Në Panairin e Punës / Tregim nga Teuta Keli

Në Panairin e Punës
 
 
Tregim nga Teuta Keli
 
-Të lutem shikomë, jam edhe unë këtu. Jam shumë i interesuar për një vend pune!
Ajo ktheu kokën si për të vërtetuar, nëse do përshtatej zëri im me atë çfarë unë përfaqësoja fizikisht dhe më pas shtoi.
– Ja, të pashë, për çfarë lloj pune je i interesuar?
-Pse, pyeta unë i habitur, unë duhet të zgjedh! Si mund të zgjidhja unë çfarë doja të bëja?!
-Jo, nuk e zgjedh ti, por unë pyes, gjithësesi, tha vajza, sepse kështu e kam procedurën e punës.
-Ahaa, nuk ka problem, i thashë unë, meqënëse është puna kështu, ti shëno çfarë të duash, unë respektoj procedurat e punës. Fjalët e fundit i thashë shumë formalisht, sa për t’i dhënë ton sa më zyrtar gjithë kësaj gjendje që quhej “procedurë pune”.
-Në rregull, e shënova, tha ajo. Ajo shkroi diçka dhe më pas foli shumë ëmbëlsisht. Po, tha, dëshira jote u plotësua. Ti do punësohesh si trajnues alienësh.
-Si?! i thashë unë dhe ndjeva që sytë më lëvizën prej zgavrave të veta dhe vrapuan si të çmendur drejt asaj që ajo kishte shënuar për mua. Jo, unë nuk mundem ta bëj këtë, nuk di ta bëj, edhe kualifikimi im profesional nuk e justifikon këtë gjë, i them i trembur.
-Atëherë nuk do, e kuptova, tha vajza e re. Kësaj here asaj iu zbeh ëmbëlsia dhe fytyra e saj rrezatoi seriozitet zyre. E ndjeva këtë gjë, kur ajo iu drejtua me zë të lartë turmës, të cilën e kisha pas shpine.
-Me Zotërinë mbarova, tjetri ju lutem…!
Ktheva kokën dhe pas meje pashë një turmë të madhe që nxitonte të zinte vendin tim. I pashë ashtu, të babëzitur, ndërsa nxitonin të rrëmbenin Alienin tim.
-Jo, prit pak, iu drejtova unë vajzës. Më fal për vendimin e nxituar dhe të cekët. Pranoj të punësohem si trajnues alienësh.
-Shumë mirë, tha ajo. Ja po përfundoj edhe unë kontratën.
-Vetëm një gjë nuk kuptova, i thashë. Për çfarë duhet ta trajnoj unë një alien?
-Për një gjë shumë të thjeshtë, ma ktheu përgjigjen bukuroshja, se tani e tillë reflektonte në dukje, pas mundësisë së dytë që më dha. Duhet ta trajnosh për jetën, shumë e thjeshtë, tha ajo.
Aty u revoltova. Si moj, qenka e thjeshtë të mësosh dikë të jetojë, unë as vetë nuk di…, kur na qenka bërë jeta kaq e thjeshtë…?!
-Tani përfundimisht duhet ta anuloj kontratën me ty, goditi me përgjigje vajza-djall, se tani kështu dukej. Ti nuk je i aftë si trajnues!
-Jo, jo jam, të lutem, se më keqkuptove, i shpjegova si i zënë në faj. Unë thjesht tregova se nuk është e lehtë si punë, doja të thosha se kërkoj shtesë page për këtë. Aty e ndjeva se fjalët e mia dolën të zeza nga një zgavër e futur thellë brenda meje, e cila lëshonte armaturë të gënjeshtër, sa herë që duhej të luftonte një armik të të njëjtit kalibër. Çuditërisht, edhe pse nuk e besova veten pas asaj çfarë thashë, ajo më besoi. Më zgjati kontratën, unë firmosa dhe të dy buzëqeshëm.
Tani po prisja pas banakut Alienin tim. Afër mendsh kisha bërë disa hapa pas, se nuk e dija se çfarë forme përbindëshi do pasqyrohej përpara meje. Por jo, ndryshe dhe përtej çdo fantazie timen të frikshme, ai ishte një djalë i ri, tepër i pashëm dhe me një trup shumë muskuloz.
