ORA E VJETËR E MARKES CITIZEN (Novelë) / Nga Pirro Shtika

ORA E VJETËR E MARKES CITIZEN

 

Nga: Pirro Shtika

– vazhdon-

***

I vetëm, kishte zaptuar një tavolinë prapa vetratave të lokalit dhe priste në heshtje duke shijuar rakinë ndërsa kulloste sytë në këmbësore aty ku njerzit pleksen e shpleksen teksa shëtisin atij mëngjesi. Vështrimi im mundohet të përshkojë xhamet dhe çfarë pasqyrohet në to, që nga panorama e palëvizëshme e ndërtesave përreth, deri te lëvizjet e njerzve që shkëmbehen sëprapthi dhe zhduken përtej skeleteve duralumini të xhamarive. Mbase ai nga brenda e ka më të lehtë pamjen vizuale dhe me tu çfaqur te shkallët del nxitimthi në krye të portës hyrëse të saj.

“Ja dhe kushurinjtë e mij, çfarë suprize e bukur, por sikur ishit, …ku shkoi i katerti myskëter?”

“I katërti je ti kushuri. Ha ha ha! Ishte baxhanaku im, por sapo u ndamë, siç dukej e ndjente vehten tepër mes kushurinjsh, por dhe mbase kishte një punë të ngutëshme, diçka si takim mes shokësh apo me pjestarë të korit karakteristik dhe të kishës njëkohësisht.”

Çmallja nuk zgjati shumë dhe të katërt zumë vend rreth tavolinës. Ashtu si te parku rinia dhe këtu ishim të vetëm si klientë, ku ora sapo kishte puthitur të dy akrepat e saj te numri njëmbëdhjetë. Duhet thënë se me Vasilin kisha disa vite pa u parë, qëkur pësoi fatkeqësinë e tij më të madhe në jetë, vdekjen e gruas së tij të re, ashtu aksidentale, siç mundi ta përshkruajë stafi i doktorëve në një spital në Aleksandropuli të Greqisë,  ku gruaja e tij iu nënështrua një operacioni në zemër. Një vendosje valvole midis barkushes dhe veshit të majtë. Dhe kur mendohej se gjithshka po shkonte drejt suksesit dhe dita e rikthimit në shtëpi ishte çështje minutash, ndodhi ajo që nuk besohej nga të gjithë. Zemra e saj e brishtë mbase nuk e pranoi veglën e huaj, ndaloi përgjithnjë, megjithë përpjekjet e mëdha për ta rikthyer në jetë.

Nuk po më hiqej nga mendja telefonata e orës së fundit nga Aleksandropuli e vajzës së tij, përtej ngashërimit të dhimbjes së madhe që ndjente të përballej mes shpresës së lindur dhe asaj të vrarë, se nëna e saj do të kthehej shëndoshë e mirë në shtëpi. Me zërin që i dridhej dhe dënesës që i shtohej, e gjente forcën dhe kurajën të jepte lajmin kobzi për nënën e saj. Veçse, vajza e saj e sapo bërë nënë, mundej të përballonte këtë dhimbje. Megjithë orën e vonë të lajmit nuk mbeta peng i mëdyshjes, të shkoj a të mos shkoj, gjithsesi flitej të ndodhesha pranë njerzve në fatkeqësi. Gruaja dhe vajza që tashmë si dëshmitare e ndjenin dhimbjen që përjetohej përtej celularit lëvizën në heshtje dhe bënë përgatitjet e rastit për këtë udhëtim të orëve të vona. Ora tre e mëngjesit pas shumë peripecish më gjeti pranë njerzve të mij të dashur. Në qoshe të dhomës së burrave, pas xhaxhait tim qëndronte kushëriri im krejt i dërmuar nga dhimbja. I ulur në një karrige, përkulur deri pranë gjunjëve të tij, me të dy pëllëmbët e vrazhda nga puna në emigracion, mundohej të mbuonte fytyrën që shprehte një dhimbje të madhe.

Tash ishim sërish përballë dhe në pamjen e parë teksa e vështroja me kërshëri shikoja që koha kishte bërë të sajën dhe një pjesë e mirë e dhimbjes e kishte bërë me këmbë në tokë. Me fatin nuk mund të hahesh, por edhe t’i nënshtrohesh atij, prapë nuk të shpije gjëkundi. Fundi i fundit, fati i tij nuk se ishte i vetëm. Të tillë fat pësoi dhe vëllai im kur vdekja e gruas së parë e shokoi duke e lënë të vetëm me dy djem që akoma ishin në bankat e shkollës. Ajo kohë e largët më kishte mbetur peng, pasi nuk mundesha të rikthehesha në vendlindje falë mungesave të kartave të qëndrimit në greqi.

“Hëm.., kushuri, kemi kohë pa u parë! Si më ndryshe më dukesh tani. Të tre vjetët i ke kaluar heroikisht ! Asnjë lajm për martesën e re? Jam kurioz të di në se ndihesh i vetmuar dhe ke nevojë për shoqëri. Mos u çudit dhe më vështron me vëngëri, ja ku e ke shëmbullin ngjitur.” i them duke i treguar vëllanë tim.

“Jo bre kushëri, shyqyr zotin shtëpinë e kam plot dhe tani për tani nuk më mungon gjë. Për të martuar nuk më ka vajtur mendja dhe tash për tash nuk e besoj se do të ndryshojë gjë në të ardhmen. Yt vëlla dhe kushuriri im u ndje i vetmuar për shumë arsye, por njëra nga to dhe më kryesorja është se të dy djemtë i kishte mjaft larg në Greqi. Shyqyr zotin, – dhe këtu po shihja se kushëriri, ishte bërë pak besimtar, “të dy vajzat e martuara i kam në një pallat dhe në një hyrje, për të mos thënë në të njëjtin kat. Më shumë rrinë te unë sesa në shtëpitë e tyre, sëbashku me mbesën dhe çeçenin e vogël,” tha duke u munduar të vejë buzët në gaz.

