Poezi nga Agim Shehu
Në “Vitin e Skënderbeut”
-botuar më 1968-
M0N0L0GU I FUNDIT
U vrava, Gjergj i Kastriotit
në ballësulm, kur çava.
Më dehu era e barotit,
u futa…dhe u vrava!
Shokët që larg ndjekin osmanin,
po i dëgjoj i shtrirë…
O qielli ynë ngjyrë jargavani,
moj Toka jonë e mirë!
O… sa i paskan trimat varret –
sa kjo hapsirë e gjerë!
Mbi kokë dielli më varet
si trandafil i prerë.
Malet këndojnë këngë lufte, –
po ndjej muzikë nga yjet…
Një “këngë” shpatash ikën tutje,
një gajde vjen te kryet.
Do ngrihem prapë të shkoj me shokë
nën shpatën e flamurin…
por mbaj të vrarët turq si robër
mos ngrihen, prishin grurin.
Kështu armiku ta bëjë bé,
se kush e ftoi – “hajde!..”
Ndaj rashë, i Madhi Skënderbe…
…Sa mirë këndon kjo gajde!
MALLKIM, TRADHËTAR!…
Ike nga toka nënë, tokë e lashtë;
qën-tradhëtar – të shkoftë jehona!
Të shkreptë rrufeja e shkrumb të lashtë,
të vraftë hija e maleve tona!
Në oborr sulltanës krimb u mbështolle,
të dhanë tuje e nishanë si rrebelëve…
Të zëntë sytë strehë e kasolleve,
të mallkoftë blegërima e deleve!
Nën gjysmëhënën kokën e vare,
sytë lavdia osmane t’i mori.
Të verboftë hëna shqiptare,
të përvëloftë diell i Tomorit!
Dhe vjen Pashà me hordhi të mëdha,
vringëllin jatagan e na sulesh…Eja!
Kjo tokë e bekuar që frymë të dha,
frymën kjo do ta shkulë…Eja!
Vazhdon zhgryhesh mes salltanetesh
në horgjira të pistë e të mbrapshtë…
Sytë t’u zënçin për jetë të jetëve,
nderi i vajzave tona të vraftë!
…Do ecë ky mallkim i të parëve
brez pas brezi, Ballaban-horri.
Oj të verboftë buka shqiptare,
të përvëloftë Diell i Tomorit!
KËNGË E GRAVE TË SKËNDERBEUT
Burrat tanë s’i hoqën kurrë
armët nga brezi, as ditë as natë,
kështu, dhe kur fjetëm me burrat,
flinim tok dhe me shpatë.
Ne ajrin e kemi erë limoni,
ne erën e kemi aromë dafine…
Duart e tyre kur flokët na lëmonim,
erë lufte ndjenim pas shpine.
Burrat në krahë i patëm të rëndë,
bota s’kish të tillë gjëkund.
Ne u mësuam që buzët t’i vëmë
dhe në plagët e tyre pa fund.
Fëmijët tanë që lindën shpateve,
fëmijë – ushqyer në ara rreth duajve,
i pagëzoi vringëllima e shpatave,
i përshëndetën hingëllimat e kuajve.
Ne i rritëm të fortë si gurin
dhe gur prej shkëmbi provat kaluan.
Mbi djep, sa lindën u hodhëm flamurin
dhe kur u vranë, me flamur i mbuluam.
VALLJA E FUNDIT
Atdheu ra, dhe ne të biem,
ç’na duhet më dhe jeta!
S’ka gjë se vajzërinë e shtiem
pa mbushur të njëzetat!
Na jepni zemër, o humnera
edhe në gji na mbani!
Më mirë nga shkëmbi ynë të prera
se sa nga thikë osmani.
O vajza, motëra që vini
në kohëra të pasme,
kujtonani dhe vënd na lini
mes jush në valle dasme!
Se vallja jonë gjysmë mbeti,
u mbyt në flakë e kujë.
Rrufe e zezë Sulltan Mehmeti,
na hyre gjer në Krujë!
Tërë brezi ynë bëri ç’mundi
që ju t’ju vijë mëngjezi…
…U nis dhe vallja jonë e fundit
t’ju vijë brez pas brezi.
Agim Shehu