Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

ZOGU NË FOLENË E GJOKSIT

Dëgjoj në gjoks, zogun tim,
me këngën e frymës në trup!
Këndon prej kohësh pa përtim,
në folenë e butë me pambuk…

Ke kënduar, zog i shtrenjtë,
dhe me pak molekula drite,
ke derdhur nota jete në sqep,
me këngët e tua ritmike.

Qëkur ti ke dalë nga veza,
derisa vazhdon të rritesh,
si s’u lodhe, në kaq breza,
numëron sekonda vitesh?

Këndo, zogu im pareshtur,
me tonet e tua të brishta,
lulëkuqe duke çelur,
në trojet e mia të mishta!

Në tinguj, ke violina harku,
ke aty gjithë zogjtë e pyllit.
Me këngët nëpër degë gjaku,
ty të kam zogun e shpirtit.

Ty të kam zogun e artë,
me vlerë disa qindra karat,
për mua je, mbi çdo thesar,
flori i pastër e diamant.

Ç’them, thesari s’është asgjë,
para teje, o zogu im!
Po s’këndove ti me zë,
të gjitha vlerat bëhen tym.

Të pastroj nga glasat strese,
të shmang trishtimet toksike,
të ushqej me farëza vese,
prej gëzimeve poetike.

Të këndosh i sigurt, pa rrezik,
se kur më këndon ti, zog,
ndjehem bos, ndjehem sheik,
dhe multimiliarder në botë.

Këndo për ata zogj që shkuan,
pasi të falën aq dashuri,
këndo për zemrat që të duan,
dhe dëgjojnë të tuat melodi!

Por të lutem, o zog i artë,
mos nxito në qiell të këndosh,
ushtoma gjoksin, sa më gjatë,
Oh, mos ma ler folenë bosh!…

 

PJELLORIA JONË STËRGJYSHORE

Grua, na kanë ardhur kohë të vështira,
kur pjelloria më tej na zhyt në mjerim.
Ti ndër femrat pjellore, je më e mira,
beben e qëndis, si yllin me vezullim…

Por tani që kinezët kanë lejuar dy,
ne vetëm një dhe atë e kemi plot.
Ta mbajmë si dritën brenda në sy,
me sqepin tonë ta ushqejmë si zog.

Se mezi e ngremë të vetmin pallat,
të bëhet, të paktën me njëzet kate,
duke i lartuar muret, pa tulla e llaç,
po me frymë e gjak pas çdo kafshate…

Unë të heq testikujt, ti atë mitër jete,
mos të ngjizim më pasardhës të dashur,
mos t’i lemë dhe ata varfanjak si veten,
mos t’i shohim të lotojnë buzëplasur…

Vërtetë do mbetemi pa të madhin gëzim,
që ka jeta, me tufë vogëlushësh përqark,
po s’kemi ç’bëjmë, në këto vite dimërim,
kur gjithë popullata, plaket pak nga pak…

Përndryshe, pjellat në tokën stërgjyshore,
mbeten pa punë, pa ngrënë dhe pa pronë,
nga lubia gllabëruese me taksa tatimore,
vrima e zezë, që thith pjellorinë e kohës sonë…

 

DRAKULA, TIRANI I VLLAHISË

Konti Vlad Drakula, në Vllahi të Evropës,
Ishte tirani më i llahtarshëm në lashtësi,
ai kishte zemër, zhabën e thithëlopës,
që i pluskonte përbrenda gjoksit të tij.

Kish në ballë, dy sy të verdhë krokodili,
në gojë, një gjuhë kobre me helm të zi,
kish dhëmbët e një derri të egër pylli,
krijesë e përçudnuar, ngjizur me kafshëri.

Atë e ngjitën, në fronin e lartë të mbretërve,
dy bashkëshortët djaj, dy prindërit e tij,
me shtatë taborë, mercenarë të lugetërve,
të bëhej Satanai më monstruoz në histori.

Në fillim, ai e rropi popullin, deri në eshtra,
duke u rrëmbyer varfanjakëve dhe thërrimet,
që tepronin nga shumë taksa, xhelepe të vjetra,
për të mbushur me flori, qypat e vendstrehimet.

Tmerret e tij çuditën krejt perandorinë osmane
dhe u përgatit ushtria e Sulltanit, për ta kositur,
skizofrenin e etur, për gjakun e venave mjerane,
që grabiste fshatra e qytete me vasalë të uritur.

Drakula kishte asqerë të fortë, në ushtrinë e vet,
por s’qe e mundur të përballohej mizëria turke.
Dhe mendja e këtij Satanai, si një djall i vërtetë,
përgatiti një mbrojtje të sigurt, vetëm me truke:

Ai nguli mijëra hunj, rrugëve, shtigjeve, në çdo arë,
duke ngulur në hu, mijëra burra, gra, pleq e fëmi,
duke shkretuar familje e fise, si askush më parë.
Kur ushtarët turq panë kufomat, thanë me llahtari:

Derisa ky kriminel, bën me popullin e vet këtë batërdi,
ne na i ngul hunjtë më thellë, nga prapanica në gojë!…
Dhe të tmerruar, u kthyen andej nga erdhën, përsëri.
Por më pas, kokën në tepsi, ia çuan në Kostandinopojë…

Ndaj kush si ai, masakron dhe mjeron popullin e tij,
pëson atë fat, për të mbetur në histori, Drakula i Ri…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s