Poezi nga Xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

DIMËR KËRÇOVE

Ky dimër kërçovar, ka nam pabotësie të shekullit;
ky dimër, më i bardhë se katrani i zi që qeveris,
më shqeu zemër, kokë, shtrat e shpirt.
Të të kisha pranë, do shtroja për ty lëkurë e mish,
eshtrat e mi do veja kurorë mbi kokën ku ti rri,
do të puthja, do të mikloja, nuk do të lëshoja kurrë
nga duart, nga sytë, nga gropa,
nga kafazi ku bëj…jetë!

Nuk do lejoja një rrugë gjallë, të mos mund të ikje.
Barkën me rrema do grija, veturës do ndizja rrotë,
lumit do i devijoja të tëra ujërat
dhe rrezet do i mbuloja me lotë…

Ky dimër më i bardhë se ferri i ferrit të dashurisë,
si nuk pata gjithë krahët e dallandysheve në planet,
pa të shkulja gjer në një yjet
e rrugët tek ti të shtroja me ata
e të të puthja sytë, plagët,
shpirt i kaq dhembjesh të mëdha!

 

KRISTALET E KËRÇOVËS

Kristalet e Kërçovës tejkalojnë çdo gur të çmuar,
në çdo prag e shtëpi ndrinë një lot i rëndë i zi,
i helmuar nga sytë që vrasin, nga zemrat pa shpirt.
O det i tërbuar, më përvëlo, ç’më duhet jetuar
nën thundra të vetmisë, gjithë shekullin nën zinxhirë?

Kristalet e Kërçovës tejkalojnë fushat me lulkuqe e grurë,
kopshtet me mallë, rrugët me rënkimet shkrumb,
këta vrasin çdo ditë e luten për viktimat pa fund,
këta vrasin çdo natë e luten për gjarpërin nën gur,
ç’më duhet lulë plastike shprese dhe nga kush?… Ah!

Kristalet e Kërçovës tejkalojnë gjolin e gjakut tim,
unë e gjak-gjoli jemi një, qafë femre mbytur larg beteje.
Do të përmbysen kodra e grataçele, shtatoret kudo rreth
në dallgë detesh… se fati ynë pa shpëtim është katran,
ç’më duhet të ul armët e ëndrrës flakë-flakë të bardhë?

Kristalet e Kërçovës janë mallkim që orën që unë linda!…
Pse duhet qenë femër, ferrin me sy çdo çast për të parë?
Kotheret e durimit mos i prek, as të mos i hash,
që retë e qielli t’mos kenë ngopje pse një grua do vrarë?
Ç’më duhet të blej verbërinë time nga mjerimi i madh?

Kristalet e Kërçovës janë sqepa të ngrirë në ajër,
fjalë të ngrira në buzë, gjak në zemër ngrirë,
por një ditë… ajo ditë s’ka për t’qenë më e tillë,
lutem, o Zot, mijëra herë të jem larg kësaj sot!
Ç’më duhet nën hije të kaq vdekjeje të zezë
që pandërprerë vazhdon të më pijë dy sytë?

S’dua lule, ar jete për asgjë të jetës, në dorë dua skeptër!
Asgjë, si tufa e buzëqeshjeve, tufë ujqërish e hijesh;
asgjë si Kristalet e Kërçovës, koleksione,
por vetëm të shpirtrave të kohës,
po kurrmë mos pafshin sytë ndryshk dielli, si na vret!
Ç’më duhet t’mos çatisin mbi mua tëra zjarret në planet!

 

JAM E STINËS QË PO VJEN

Të dua, o shpirt, që më shkule mish e kocka
nga dhembja e madhe për ty!
Të shoh si të rëndon nata pa fund e gjatë
dhe akoma dhe më e zezë se më parë,
si brigjet që duan ura, si urat që duan udhëtarë,
si zogjtë që pranvera kërkojnë,
si pranverat që luftë duan,
të dua dhe më shumë, të dua më tepër
se ç’përshenjtet një pjeshkë, shegë, qershi.
Kështu bej të piqet një pemë
që vuan, si unë, për dashuri.
Jam e stinës që po vjen, të gdhij një mëngjesi
tek ti unë, se ndryshe nuk ka sesi.

 

VETËM EJA!

Ka rënë veli i mbrëmjes e nata sapo nisi,
pres nga po vijnë gëlime zërash të njerëzve.
Mos do jetë… mos do jetë?… Një brengë po më mbyt,
mos do jetë me ata dhe një zë tjetër,
dhe ndryshe një fytyrë?

Më thërrasin brenda, por nuk kthej atje.
Porta e fqiut kërcet, porta e time shtëpi prapa kërcet,
por asgjë nuk dëgjoj dhe sytë kam qepur larg atje,
pres nga po vijnë gëlime zërash të njerëzve,
mos do jetë… mos do jetë?… Do i hidhem mbi gjoks,
mbi fytyrë, mbi qafë lart.

Të di për perëndi, flakë, det. Zemra ime s’duron dot.
Trëndafil me shumë gonxhe të di, plazh, brigje plot.
Krahasimet nuk më mbushin shpirtin, të di më të lartë.
Vetëm eja… le të bëhet tërmet, luftë, çkado!
Vetëm eja…le të bëhet shuarje e tokës e qiellit, çdogjë!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s