Tregim nga Adelina Dardha

Tregim nga Adelina Dardha

 

***

Vendimi për të ikur, erdhi krejt papritur! Për dy tre javë duhej të bëhesha gati! Fillova të pregatitesha moralisht dhe shpirtërisht! Nuk ishte e lehtë për mua! Ishte hera e parë që do e lija vendin tim, njerëzit e mi, prindërit, motrën dhe dy vëllezërit më të vegjël! Vetëm atë ditë kur bleva valixhen, e besova që ikjes time po i shkurtoheshin ditët, orët, minutat. Të gjithë i gëzoheshin ikjes time, vetëm nëna jo. Ishte ajo që edhe pse e kisha mbyllur valixhen me gjërat që do merrja, përsëri më lutej që të mos largohesha. Sikur e ndiente nga brenda që kjo do ishte dita dhe nata e fundit! Qelloi që ishte data dhjetë Janar.

Të nesërmen që unë do nisesha ishte dita e ditëlindjes time. Nuk do e harroj kurrë atë natë, kur të gjithë xhaxhallarët e mi erdhën për të më takuar dhe për të më uruar rrugën e mbarë. Ishte ditëlindja ime e fundit! Nëna kishte pregatitur darkën mes dhimbjes dhe gëzimit. Të gjithë ndejtën deri vonë, pastaj u shpërndan. U shtrimë të flemë edhe ne njerëzit e shtëpisë. Mua nuk më zinte gjumi. Një lëmsh m’u mblodh në fyt dhe fillova të ngulçoja pa zë poshtë batanijes. Kaq ishte i thoja vetes. Gjer këtu më solli jeta në këtë vend. Asgjë nuk ka ngelur. Edhe ajo pak dritë që shikoja në fund të tynelit, sikur u largua nga errësira që më ka mbuluar sot. Fillova të mbushja sytë me lotët e dhimbjes, të dëshpërimit, të mallit që edhe pse pa ikur akoma kishte filluar të ropatej faqeve. Zemra më ishte bërë lëmsh! Aq shpejt po punonte sa batanija po ngrihej si një qylym fluturues poshtë meje. Unë që fluturoja si një pulëbardhë e plagosur qiejve të lumturisë. U ngrita ashtu gjysëm në errësirë. Motra flinte në divanin tjetër. U afrova dritares duke hapur perden e tylit. Jashtë ishte një e ftohtë janari që të priste frymëmarrjen nga hundët. Pemët ishin mbushur me një shtresë akulli nëpër degë. Rrugët flinin të heshtura nëpër qetësinë e natës. Dritat ishin rralluar nëpër dritaret e shtëpivë. Unë që mbështesja faqen e përlotur xhamit të mbuluar me avull.

Do më marri malli, i pëshpërisja shtëpisë, qytetit të largët, maleve, kodrave, fushave, rrugëve ku unë isha rritur dhe i kisha përqafuar me hapat e fëmijërisë. Doja të bërtisja fort, gjersa zëri im të kthehej në jehonë. Të qaja me zë të lartë, gjersa të më çliroheshin brinjët nga dhimbja. Të qeshja me forcë, gjersa të bija nga hijet në tokë. Pse jo një dëshirë e cmendur më mbërtheu aty për aty që ta ngrija nga gjumi të gjithë lagjen. Por ora shënonte një pasmesnate dhe të gjithë flinin bashkë me ëndrrat e orëve të vona nëpër jastëkët e pambukta. Dëgjova hapa në korridor, dhe derën që kërciti lehtë nga doreza e jashtme. U shtriva në krevat dhe bëja sikur po flija. Nëna që më afrohet, dhe më përkëdhelte lehtë pa dashur të më prishte gjumin. Qëndronte e ulur në krevatin tim me merakun e tjerrë hollë nëpër gishta. Unë që shtrëngoja buzët më dhëmbë për të mos nxjerrë jashtë kraharorit dhimbjen e saj. Pastaj më mbuloj nga shpatullat me jorgan dhe më puthi në ballë. Doli nga dhoma, duke zvarritur derën nëpër prag. Nuk e mbajta dot ngashërimin e gjoksit nga brenda. Isha kthyer në një pellg loti të zjarrmuar. Më ishin tharë buzët nga vijat e plasaritura. Qerpikët ishin rënduar nga majat e gjata. Lotët kishin filluar të më kullonin si degët e lumit poshtë qafës. E bëra shuk cepin e batanijes me grushta dhe e kafshoja fort në heshtje.

