Poezi nga Arjola Zadrima
Time bije!!
Të kam lanë vetë me u rrxue,
se g’jujt e vramë janë reliket
e luleve të virgjna.
Ndoshta për mue, asht ma e lehtë me t’mjeku,
nesër dru se s’di me të tregu me ç’ka shërohet zemra.
Prandaj të la çdo ditë me u mësu,
si dhemb g’juni,
krahu,
sa shtrëngon kjo rrokja e nanës.
Due që të kujtohesh,
kur të dhambin diçka që s’din,
ka nji gjoks ku mundesh gjithmonë me u derdh,
pa fjalë!
Falju poetes që jam
Ba me dashtë unë
pranvera zgjohet në mes të dimnit.
Andrrat jargaviten si lule kacavjerrese
ndër muret tuej të naltë.
Ba me dashtë unë liria jote
del prej guackës
e shndrit perlë në qafën teme
të bardhë.
Ba me të dashtë fort unë
jehona e stuhisë tonë
ndihet deri në agim.
Dielli lind në gojën tande
e vdes në gjinjtë e mi.
Por unë nuk due
se poetja në mue, fle nën borën e trishtimit
e të rrëshqet shpinës
veç kur ti e shkrin.
Ka natë
Yje që bien pikiatë
ka hanë.
Ka andrra që s’na shohin bashkë.
Ka zana që nuk ndihen
heshtje që nuk varen,
pemë të tana thahen në pyllin e shkretë.
Asnji zhurmë,
askend nuk shoh tue vdekë
askush ma nuk prekë
forma të buta grueje.
A ban kush dashni në këtë planet ?
A klith
A gjimon
A thith
A puth
A ka mbet ma dikush që don
me gjithë shpirt?
Hapni mirë veshët
kur të ndini tokën tuj gurgullue
njatë çast ka jetë.