Më pas një kollë e thatë e ngacmoi mjaft keq. Nuk e bëri dy. U ngrit vrik përpjetë dhe shkoi drej derës së jashtëme, doli, por jo për shumë kohë. Pas pak u kthye duke mbajtur një shami pranë gojës. Fytyra mu duk pak e prishur, ndoshta nga ndonjë dhimbje që e mundonte prej kohësh në mushkëri. Nuk mund të rrija me mëdyshjen dhe dyshimin që po më shtohej. Një shqetësim i lehtë ishte i pashmangshëm. Hodha vështrimin rreth e qark duke kërkuar një përgjigje sidomos te Ilia dhe Eduardi.

“Çështë ky çeçen bre kushuri, se nuk po të kuptoj?”

Brodha shikimin rreth e rrotull sikur të kërkoja një gozhdë për të varur të qeshurën sepse nuk po e ndalja dot, pasi e dija pak a shumë përgjigjen e tij, edhe pse nuk më pëlqente të ndryshoja bisedë. Si për dreq, pas pak do të ndryshonte edhe tema e dialogut, ndërkohë nuk desha të isha vetëm unë ai që do ta shtynte gjithmonë bisedën. Mendova ta çoja deri në fund këtë temë, por edhe të përfshija në bisedë, si vllanë ashtu edhe kushuririn tjetër, Ilian.

“Nipi i vogël nga çupa e vogël. Vllai yt nuk e di ende, që dhëndri i ri është nga Gjeorgjia, por mua më pëlqen ta quaj çeçen, dhe nuk më është mërzitur deri tani.”

Mënyra e të folurit dhe serioziteti i tij, na shkuli nga zorrët e barkut, mua si fillim, pastaj e qeshura oshëtiu nga të gjithë ne, tej hapësirës së pushtuar. Kjo nuk kaloi pa u vënë re. Nga një kthinë përtej sallës u hap dera dhe u çfaq i zoti i lokalit , i cili duke çuar buzën në gaz sapo na pa, u shtang nga thirrja sërish e kushuririt.

“Po eja ore djali i kushurirës, eja, tashmë, meqë kishim s’kishim i thamë të gjitha, me se do na darovitësh?’’

“Kemi kohë dhe për qerasjen, por nuk po më pëlqen kjo kolla jote? Qëkur kështu me të?”

“Ka disa muaj, mbase që në behar. Kam një dhimbje këtu mbi brinjë në krahun e djathtë, tashmë dhe kjo kollë e mallkuar është shtuar më shumë. Deri ku të vemë kushuri! Jam i mërzitur dhe lodhur nga jeta, edhe nga mërgimi. Gjithshka më duket boshe. Kur çupat dhe fëmijët largohen në shtëpinë e tyre çdo gjë më duket e zbrazët, si nata e zezë pis. Mbase duhet t’i shkoj pranë, mbase më pret? Jo se kam qënë bashkëshort i mirë? Shpesh e kam munduar me sjelljen time, me të pirën dhe me moskokçarjen për të qënë një shok i saj, pranë familjes dhe fëmijëve të mij. Kam pasur një grua shëmbëllore, një nënë dhe amvisë shtëpie, që më dha gjithshka, por që s’munda t’ia shpërblej. Te mjeku nuk dua të shkoj. Kam një alergji dhe urrejtje të madhe për ta, jo se i bëj fajtorë që nuk ma shpëtuan gruan, mbase nuk ishte në dorën e tyre, mbase Zoti e kërkonte më me ngulm pranë tij … mbase” … iu mek zëri padashur ose thjesht për ta bërë më të pranuar mendimin e tij. “Kushuri, jam i lodhur, kupton! Dua t’i shkoj sa më pranë. Sa herë vij në Korçë, këmbët më çojnë te varrezat! Nuk më bëhet të iki që andej. Kam një zë të brëndshëm që më thërret, që më do pranë! Çdo gjë përreth më duket e zbrazët dhe pa jetë. Shpesh më ka arrdhur nënoja të më shkulë nga varri i saj. Edhe ky këtu,” duke bërë me dorë nga Ilia. “Nuk di kush i lajmëron? Mbase më ruajnë edhe këta? Ose paguajnë dikë? Ende nuk e kam verifikuar? Ja kështu!”

Eduardi, nipi i Ilias nga motra, dhe djali i kushurirës tonë, ishte afruar tashmë kaq afër me heshtjen e tij sa të tre u ndjemë të befasuar. Një djalë i shëndoshë përtej të tridhjetepesave të viteve të tij, fytyrërrumbullak, me një qeshje karakteristike, ku mundësonte në mollzat e faqeve një formësim zemre, a nje vrimë e vogël sa herë viheshin në provën e buzëqeshjes. I llakuar me xhel flokëve të shkurtuar dhe krehur në njërin krah të saj me një vijë ndarëse mjaft të dallueshme. Veshur një këmishë të bardhë, shtrënguar pas fytit me një papionkë të hollë të zezë si dhe pantalona po të zeza, të ngushtuara në pjesën e poshtme. Instiktivisht u ngritëm më këmbë duke e përqafuar nxehtësisht, megjithë lutjet e tij që mos lëviznim nga trapeza rrethore, e para në pozicionin pranë vetratës, që të jepte mundësinë të shikoje nga një gjysmëlartësi gjithshka kalonte te pedonalja e qytetit.

“E ç’mundesh të zgjedhësh në Korçë në periudhën e dimrit? Këtu pihet vetëm raki e kafé dhe ne e kemi nisur që nga lokali i fundit, te parku rinia. Si thoni dhe ju, a mos vallë ka ndonjë tjetër variant?”

Pas Edit ja mbrrin edhe kamarieri i ri, djali i Stavrit, një tjetër kushëriri ynë, i cili pasi mori porosinë me një buzëqeshje të lehtë, u zhduk pas kthinës së fundit.

Edi u ul tok me ne dhe biseda filloi sërish. Nuk mund të mbetesha me kaq, megjithëse kushëriri ishte shprehur mjaft qartë. Ajo që nuk më befasoi ishte se rakinë e pinte si më parë, biles pak më shumë.