U prezantuam dhe i premtova që do ia kalonim shumë mirë bashkë, këtë nuk e dija, por duhet t’i jepja pak shpresë dhe ngrohtësi dikujt ardhur prej aq larg.
Sa i bukur është, mendova me vete. Nuk e kam thënë kurrë këtë gjë për ndonjë mashkull, por në fund të fundit nuk keqkuptohesha, se ai Alien ishte. Unë mbërtheva xhaketën, u mundova të fshihja pak barkun dhe i thashë Alienit duke buzëqeshur: “Eh, ne në tokë kështu e kemi, ne të moshës së mesme”. Ai buzëqeshi dhe për herë të parë pashë një buzëqeshje Alieni në tokë. Ndjeva që mes nesh ndizeshin e thaheshin shumë universe e galaktika bashkë. Si për të shkurtuar distancën e përfytyrimeve tona nuk ngurrova dhe e pyeta Alienin tim.
-Ju prej nga vini?
-Ti je trajnuesi, tha Alieni, unë kam ardhur tek ti për të marrë trajnime për jetën dhe të dhëna për veten unë nuk jap, u kuptuam?! ngriti ai tonin e zërit.
-Po, si jo, i thashë unë, thjesht për të shtyrë ca kohë rrugën e bërë, thjesht që të mos rrinim në heshtje. Po të duash ti, i thashë, unë rri i heshtur pa fund dhe kjo është gjëja që di të bëj më mirë.
Sa idiot u tregova, si duhet të tregoja që isha i heshtur, kur, për të, isha ciceroni i jetës.
-Jo, tha ai, ti më duhesh që të flasësh, por jo budallalliqe. Ja më trego një prej ditëve të tua…
-Unë, i thashë atij, kur zgjohem në mëngjes nga gjumi…
-Çfarë, tha Alieni, ju flini?!
-Po, i thashë unë, si i zënë në gabim për diçka që s’e kisha bërë dhe për të ndrequr gabimin nxitova të shprehem. Shiko, se unë nuk fle shumë, se vuaj nga pagjumësia, por ka të tjerë që flenë gjithë natën.
-Pra, natën njerëzit flenë, tha Alieni. Çudi, shtoi më pas, kisha menduar se natën ata ëndërronin për ditën pasardhëse.
-Edhe këtë e bëjmë ne, ftillova unë, varet si e kupton gjithësekush. Unë them flemë, ti thua ëndërrojmë… Je me fat që më ke njohur mua, se unë jam njeriu i duhur për të sqaruar këtë temë. E di sa gjatë ëndërroj, ëndërroj pa limit, i thashë me një gëzim gati fëmijnor. Për një gjë më vjen çudi, pse sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ëndërroj?! Ëndrrat i kam të çuditshme, pa tema të caktuara, pa strategji dhe pa qëllime konkrete. Ja unë ëndërroj ashtu kot, për githçka dhe në llojin tim, unë jam një kategori e vetme e të ëndërruarit ëndrra.
Alieni ngriti supet, si për të lënë të kuptohej që nuk kishte kuptuar asgjë nga ato çfarë po mundohesha të shpjegoja gjithë ekzaltim.
-Po ju, ëndrroni vetëm, apo të shoqëruar me të tjerë? shtoi më pas Alieni, si për të më ndihmuar për të vazhduar rrëfimin tim.
-Nuk paske kuptuar gjë mik, i thashë, ëndrrat janë personale, ëndërrojmë vetëm me sy mbyllur. Nejse ndonjëherë edhe me sy hapur, por këtë gjë është më mirë mos ta dish. Ne ëndërrojmë në vetmi dhe në vetminë tonë shoqërohemi me kë të duam. Aty askush nuk na pyet, na ndëshkon, apo penalizon. Ëndërrojmë ndonjëherë edhe gabuar, por kur zgjohemi jemi të disiplinuar, të kulturuar dhe vazhdojmë kështu deri sa ëndërrojmë prapë. Aty ndalova, mora pak frymë, sikur të kisha frikë se mos mbaroja ajrin përreth dhe më me pak patos vazhdova. Dëgjo, të ëndërrosh është një privilegj që na është dhuruar ne tokësorëve. Zakonisht kur errësohet dhe ne fillojmë nga pak të ndjejmë ligështim dhe për të qenë sa më optimistë për ditën tjetër, ne na duhet të flemë dhe na duhet të ëndërrojmë. Është njëlloj si ato biberonat rrenës që iu jepen fëmijëve të vegjël, me qëllim që të qetësohen. Tani, a më kuptove? e pyeta unë Alienin me një ton të lodhur, sepse më shumë se kaq nuk dija si ta përshkruaja.
