Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
POEZIA E MIMOZAVE
Të dashurova plot një jetë,
për dashuritë gjithmonë gjej vend,
lulëzimi yt është trilli vetë,
prandaj dhe unë mbaj emrin tënd.
Të dyja ngjajmë kaq shumë, kaq shumë,
vetëm nga emri do ish pak,
siç ngjanë dy valëza në një lumë,
siç ngjanë në trup dy pika gjak.
Unë dimrin kurrë s’e kam pëlqyer,
se shpirtit tim më mbjell acar,
prandaj vrapoj e ngazëllyer,
kur shoh petalin tënd të parë.
Përbrenda më deh me aroma,
në flokë petalet m’i përkund,
edhe pse dimri zgjat akoma,
ti vjen, trishtimit i jep fund.
Të dyja mbajmë të njëjtin emër,
që nënkupton fjalën guxim,
ti një pranverë mbjell në zemër
dhe unë diçka nga trilli im.
MIMOZË E JANARIT…
Ti shpesh më quan mimozë e janarit,
duke më vështruar ëmbëlsisht në sy,
mua flokëve më dedhet një pluhur prej ari,
e si mimozë çel në çdo stinë për ty.
Çeljen e mimozave e pret me përpikmëri,
e buqetën më te bukur e zgjedh si përherë,
ndaj sot sërisht ndjeva tënden dashuri,
kur mimozat e janarit më erdhën ne derë…
Ti di të më emocionosh në çdo stinë mua,
Unë mbetem pa fjalë, veç pëshpëris: Të Dua…