“Epo gëzuar! Gëzuar dhe krishtlindjet dhe vitin e ri! Ç’më rrini si të ngrirë, ende nuk ju ka dalë e ftohta e mëngjesit?”

“Nga nesër duhet të shkosh për vizitë te mjeku, do të jemi të dy bashkë, mund të vijë edhe vëllai im? Ka një shok nga fëminija, doktor! Mbase më i miri sot për sot! Si thua?”

“As mos e shtyj më tej kusho! Nuk kam kohë për këtë! Erdha sa për të takuar gruan dhe prindërit! Nuk jam për të festuar, as për vizitë mjekësore. Shën Vasilin dhe vitin e ri do e festoj në Dhramë. Me fëmijët e mij. Mu bë qejfi që u mblodhëm bashkë, si dikur. Mund të bëj një vizitë në Greqi! Të shohim! Nëse kemi dhe kohë! Ti kur do të kthehesh në Selanik? Nëse ikni nesër shkojmë sëbashku! Ju çoj në Selanik dhe më pastaj kërcej në Dhramë. Jam me makinë dhe i vetëm. Mendoje dhe më thuaj!”

Sërish e mbyti kolla, por tashmë e kaloi me dy gllënjka raki.

“Kjo sikur ma zbut disi gurmazin! Gëzuar!”

“Gëzuar dhe bjeri shëndetit pas! Dëgjomë mua. Ne kemi mundësi të ikim pasnesër, mbase e diskutojmë më vonë. Gëzuar dhe emrin dhe Vitin e Ri! Mbase nuk shihemi më vonë.”

“Mua të më falni,” dëgjoj Edin që sa hap e mbyll sytë ndodhet te dera. Hodhi sytë përtej nesh, aty ku kamarierët hynin dhe dilnin pasi merrnin porosinë dhe thirri me të madhe. “Shpejt lëvizni ! Një pulman me turistë grekë! Dilnin përjashta dhe mos lini asnjë t’ju shpëtojë a të shkojë diku gjetkë! Dëgjuat?! Shpejt! Mos rrini si të ngrirë. Është një gjah i mirë!”

E gjithë kjo zallahi ra krejt papritur, dhe ne, ose më mirë unë ende nuk po kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Grumbulli i turistëve po shpërndahej nëpër tavolinat që ndodheshin nën çadrat, jashtë, duke pranuar shërbimet e dy tre kamarierëve të rinj për tu gjendur sa më rehat në këtë mjedis. Dhe Eduardi midis tyre më i lëvizëshmi dhe më xhentelmeni nëse do e quajmë kështu pasi e meritonte këtë kompliment. Një pjesë e tyre u drejtuan në sallën e brendëshme duke u ulur sa andej këtej, përballë, si dhe para e mbrapa nesh. Të shoqëruar nga buzëqeshja e të zotit të lokalit dhe fjalët mikpritëse në greqisht. Ndërkohë, kthehet një çast drejt nesh dhe duke na shkelur synë na bën shënjë që të mos shqetësoheshim për më tej.

* * *

Natyrisht, një përvojë të tillë, të ngjashme me këtë skenë, kam pasur shpesh dhe unë sa herë kemi udhëtuar me pulman me shoqëri të ndryshme turistike në mjaft qytete të Greqisë, por, të tillë angazhimi të personelit për të mos lejuar askënd në mëdyshjen e çastit për të zgjedhur një tjetër lokal, s’më kishte ndodhur kurrë. Të kujton një grup peshkatarësh që kanë hedhur rrjetat në det dhe presin me durim udhëtimin e tufave të peshqve, sardeleve, qefullit, koceve, deri në hyrje të grackës së rradhës. Dhe pasi sigurohen që e gjithë tufa është në hapësirën e duhur lëshohen me tërbim duke tërhequr njëkohësisht gjithë cepat e saj në mënyrë që asnjë nga tufa të mund të rrëshqasë dhe të gjejë një të çarë për tu larguar.

E gjitha Vatërloja, u nis dhe bitis brenda pak minutave. Vështrimi im kurioz njëqindetetëdhjetgradësh nuk mori fund. Nuk shikoje askënd më këmbë. Të paktën ne nuk ishim objekti i tyre. Ata e ndjenin se pas disa orësh udhëtimi një ndalesë e shkurtër për një kafé, ujë , a diçka e ngrohtë, që nga çajrat ose edhe ndonjë pije alkoolike tradicionale, si rakia jonë, cipurà greke, uzoja, uiski skocez, konjaku etj, ishin mëse të domosdoshme. Rrethrrutullimi i kokës time u ndal te tavolina që ishte diagonal me tonën, por, në skajin tjetër të hapësirës ndërmjetëse, nëse ajo do të përfytyrohej drejtkëndëshe. Diçka telepatike, vështrimi im ndali te një palë syzesh, model i njohur ose i parë, i thashë vetes duke kujtuar madje edhe sytë që lëviznin pas tyre, sy jo të panjohur, që kishin kohëndaluar në drejtimin tim. Thanasi! Ose binjaku i tij! Por unë deri më sot nuk i kam ditur, ose nuk më ka thënë kush, as ai vetë, për ndonjë të ngjashëm me të. Atëhere mbetet të jetë ai vetë, Thanasi! Mësuesi ynë nga Selaniku! Një simtomë, a rastësi? Po ç’kërkon vallë në këtë prag Krishlindjeje në Korçë, apo Korica siç rëndom e quante ai qytetin tim?

Në fillim, ngrita një gjysmëdorë si shënjë përshëndetëse, dyshuese domosdo, por më pas kur mora dhe një gjysmë reagimi të tij në formë buzëqeshjeje dhe një dorë që u ngrit pa vështiŗësi në formë salutimi, pranova se ishte Thanasi, dora vetë. Po ai ngjitur? Një burrë kockë madh, flokë të dendura kaçurel por të zbardhura plotësisht, me duar të stërmëdha dhe të fuqishme të kryqëzuar mes gishtave të trasha, ndër mjegull më kujtonte dikë, por s’mundej gjithsesi se kë, e si mund ta kisha takuar diku, dikur. Përballë tyre padyshim bashkëshortet e jetës, përvetë faktit të moshës që mbartnin mbi supe.

