Shtëpi e braktisur / Shkëputur nga libri me tregime ” QIELLGËRVISHTËS PA THEMELE” i autorit Petrit Sulaj

Shtëpi e braktisur

 


Shkëputur nga libri me tregime ” QIELLGËRVISHTËS PA THEMELE” i autorit Petrit Sulaj

Ajo ishte një shtëpi e braktisur. E braktisur, jo e lënë vetëm. Një njeri jetonte prej kohësh në atë banesë, në pluhurin e saj mitik, që kur kishte kohën ta kapte dielli ndërsa përshkonte me zor perdet e trasha tashmë të palara prej tre vitesh, rrezet e tij bëheshin aq të pranishme e me pushtet sa pa ekzagjeruar; ngjante me një bisht komete të frikshme. Të krijohej bindja se pluhuri me praninë e tij ashtu, donte të dëshmonte se lënda pluhurore kishte aq peshë e fuqi, sa heret a vonë do shëndërrohej në lëndën e vetme për të prodhuar energji. Dhe jo vetëm në atë shtëpi të zakonëshme e për të zotin e saj, por dhe për mendimin e gjithë atyre që do lexojnë këtë dëshmi autentike.
Nevojitet të sqarohet se pjesa e pluhurit që hidhte valle kur drita e diellit bëhej e gjallë, ishte gjenerata më e fundit, breznitë e shkuara pluhurore tashmë kishin humbur çdo lloj mundësie për të lëvizur, lere pastaj për të bërë paradë a më marrëzisht, për tu shëndrruar në bisht komete kur binte dielli nga ora tetë deri në nëntë e gjysëm në dimër, e nga ora shtatë deri në njëmbëdhjetë në verë. Me kohë, pluhurosjet e moshuara qenë dembelosur në atë farë feje, sa ishin depozituar shtresë mbi shtresë pranë njëra tjetrës, si rrathë lisi, pa patur hiç frikë se njeriu zot i asaj shtëpie, mund të ndërhynte për të ndryshuar rendin e natyrës pluhurore.
Si sot mot, i zoti i shtëpisë njësoj: ulur në divan me televizor ndezur që llapte papushim si një patë e vjetër, pa e dëgjuar askush. Televizori i asaj shtëpie nuk ishte fikur qëkur ishte ndezur për herë të parë, nuk dihej kur. Televizori ishte gjëja e vetme që bënte zhurmë në atë shtëpi. Vetëm ai fliste, bërtiste e bënte si i donte qejfi.
Përballë televizorit, kishte ngulur katër këmbët si kalë në bronx, divani i vjetër, i ngjashëm me një varr të ri të pambuluar akoma nga bari, dhe kruspullosur mbi të, njeriu i vetëm i asaj shtëpie, zoti i saj. Ai jetonte vetëm me duhan dhe me figurën e televizorit. As dëgjonte nga veshtë e as nuhaste me hundët. Kursimet e jetës aktive i kishte blerë paketa me cigare, për pjesën e jetës joaktive, në vazhdim.
Ai vegjetonte mbi divan me heroizmin e një njeriu të pabojë, që nuk e din se është duke sakrifikuar veten, për të vërtetuar provën e provuar, dëshminë e pakontestueshme se njerëzit e tokës vdesin njësoj, sikur kanë familje, sikur kanë gjini, fshat, komunë e shtet; sikur janë fillikat vetëm. Pjesët e forta të fizikut të tij, dmth kockat, dilnin në pah përditë e më shumë dhe kur duhej të lëvizte, coha e trashë e divanit ndjehej në pikë të hallit, dhe bënte të pamundurën që të rezistonte sa më gjatë për të mos u grisur. Nuk duhet harruar me përmend faktin se, nëse kockat e tij nuk lehtësoheshin përditë e më shumë nga pjesa e butë fizike, stofa do ishte shqyer me kohë,. Falë këtij ndryshimi, fiziku i tij ushtronte gjithmonë e më pak peshë në të njëjtin vënd e kjo ishte arsyea pse stofa e divanit mbijetonte akoma. Kockat rëndonin, sigurisht, por pesha e përgjithëshme e të zotit të shtëpisë binte përditë, e kështu jeta në atë shtëpi ecte para tiq e mos e këput.
Njeriu i shtëpisë sé braktisur kishte harruar gjithçka tashmë, përjashtuar tymosjen e cigareve, formën e televizorit; si dhe më të rëndësishmen, atë se ishte në pritje të jashtëtoksorit që do i binte shorti t’ja lironte shtëpinë, për t’i dorëzuar stafetën që po ja merrte shpirtin. Ndërkohë tymi i duhanit, nuk i parapëlqente dhe aq mushkëritë e tij kohët e fundit, kështuqë nuk e merte më mundimin të përshkonte nëpër labirintin e tyre, që pa ekzagjeruar ishin katandisur në një minioxhak krejt blozë e zift. Kështu tymi si një piktor nën efektin e hashashit, bënte lëvizje monotone thjesht për zakon, ndërsa tavlla, dikur vepër artistike – shumë e bukur – tashmë nuk dukej më mbi tavolinë. Pluhuri i prodhuar nga djegja e cigareve ishte aq masiv, sa dyshemeja me kohë ishte mbytur në hi dhe tashmë tavëlla e vërtetë në atë shtëpi ishte bërë tavolina e rrumbullakët ku dikur i zoti i saj hante drekën.
Zotit të shtëpisë, në fakt kthyer tashmë në një kokërr dembeli, nuk i mungonte asgjë, madje as mendonte se do të mund ti mungonte gjë dhe tre milion vite jetë të kishte. Gëzonte atë që meritonte, a më saktë atë çfarë kishte zgjedhur vetë dhe kaq mjaftonte e tepronte për të.
Meqë dëshmisë po i vjen fundi, duhet sqaruar se më parë se personazhi në fjalë të mos e linte vetëm këtë shtëpi, kishte qenë aktivist i madh. Nuk kishte lënë gjë e punë pa bërë. Të tilla gjëra sa po ta shihte tani kush e njihte, nuk mund të besonte se ai shuk kockash, mbytur në tym e pluhur duhani, kishte qenë dikur një një nga njerëzit me histori më të lavdishme në atë vënd.
Dua të tregoj unë, pa ju lënë që të imagjinoni ju, se ai zot shtëpie para se të përfundonte kështu, kishte bërë historinë e atij vëndi, por jo duke ushtruar pushtet real. E theksoj këtë sepse kur njerëzve u flitet për personazhe me histori, gjithmonë imagjinojnë trima të marrë që hanë plumb me dhëmbë e nuk j’ua lënë t’a bëjnë këtë punë njerëzve pa pushtet, dhëmbët e të cilëve janë mësuar të përdoren vetëm të ngrënë bukë, sallam e gjellë tradicionale.
Hajde e pretendo pastaj, se ky zot shtëpie nuk është hero si mendoj unë? Në mos hero për ju, a nuk është të paktën një Promete modern që mushkëritë nuk ja ka ngrënë shkaba e Kaukazit, po tymi i duhanit. E gjithë kjo për asgjë tjetër, veç për të mos e braktisur shtëpinë në të cilën ai besonte.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s