51 vjet të Golgotës me mbiemrin Dobra ( Përcjellje për librin “Bashkëudhëtarë” ) / Nga: Shpend Sollaku Noé

51 vjet të Golgotës me mbiemrin Dobra.

Përcjellje për librin “Bashkëudhëtarë”

 

Nga: Shpend Sollaku Noé

Ky libër është shkruajtur me penën e shpirtit, të ngjyer në gjak e lotë. Shefqet Dobra është njëherësh autor, personazh i planit të parë dhe dëshmitar i drejpërdrejtë i ngjarjeve.
Shumë vëllime janë botuar nga të mbijetuarit e persekutimit komunist, por pak e kanë freskinë ngjethëse të këtij libri. Të shkruara në vetën e parë, faqet e tij kanë një ndikim të drejtpërdrejtë, duke i trasformuar këto dëshmi dramatike në një dialog intim mes autorit dhe lexuesit.
Harku kohor i ngjarjeve është ai i tragjedive shumëpalëshe pothuaj homerike: ai fillon në vitin e hershëm 1945 dhe përfundon në vitin e vonë 1996: 51 vjet te kaluara si i përjashtuar, si i dënuar, si i torturuar, si i mohuar.
Nuk mund anashkalohen faktet e përshkruara në këto faqe të ngjeshura me tragjizëm. Aty-këtu, sidoqoftë, gëlon dëshira për të rezistuar, për të mbijetuar, për të qenë dëshmitarë të drejpërdrejtë të ngjitur mbi tokë prej ferrit. Si fakt qëndrese mund të shërbente edhe një buzëqeshje bashkëvuajtësit, një rënie në shpatullë si shenjë përkrahjeje e heshtur, një vetmohim përballë propozimesh për të bashkëpunuar me xhelatin. Por ndonjëherë ato fakte janë aq të brishta e prekëse, saqë të duken të pabesueshme. Siç ndodh në rastin e nënë Mbrikës, që dhuron floket e saj për të qepur arnat e fëmijëve të internuar në Kampin e Tepelenës, pasi penjtë ishte vështirë të gjendeshin.
Si në një bullet time lexuesi ngec në ankthet e një adoleshenti që detyrohet tʼu bjerë fushave kryq e tërthor që në moshën 15 vjeçare, që vërtitet pas telave me gjëmba të Kampit të Tepelenës (1945-1955), të barakave të internimit të Plugut e Gjazës, të Kampit të Çermës (1971-1996), për të ndjerë në pulset pastaj, prangat dhe qelirat e Spacit e të Qafë Barit (1971-1987).
Prologu i këtij rrëfimi të ngjethshmën është vënë në skenë në pranverën e vitit 1945, në një fshat-qytet që mund të ishte secili prej vendbanimeve shqiptare të atij viti. Si vazhdim i vëllavrasjes të nisur gjatë luftës, «një grup njerëzish, gra me fëmijë të vegjël për dore apo në krahë, të rrethuar nga një togë policësh e ushtarësh të armatosur», janë vënë në rresht për tʼu larguar drejt të panjohurës. Kush i vështron duke kaluar urën e një lumi, shtanget, frikësohet më shumë sesa vetë të shpërngulurit me forcë. Është një tablo me një pjesë të shqiptarëve që do pësojnë tragjedinë e luftës së klasave dhe një pjese tjetër që nuk ish në gjendje të solidarizohej me të, por të aprovonte në heshtje opresorin. Një tablo që do të karakerizojë pesedhjetë vjetët e një diktature të pashembullt, të një numri me mjaft zero tragjedish akoma të pashpaguara, te jetëve të fikura, pa dallim moshe e gjinie, të vdekjeve nga uria, turtura, gjymtimi, gryka e armës.
Ajo që e bën të veçantë, këtë libër, veç fakteve të mësipërme, është karakteri që kanë këto faqe, që i ngjajnë si dy pika uji karakterit të autorit. Edhe pse të regjura në dhimbjen e tragjedive të panumërta, në to nuk gëlon urrejtja.
Rregulla sipas të cilës gjithkujt që të ka nxjerrë syrin duhet tʼia nxjerrësh, është e huaj për Shefqet Dobrën. Ashtu si në jetë, edhe në këto faqe ai është njeriu i mençur, i urtë dhe i drejtë, që kërkon gjithmonë tʼi kundërvëjë, egërsirës së etur për gjak, drejtësinë gjakftohtë, sipas ligjit të zotit, pasi ajo e njerëzve është akoma e çalë.
Pata rastin ta njoh nga afër autorin, ashtu si edhe familjen e tij. Kam dhënë mësim në shkollën ku bijtë e tij studjonin si të internuar në Kampin atje pranë. Edhe ata kishin tiparet e babait të tyre, atë edukatë dhe shpirt fisnik të shpënë përpara prej nënës së tyre heroinë, Bukurisë.
Pikërisht kësaj gruaje të madhe i kushtohet edhe mbyllja e këtij libri të rëndësishëm, nëpërmjët dhimbjes së burrit për humbjen e shoqes së jetës, të asaj Bukurie që, si të gjitha gratë e të të persekutuarve politikë, mbajtën mbi shpinë peshën kryesore të familjeve, rritjen dhe shpëtimin e fëmijëve nga pasojat tragjike të mënjanimit të imponuar prej ligjit pervers.
Për nga dretjpërdrejtshmëria dhe pasuria e dëshmive ky libër përbën një dokument unik e të rendësishëm që historianët duhet ta mbajnë mbi skrivani ndërsa do të shkruajnë historinë ashtu siç duhej të ishte.
Me renien e regjimit shumë bashkëvuajtës të Shefqet Dobrës preferuan të largohen nga ato vende që u ringjallnin vetëm dhimbje e hidhërim prej përcmimit e vuajtjeve të kahershme. Ai, si pak të tjerë, preferoi të mbetet në Lushnje, për tʼi parë drejt në sy krimet e parrëfyera, pendimet e paardhura dhe kërkimin e ndjesës kurrë të arritur.

 

Shpend Sollaku Noé, qershor 2017

Botuar i rregullt edhe ne «Dielli- The sun» , 24.07.2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s