Alieni e kuptoi lodhjen dhe pamundësinë time për t’ia bërë këtë temë të qartë dhe, si për të më ndihmuar që kjo lloj gjendje të mbaronte, më tha me gjysmë zëri: “Aha, tani po që e kuptova, po, po, patjetër…”
Më pas u dëgjua një e qeshur e fuqishme…
-Ç’pate, më thotë Alieni, kështu ulërin ti kur nuk di ç’të flasësh?
-Jo, unë nuk po ulërij, i thashë.
-Por, as po flet, më thotë Alieni. Ç’dreqin po bën pra? Fol me fjalë, se nuk po mundem që të kuptoj!
-Unë po qesh, i them, dhe jam i lumtur, se kam meritën e madhe: mësova një Alien të gënjejë. E kuptova nga fjalët e tua që ti nuk kuptove asgjë për ëndrrat dhe prapë the që e kuptove…
-Pse ju këtë e quani gënjeshtër, pyeti Alieni i habitur. Unë thashë diçka që mos të bëja ty të vuaje, apo të lodheshe kot më tej, se çfarëdo lloj gjëje që ti të më thoshe unë nuk do ta kisha kuptuar. Të vërtetën unë thjesht e mbajta për vete, pse unë asgjë mos të kem? tha Alieni si me keqardhje për veten.
-Shiko i nderuar, i them unë miqësisht, mos më thuaj që po bëhesh kaq shpejt individualist? Është ca si herët për të pasur gjëra për vete, ti sa ke ardhur këtu, por meqënëse nuk di të ëndërrosh, mund të mbash çfarë të duash për vete, ne të tjerëve nuk na lejohen gënjeshtrat, sidomos kur këto ua themi njerëzve që duam, ose atyre që duhet të na duan.
-Po pse kështu? tha Alieni, duke më parë me dhimbsuri, si për të më ardhur në ndihmë për vuajtjen e madhe që përjetoja.
-Ahh joo, jo, mos më shiko ashtu i thashë, se unë gënjej. Këtë ta them në mirëbesim ty, se e di që nuk do t’i tregosh askujt. E di që nuk është mirë, por ka qenë një kohë që unë nuk gënjeja, për asgjë, të betohem për asgjë…dhe të gjithë më shikonin me dyshim, nuk më besonin për asgjë. E kuptova që isha ndryshe, sepse prishja balancën e gënjeshtrave të tyre dhe ndryshova mënyrë të treguari dhe të vepruari. Tani jam mirë, jo se më besojnë më shumë, padiskutim që jo, por është një mënyrë perfekte për të jetuar më mirë. Të gjitha këto ti them ty, se e di që nuk i kupton, sepse ne të gjithë veprojmë njëlloj, por askush nuk tregon. Kjo është e vërtetë, kjo nuk është gënjeshtër, kjo po…
Ndalova, fshiva djersët që më kishin mbuluar ballin. Çuditërisht nuk kishte diell, nuk ndjeja të nxehtë, por këto djersë më kishin rrëshqitur fshehurazi dhe ishin bërë të dukshme edhe për Alienin.
-Çfarë nuk je mirë? më pyeti Alieni. Çfarë ke? se më dukesh edhe ca si i zbehtë.
