Poezi nga Ndue Ukaj

 

Poezi nga Ndue Ukaj
 
 
Vajza që e lexon Komedinë Hyjnore
 
Ajo shëtit e vetmuar në pyllin e dendur;
në pyllin e errët pa porta dalje,
kërkon gjurmët që s’janë
mbas një shiu të rrëmbyeshëm
dhe një dashurie që e shtrëngon në gji.
 
Përballë lisave, uturimës së ujqve
dhe dashurisë që e mban n’gji
papritur ndien se malet kanë mendime.
 
Herë përdridhet pas një lisi të gjatë si balerinë;
Herë shtrihet si një lis i rrëzuar në barin e njomë
Dhe ndjen peshën e shtrëngatës.
Duke synuar të ngritë në naltësi,
këmbët i ndalen nëpër lisat e rrëzuar.
 
Ajo shëtit e vetmuar në pyllin e dendur
S’ka dorë dashnori që ia prek flokët e bukura
Gjinjtë e ëmbla.
Mbi supe ka vu një shall me ngjyra
e në dorë e mban Komedinë Hyjnore.
 
Flokët i fërfëllijnë si valë deti.
Pastaj mes gjinjve të bukur e shtrëngon Komedinë,
dhe kërkon rrugën e kthimit
nga beteja për të njohur ma mirë vetveten.
Para se të hyjë në pyllin e vetmisë-
në luftën për t’u liruar nga robëria e mosqenies.
 
Me librin e Komedisë Hyjnore në dorë.
Ajo e përkund andrrën për fitoren e panjohur
që e pret tash e sa kohë.
 
 
 
Gjithmonë diçka mungon
 
Njerëz me fytyra të zbehta shtrëngojnë paqartësinë.
Ata kërkojnë diçka, sepse gjithmonë diçka u mungon.
 
Pas këtij shiu të zymtë si pikëllimi, ka mundësi që nesër dielli kthen shikimin,
Dhe ne vazhdojmë mosmarrëveshjet tona. Kërkimet tona.
 
E sheh: dielli sërish thyhet nëpër kodra dhe lind diku tjetër si një rrëfim i ri shprese.
Megjithatë ti heshtur si paqja qiellore kërkon rrugëve të botës:
Itakën apo Penelopën e shtrirë me dëshira të paqarta,
Kujtime të trishta e net pa gjumë. Një tokë të premtuar
Ku do ta vendosësh kokën tënde e dhimbjet e tua.
 
Çka gjen!
Rrugë të mjegullta,
Tokën e Premtuar mbushur me gjarpërinj.
Ku s’ka tambël, mjaltë e as vend për këmbën tënde.
 
Gjen shtëpinë e pagjumësisë ku shoshiten ëndrrat,
Ku hahen ëndrrat dhe shpjegohet lumturia.
 
Ti gjithmonë kërkon diçka,
Dhe harron se gjithmonë diçka të mungon;
Të mungon rruga drejt cakut apo Itaka ku do të kthehesh.
Atje ku pret e trishtuar një grua
Dhe një qen që fle i trazuar pranë këmbëve të saj.
 
Ti gjithmonë pret diçka,
Dhe harron se gjithmonë diçka të mungon:
Shtëpia e ëndrrave dhe treguesit e lumturisë.
 
Ti kërkon rrugën drejt cakut,
E të duket vetja leckaman i gjuajtur me gurë.
Sepse ti gjithmonë kërkon diçka ndryshe,
Për shembull: një njeri pa syza të urrejtjes.
 
Dhe çka gjen!
Një rrugë dhe një kryq.
Ta japin kryqin e gozhdat t’i dorëzojnë,
E me to duan të mbysin miq e armiq.
Sepse ti gjithmonë kërkon diçka
Dhe harron se gjithmonë diçka mungon.
 
 
 
E DIELA E LAURËS
 
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Ajo qëndron mes gërmadhave,
i mungon kori dhe kënga “Ave Maria”.
 
Skajeve të rrugës gurët lëshojnë dhimbje
veç gjurmët e korit duken
bashkë me buqeta lulesh të vyshkura.
Aty ka shumë qen e mbeturina,
është edhe një piano e madhe pa vendqëndrim.
 
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Atë e zgjon malli për tingujt e kambanave
e vesh një fustan t’ bukur dhe Ave Maria-n e pëshpërit në vetmi.
 
Ajo ka zërin e ëmbël, çdo të diel shkon tek rrënojat e saj,
flet me gurët, me lulet që nuk çelin lehtë nëpër mbeturina.
Dhe i fshin sytë e gëzuar pa e provuar zërin n’ kor.
 
Është e diel dhe pushon syri i saj i hareshëm;
Ave Maria-n e këndon n’vetmi.
 
Me gomën e dashurisë
fshin faturën e kohës që e le mbrapa
dhe i bashkon duart mbi gjinjtë e saj t’bukur.
Në heshtje e hap fletën e re
Ku shkruan një varg pakuptim.
Është e diel. Ajo zgjohet dhe andërron tempullin e dashurisë,
Tingujt e këngës Ave Maria është gjallë.
 
Dhe pret m’u zbukurua natyra,
ashtu si zbukurohet lulja me tanë bukuritë e saj
dhe m’ iu bashku korit të jetës.
 
Ajo ec nëpër rrënojat e katedrales dhe e ndez një qiri,
ndërsa gjunjët e bukur i prekin gurët fort.
 
 
 
Mall
 
Mbramë kam pasë shumë mall.
Me pâ lirinë pa veshje,
Pa gardianë,
Sikur ty kur të shndriste dielli
Mes malit e detit
Krejt pa cohë.
 
Mbramë kam pasë shumë mall.
Me të pâ ty si lirinë e maleve,
Lakuriq,
Hapsinave të pafundme.
Mes atyne fushave të gjelbra
E detit të heshtun.
Me të pâ
Si zanë e shkëputun nga qielli.
 
Mbramë kam pasë mall,-
Shumë mall:
M’i dashtë e m’i harrue
Anmiqtë e lirisë.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s