E përshëndes me një tundje të lehtë të kokës buzëgaz dhe kthehem për te tavolina ime.

“Kam një të njohur nga Selaniku atje tej te qoshja tjetër. Mësues i gjuhës greke në një shkollë “dhimotiko”*, fillore në një lagje të Selanikut. Stavropuli quhet. Kam kohë pa u parë me të. Dikur, çdo fundjavë, dilnim për një kafé në qëndër të qytetit dhe debatonim mjaft. Si fillim mundohesha që biseda të zhvillohej në shqip, pasi edhe ky e zotëron gjuhën, si ardhacak nga Follorina në Selanik, tashmë i stabilizuar. Por, kohë kohë e kthente bisedën në greqisht. “Më volet më mirë ta flas e të shprehem më qartë, pastaj edhe ju e kuptoni mjaft mirë atë,” sqarohej shpesh për të mos lënë keqkuptime ndërsa pinte kafe.

“Mos e ktheni kokën, nuk dua tu tërheqim vëmendjen,” thuajse pëshpërit.

Ndërkohë, nuk desha të mbetesha me aq, as të shmangia përshëndetjen e tyre, madje edhe kur shqiptova; mos ktheni kokat, ishte thjesht që të mos tregoheshim më të zellshëm seç duhej. Mendoja t’i përshëndet sërish me një “ja” sa për të mbajtur lidhjen, meqënëse midis tyre ishte edhe kockëmadhi, njeriu që më kujtonte dikë por ende nuk isha në gjendje të thosha kë, i bindur që mekanizmat e brendshëm të kujtesës ishin venë në lëvizje. Natyrisht nuk do të thërrisja “Eureka”, por do të shpëtoja nga ai fiksim torturues i kësi rasteve. Përshëndetjes time të vakët, iu përgjigj reagimi i menjëhershëm i gati tetë vetave, gjë që më futi në dyshim dhe mendova se ndoshta edhe ai diçka kishte folur për mua. Kushedi? Thashë me vete, ndërkohë që iu përgjigja me të njëjtën përzemërsi të shtirë kockëmadhit.

“Të lezetshëm janë dhe mjaft dashamirës,” u hodh Ilia menjëherë sa ktheu kokën, “më ngjaka me Xhoxhan tim, baxhanakun e Selanikut, nuk është kështu kushuri?” iu drejtua Vasilit.

“Nuk ta kam parë unë, mos më ngatërron me kushon e Selanikut, ai po duhet ta njohë,” u hodh Vasili duke i bërë dalje topit dhe hedhur në fushën time të futbollit.

“Mua më duket se diku, dikur, e kam pas takuar atë njeri, por s’më kujtohet ende. Xhoxhan e këtij e njoh domosdo dhe kemi hyrje dalje, kështu kushuri?” duke marrë pohimin e tij me tundjen e kokës.

Tavolinës iu rikthye edhe i zoti i lokalit dhe biseda mori tjetër rrjedhë.

“Si punë të paqme bëmë, apo jo kushurinj, as dhe një nuk i shpëtoi grackës së ngritur, jeni këmbë mbarë ju të Greqisë sot, për këtë keni nga një teke raki nga unë. Si thua xhaxhi Vaskë!” i mëshoi zërit, në drejtim të tij, si më pijetari nga ne, i cili duke mbledhur buzët dhe me kokën mënjanë njërit sup, e aprovoi pa një, pa dy. “Nëse i hidhni një sy tavolinës në ekstremin tjetër të gonies do të shihni dhe dy miqtë e mij të hershëm nga Follorina.”

Nuk e shprehu qartë dhe deri në fund idenë e miqve të tij, kur vetë Thanasi dhe miku i tij koskëmadh, pasi na përshëndetën, kërkuan lejë për të qënë të pranishëm në shoqërinë tonë, lejë që natyrisht e aprovuam.

Ishte një suprizë jo e vogël, në të cilën kisha meritë edhe unë si njohës dhe mik i vjetër i Thanasit. Tashmë nuk ishim më pjesë e barkut të shën Mërisë, dhe gonidhe e të njëjtit gjak. Tavolinës ju shtuan dhe dy të huaj nëse mund t’i quanim të tillë si fillim. Përveç vëllait dhe Ilias që nuk flisnin greqisht, tre të tjerët ishim më të privilegjuar. Vasili e shprehu më qartë kur kërkoi të qiraste dy të ardhurit me nga një raki. Mendova se do e kundërshtonin këtë propozim të kushuririt duke pëlqyer si fillim ndonjë pije më të lehtë, çaj apo ndoshta neskafé. Në fakt, në vend të rakisë kërkuan uzo greke. Dhe ashtu u bë. Sa hap e mbyll sytë mbi tavolinë u vendosën dy dopio uzo dhe po aq gota të tilla me raki. Mjedisi u ngroh më tepër dhe e ftohta e acartë u largua plotësisht.