-Jo, mirë jam, mirë, i thashë si pa mendje. Po ja u mërzita ca, ndërsa të thashë gjithë këto… Nuk duhej të flisja kaq hapur, por kur më kap rutina e fjalëve, flas shumë dhe nuk pushoj, më ndodh ndonjëherë, sidomos kur kuptoj që tjetri është i interesuar të dëgjojë atë që unë them. Ne këta lloj njerëzish i quajmë llafazanë, këta që janë kështu si unë. Unë jam i një kategorie tjetër, unë ose flas shumë, shumë, ose nuk flas fare dhe ka ditë që vë bast me veten që nuk do të flas asnjë fjalë. Ndonjëherë edhe e humb bastin, sepse duhet t’i flas asaj patjetër…
-Kujt? më pyeti Alieni. Ti nuk duhet të dorëzohesh në atë që vendos!
-Unë qesha, psherëtiva… Këtë pjesë ti nuk e kupton, prandaj nuk po e detajoj fare. Duhet t’i flas bashkëshortes sime!
-Në rregull, tha Alieni, meqënëse mendon që unë nuk e kuptoj, atëherë as unë nuk po kërkoj më tej, por dua të pyes diçka dhe pres që ti të më përgjigjesh më atë pjesën tënde të sinqertë. Më premton?
-Po, patjetër që po, sepse unë kam edhe një kontratë të rregullt me agjensinë e punësimit, do të mësoj çfarë di dhe meqënëse më hyre në zemër, do të mësoj edhe ato që të tjerët nuk i dinë për mua, prandaj mos ngurro miku im, më pyet.
Unë bëra pak dorën përpara si për t’i bërë ftesë tjetrit që të hynte brenda meje dhe aty brenda ai kishte lejen dhe të drejtën që të shihte dhe të kuptonte çfarë të donte.
-Ndërsa prisja dikë që të më trajnonte, vazhdoi më tej Alieni, atje në “Panairin e Punës” pashë një burrë dhe një grua që rrinin të përqafuar dhe, ashtu, bashkë, të përqafuar, prisnin që dikush të thërriste emrat e tyre për t’u punësuar. Të them të vërtetën, mua ata m’u dukën shumë të lumtur dhe…
-Ah, e kuptova, e pashë edhe unë atë çiftin, të gjithë i panë, i thashë unë disi i zemëruar. Nuk arrij ta kuptoj, se çfarë mund të tregojnë njerëzit me gjeste të tilla në publik?!
-Pse, mua m’u dukën bukur, tha Alieni, shumë bukur.
-Po, patjetër që po, ty do të dukeshin bukur, sepse je Alien. Po na pyet ne, të tjerëve, ne, njerëzorëve, se si na duken? Duken që janë hipokritë, veçse hipokritë…! E ndjeva se fjalët e fundit i fola me shumë zë dhe me një ton urrejtje, i cili më shtohej gjithmonë e më shumë. Po ai çifti idiot dukej bukur dhe të gjithë çiftet idiotë si puna e tyre mund të duken të bukur, e çfarë pastaj, çfarë, sa do të duken bukur, sa kohë, përgjithmonë, kurrësesi…?!”
Pasi thashë këto fjalë e ndjeva që më kishte kapur një lloj ligësie, apo zilie, të cilit nuk po i vija dot një emër. E kuptova që bëra një figurë idiote përpara mikut tim ardhur prej së largu. Po si do mundesha ta përshkruaja gjendjen time dhe si do ta krahasoja atë me çfarë ai kishte parë. Me shumë vështirësi po mundoshesha t’i përshkruaja veten time dhe e kisha gati të pamundur që t’i flisja për lidhjen time dashurore, shpirtërore. Si do mund ta kuptonte ai, që në marrëdhënie me të tjerët penalizohet ai që do më shumë, ai që jep me shumë. Ai kuptonte vetëm lidhjen logjike, kishte një matematikë strikte mendimesh, të cilën e përceptonte vetëm me ligje të barabarta dhe reciproke sjelljesh. E pashë në sy, doja të nisja një bisedë të gjatë në lidhje me atë që ne njerëzorët e quajmë dashuri, marrëdhënie, lidhje, apo, ashtu, emra kot, por e parandjeva që të gjitha fjalët e mia do të shkonin dhe nuk do të shpjegonin dot asgjë. Ia kurseva atij këtë lodhje që mund t’i shkaktoja dhe i them duke buzëqeshur:
-Ka qenë një kohë që edhe unë kam qenë si ai çifti i përqafuar, të cilët ty t’u dukën të lumtur. Ka një kohë për të gjithë për të qenë si ata dhe ka një tjetër kohë për të qenë kështu si jam unë, kështu…Edhe pse nuk thashë ndonjë gjë të madhe, Alienin e bëra që të mendonte, të ulte sytë dhe t’i ngrinte prapë për të më parë me kujdes, nëse po i thosha të vërtetën.
