Takim me mjellmën në mjegull…! (Mbresa mbi lirikat e autores Rakela Yzeiri-Zoga) / Nga: Adem Xheladini

Takim me mjellmën në mjegull…!

(Mbresa mbi lirikat e autores Rakela Yzeiri-Zoga)

 

Nga: Adem Xheladini

Teksa, këtij dimri, ku tashmë bora sjell bardhësinë, ndalem bri sirtareve të librave, aty ku struket një pjesë e jetës sime, vërej grumbuj fletësh. Duken të brishta, të pasistemuara. Ndërrimi i moteve është te pragu! Teksa zë fillin të vë pak rend në biblilotekën time, në dorë më bie edhe një copë letër, pokaq e brishtë. Sakaq, kisha hyrë në ditën e re të vitit…! I shkund kujtimet nëpër mendje, dhe përpara më del një kaçurrele, teksa e prisja të vijë nga Selaniku, buzë qytetit tim mes malesh. Paprtitmas kujtimet, filluan të shpalosen një nga një. Atëbotë, e premtja, dukej e mjegullt. Aty mes malesh, tek Shtëpia e Arteve në Kërçovë, gjithçka rrinte gati. Miqtë po vinin, dhe po zinin vendet n’atë konak mes atyre lisave të gjatë, që kishin marrë frymën e vjeshtës. Teksa po merreshim me sistemimin dhe rehatimin e miqve, befas ndodhem tek dera e madhe e Shtëpisë së Arteve. Shoh t’më del përpara miku Dhimitër Nica. Mëpas, një çupëz kaçurrele. Ngjante paksa e kthyer me shpinë…  Teksa po merresha ngrykë me Dhimitrin, sakaq një buzëqeshje dielli m’u shfaq para syve. E njoha atë rreze dielli. Ishte mikja ime e moçme Rakela Yzeiri-Zoga, e cila kishte marrë gjithë atë rrugë  që nga Selaniku i largët për ta shpalosur muzën e saj këtu mes malesh,mes këtyre lisave të gjatë ngjyer përplot vjeshtë. Teksa përshëndetemi miqësisht, ajo po shpupurit me ngutë valixhen e saj. Bëhem kurreshtar! Paspak, afrohet një vajzë dhe ajo ia jep në dorë një pako.

-Ta solla kremin, -i tha ajo!

Vajzës i shkëlqyen sytë. Shkëlqyen edhe sytë e Rakelës…

O Zot!- thashë me vete. Ç’shpirt i virgjër,ç’zemër e madhe!…

Sa e kujdesshme!-ia përplasa në mendje vetes.

Dhe nuk shihja ëndërr. Ishte ajo, Rakela, ajo “çupka zemërmadhe e Korçës”. Pikërisht! Çmallemi për ca çaste,ndërkohë që në sallë poetët bëheshin gati të shpalosin muzën, e t’ia thonë troç, Hyjneshës Ilire Thana, gjithë atë që ndjenin në shpirt… Edhe Rakela tanimë kishte zbritur në mesin e tyre. Paspak, fillon Ora e frymëzimit! Lisat ishin bërë sy e veshë… Dëgjonin me ëndje këngën e shpirtit të poetëve të mbledhur nga çdo cep ku “buka është bukë, dhe uji, ujë!”. Vargu vazhdoi deri vonë. U shtrua gjer në mëngjesin e parë.

Të nesërmen ia mësyejmë, qytetit të Kërçovës për ta vizituar. Ngjitemi dhe në Kala. Ajo, korçarja ka frikë nga një qenush. Dridhet e tëra. Paspak, zbresim teposhtë. Tek shkallët e Kalasë rastisim kreun e qytetit. Mëpas,vazhdojmë tek “Nëna Shqiptare”,nga ku kthehemi në Shtëpinë e Arteve. Në mbrëmje fillon ora e promovimit të veprave.

