Pengu i regjizorit: Koha e pelikulës / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina


Pengu i regjizorit
Koha e pelikulës
 
 
 
Nga: Zhuljeta Grabocka Çina
 
Në jetën kulturore të Tiranës, po ndihet një moment i rëndësishëm, ai i vlerësimit të vlerave kinematograke të krijuar në vite. Ky fundviti me promovimin e dokumentarit “Koha e pelikulës”, solli në vëmendjen e spektatorit një prej ikonave të regjizurës, atë të Xhanfise Kekos, krijueses së dhjetra filmave për fëmijë.
 
Dokumentari me skenarin e Natasha Lakos e projektonte kamerën e regjizorit Mevlan Shanaj emocionalisht në ndjesitë e një poeme filmike sintezë, që të drithëronte e të mbërthente para ekranit të madh pa e kuptuar si kalonte koha. E ndërsa në pëlhurën e ekranit të madh shuheshin imazhet e fundit të Xhanfizes artiste dhe nënë, spektatorët në efektin e heshtjen reflektuese prej më shumë se tridhjetë sekondash nuk do të lëviznin. Heshtjen do t’a thyente fjala e regjizorit:
 
– “Kaq mbaroi!”, dhe me buzëqeshjen e tij të kahershme e mbetur përjetësisht tek busti i filmit “I teti në bronx” duket sikur na thotë: – Ka ardhur koha të shkundim nga pluhuri arkivat! “Koha e pelikulës” ishte djepi që përkundi të parat e më të guximshme ëndrra!
 
Të mbetur pa fjalë, sallën e pushtuan duartrokitjet. Duartrokitje vlerësuese e thellësisht mirënjohëse. Salla e vlerësoi “kohën e pelikulës”. Këtë vlerësim duhet t’a bëjë e gjithë shoqëria shqiptarë për t’u ndarë përfundimisht me mohimin kategorik të saj. Vlerësim pozitiv i është bërë dhe prej disa studiuesve të huaj të kësaj fushe nga vende të ndryshme të botës.
 
Më shumë se një dokumentar përkujtimi në dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta të Xhanfize Kekos, ku e fismja, foli me fjalët e bardha të shpirtit për atë çfarë do të thotë punë, pasion e përkushtimi njerëzor. Ajo e filloi punën si montazhiere edhe u bë falë saj përfaqësuesja e një epoke të tërë, që mbaroi me fillimin e teknologjisë kompjuterike. E gjithë puna e saj gjendet në shiritin e celuloidit dhe flet për vërtetësinë e lojës aktoriale të fëmijve. Kjo vërtetësi u bë shkollë natyrshmërie dhe për aktorët më me përvojë të ekranit edhe pse luanin me t’a në role të dyta, por që krijuan karaktere me urtësi e filozofi popullore.
 
 
 
 
Fëmijët duke qenë në qendër të ekranit të vogël fituan një përgjegjësi e mëvetësi jetësore. Aq të thella do të jenë këto gjurmë dhe më vonë në modelimin e sjelljes së tyre prej të rrituri. Nëna Xhano do të thirret ajo prej “aktorëve të vegjël”. Edhe tani kur vitet i kanë burrëruar, ata e kujtojnë se sheshi i xhirimit ishte për t’a shkolla e vendi më e bukur të cilit i rikthehen për të reflektuar!
 
Për autorin, ky dokumentar plotëson arradhën e dukumentarëve të kushtuar Vangjush Furxhiut e Ndrek Lucës etj. Ashtu si edhe në dukumentarët e të tjerë reflektues të tij ndihet shqetësimi i krijuesit për raportet e artistit me kohën. Mevlan qëmton ato momentet ku përvijohet filozofia e punës së artit të vërtetë, estetikisht të qëndrueshëm për të gjitha kohërat, i bindur se sa më shumë kohë të rrjedhë aq më shumë brezat do të reflektojnë mbi to, mbi kufizimet e universitetin e tyre.
 
Në netët e bardha të festave të Nëntorit të këtij viti, një sallë e mbushur plot në Kinostudio, do të ishte e preferuar krahas dhjetra aktiviteve në qendër të kryeqytetit, të ndiqnin filmin ”Lule të kuqe, lule të zeza”.
 