-Të thashë që do të thosha të vërtetën, i them me zemërim, mos fillo dhe ti si të tjerët se do më duhet të të gënjej, duhet ta mbyllim këtë trajnim vetëm me të vërteta, i them me seriozitetin më të madh.
-Jo nuk po mendoja atë, jo, thotë Alieni, si i kapur në faj, por …nejse, këtë e kuptova, tha ai, po pastaj…., pastaj ç’bën ti, çfarë bën çdo ditë…, çfarë bën më shumë?!
E ndjeva se u lehtësova nga gjithë ajo peshë e madhe abstrakte që mbaja brenda vetes dhe tani mund të flisja sa të doja për monotoninë time…
-Unë përditë shoqëroj fëmijët për në shkollë, pi kafe, bëj pazarin, lexoj, bisedoj me gruan, debatoj me kë të më dalë para… Po ja: ushqehem, shoh televizor, eci, vrapoj, djersitem, thahem, lodhem, trishtohem, gëzohem, qaj dhe pushoj së qari…eh, sa shumë, sa shumë që bëj…I thashë të gjitha këto me një frymë, me qellim që ai të mos përqendrohej askund. E zgjata ca shpjegimin e gjithë jetës time, se në të vërtetë do të doja ta kisha thënë atë vetëm më një fjali. E zgjata ca, jo për veten, por nuk doja të prishja reputacionin e njerëzimit kundrejt një njerëzimi tjetër, që nuk e dija në ishte më i mirë, apo më i keq, krahasuar me ne.
-Të gjitha këto i kuptova, tha ai, por një gjë nuk kuptova: ju, kur jetoni…?!
-Po kjo është jeta, iu përgjigja. Ne këto bëjmë, derisa një ditë vdesim..
-Si, tha ai, ju vdisni…?!
-Po, i thashë unë, një ditë ne nuk jemi më.
-Po si nuk jeni më? Po ti kur nuk do të jesh më? pyeti me keqardhje Alieni. Edhe unë u mallëngjeva prej fjaleve të tij dhe, thua sikur do vdisja në çast, iu përgjigja me sy të perlotur:
-Nuk e di.
-Si, hapi sytë Alieni, si nuk e di?! Po sikur, ti të vdesësh tani, si nuk e di?
-Ndoshta, i them unë i trishtuar, ku i dihet?!
-Po nëse ti nuk e di, se kur mund të vdesësh, do të thotë që mund të vdesësh në çdo kohë, pra edhe tani…?!
-Po, i them, me ton pak të ashpër, që të kuptonte të mos ta vazhdonte më tej këtë bisedë, se mund të shpërtheja në lotë dhe do të kisha më tepër lodhje për t’i spjeguar atij më pas edhe lotët e mi.
-Atëherë, ik, nisu, vrapo, më thotë Alieni. Ik pra, bëj diçka që duhet, diçka që do sa ke ende kohë. Ti nuk e di se sa do të jetosh dhe sot erdhe dhe firmose një palo kontratë dhe po merresh me shpjegime të kota tek një i panjohur, që për më tepër nuk po kupton asgjë?! Ti je shumë i çuditshëm! më tha Alieni si me përçmim.
Unë u nisa, bëra të ikja, të vrapoja, po ku të shkoja?! Alieni nuk e kuptonte këtë gjendje. Ne jetojmë kështu gjithmonë, me ato që duhen bërë, të cilat na bëjnë që të mendojmë, se do jemi përgjithmonë, ndryshe po menduam të kundërtën, qoftë larg…
-Jo, nuk po iki i them, kam nënshkruar një kontratë dhe dua një pagesë të ndershme, të merituar. Këto fjalë i thashë me bindje, si për ta bërë tjetrin që të kthehej dhe të mendonte për atë që duhej, për të përditshmen, vetëm për atë… E ndjeva që me fjalët e fundit nuk ia kisha dalë ta nxirrja Alienin nga gjendja ku e kisha lënë: ai i shokuar dhe unë i përlotur.
