Poezi nga Zhuljeta Grabocka Çina
Buzëqeshja e luleve
Fjalët i kam tretur në ngjyra
Dhe erërat i kam kthyer në fjalë.
Në gurë i kam skalitur gërmat
Vargmale malesh malli të gjallë!
Mëngjeseve pa zbardhur mirë dita
Në sytë e tu derdh dritën e bardhë.
Në diell të kthehet e gjithë fytyra
lulet buzëqeshjen tënde paskan marrë!
Foleja e bardhë
U ende rreth oborrit si pëllumb i bardhë.
U ule të çukatësh mes plloçave të vjetra.
Heshtazi nën zë disa herë vetes i përsërite,
Kthehu, gëzohu me flladin e fluturimeve!
Tek dorëza e derës do rrijë e varur buzëqeshja
me shaminë e bardhë retë pulpore do përshëndesin,
me zërin e ëmbël, sërisht e sërisht do më thuash:
E putha pragun, e bardhë e më e bardhë foleja!
Gjuha e yjeve
Yjet e qiellit janë degdisur kaq shumë larg
rreth e qark pafundësisë së galaktikave.
Por drita e tyre më ndoqi shkaras nga pas
kur u ndamë bashkë, atë natë të gjatë vere.
I mora me vete fjalët e tua të përvëluara
pa përgjigjen time Ti mbete në heshtje.
Hapat tona oshëtinë në rrugët e vetmuara
m’u duk sikur po shkelja në qiell e nëpër yje.
Dhe rrjeta e yjeve më mbështolli si një zanë
të më rruante nga vuajtja jote deri në mëngjes.
Më vendosi në ishullin e yllit tënd pa cak e prehje
ballë për ballë, unë e ti në vallen e ëndërrimeve!
Nuk e kam braktisur për asnjë çast këtë ëndërr
kur heshtjes sime m’i shfaqesh pranë e pranë.
Gjuha e yjeve e ka shkruar në librin e zemrës
Ndjenjën time për ty në vetullën e artë të hënës!