Nuk di sa orë kisha qëndruar e përhumbur nëpër kujtime! M’u kujtua ajo natë kur isha trembur nga macet që qanin jashtë pallatit. Nga frika isha ngritur dhe kisha shkuar në shtratin e prindërve. Vetëm kur e pash veten në mëngjes në krevatin e tyre nuk e mblidhja dot veten se çfarë kishte ndodhur! Kur hapa sytë, pash nënën në krahun e djathtë dhe babin në krahun tjetër që qeshnin me mua. Isha bëra përsëri e vogël si dikur kur flinim të tre bashkë në një krevat. Ishte koha kur unë isha fëmija i vetem dhe kisha të gjitha privilegjet e botës së femijëve. Kaq u desh që unë për një javë rresht të tallesha nga motra, që nuk linte rast pa e treguar këtë incident. Por nuk po di pse do doja që edhe sot të shkoja në dhomën e tyre! Ora shënonte katër. U ngrita nga shtrati hapa dritën e dhomës. Në atë kohë u ngritë edhe nëna me babin. Në orën pesë duhet të linim shtëpinë. U bëra gati menjëherë. Im atë tërhoqi valixhen nëpër shkallë dhe më priste poshtë. Duhej të ndahesha me nënën dhe me motrën. E dija që nuk do ishte e lehtë. Buzëqeshja me cepat e buzëve, për t’u treguar që do kthehem përsëri. Më përqafuan të dyja dhe filluan që të mbushnin sytë me lotë. Loti i tyre shkëlqente si kristali në agimin e mëngjesit. Ose ashtu po më dukej mua!

Hipëm në makinë. Bashkë me ne erdhi edhe vëllai i vogël. Makina u nisë dhe lëshoi një zhurmë përmbi asfalt. Unë ktheva kokën për herë të fundit. Tymi që kishte lënë pas kishte mbështjellë trupin e nënës. Ajo kishte vënë kokën tek supi i motrës. Sikur i rëndohej supeve të mbledhura nga dhimbja, dhe fshinte lotët me dorë. Motra me njërën dorë e përqafonte, dhe e shtrëngonte sikur i thoshte që ja nuk je vetëm. Kurse me dorën tjetër më përshëndeste mua. Kaluam kthesën dhe po i ngjiteshim qafës së fikut. Nga e majta jo më larg se 200 metra shtriheshin varrezat. Pishat e larta sikur ishin mbledhur si kurorë nga krahët Nga të ftohtët ishin mbledhur dhe halat e gjelbra. Në hyrje sikur po nxitonte me dorak në dorë një siluetë e fshehur nëpër kalldrëmë. Këmbën e majtë mezi e hidhte nga paraliza, bashkë me krahun e mbledhur nga palltoja. Ishte gjyshi. Gjyshi, gjyshi, gati sa nuk thirra! Hoqi kapelen nga koka dhe e ngriti lart. Dukej sikur po më thoshte diçka. Kishte dalë gjithë merak nëpër errësirë për të më përcjellë. Nuk po tretej atje poshtë dheut të lagësht, ishte akoma i freskët nga ndjenjat. Dy javë përpara ne e kishim percjellë mes lotëve për aty. Përgjithmonë.