-Nëse një ditë ju nuk jeni më, vazhdoi bisedën Alieni, pa më parë në sy, sepse nuk donte që unë të turpërohesha prej lotëve të mi, pse bëni këto gjëra që ju i quani jetë?
-Se kjo është jeta, i thashë i lodhur. Unë di ta jetoj, jo ta kuptojë atë. Ti po të ishe njerëzor do ishe filozof, kështu i quajmë ne ata që bëjnë këtë lloj pyetjesh. Gruaja ime i quan të çmendur, por më mirë të mos i hyjmë kësaj bisede, se ajo është e çmendur. Aty qesha pak dhe Alieni bashkë me mua, thua u kuptuam për gjininë femërore me përmasa universale.
-Histori të bukur duhet të kesh me gruan? tha Alieni, duke ruajtur buzëqeshjen e batutës time.
-E bukur, sa zgjat e bukura, miku im, aq e bukur… psherëtiva unë.
-Vërtet, hapi sytë Alieni, atëherë pse jetoni ende bashkë?!
-Si pse, nuk e kuptove? Kemi gjëra që bëjmë bashkë, ne rrisim fëmijët bashkë. Kemi njëzet vjet bashkë dhe jemi si ato këpucët e bukura, që kemi dëshirë t’i mbajmë veshur, edhe kur na shtrëngojnë ca dhe na vrasin këmbët.
Si për të larguar ca tonin e trishtë të bisedës, Alieni, që tashmë dukej se ishte bërë mik me trishtimin tim, pyeti:
-Po fëmijët tuaj, jetën tuaj do të bëjnë, do të jetojnë me ato që ju i quani jetë dhe më pas nuk do jenë më…?
-Po, i thashë unë, ashtu sikurse është bërë gjithmonë. Do të zgjohen edhe ata çdo mëngjes me një flakë të vogël, që duhet ta mbajnë ndezur gjithë jetën dhe të ushqyer me gjithë ato që ty t’u dukën të çuditshme. Nuk duhet të dalin nga cikli, zinxhiri, apo ta them më bukur filozofi im, nuk duhet të dalin nga monotonia e jetës.
-Po fëmijë pse lindni ju njerëzit? Pyeti Alieni me zë kumbues. Nuk mjaftoheni me dramën tuaj, apo këtë doni ta shihni të luhet edhe te pasardhësit tuaj?
Mua m’u kujtuan fëmijët, flaka e vogël që më zgjon dhe më mban në këmbë çdo ditë, gjithë jetën. Si mundet ky ta ironizojë këtë fakt, të cilin e kam vetë shpirt. Jo mendova, fjalën shpirt ky s’duhet ta marrë vesh, se nuk di ç’ti them për të. Do të dojë ta shoh që ta besoj, por atë as unë që jam njerëzor nuk e kam parë, di që është, di që e kam, po e kam më duket…
E pashë në sy Alienin dhe ai më pa në sy. Ishte një vendim i vështirë, por që duhej të merrej.
-Hajde, i thashë, se do kthehemi!
-Ku? më pyeti ai.
-Do të çoj atje ku të mora!
-Përse, nuk do më trajnosh? pyeti me keqardhje Alieni.
-Dua miku im, por nuk di…
Alienin e dorëzova me procesverbal të rregullt, e përshëndeta pak ftohtë, ashtu sikurse duhej bërë në një marrëdhënie kontraktuale. Ndërsa po largohesha, ndjeva që dikush më kapi nga krahu. U ktheva dhe ai me pushtoi në krahë shumë ngrohtësisht. Ju dhimbsa…, jo kjo nuk duhet të ndodhte…!
Ika, u largova, por ndjeva se thellë ai tronditi atë ekuilibër jetësor, të cilin besoja se e kisha.
Në mendje, fjalët e Alienit, më mbetën gozhduar: ” Po ju kur jetoni..?!”
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s