Paul VERLAINE
Kalendari poetik: Paul Verlaine (1844-1896)
Kalendari poetik sot shënon datën e vdekjes së Pol Verlen, poet francez, i njohur si njëri prej “poetëve të mallkuar”. Me jetë vetiake skandaloze, por gjithsesi, një poet i madh. Në datën e vdekjes së poetit sjell këtë poezi nga shqipërimet që kam prej tij:
PSE, JO? (N’est-ce pas?)
Pse, jo? Sado të këqijtë, të marrët,
Do ta shohin vëngër gëzimin tonë,
Kemi për t’i falur, gjithnjë krenarë.
Pse, jo? Gjithë gaz rrugës do të shkojmë
Udhës që rrëfen shpres’e buzëqeshur,
Ata që na shpërfillin t’i harrojmë.
Në dashurinë tonë, si në pyll fshehur,
Zemrat tona bashkë, ashtu ëmbëlsisht,
Si zogj që natën këndojnë, të dehur.
Sa për botën, eh, si t’i vijë mbarë,
Të na ketë inat, a të na dojë,
Në mos, le të na shajë si më parë.
Sepse dashurinë kemi mburojë,
Sepse përjetësisht jemi të lidhur,
Krejtve u buzëqeshim, fare pa drojë.
S’mërzitemi në fati vjen i hidhur,
Kurrë s’kemi për t’u ndarë, asnjë orë,
Bashkë dorë për dorë, me shpirt fëminor.
Kështu është kur duhesh vërtet, pse, jo?
© shqipëroi Maksim Rakipaj