“Edi, përveç kësaj do të deshim diçka si meze, të lehtë, atë ç’ka mendon se është më e shpejtë, pak djathë ndonjë domate a spec, megjithëse nuk është koha e tyre, por dhe ndonjë mish të pjekur në zgarë me korrent, kuptohet, nëse do të ketë kallamarë, ose garidhes, aq më mirë. Të themi të drejtën që kur jemi nisur nga Selaniku nuk kemi vënë gjë në gojë, përveçse një eleniko kafe dhe diçka si kek. Pra, le ta quajmë një si drekë jo vetëm për ne, por edhe për parenë* që gjetëm midis jush. Ja përshembull, Spiroja është jo vetëm miku im prej disa vjetësh, por dhe një i njohur i vjetër i Jorgos, mik dhe njëkohësisht dhe baxhanaku im. Hë miku im si thua?” Mu drejtua mua patëkeq duke më bërë suprizën e rradhës sepse s’kisha të bëja me pjesën e parë të mendimit të tij, me të dytën po, por s’kuptoja lidhjen. “Jorgo Guris duhet të jetë një i njohuri yt i vjetër në Selanik. Dikur më je shprehur për këtë, nëse të kujtohet, në një të djelë korriku në plazhin e AgjioTriadhës. Ja kujtohu pak? Këtë episod me sa më kujtohet ma ke treguar duke më thënë se ishte një patrioti im nga Follorina. Një farë Jorgo, hekurxhi a puntor ndërtimi në Selanik. E pra, ky është Jorgoja yt, që ti nuk pate mundësi ta takoje qoftë dhe njëherë më pas. Jorgoja të njohu që në çastin më të parë megjithë njëzet vitet e ikura. Veçse nuk ka punuar asnjë ditë në ndërtim, as dhe si sidheras*. Jorgoja ka qënë trapezist, ose drejtor banke siç i thoni ju këtej,” tha dhe heshti sa për të marë frymë, nxori syzet e mëdhaja që i pushtonin gjithë fytyrën, me një skelet po të trashë dhe të zinj, që i kishin krijuar një shirit të trashë, sa të thellë aq dhe të zbardhur mbi hundën e tij me samar. “Tashmë në pension si ky, por dhe unë. Një pjesë të kohës, sidomos në behar i kalojmë në Florina, dhe në fshatrat për rreth, te shtëpitë e prindërve tanë, por edhe të grave tona. Tashmë kemi edhe shtëpi me qira, të trashëguara kuptohet dhe si një ndihmë për pensionet tona, që sa vijnë dhe zvogëlohen sa herë ndrojmë qeveritë.”

Gjithshka e ligjëroi në shqip dhe kjo ishte surpriza e rradhës, jo për mua por për të gjithë. Këtu hyri në lojë dhe vëllai im Andrea, që bëri prezantimin e, do të vazhdonte dhe më tej nëse Jorgoja nuk do të ndërhynte, por tashmë me greqishten e tij, që nuk mundi të ishte krejt i sinqertë edhe kur pranoi se e dinte gjuhën shqipe, jo vetëm ai, por edhe fisi e fshati në tërësi. E zgjidhte këtë profesion si puntor ndërtimi, jo vetëm sepse i përshtatej nga ana e jashtme fiziku i tij nga ana koskore, trupmadh dhe i vrazhdë, por edhe ngaqë s’ishte pa gjë në këtë ide. Kishte provuar me ato duar më keq se sa një punë të thjeshtë kazme a lopate, plugjesh, shate dhe grabashke, duke lëruar dhe pastruar toka nga gurët dhe rrënjë pemësh të qëmotëshme.

“Miku im, kam pasur një fëmini të vështirë. Origjina ime është nga Qafzezi i Kolonjës, dhe fisi ynë e kishte mbiemrin Guri. Këtë mbiemër nuk e kam ndryshuar dhe tani, përveçse i kam shtuar nyjen shquese s. Pra Guris. Por dhe më përshtatet me natyrën time si gurë zalli, apo gur stralli i skalitur nga koha e vështirë. Ky shtegëtim i ardhur si një nevojë mbijetese nga “progonët*” e mij ,që para njëmijëenëntëqindës, na çoi në Shtikë rrëzë malit Gramoz e më pas në Plikat dhe Pirstojan, kuptohet me gjënë e gjallë që kishte gjyshi në atë kohë, kuaj, bagëti dhe ndonjë lopë. Nuk jemi vllehë, jo se kam diçka kundër tyre. Ata shtegëtimin e kishin në gjak. Ne iknim për t’i shpëtuar gjaksit që në këtë rast ishin qehallarët e beut të Kolonjës. Kapllan beu quhej. Vrasës dhe mizor zor se nxjerr ky popull. Nje turkoshak dhe anadollak me brirë. Ky njeri jo vetëm që ju merrte padrejtësisht kamjen dhe tokat bashkëfshatarëve të vet, por kush e kundërshtonte e vriste me veglat qorre që mbante me vehte. Sejmenët i kishte kosovarë të varfër, injorantë dhe të vrazhdë.”

Këtu ndaloi për tu bërë pjesë e grupit tjetër ku ligjëronte Thanasi miku i tij. Ai po ju tregonte se si ishte njohur me Eduartin në kohën kur ky me të jatin punonin me një maunë të madhe Korçë Komotini dhe Oristiadhë duke transportuar kostume dhe veshje nga një kompani robaqepsie në Korçë.

“Nuk më thoni miqtë e mij, megjithë suprizën e madhe që ndjeva sot, këtë dyshim e kam patur prej kohësh se diçka ju lidhte midis jush, është e vërtetë që jini baxhanakë, pra, që keni marrë dy motra apo nuk është kështu?”

“Ha ha ha, më pëlqeni ju shqiptarë, sepse jeni aq të sinqertë në shpirt, po aq sa jeni dhe naivë. Pra, çdo gjë që mund të dëgjoni e hani si ai, sapunin për djathë. Jemi baxhanakë sepse kemi gratë nga i njëjti fshat. Pra, jemi dhëndurë në Negovan, nuk di nëse njihni ndonjë fshat me këtë emër, pasi sot dhe 80 vjet thërritet Flambur.”

“Natyrisht që e njohim këtë fshat pasi një patrioti ynë Papa Kristo Negovani, ka bërë shumë për kombin shqiptar dhe ishte krenar për të, paçka se kisha dhe shteti grek i asaj kohe e vranë në mënyrë të pabesë. Kjo i përket historisë sonë dhe ai është pjesë e rilindasve shqiptarë.”

Këtu sërisht nuk munda të shkëputesha nga krenaria jonë. U ndjeva vërtet i vogël, pasi ishte një përpjekje për të tjetërsuar bisedën. Isha gati t’ju thosha se çfarë kishin bërë gjatë kësaj kohe për këtë patriot të madh, nëse kishin mundur të paktën të kujdeseshin për varrin e tij, që edhe emrin ja kishin shuar nga gjysmë kryqi i rrëzuar në varrezat e fshatit. Për shtëpinë dhe fatin e familjes së tij as që bëhej fjalë. Natyrisht, Jorgos dhe Thanasit jo se i shpëtoi kjo gjë, por nuk u shtynë më tej.