Para se të vdiste kishte shkruar një letër të gjatë. Sikur ta dinte që nuk do shkruante më letra. Ndoshta kishte hall se nuk do kishte letër apo laps, ose e dinte që letrat prej andej kurrë nuk vinin! U gëzua kur i thashe që do nisesha edhe unë matanë oqeanit. M’i korigjo gabimet, mos harro. Ashtu më thoshte gjithmonë këto dy vitet e fundit, kur shkruante ato letrat e mallit. Nuk kishte si të mungonte sot! Prandaj kishte dalë kaq herët sepse e dinte që unë do nisesha. I kisha thënë dje kur erdha dhe i solla një tufë me lule. Kur makina u ngjit të përpjetës dhe pas saj mori kthesën e fortë, aty pastaj e humba siluetën e gjyshit nga sytë. U drodha nga malli. Kishte filluar të rritej sipër degëve të kraharorit. Gjithë rrugës nuk fola asnjë fjalë. Para se të shkonim në aeroport, ndalëm tek shtëpia e Arbenit, për të marr një pako të vogël. Pastaj u nisëm drejt Rinasit. Aty ndaluam për të pirë kafen e mëngjesit. Nisja e avionit ishte rreth orës 10 drejt Zvicrës. Unë isha e mpirë nga duart, nga fytyra, nga krahët. Im atë që më hidhte ato vështrimet e tij plot dhembsuri, dhe unë që bëja sikur nuk i vija re. Ktheja kokën në anën tjetër dhe shikoja njerëzit që ishin ulur në tavolinat përreth.

Doja t’i tregoja në heshtje që isha e fortë dhe i përballoja lehtë ndarjet. Por brenda unë zieja si kazani i rakisë dhe shpirti pikonte pikë -pikë. Erdhi momenti që duhej të futesha brenda për të vulosur pashaportën dhe të dorëzoja valixhen. Aty e përqafova babin fort dhe fillova të qaja me lotët e një fëmije. Pastaj përqafova vëllain i cili më jepte zemër për të vazhduar rrugën e ëndrrave. Im atë duke i dridhur zëri nëpër kordat e nxira nga cigaret që kishte pirë pak më parë, më jepte uratat e prindit, që jeta ime të ishte e bekuar atje ku do të shkoja. Unë që zvarrisja këmbët që mezi më bindeshin. Ecja me kokën mbrapa duke u thënë që të prisnin gjersa të nisej avioni, pastaj të iknin. Mos ki merak më thoshin, ne do jemi këtu. U futa brenda. Radha ishte e gjatë. Kur më erdhi radha mua, amerikani që punonte në sportelet tona më pa me sy hetues. Dukej sikur më pyeste, për ardhjet e mia të paardhura, për ikjet e mia të befta. Aty u drodha. Po sikur…Jo, jo i thoja vetes. Ti duhet ta pranosh. Përndryshe gjithë kjo sakrificë do të hidhej poshtë. Doja t’i thoja që malli më kishte këputur nga shpirti kur jetoja atje..edhe tani malli më ishte bërë si flladi i të kuqit të fytyrës. Doja t’i thoja që unë erdha se kisha arsye. Doja t’i thoja që bijat kthehen një ditë kur u vdesin prindërit. Edhe pse të mitë akoma gëzonin shëndet të plotë. Por asgjë nga këto nuk fola. Por vetem heshtja, kur shikoja lëvizjet e duarve kur rrotullonte pashaportën. Shikoja sytë e tij, si lëviznin ne ajër kur bënte krahasimet me foton e pashaportës. Ai sikur m’i lexonte mendimet. Bijat gjithmonë kthehen një ditë për t’u çmallur dhe për të ikur, mërmëriti nëpër buzë dhe e zgjati pashaportën drejt meje. Mua më ishte zbardhur fytyra nga sikleti. I buzëqesha si e zënë në faj dhe mora pashaportën dhe shkova për të dorëzuar valixhen.

Zemra ime gati sa nuk pushoi kur më thanë që duhej të nxitoja sepse avioni e kishte ndezur motorin dhe ishte gati për fluturim. Fillova të vrapoja nëpër pistë. Pelerina e zezë që kisha veshur sikur më jepte krahë. Arrita tek shkallët e avionit duke m’u marr fryma. Aty ndala dhe u ktheva. Doja të shikoja vëllanë dhe babain. Ata kishin hipur sipër kangjellave të hekurit dhe ma bënin me dorë. Unë që të dyja duart i valëvitja në ajër duke i puthur. Pastaj zura vend në sediljen e vogël të avionit. Pas disa minutash vetën e gjeta duke fluturuar drejt qiellit. Një tjetër jetë po më priste. Mjafton të zgjasja pakëz duart dhe të hapja xhamat e dritares për ta prekur aty sipër qiellit të pafund!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s