. Shtëpia me oborrin e saj me dritaret, me portën e madhe e të zbukuruar me gdhendje e lule druri me një pus në mes të oborrit, po e gëzonin shumë
Flinte pak. Gati ëndërronte si një djalë me një moshë të vonuar. Si një djalë i ri që e kishte të tërë botën në duar. Në ato duar që tashmë ishin të argasura nga puna, nga kazma, nga mistria, nga llaçi. Punonte me cilësi të larë në çdo porosi pune dhe nuk ishte e vështirë që ta shihje këtë gjë.
Një ditë mbaroi. Padyshim që një fillim e ka dhe një fund. Nuk kishte gjë më të bukur. E vendosur mes shtëpive të tjera të Arpicës, ajo dukej shumë e veçantë, më e bukur. Një punë që e gëzonte secilin që e shihte. Më shumë Lutfiun që e kishte ngritur me djersë. Nuk kishte peshë që ta peshonte këtë gëzim. Doemos edhe Stavrosi gëzohej për këtë gjë. I tha se drekën e shtëpisë do ta bënte në lokalin më të mirë të zonës ku në ballë të tavolinës do të vinte Vasilin dhe do të ftonte edhe mjaft miq e fqinj të tij.
Lutfiu me zë të butë i kërkoi që atë drekë ta bënin në shtëpi se ajo shikonte nga deti.
Stavrosi thirri Kostën, disa të afërm që vinin nga Janina, nga Agjia, nga Margëllëçi pranë Bozhurit. Në tavolinë u bënë 10 burra. Vera ishte zgjedhur më e mira. Jo një, po dhe dy qengja poqi atë ditë në furrë.
-Të lumshin duart, Mjeshtër,-e nisi drekën Stavrosi me sy nga Lutfiu.
Sa tha këtë fjalë kërkoi që të ngriheshin të gjithë në nder të punës së tij, të këtij mjeshtri që kishte shkuar me nam te shumë fshatra të tjerë.
Mbaroi fjalët e vuri markat në tavolinë.
Shumë marka. Një sy i pangopur mejë herë do të shohte ato marka e do të harronte fytyrat e njerëzve, por jo Lutfiu shqiptar.
-Dëgjo, Vasil për punën e mirë që bëre po të jap dhe marka tepër. Të lumshin duart që i ke si flori. T’i gëzosh me fëmijët e tu dhe me të dashurit e tu!
Për ta gëzuar dhe më shumë, nxorri paratë nga xhepi që i kishte bërë gati që më parë. Në shumë shtoi dhe 30 000 marka tepër. Mbase edhe 40 000. I vuri në tavolinë në një letër të pastër.
Lutfiu dëgjonte i heshtur. Nuk lëvizi muskujt e fytyrës kur foli Stavrosi. Paratë nuk po i shikonte me sy.
Dikush mendoi se ai po e emocionohej nga mbarimi i punës që kishte bërë. Nga paratë e shumta që po merrte. Nga vera që po pinte. Nga gëzimi fëminor që të jep një punë e mbaruar si jo më mirë . Vendosi më në fund që të fliste. Të fliste ashtu si nuk kishte folur në jetë. Patjetër që do të fliste. Vetë fjala ishte “ paraja” më e shtrenjtë që do të merrte nga ajo tavolinë. Mbase do të uronte do të thoshte dikush. Jo, nuk do të bënte urimin tradicional që bënte çdo ndërtues në të gjithë botën. Dhe nuk ishte arsye e madhe që të mos uronte dhe për këtë nuk ishte i marrë.
U ngrit në këmbë.
-Besoj se të ka pëlqyer puna, barba Stavros. Edhe djemtë që do të vijnë kur t’u bëhet mbarë, do ta pëlqejnë. Edhe ata miq që ken ë Athinë e vijnë kë tu të verojnë . Unë punova me ndershmëri, por nuk dua që t’i marr paratë. Po ta përsëris se nuk i dua paratë. Asnjë markë nuk marr.
Lugët dhe pirunjtë u ndalën. Nuk po tringëllinin më. Asnjë. Asnjë. Mbase edhe ullinjtë ndalë n fë shfë rimë n e fletë ve. Stavrua ndërroi fytyrë. I preku pak paratë që ishin në tavolinë. Ishte shumë besimtar dhe shkonte rregullisht në kishë për ritet e fesë ortodokse. Në një kishë të fshatit ishte kunguar që në moshën 5 vjeç.
