Poezi nga Kaltrina VB Hoti
Shtrydhi retë
Sot e zbres qiellin në tokë
Yjet i ruajta për vete.
Zemrën e shndërroi në dritë të jetës
Hënën me diellin i bashkova
Do t’a shohësh edhe ti
Një shkëlqim i pa parë do t’të mbulojë
Vetëm mund t’a ndjesh
Të gjitha retë në gotë të venës
Do t’i shtrydh
Për herë të parë ëndrrën do t’a pish
Sot e zbres qiellin në tokë,
Të rrjedh momenti pa mendime
Dëshira ime bëhet dallgë e oqeanit.
Mëngjesi vonohet
Me yjet e natës
Trupin m’a mbulove
Errësira shndërrohet në zjarr
Sundohemi nga jehona e zërave
Nëpërmes shpirtit tënd
T’a thërras emrin
Botën e katërt në mua krijon
Mëngjesi vonohet
Është robi jonë
As unë as ti nuk e dorëzojmë.
Porta e dashurisë
Të përkëdhel ditë e bukur
Sot
Në brendësi të frymës tënde
T’i dhuroj fjalët e pa thëna
Frikën që dridhet në barkun tim
T’a jap ty
Më çliro,
Dua të shndërrohem
Në plagë të vjetër
Dhe të dalë nga dhimbja
Një herë e përgjithmonë
Kur të takohem nesër me ty,
Të lus!
Me shiun e parë të mëngjesit
Shpërlaje shpirtin tim
Jam duke trokitur në portën e dashurisë.
Pa frymën tënde
Mundohem gjumin ta përkundi
Nata po më ikë
Unë qetësinë nuk e gjej ende
Të kërkoj aty ku s’të kam
Të dëshiroj në fjalën time
Tingullin e të qeshurit e dua
Shijen e buzës tënde e ndjejë në largësi
Çdo sekondë shndërrohet në shekull
A thua sa kam fuqi
Ta shndërroj momentin e zhgjëndrrës
Në dritë të parë të mëngjesit
E thatë është bota
Pa frymën tënde
Ndalu kudo që je
Të putha.