Poezi nga Rexhep Hoti

Poezi nga Rexhep Hoti 

 

Ju kam brengë!

I shpërfill mbetjet e vonuara të mendjes,
Shkronjat vrapojnë si fëmijët gjithandej nëpër alfabet;
Shtrihen në krekosje me të qeshura e kërcënim
Dhe sërish me thellësinë e etjes për krijim bëhen deng,
Gjersa moti shpalos palën e reve në ekuator,
Ekzekutohet me barbari të egërsuar mendimi
Mbi fluturimin e zogjve shtegtarë;
Për ta sjellë te ju të paprekur zemrën e lënë peng!

E vështroj me kureshtjen e fundit rrugëtimin.
Poezitë, ah, dridhen ato, si gjahu në grackë;
Nuk me honepsin shkreptimat që zihen me qiellin,
Nuk kam frikë nga pusitë e panjohura të ‘kazanit rus’;
Unë ju kam vetëm juve brengë!
Identiteti i rrem donë ta ndajë në dysh diellin
E magjia e zezë dalldiset nëpër rrjetet sociale,
Gjithandej çarqe me ‘fake news’.

Nuk më frikëson as fjala e pathënë,
Nuk më ligështon fshehtësia e mitologjisë,
Atë terrinë të paanë e mbaj me mospërfillje në një skaj të kresë;
Unë ju kam vetëm juve brengë!
Mendimi më skuqet kur bota rrakatelet në ligësi,
E dimri ka ngecur nga i ftohtit i thellë pranë dritares,
Si një shpend i vetmuar,
Mos dëborë s’do të bjerë?!
Për Natën e Krishtlindjeve rrufeshëm u nis,
Një selitë Babadimri me zemërim!

 

Bie dëborë!

Dëbora nuk bie përse stina u ftoh;
Dimri i qerosur nuk ka fjolla,
Akullin e ka të zi koks;
Por nuk e di çfarë faji bënë rrugët që befas u zunë,
Dëborë po bie e po bie,
Ty zemra të rrah e çmendur në gjoks?!

Dielli iu shmang planetit tonë nga mërzia;
Si rebel rravgon më gjatë nëpër gjithësi;
Ai s’mund të kalojë kah porta jote Hyjneshë,
I bie duke u përkulur më rrotull tutje,
Lëmshi i kallur ka rënë thellë në dashuri!

Ah, çfarë puthje të të marrë syri
Nga dritë e kristaltë e fjollave në vallëzim?!
Mos ju beso flokëve të bardha kur të bien në bebëz,
Hyjnesha ime,
Ato të rrëmbejnë duke të puthur me afsh
E poshtë barkut me ëndjen i ndjen fluturat;
Më pas të rikthehen tek të mbijnë përbrenda;
Të vjellë e vjellë si dëbora,
Me të qeshura gjithë ligështim!

Ah, fjollat bien bukur, si bien!
Të kafshojnë vëngër në skajin e buzës,
Janë shkronjat e diellit përplot epsh ato,
Të mbjella nëpër gacat e përflakuara të muzës!

Po bie dëbora, po bie!
Toka po vjen më ngadalë gjatë kthimit;
Ti e mban fort të shtrënguar zjarrin e lëmshit në përqafim,
Gjersa muzika e krishtlindjeve derdhet nëpër bredh,
Vera gurgullon prej shishe për në gotë,
Në tryezën e bereqetit përplot me qirinj
Kthehet buka!

Mos i thuaj të lutem askujt për flirtin tonë!
Sonte është festë!
Pa të çmendurin poet,
Aty në tryezën e shpirtit
Nuk do të kishte Gëzuar!
Pa të
Nuk shijon dot
As fjala,
As dëbora,
As puthja!
Pa të Hyjneshë,
Stina, toka e dielli bashkë,
Do të ndiheshin të vetmuara!

 

Afshi i rrezes mbi guralecët e shtrirë

Dita u gdhi e djersitur,
Therjet e nishkut që i ndjente i ngjiteshin gjer në qafë,
Vragoheshin çapitjet e imta të dhimbjes
Tutje kresë,
Siç ikën miu natën nëpër tra.

Gjersa ti flije me brengën,
Tortura ishte zgjuar më herët se mëngjesi;
Qëndronte para portës së Gropës,
Si të ishte një roje e gestapos;
E gatshme për të vrarë Galileun përsëri!

Mos u zgjo,
Sot te Sheshi mos u duk ti
Mendimi i ndëshkuar po mbytet në liqe;
Barbaria gurgullon prej kroit e tmerruar,
Mos brishtësia e shkronjave u gjelbërua sërish,
Nuk e duan dashurinë, Hyjnesha ime,
Buzëqeshja e vashës po vdes mbi atdhe!

E ndjej mërzinë tende.
Ti vetëm lëviz,
E hap, e mbyllë kapanxhën me drithërimë,
Për ta ajrosur shpirtin e fjalës,
Mallkimi të mos mbijë aty
Si krim!

Liria parakalon me një oshtimë të mbytur
Ikën nëpër metrotë e Parisit;
Me kryeneçësi të papërfillshme çan terrin Tempulli i Fjalës,
Përcjellë me guralecë të shtrirë nëpër shina vazhdimisht,
Gjersa nuk i përqafon me afshin e rrezes
Vetë Drita!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s