Cikël poetik nga Albert HABAZAJ

Cikël poetik nga Albert HABAZAJ
 
 
MËHALLA E BALLKANIT!
 
 
Mëhallë e lodhur e Ballkanit,
Ke dhembje në kock’,
mëhallë plakë.
Nga pështyma e keqe e djallit
Keq pate në eshtër,
helm në gjak.
Plusminuset e tëndes histori
Bënë Eskilin e Homerin,
Të madhin Aleksandër në Maqedoni,
Në viset e Arbrit, Gjergjin…
Ata bënë ty.
Bëmat e tua
i bënë
100 milionë ballkanas;
Nga këta: gjysmit vanë,
E, (për bela a për fat),
Gjysmët janë…
Tallet e të quan bota
Ekzotik e fuçi baroti,
Me skërmitje ngroh duart,
Ti, idhull i krijimit ke ftohtë.
Si kryëzimi gishtave të duarve,
Tek bashkohen me njëra-tjetrën,
Janë mëhallat e vjetra të popujt e tu,
që qejfin të huajve
Bëjnë e kallamè harrojnë veten.
Ty, si burim ulliri e vere e mjalti
Të shoh në ëndërr për natë:
Kur shteteve të tu do t’u dalë inati,
Të bëhet Ballkani fuçi vere
për ballkanas?!-
Ej, Ballkan, pash nderin!
A ma jep fjalën burrash
Të bëhesh Ballkon i Paqes?!
Sherrit hajrin ja ka parë
veç sherri…
 
 
 
 
VESHA KËMISHËN E DETIT
 
Nga dëshira, pas mungesës së gjatë
Si skaf me katër motora
I sulem shushurimës joniane
Kaltërsia më ledhaton e i dridhet dora
Dielli me dritën e buzëve më spërkat
Kthehem vonë për bregu
Veshur me këmishën e detit…
 
 
 
VETMIA
 
Qysh kur u çmend njerëzimi
në burg e futi Drejtësinë,
i lumturuar nga pikëllimi
u dashurova me Vetminë!…
 
Varfëria si vjeshtë varfanjake
vyshket, venitet, vetëm vdes,
unë, me dufet rrebelake,
i them botës:- Mirëmëngjes!…
 
 
 
KUMBULLA
 
Pashë një kumbull marsi
E sodita – më mbushi syrin.
Pashë kumbullën bardhoshe,
I mora erë – Më mbushi shpirtin.
Kur, kumbullën vogëlushe doja ta haja…
Oh, mjaltoshja gugushe!
Më pa i ati…, ika i pashuar!
 
 
 
RELIEV
 
Re të grisura,
Njerëz të krisur,
Buzëqeshje të gremisura,
Botë e vithisur.
 
Sokrat, i urti, i ngratë,
Levën Arkimedit
Hiqja, ende
Marrëzinë pa nisur!
 
 
 
ÇIFTI TË RINJSH NË DIMËR
 
Dimër, dola jashtë, bënte ftohtë.
Dy të rinj pranë e pranë thëllimit,
Veshur bukur, si dy zogj në një stol,
Pse strukur krahët e fluturimit?!
 
Po e them, për hir të sinqeritetit:
U strehuan në buzët e njëri tjetrit
Më tej, jo, s’pashë gjë, as ti s’pe,
Kushedi sa nxehtë bënte atje …
 
 
 
PJESHKËZA…
 
Pjeshkëz – o, faqja me push,
Flladi i freskët në gush’
Syr’ i zi, – i ëmbël rrush,
Shpirtin tim me mall ma mbush.
Pjeshkëz – o
 
 
 
KY QE FATI YNË …
 
As Pushkini tok me Eseninin,
As vetë Honoreja me bastun,
Nuk ia gjetën dot fundin pusit,
Ku e paska fundin ai tutkun!?
 
As Lasgushi ynë me Robertin,
Me Robertin nga Bërnsajt e Skocisë
S’ja gjetën që s’ja gjetën fundin,
dhe më hiqen si profetë të dashurisë!…
 
 
 
NO COMMENT
Kur ma gjymtuan e prenë
shpirtin me gjysma brisku,
mbolla një lule të bardhë
dhe për Aida Hiskun.*)
 
*) Këngëtare e mirënjohur e muzikës së lehtë shqiptare
që u ndalua të këndonte në monizëm.
 
 
 
BOTA NUK ËSHTË AJO QË SHFAQET
 
Mbështeta njëherë kokën e zemrës
Në atë sup të ngurtë e me thepa,
tamam si kobër ma helmoi këngën
e kupën me helm, i lavosur gjerba.
 
Të nesërmen, më keq se Laookonti,
iu turra për flokësh, e çorra faqesh;
u përsëritka cikli i qëmotit
e bota nuk është ajo që shfaqet.
 
 
 
KOMBI DHE UNË
 
“Kombi im, të kam komb në fyt,
As të pështyj dot, as dot s’të gëlltit”
                          Ilirian Zhupa
 
Ti, zotni fryhesh si bollë,
Unë – si zogu mbi cipal;
Shihma kërcirin e hollë,
Si unë kombi është në hall!
 
 
 
RILEVIM
 
Sa e bukur Vlora e ligë,
sa e ligë Vlorë e bukur,
heroikisht e nëmur!…
Pse? Pse? Pse?
E pafat për njëshat.
Shumë skërmitën
dhëmbët si çakej,
pak krahët si zogj i tundën,
asnjë Gjergjit nuk i ngjau
(asnjë nuk gjergjëroi)
Gjergjëro ti, Vlora ilirike!
 
 
 
M’U DUK SE TAKOVA ATË …
 
… Një melodi mrekulloi ajrin
Dhe freskinë e plepave ku rrija.
– Ej, miq, e lëmë dy minuta lojën?
Një këngë labe nga anët e mia!
 
Zërin e ëmbël të shoqes e njoha,
sa herë bashkë me të këndova,
në dasma , në mbrëmbje, në festivale
dhe asnjëherë, as-një-herë s’u lodha!
 
Më pranë radios iu afrova,
fillova si i marrë, ison me zë.
S’di e dëgjova këngën, a s’e dëgjova.
M’u duk sikur u takova me të…
 
 
 
ZOGJTË E KRIJIMIT NË VLORË
 
Zogjtë kërkojnë fluturime në qiell të lirë,
Në qiellin e tyre të bukur e të kaltër,
Nuk mbyllen dot kafazesh me këllirë,
Janë kalorës rebelë ata e me shpirt të pastër.
 
 
 
MESAZHE DRITE
 
Le t’i harrojmë ankesat gri, vëllezër,
Të dashurojmë të nesërmen çdo ditë;
Nga që kemi nevojë të ndihemi njerëz
Shkula zemrën, lart e ngrita,
Bëra dritë…
 
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s