–Çfarë thua, more Vasil? Ç’fjalë të kë rren goja? Ti punove. Ti ke qenë i pagjumë shumë herë. Cili punëtor në botë mund të të mbajë e të të kursejë paratë që i takojnë? Ti ke fëmjë, ke grua, ke një jetë që kërkon para.
Lutfiu e priste këtë reagim të Stravrosit. Mbase mund të reagonte edhe më shumë se kaq. Për të pak rëndësi kishte se çfarë do thoshte e se çfarë do të bënte Stavroja. Herë pas here i hidhtë sytë luleve, pusit që e kishte hapur, mureve që feksin nga bardhësia, që i ngjanin kurorës së ullinjve, përrenjve që gurgullonin aty pranë. Ku nuk i shkonin sytë?
-Po, e di se puna duhet paguar. E di. Edhe kur është bërë me djersë të ndershme, edhe kur është bërë shkel e shko. Po unë nuk i marr paratë e tua, Stavros. Nuk mundem edhe po të jenë të barabarta me punën që mund të bëhej për tre shtëpi njëherësh. Sikur dhe një kafshatë bukë të kem në shtëpi nuk i marr paratë. Merri ti se mbase dhe të duhen. Për kaq muaj që punova këtu tek ti, unë nuk punova në shtëpinë tënde, po punova në shtëpinë time. E në shtëpinë e tij njeriu në asnjë vend të botës nuk punon për para, nuk merr para.
Unë jam nipi i Resulit që do të ketë qenë edhe moshatar me ty. Këtu ka lindur Resuli.
Punova në shtëpinë e gjyshit tim Madanit. Të babait tim Servetit. Ndërtova shtëpinë time të vëllait tim, Ilirit. Unë nuk jam Vasili, Stavros, jo jo, jam Lutfiu. Nuk kam këtë emër, me të cilin më thatë ju kaq kohë sa isha këtu. Nuk ma kanë vënë këtë emër prindërit e mi. Asnjë njeri nuk mund të paguhet kur punon në shtëpinë e tij. Asnjë. Edhe kur i shërbeva këtij trualli që thonë se është juaji. Kjo është shtëpia e të parëve të mi.
Në këtë çast u ngrit. Jo, nuk kishte më atë burrëri që kishte në fillim të kësaj bisede. Mbase ishte bë rë gjysh që tregonte pë r sa e sa breza që kishin jetuar në kë të truall. Në sy nisi që t’i dalë një pikë lot.
-E dini ju se në këtë prag që sot është u rregullua dhe është mbjellë me lule, është vrarë halla ime që ishte e paralizuar e nuk mund që të merrte rrugën e madhe ku i detyruan të tjerët?
Unë e kam ndier frymën e prindërve të mi edhe kur kam qenë zgjuar, edhe në gjumë. Kur kam kënduar nën zë dhe kur jam lutur nën zë për shpirtërat e tyre. Kam qarë në heshtje për ta.
Mbaji paratë, barba, se mund të të duhen dhe nuk janë pak . Thuaja këtë dhe djemve dhe jepja djemve se shtëpia është si deti. Nuk ngopet kurrë me para. E di ti se pse e bëra kaq mirë këtë gjë. Se doja që kur të vinin pronarët çamë në këtë vend ku akoma ka frymë, shtëpia ime të jetë e ngritur e bukur, e fortë. Më e bleruar.
Nisi të lëvizte në shtëpinë e re të ndërtuar me kaq djersë . Të prekte lulet që ai kishte mbjellë, të prekte pusin, ullinjtë , dritaret…
Stavrosi mbeti më i ngrirë se më parë. Kurrë në jetën e tij jo të shkurtër nuk ishte ndodhur në një situatë të tillë. Ç’të bënte me këtë djalë burrë? Ç’të bënte? Ta mallkonte? Ah, po ai kishte punuar kaq shumë, kaq mirë e ja tani as paratë nuk po i merrte. A ta uronte? Zemra nuk ia bënte dot që të nxirrte një lumë me urime për këtë njeri. A mund ta denonconte në polici këtë njeri? Jo. Jo, nuk ia bënte zemra nuk ia bënte goja, nuk ia bënte këmba që do ta dërgonte në polici në gjykatë. E nëse do ta bënte, çfarë do të fitonte? A mund ta ndëshkonte atë njeri që të mos e linte për të ikur? A mund…..?