“Pra Thanasi është nga fshati Andartis, ndërsa unë lindur e rritur në Pirstojan. Nuk isha veçse një vit e gjysëm kur babai im u vra në Këlcyrë të Përmetit në luftë kundër pushtimit Italian. Me sa na kanë mësuar, atëhere dhe shqiptarët me nje a dy batalione të formuar, asaj kohe luftuan krah për krah me italianët për të na pushtuar. E di që do të thoni se kjo nuk është e vërtetë, por pala e jonë disa gjëra i ka me dokumenta. Ushtria e jonë çliroi gjithë VorioEpirin dhe do e mbanim përgjithnjë atë nga Saranda, Gjirokastrën, Korçën deri në Berat, por nuk na lanë gjermanët, që na zaptuan që nga Bullgaria dhe Jugosllavia e atëhershme.”

“Diçka dimë dhe ne për këtë, pasi kemi dëgjuar për depot e grekut në Korçë, plot me ushqime, që nuk mundët t’i tërhiqnit nga që ultimatumi gjerman ishte 24 orësh. ”

“E drejtë.”

“Jorgo dhe ti Thanas, nuk po ju duket se gjithshka në këtë bisedë të ngrohtë që po bëhet mes nesh, po merr trajtën e një diskutimi midis dy kombësish, ne, pala jonë shqiptare, dhe ju, pala e vetëcilësuar greke. Ndërkohë gjithshka po flitet në gjuhën shqipe. Jemi një komb or burrë i dheut dhe aq më tepër në Korçën tonë, djepin e kulturës dhe rilindjes shqiptare, ku ju e keni zgjedhur, për të kaluar këto ditë të shënuar të krishtlindjeve. Më fal që po ju ndërhyj por, duhet t’ju them se më vjen mirë që vëllai im por edhe Edi ynë, keni qënë miq e të njohur prej kohësh mes jush,” tha vëllai im duke e shoqëruar me nje të çukitur të gotave dhe duke rikujtuar se kishim mbetur prapa në cëmbithjen e mezeve aq të ngrohta dhe plot aromë oreksndjellëse.

Gjithshka mori një tjetër atmosferë duke i gjallëruar pjesëmarësit. Këtu përfituan dhe dy kushurinjtë e mij dhe sidomos Vasili, pasi i dolëm te shtegu i tij. Ai rrëkëlleu me një frymë gjysmën e gotës me raki që e shoqëroi me pak djathë dhe qoftet e ngrohta mbi një pjatë porcelani vezake.

“Grekët kanë një fjalë të urtë, këta që kanë vite të jetuar në Greqi e dëgjojnë mjaft shpesh. “Οπουγηςκαιπατρις”*, atë vend që zgjedh, atë thirre atdheun tënd. Ne u lindëm dhe u rritëm në atë shtet, nuk ka rëndësi origjina jote, por si ndjeshesh ti në atë vend. Dhe ne, të paktën unë po, jo vetëm që jemi qytetarë grekë nga ana ligjore, pasi kemi një taftotë*(kartë identiteti), po kështu dhe pashaportë të shtetit grek, por ndihemi dhe si të tillë. Ja unë dhe Thanasi megjithë peripecitë që kemi kaluar në fëmini dhe rininë tonë, fukarallëku, mizeria, skamia, to kathestos mas*, (diktatura e jonë) emigracioni masiv, përmbysja e juntës ushtarake, ardhja e demokracisë, hyrja në europë, bumi ekonomik, ndërtimi i një shteti ligjor, turizmi masiv, krijuan mjaft vende të reja pune, ardhja e juaj dhe mjaft të tjerë nga shtetet e lindjes dhe tash me anatropi*, (me kthim) kriza jonë dhe e juaja, të gjitha i kemi kaluar me grekët, por kjo a nuk na bën të ndihemi më grekë?”

Gjithë kjo ligjeratë, për të përligjur një ndjesi të rremë, në dukje nga unë, por jo se mendonin të gjithë si unë, atë të mohimit të të parëve të tyre, vetëm e vetëm sepse ndjeheshin mirë ende ekonomikisht dhe se midis shtetit grek dhe atij shqiptar ekzistonte një diferencim thelbësor në shumë fusha, falë tranzicionit të stërzgjatur ku përpëlitet vendi ynë duke cënuar madje edhe identitetin sepse na bën të ndihemi inferiorë e ndoshta këtë ndiesi e përcjell edhe politika jonë, mjaft servile, përballë të huajve, por kjo dobësi bie si peshë e rëndë mbi individin, qytetarin e thjeshtë që trajtohet si një qenie pa rrënjë e pa një shtet nga mbrapa, si jetimë, drejt me thënë, kjo gjendje e tillë na bën të kalojmë e të pësojmë një kalvar lëshimesh e korrupsionesh. Kudo paguajmë si jashtë në vlera morale e materiale ashtu edhe brenda, paguajmë politikanët tanë që s’e kanë për turp korrupsionin. Tashmë diçka po ndryshon në politikë e, ndërsa ne përpiqemi të vemë në vijë të drejtë shtetin, në përpjestim të zhdrejtë ngrihen barriera kundërshtimesh nga shteti fqinj. Jo, përvoja e të jetuarit në shtetin helen më ndihmon që mjaft gjëra të mos shkojnë drejt përplasjesh, sikurse ju intereson politikanëve. Ne jemi njerëz të thjeshtë dhe duhej të rrojmë në harmoni. Politikanët shkojnë e vijnë, ne mbetemi, si popull aty. Çdo gjë mund të ndryshohet e pat thënë deputeti më plak në kuvendin grek, gruan edhe mund ta ndash, nga femijët edhe mund të largohesh ndonje ditë, por me fqinjin kurrë. Me atë duhet ta kesh mirë në gëzime dhe hidherime, në paqe dhe në luftë sëbashku për të njëjtën çështje.

