Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

ZOTI NUK I FAL TË GJITHA

Zoti fal yjet që gabojnë udhët qiellore të rrotullimit,
dhe përplasen, duke kapërdirë yje të tjerët në bark.
Fal vullkanet që vjellin zjarr e ngrenë re gjigante të hirit.
Fal tërmetet që krejt papritur rrafshojnë qytetet varg.

Zoti fal lumenjtë e dehur, që shtrihen e flenë sipër grurit.
Fal detet që lëpijnë brigjet, me gjuhët ujore të cunamit
dhe lënë miliona njerëz në erë e shi, lakuriq sipër murit.
Fal zjarret shkrumbues, që blerimit malor i bëjnë namin.

Zoti fal hajdutët, siç i lëshon dhe ligji vet, pas dënimit.
Fal përdhunimet, që shkelin rëndë njërën dëshirë.
Por nuk fal vrasësit e grave, që sjellin në jetë fëmijët.
pa të cilët Toka, do kish mbetur si Hëna, shkretëtirë!…

Zoti fal me zemër të gjerë gabimet më serioze të njerëzve.
Fal të betuarit mbi kryq, që fill pas dasmës shkelin besën.
Fal me keqardhje incestet, e ndodhura mes vëllezërve.
Fal mëkatarët e çdo feje, pasi ndjejnë thellë pendesën.

Por për këtë arsyetim, pyetja mund të kërcejë përpjetë:
Pa burrat, a nuk pengohet njësoj shumëzimi në Tokë?…
Po, veçse me një mashkull, mbretëresha bën mijëra bletë,
dhe me një dash përçor, tufa e deleve bën qingja plot!…

Prandaj vrasjen e grave, Zoti e çmon si të vetmin kryekrim
dhe nuk e fal kurrë, por shpesh e dënon me vetasgjësim…

 

LULEKAMBANAT E MUZGUT

Kur dita diellore arriti çastet purpurake të perëndimit,
ra kambana e kupës qiellore me tone të drithëruar…
Atëherë ulën kryet në ritualin bimor të nderimit,
edhe lulekambanat e muzgut, me petalet trishtuar.

Vallë, cili arkitekt projektoi formën e tyre kambanore?
Cili piktor gjenial zgjodhi ngjyrën muzgore, bluviolet?
Cili metalurg kambanash derdhi bronzin e cipës lulore,
të këndojnë zogjtë halelujën, përpara gjumit të qetë?…

Ndoshta të tre krijuesit i kishin gjurmët në qiell,
apo vetëm një pasionant, bëri të tri përsosmëritë,
për të nderuar lamtumirën e madhërishme të diellit,
me këto krijime natyrore, mbi të gjitha mrekullitë?…

Në çastet solemne, të përsëritura nga cikli kohor,
kur horizontet bëjnë përnderimin e ditës që vdes,
lulekambanat, i luten diellit, teksa fik fenerin qiellor,
për të rindezur dritën jetëdhënëse në tjetrin mëngjes…

Oh, në muzgun tim, nuk dua rite lutjesh në minare,
as të ushtojnë kambanat vajtimtare nëpër kisha,
por vetëm lulekambanat të ulin kryet nëpër dritare,
të shkoj nga kjo botë i lumturuar, siç nuk isha!..

 

KOHË APOKALIPTIKE

Erdhi koha, kur zjarri flakëron në pyje,
kur uraganet ngrenë qytetet në erë,
shiu mbyt shtëpitë dhe tufa bagëtie,
cunamet gllabërojnë plazhet në verë.

Koha kur burri u vret nënën fëmijëve,
Kur vëllai ujk mbi të vëllanë vërsulet,
babai kap të bijën me epsh kafshërie,
nëna ther pjellën, sikur janë koka pule.

Erdhi koha kur meshkujt me penisin,
devijojnë fekondimin, në prapanica,
femrat krijuar të shtojnë njerëzimin,
puthin vaginat sqep më sqep, si rika.

Drogat përdorin jashtë destinacionit,
tokën arë, ku mbillet buka shekullore.
Njerëzit po nxjerrin jashtë funksionit,
trurin, kryeveprën e species njerëzore.

Çfarë pritet më tej të na sjellë koha,
me prapësi, ku përmbyset normaliteti,
mos vallë të rrotullohet së prapthi Toka,
me kahe të kundërt, boshtin e planetit?

Poli i Jugut, të shkojë përpjetë te Veriu,
fushat magnetike pozicionet të lëvizin?
Në vartësinë e ndërsjellë, Toka dhe njeriu
mos vallë paralajmërojnë apokalipsin?…

Derisa këto bëma kohe, s’kanë të ndalur,
me tonalitet të lartë, duhet folur hapur!

 

LAURESHA E ËNDRRAVE

Kur djalosh më gjeti vjeshta,
këndoi pa gdhirë lauresha,
dëgjova me shpresë e qesha,
shpejt u ngrita, rrobat vesha;

Dola ta kërkoj ndër vreshta,
mbajta frymën dhe heshta,
po s’dëgjohej aty lauresha,
qava dhe me shpresë qesha.

Pastaj doli dielli në kreshta,
këmborët e tufave të leshta
ma mbuluan këngën që desha,
qava dhe me shpresë qesha.

Ngjita tri kodra të sheshta,
këndonin kanarina në mezhda,
as aty nuk gjendej lauresha,
qava dhe me shpresë qesha.

Ferrave me gjëmba si heshta,
këndonin grifsha e turtullesha,
po as aty s’këndonte lauresha,
qava dhe me shpresë qesha.

Hyra mes pyllit me gjineshtra,
nëpër degë të dendura ndesha,
bilbila këngëtar, jo lauresha,
qava dhe me shpresë qesha…

O vajzë e ëndrrave, Lauresha,
ah, sikur ta dije sa të desha,
kur për ty, tri pëllumbesha,
lashë të presin disa vjeshtra…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s