Lutfiu iku menjëherë. E kishte bërë gati çantën ku kishte vënë ca ndërresa që i lante vetë që kur hyri në atë shtëpi. Ishte një ditë që ndriste nga dielli. Diellin më të fortë e kishte zemra e atij burri punëtor çam.
Iku… Kishte mbetur pas ajo, Shtëpia e Ëndrrave, që ai kishte nisur që ta ndërtonte që kur gjyshe Idizeja e nisi për këtë mision kaq të rrallë, të veçantë gati të shenjtëruar. E kujtonte ninullën më të bukur
Ta ta djalën, /ku do veç me nanën/do vemi me ta ta ta/do vemi te dajua/nani nani djalën/ku do veç me babën/..
Që kur hodhi hapat e parë drejt kësaj shtëpie, drejt detit, shihte kudo ku shkonte një dorë e stërzgjatur të gjyshe Ildizesë që e dërgonte më shpejt në Çamëri dhe i jepte kaq shumë fuqi.
Që kur nisi këngën, iu duk se i vinte në trup një aromë manxuraje. Nuk harronte nënën që, qoftë dhe në një vazo të vjetër të mbillte së pari disa farëza të vogla borziloku. Vërtet ku e kishte shtëpinë e tij dajko Naili? Xhixho Dauti? Xhixho Mezani? Ku ta gjente një hartë të stërmadhe të këtyre shtëpive të rrëzuara që ishin bërë si skelete gurësh, si murrana/ Në dasmën e tij gjyshi ia kishte bërë një urim të veçantë që ai e mbante mund dhe atë ditë kur po ikte pa marrë asnjë nga nga puna e stërmadhe që kishte bërë.
”U bëfsh i mirë, more bir, për Shqipërinë, për Çamëri!”
Kishte mbetur pas shtëpia, për të cilën i kishte folur gjyshi që tash prehej në varrezat e Babicës
Tashmë që ishte rritur, kujtonte mësuesët e tij kaq të mirë. Kujtonte se harta më e mirë ishte ajo që e kishte brenda vetes
Kishte mbetur pas Arpica me ulllinj. Kur frynte era e detit atij i dukej se këndonin ullinjtë. Këndonin një ninullë të largët, të paharruar. Ajo, Arpica e tij e kishte mbushur me legjenda që nuk mund që ta thoshte Stavrosit. Atij Stavrosi që rrinte në atë tavolinë bashkë me fqinjët e tij kaq të hutuar për atë që po ndodhte.
Qëndronin të memecëruara paratë në tavolinë të mbbushur me ushqimet pa hile, më të mirat që kishte stina me fytyra me pije të rralla. Që i donte një festë shtëpie. Një vatre që do të ishte këtej me dritë dhe më e ngrohtë. Një verë e papirë po mbetej në tavolinë. Një mish i pjekur i pjekur me merak. Kishte në të shije shumë dhe me aromën e kullotave të malit.
Kur të vinin sërish në këtë shtëpi të rregulluar, do ia puthnin pragjet e bardha. Të puthte atë shëtpinë që nuk mundej që t’i dëftente vetë të gjitha. Nuk ishte më Vasil, por ishte Lutfiu, djali i Zihniut, dhe nipi i Madanit, ishte daja, i Shelësë dhe nip i Ildizesë. Të dyja e kishin varrin në Babicë, por ai do të donte që ta kishin këtu, në Shtëpinë e Ëndrrave.
Në ëndrrën që nuk ishte më ëndërr. Dhe as që do të ishte më kështu. E kishte lënë as atë emër atje, mes dritave të mbushura me djersë. Me pagjumësinë më të bukur që mund të provojë njeriu në jetë, një minator, një kërkues sekretesh.
Duket se Stavrosi, nëse është gjallë ende, del tek dritarja se mos vjen ai usta i çuditshëm i asaj dite që nuk mori me vete asnjë qindarkë para për punën e bërë në Shtëpinë e Ëndrrave.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s