Autorët e njëjtë, si të skenarit edhe të regjizurës së këtyre realizimeve do e fillojnë përjetimin me sekuenca zërash fëminore. Në dokumentar me çuçurimat gurgullimë të “Xhanës”e të fëmijëve që luajnë e rriten si aktorë, dhe në film me një këngë të pafajshme të fëmijërisë së protagonistëve për lulet. Lulet me të gjitha ngjyrat, por që jeta do t’u dhurojë një pas një momente aq të trishta. Të rrethuar nga absurditeti ekzistencial i ditës, çdo batutë e përthyerje në celuloid është fati destin i pamerituar i secilit prej nesh, që kinematografia me gjuhën e plazmuar filmike e sjell në përjetimin kolektiv. Drama ekzistencialiste e kohës nuk përjashton në këtë film dhe “fshatin e largët e të gurttë” që nuk afron asgjë, përveç një dekori shekspirian të fantazmave të shpëtuar ikjes, që përjetojnë sa një zbrazëti tjetërsuese kafkiane aq dhe një pritje të pashpresë të një Godoje shqiptar. Mevlan Shanaj duke qënë se ka punuar me filmin artistik e pasuron gjuhën shprehëse të dokumentarit me detaje e situata të mrekullueshme e mbresëlënëse që zbulojnë botën e brendshme e ndjeshme të personazheve fëmijë. Filmat për fëmijë shijohen në çdo kohë dhe prej të rriturve sepse sjellin këndvështrimin e pastër e të çiltër të fëmijve ndaj botës e njeriut.
 
I pranëvura këto dy evente me arsyen e thjeshtë, për të venë në dukje se sa larg realitetit dhe njeriut të sotëm shqiptar janë telenovelat turke e indiane që kanë pushtuar kulturalisht mendjet, jo vetëm amvisore për të vrarë kohën por edhe me tej, tek përgjegjësitë programuese e financuese të televizioneve e të politikave të zhvillimit të kinemagrafisë kombëtare. Asnjë kulturë nuk lind në boshllëk. Kineastët e parë vërtet u formuan në shkollat e lindjes e sollën më të mirën e saj kulture, por sytë nuk i ndanë për asnjë çast prej arritjeve më të arrira të kinematografisë bashkëkohore italiane, franceze e amerikane. Me eksigjencën e artistit dhe me aq liri sa të sigurojnë ligjësitë e artit, edukuan brezin e ri të artistëve dhe regjizorëve aq të sukseshëm të arradhës së filmave të viteve ’70 -80. Dokumentari fillon me Hamdi Ferhatin duke xhiruar, si një nga operatorët e parë dhe kulmon me një grup kineastësh si një homazh për të gjithë plejadën, Xhanfize Keko është një yll i tyre!
 
Shkolla jonë e kinematografisë është e re, ka pionierët e saj, ka tashmë një rrugë të dokumentuar. Çdo diskutim për ndalimin e shfaqes së këtyre filmave nuk justifikon besimin për ardhmërinë e kinematografisë në kushtet e mungesave financiare gati inekzistente. Pa mohuar përpjekjet e realizimet shumë premtuese të disa kineastëve të rinj, të cilët i kanë si “capo lavore” e si mëtonjësit e tyre këta mjeshtra që vunë gurin e themelit në këtë ngrehinë të artit! Koha i dhurohet njeriut në hapsirë. Në epokën e lirisë kjo hapsirë le t’i dhurojë botës, artin që buron prej shtratit të ujërave të kësaj natyre përthyer me botën e njeriut shqiptar.
 
Mevlani nuk ka nevojë për komplimente, me atë buzëqeshjen rinore në celuloid vazhdon të na pohojë në heshtje rrugëtimin e tij të bronztë me shokë: Respekt kolegë të nderuar që po më mbani në krahë…
 
Fushës era përkund lulëkuqet.
 
Ne jemi një popull i vogël e i lashtë, mos i lëmë të shuhen një nga një yjet e ndritur të natës sonë të gjatë.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s