Kisha parë mjellma, po si kjo që po përpëlitej nëpër mjegull gjithsesi se jo. Ajo dukej sa e bardhë, pokaq e çiltër përbrenda. Shpirti i saj, dukej vetë refleksioni i mirësisë. Dhe malet, lisat sërish u bënë sy e veshë. Më ra për hise, të shpalos mbresa nga “Mjellmë në mjegull”. Meqë isha i nderuar që “Mjellmën…”  ta kem në dorë, vendosa të them dy fjalë. Teksa po shfletoja vargjeve duke ecur me trok prej lexuesi më pikasi se:

 

Mjellmë në mjegull

Lirika e shpirtit e mbledhur tokthas tashmë në përmbledhjen e tretë të poetes Rakela Yzeiri-Zoga, vjen me heshtjen e mjellmës për ta larguar mjegullnajën, e cila herë-herë, di të mbulojë çiltërsinë e thellimave të ndrojtura, e të cilat në çast duken sikur fluturojnë pokaq kaltërsive pafund.

Edhe pse:

“prej lotësh e lagur/stërpikur me shpresë/tronditur si era/pikoj e gjitha vjeshtë”, vargje që hapin siparin e përmbledhjes së lirikave “Mjellmë në mjegull”, shpupuritja e vargjeve mëtej të nxit, ta zbulosh atë enigmë të ngërthyer e të përthyer brenda atij shpirti gjithë jetë të autores Rakela Zoga në Selanik, dhe pokaq e mbërthyer nga mallëngjimi për çupkën e serenatave përgjatë kohës për sa rinonte jetën në bulevardet e Korçës me hapin e ndrojtur.

Pra qyteti i serenatave , i Korçës së Shkollës së parë shqipe, mbrumi tek autorja dëshirën për jetën, dëshirën për të bukurën, dëshirën për dashuri…, atë dëshirë, të cilën ajo e mbart me vete kudondodhshëm, pokaq edhe bulevardeve të përkorta të Selanikut, ku jeta ia caktoi për hise të ndajë frymimin, buzë Egjeut, ku shpirti shpërthyes drithëron gjithë nostalgji për mollët, rrushin, mbrëmjet e ndejat në Korçë.

Siç thotë mëtej edhe vetë autorja:

“ në përfytyrim

/ti mund të më prekësh/vetëm zërin/sytë kur flenë i ndjen/në ëndërrim/ngjyros e ç’ngjyros portretin/e varur në zemër/po s’prek e s’pushton/qiellin e lotëve të mi./ […]

Ky lloj i shprehësisë metaforike, të shpie të hulumtosh më tutje e ta ndjekish intuitën për të nxjerrë në spikamë enigmën e atij portreti që varet në zemër, atij qielli që derdh lot?!… Athua, pokaq është ngjyra e vjeshtës vallë, apo është blerim i pranverës, ose mbetet thjesht qiell i papërkulshëm lotësh që s’preket?!…

Heraheras, ky shpirt i tundueshëm, ky shpirt kaq i paprekshëm, ky shpirt kaq i thellë, ka ngjyrën e portretit, që shfaqet shkëlqyes dhe si flakë rrëmbimthas shpërthen për të ndërtuar stinët e buzëqeshjes.

“shpirtbukura ime, ti/ashtu zemërthyer të dua/stinët ndërtoj një e nga një/për ty, për mua…/shpirtbukura ime, ti…”[…]

Pra, ky shtegtim i mjellmës tek autorja “pëshpërit të nesërmen për çdo mbrëmje” sepse “nesër do të të gjej, të të flas, të të prek/nesër durimi merr fund”.

Thënë shkurtas dhe me një fjalë, lirikat e mbrumura në shtegtimin e “Mjellmë-s në mjegull” e shpiejnë përmbledhjen, po edhe bashkudhëtojnë edhe me vetë autoren, për tek majat e lirikës bashkëkohore të letërsisë shqiptare.

Adem Xheladini, Kërçovë, 4 janar 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s