“Këtu, pas xhamave ne kemi një monument që e quajmë ushtari i panjohur, por, ai për shumëkënd mund të qëndrojë i tillë, por jo për ne, që sot jemi në një trapezë së bashku. Ai ka një emër dhe quhet Spiro Bellkameni. Patriot yni i përbashkët që ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e këtyre trojeve. Ai fliste shqip. Dini gjë për të në fshatin tuaj ashtu si edhe për Papa Kristo Negovani? Jo! Tashmë ata janë shuar për ju, sëbashku me emrat e fshatrave. Bellkameno, ka marë emrin Dhrosopigi*, “burimi i freskët”, për të freskuar trutë tona.”

Ashtu pa dashur, kisha nxjerë si nga mënga e një magjistari kartën aq të zhdukur për shumë arsye, asin maç, egon e vjetër të patriotizmit të ri. Ngrita gotën i vetëm, e vura në buzë pa thënë fjalën gëzuar. Kisha një etje të marrë. Në vend që të zgjidhja gotën me ujë, padashur zgjodha gotën e rakisë. E ktheva me fund duke fshirë me kartpicetë lëngun e tepërt që shkau buzës tej poshtë deri në qafë.

“Mengadalë kushuri, si e pate, si shumë po nxitohesh, mos të presin gjëkafshë në shtëpi. Duhet të kesh ndonjë gjë të mirë për sot si drekë krishtlindjesh?” u hodh Vasili, i cili ishte i vetmi që më shoqëroi në veprimin tim, duke e ngritur me fund gotën e vet.

“Bërxolla derri prej greqie kemi, ha ha ha , jeni të ftuar, ka për të gjithë ju këtu. Kjo gotë do të shërbej si aperativ, për të ndjellë oreksin në fjalë.” Në fakt gjetkë më bluante mëndja, shprehja ishte disi e pa menduar. Kjo ditë për të gjithë të krishterët e botës ishte një festë e shënuar. Për ne shqiptarët diçka e re. Tradita e jonë ishte fundviti dhe gdhirja e datës një janar. Tashmë, vetë shqiptarët kishin filluar dyndjen drejt Evropës plakë. Sapo ju njoh e drejta e lëvizjes në zonën e lirë të shengenit. Bota po zvogëlohej me shpejtësi në përshpejtim të zhdrejtë me nxitimin e lëvizjes, që koha po evolonte te njerzit dhe mendësitë e tyre. Mbase këtu grekët janë më përpara dhe më me përvojë. Edhe për ta kjo orë krize u rikujtoji mërgimin e vjetër, gjysmëshekulli më parë. Përvoja ekzistonte, baza ende qëndron në pritje, çdo familje greke e ka një të afërm në Europë, amerikë, deri te ishulli i madh i Australisë. Brenda familjes europiane ndihen edhe ata të tillë. Mijra të rinj e të reja, studentë dhe të papunë i lanë lamturën atdheut, për mbijetesë dhe një jetë më të mirë. Të parët që e ndjenë dhe rrezikuan vendet e punës ishim sërish ne emigrantët, sidomos brezi i dytë, fëmijët tanë. Kush kishte marrë nënshtetësinë greke, të tjerët e përshpejtonin atë, për tu larguar në europë, por jo si shqiptarë. Si grekë të rinj ndjeheshin më të sigurtë dhe dyert i kishin më të hapura. Edhe familja e ime ishte prekur në këtë drejtim. Vajza e madhe zgjodhi Danimarkën për të bërë një specializim masteri, por dhe njëkohësisht filloi aty një jetë të re.

Kur debati ishte ndezur sërisht ja behën gratë e tyre. Pasi kërkuan ndjesë për shqetësimin, ajo që mendoja se duhet të ishte gruaja e Jorgos u hodh me një greqishte të kulluar.

“Kalla, irthate ja dhefterolepta , jia ena ja ke vlepome oti strosate miahara. E an dhen teliosate akoma, ego qe i gjineka su Thanasi vgenome ja mia volta sta magazia, endaksi!* “(Si mirë, erdhët për pak sekondash, për një njatjeta, por shohim që ja keni shtruar vënçe. Dhe nese nuk keni një përfundim ende, unë dhe gruaja juaj Thanasi po dalim një shëtitje nëpër dyqanet, në rregull!)

“Kalla, kalla , na pate sto kallo, emis tha mas vrite edho me tis patrotes mas!”*(mirë mirë, kalofshi sa më mirë, ne do te na rigjeni këtu mes patriotëve tanë) dhe duke ju shkelur synë u drejtoi gotën me raki dhe shprehjen në shqip. “Epo gëzuar dhe kalofshi mirë.” U rikthye Jorgoja gjithë gaz. Fytyrë skuqur nga uzoja dhe po aq nga të ngrënat e mezeve edhe pse të çastit ishin të shumta në trapezë. Ishte një drekë e këndshme dhe nga biseda dukej si mes miqsh shumë të vjetër e të mirë. Në koken time bluheshin e përpunoheshin mjaft ide, pyetje, përgjigje, kondrapyetje, kondrapërgjigje, por pa mundur të dalin jashtë e të hidheshin në tryezë si ushqim politik, patriotik e më the të thashë. Nuk ja vlente “pia” më. Kur ora po shkonte dy e gjysmë të mesditës, nuk mundesha më. U çova brof më këmbë si i cëmbithur nga një gjarpër në prapanicë.

