Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj
 
 
Mos më pyesni për ATA!
 
O popull !!!
Emrin tënd e përdorën ATA
ATA që dinin shumë për ty
e ti dije pak për ATA!
Ata që t’u dukën si romakëve Cezari
të dashur, të ngrohtë e pa sqimë…
ATA që të përshëndetën,
që t’u qeshën,
që t’u fshehën,
që të vranë…
ATA që s’të lanë…
Të ushqeje ëndrrat e vjetra e të reja
nga stepat të sollen të tjera…
Nuk ishin të tuat
e të drejtuan gishtin
të lidhën si Krishtin.
Oooo Perëndi !!!…Janë ATA
ATA…ku-ku, për ATA!!!
Burra të errët, në natën e errët,
Gra të përzishme në netë të përzishme.
Rreth e qark – njerëz pa sy,
pa gojë, pa fjalë, të shpëlarë
lakmonin të zmadhonin hijen…
Ty o popull!!!…
Të gdhendën në gërma kapitale
Nëpër fletët e protokolleve
…e ti u krenove…
E ATA, ah, ATA !!!
Nën emrin tënd shetitën qyqen
e hapën gropa të tjera…
ATA ,ah, ATA !!!
Mos më pyesni për ATA!!!
Ku janë?! Ku shkuan?!
ATA janë këtu, ku-ku…
kanë lënë fantazmat e tyre…
Eh, populli !!!,- Si është?!- Ku është?!
Mos më pyesni për të!!!
Në këtë natë të gjatë… të gjatë…
sa shekullin peshon në të…
 
 
 
SYTË
 
Sytë që dinë të qeshin e të qajnë
e ta mbulojnë dritën me dritë
e natën me natë.
Sy të zinj që depëtojnë mbi objektin
dhe e fshehin brenda perceptimit shqisor
duke u bërë sy konspirativë…
Sy kafë që mbi një copë të kadifenjtë
e lanë imazhin qëndisur
duke u bërë sy të lodhur…
Sy të tjerë që ndërtojnë pamje
e krijojnë delirin turbullonjës
duke u bërë sy të rremë…
Sy blu që shkarkojnë qiellin
e qiellit i veshin frikë
duke u bërë sy hiperbolikë…
Gjithcka fundoset brenda syve
e mbushen sytë sa fillojnë e derdhen
si enë e mbushur që kërkon kapakun…
Nen qepallat e mbyllura
receptorët në ëndrra përflaken
si mbi qindra dosje që kërkojnë të hapen.
E sytë bëhen të ndjeshëm a të thatë
të ftohtë a dinakë
të lagur, të palexueshëm
të lëvizshëm,të padepërtueshëm
misteriozë, të etur
të ngulët, të fjetur
të hapur, vetmitarë
të nënshtruar, krenarë…
Se sytë dinë të qeshin e të qajnë…
 
 
 
NJËTRAJTSHMËRI
 
Do doja të ishe e kthjellët
si ujërat e Syrit të Kaltër
të vështonim bashkë thellësitë
në orët ku minutat i vrasim
Po ti nuk je…
Në ujërat e tua as noton dhe as mbytesh
Ato s’janë as të kripura e as të ëmbla
As e hidhërojnë e as e gëzojnë njeriun
Aty në sipërfaqe ndjeva
Se ti ke lindur për ujëra të cekëta
ku lag vetëm gishtat…
Më humbi kërshëria për fjalën që takohet me fjalën
e vizitojnë piramida
në majën e të cilave
pashë një zog me kahë të thyer
që rrëshqiti faqeve
mora me mend dhimbjen e plagëve
kur lidhja plagët e tua
të marra në cektinë
me shqetësimin për krahët e zogut
pa fluturim…
dhe as qëndroj dhe as iki
e bindur se ti nuk më mban
kur qëndroj trishtohem së shumti
e kur iki ndjej sytë të më qajnë.
E do doja të ishe e kthjellët
si ujërat e Syrit të Kaltër
të vështronim bashkë thellësitë
në orët ku minutat i vrasim…
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s