“Më falni miqtë e mij të rinj,” kërkoj ndjesë, duke ju thënë se edhe unë isha mysafir si edhe ata në Korçën time, ” më falni që po ndërhyj sërisht, si pa takt, por nuk besoj se do e merrni për keq. Arbëreshët në Kalabrinë e largët dhe Siçelinë në jug të Italisë asnjëherë nuk e kanë mohuan gjakun e arbërit dhe mburren për të si stërnipat e kastriotëve, megjithëse kanë kaluar mbi pesë shekuj e gjysëm në mërgim. Ata nuk e mohojnë nënshtetësinë italiane, por as dhe fshehin origjinën shqiptare dhe për të ata nuk kanë heshtur. Të dy palët jeni pjesë të Europës, por shumë ndryshe në mendi. Një popull që nuk kujton të kaluarën dhe nuk mbështetet në të, vështirë se bën para për të ardhmen. Mendimi im gjithsesi.” Ishte si një vetëtimë në qiell të kaltër, atë që nuk e desha si një përplasje, por ajo u hodh në tryezë si një meze e re, me shumë piper dhe spec djegës për të dy palët. Ndërkohë unë s’mund të rikthehesha më në atë tryezë veçse për të pohuar dhe njëherë largimin tim.

“Më falni burra, vërtet kalova disa orë të këndshme sëbashku me ju miq e mij në greqi, por dhe njerzve të mij këtu në qytetin tim të lindjes, por jam mjaft i vonuar dhe po i bëj të presin dy a më shumë familje të tjera aty ku unë jam i ftuar. Jorgo, Thanas, ine i timi mu pu sas sinantisa edho stin patridha mu. Tha afisume ola anihta stin Thessaloniki mas ,meta to protokronja, Kalla Kristugjena, Na perasete kalla qe efiqizmena meres. Gëzuar!”* (Jorgo, Thanas ishte fati im i mirë që u takuam në atdheun tim. Do t’i lemë gjithshka të hapura në Selanikun tonë. Gëzuar krishtlindjet. Të kaloni mirë dhe ditë të gëzueshme Gëzuar.)

“Jasu Spiro, ke* Gëzuar! Tha vlepomaste pali stin Thesaloniki. Jasas.* (Shëndet Spiro dhe gëzuar. Do të shihemi sërisht në Selanik. Shëndet.)

Përballë lokalit, në krye të murit të lyer me ngjyrë kremi, varej një orë muri e ngjashme me orën time me një fushë të verdhë por e rrumbullakët, ndoshta prej ngutit apo ngaqë nuk dukej, s’munda ta shquaj markën e saj. E sigurtë se nuk ishte ora e markës time Çitizen. Vura buzën në gaz. Po kjo c’mu kujtua tani, mos valle kam mbetur dhe une me moshen e ores sime te vjeter. U riktheva dhe njëherë nga kushurinjtë e mij duke ju thënë se sërisht do të takoheshim në mbrëmje për një kafe.

Dola jashtë vetratave të portës së jashtme, ndjeva erën e ftohtë mbi fytyrë dhe qafën time të zbuluar. Si fillim pak freski, por jo për shumë kohë. E ftohta ma drithmoi gjithë trupin. Mbërthej fort jakën me zinxhirin e bufanit dhe marr rrugën e Mitropolisë duke lënë anash katedrales. Thërrmija të vogla debore si miska të bardha po bombardonin flokët dhe fytyrën time. Dëbora e parë besoj se do të jetë jo vetëm për mua por dhe për vendasit këtu. Ky mendim mu duk paksa i huaj, por e vërtetë. U bënë më shumë se çerek shekulli që qytetin tim e vizitoja vetëm për festat e mëdha. Krishtlindjet, Pashkët dhe shën Marinë. Ndjehesha si i huaj. Rrugëve shikoja vetëm fytyra të reja, të cilët më hidhnin një shikim kalimthi ndoshta si një kalimtar i rallë, mbase edhe si turist, a si grek! Hëëëmmm, mbase dhe unë po ju sillem si një grek përderisa nuk i përshëndes e t’ju uluras se edhe unë kam qënë një korçar i vjetër me “kokalla ke osta”*, siç thotë greku,(koska dhe brinja) por nevoja për mbijetesë më çoji në kurbet disa qindra kilometra larg, ne Selanik të Greqisë.

Ashtu me përtesë dhe i përhumbur plotësisht në kujtimet e mia për gjithë këto vite të ikur kaq shpejt, si orët e takimit te lokali i katedrales, u ndodha përballë sallonit të baxhanakut dhe kunatës sime të mirë. Një tavolinë e gjërë dhe e gjatë dyfish, ishte mbushur plot, gjithlloj ushqimesh, mezesh dhe ku binin në sy pjatat e mëdha me bërxollat e derrit të skuqura në furrë. Gotat me verë dhe kokakola plot dhe pothuajse të gjithë të ulur dhe në pritje të dikujt.

“Po hëmooo Spiridhon çu bëre se gjithshka e servirur po ftohet. Ty po të prisnim si më i madhi i tavolinës,” u hodh kunata e ime, por, për pak se më pas ndërhyri gruaja me bateritë e saj të karikuara deri në qiellin e shtatë.

“Yt kunat e ka bërë syçkën, nuk e shikon si është skuqur dhe në çakërqejf. Tani ai është vetëm për gjumë. E dija unë, ky gjithnjë do të nxjerrë një yçkël dhe do të ta prishë mblethkën. Ç’u bëre o ditzi, kemi një orë që po të presim. Baxhanaku yt ka kohë që ka ardhur, ti pse nuk u shkëpute dhe të vinje bashkë me të.” U lëshua gruaja si gjithmonë kur gjente një pretekst për të ngritur zërin.

“Jashtë “pedhja”*(femijë) po bije një dëborë e imët, që aman aman, ka mundësi ta shtrojë sot në mbrëmje. Qënkemi me fat që pas kaq vitesh ta shikoj njëherë qytetin tim si dikur, në fëmini, të mbuluar si plakun e vitit të ri me një kapuç të bardhë. Hajde Krishtlindje të mbara dhe shëndet, e mbi të gjitha fat në jetë për vajzat tona, apo jo o baxho!” e ngrita zërin duke i shkelur njërin sy.

“Amin dhe zëre vendin në krye të saj. Na ndiftë dhe në dasmën e çupave. Gëzuar!’’

Dhjetra duar me gotat të mbushura me verë u zgjatën në drejtimin tonë me urimin në shqip.

“Gëzuar!”

Selanik 10 shtator 2017..

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s