ZGJIME TË FËMIJËRISË / Tregim nga Ylli Xhaferri

ZGJIME TË FËMIJËRISË

 

Tregim nga Ylli Xhaferri

Gjyshi im nga nëna, Kadri Çopa, ose siç e thërriste fshati Seferaj mbarë, babë Rapi, ishte njeri i mirë. Nofkën “Rapi” ia kishin vënë ngaqë vinte ca i zi dhe i zeshkët në fytyrë, pra “arabi” , “arapi”, “Rapi”. Gjyshi ishte i hollë dhe me fare pak mish në faqe, që nuk e di pse më pëlqente ta krahasoja herë me “Arapin e Venedikut” të Shekspirit, dhe herë me Kamanin te “Historia e Skendërbeut” të Naim Frashërit.

Gjithmonë vishej me kostumin tradicional të Shqipërisë së Mesme, me brekushe shajaku në ngjyrë kafe, kurse xhoke mbante rrallë, shumë rrallë. Ishte i heshtur, fjalëpakë. Shpesh e kisha dëgjuar të dialogonte me veten, si të ishte vet i dytë. Përreth mesit mbështillte brezin e leshtë, gati dhjetë pash të gjatë. Ndërsa në kokë vinte qeleshe të bardhë, formën e së cilës dhe bardhësinë i ruante me fanatizëm. Ishte i thatë e i gjatë si kavak, por mbahej kockë e fortë…

Kishtre tre vajza, djalë nuk i dha Zoti, të cilit i falej me devotshmëri e përkushtim. Zotit i lutej dhe falej me zë të lartë, ndërsa nga dora nuk i ndante kurrë tespihet prej qelibari…

Mbaj mend dhe dasmën e tezes sime të vogël, Lajes. Qaja, ngaqë ishim të lidhur shumë me të. E morën me një kalë të bardhë, mbuluar me duvak të kuq, thurur me lule ku shebojat e verdha, karafilët e kuq dhe filxikoni me trandafilat kundërmonin aromë të mirë. Ndërsa tezes tjetër, Shejes, i sjell në mend shakatë e holla dhe të mençura, që të gajasnin së qeshuri, si dhe gatimet e shumta tradicionale të zonës, që veç ajo dinte t’i kullundriste si askush më.

Sigurisht që sipas zakonit të tria vajzat, duke filluar me nënën time, gjyshi i fejoi vetë…

Shtëpia e gjyshit ishte e madhe, dy katëshe, me dehelizë një tip ballkoni prej dërrasash që lidhte shkallët e jashtëme me dhomat e katit të dytë, nofilin me dërrasa të latuara ku ruheshin sepetet dhe pështafet me shtroja e tesha, i cili lidhte me shkallë dhomën e zjarrit me dehelizën ku koçekët e ajkës së qumështit rradhiteshin varg, oda e shtruar me sixhade dhe shilte në njërin kënd të së cilës ishte një tavolinë me 6 karrike të gdhendura. Në odë shpalosej edhe një flamur origjinal i shoqatës “Bashkimi”, m’u mbi oxhakun e bardhë të cilit dy anët i qarkoheshin prej xhezveve të ndryshme, si dhe një ore muri monumentale turke, disa Kuranë të vjetër, të formateve dhe trashësive të çuditëshme, dhoma e grave, ku gjyshja ime, nënë Leja ushtronte autoritetin me plot rreptësi.

Aty binin në sy, mokra dhe sergjenët e mbushur me tepsi, kusia, sefere e pjata bakri që rrezëllinin si të magjepsura, si dhe mullinjtë e kafesë, nënnofili ku mbaheshin tenxheret, kazanët dhe tavat e bakërta, të cilat çdo verë vinte nga Kavaja për t’i kallaisur Xhoxhi, që gjyshi e thërriste me përkëdheli “çaponi i mirë”, saksitë dhe qypat e mbushur me produkte bulmeti, mushti, nerdeni, turshi, e të tjera zahire për përdorim të përditshëm, pastaj vinte burgu, në errësirë e terr, ku ruheshin drithërat e bukës, mielli i bluar e ushqimet, duke filluar nga enët e mëdha të grurit, koçekët e misrit, qypat gjigandë të vajit të ullirit, frutat e stinës dhe fruta të thara, qaset, okët e kandarët e ndryshëm, deri tek ata të duhanit, të të gjitha llojeve e masave.

Kishte dhe të tjera ndarje ajo shtëpi disa shekullore, por, tashmë emërtimet nuk ua sjell dot në hatër.

Gjyshi im nuk hyri në kooperativë, nuk e mbështeti kolektivizimin, për fat të mirë dhe nuk e shpallën kulak, ngaqë vëllai i tij, që ne e thërrisnin dajë Zyberi, kishte ndihmuar luftën, madje ishte zgjedhur edhe kryetari i këshillit antifashist të fshatit. Mbas çlirimit e akuzuan se kishte strehuar e furnizuar me bukë kaçakët, pra, diversantët, kështu që e rrasën në burg, nga ku e shpëtoi një nipi vet, Stërgushi, me detyrë shtetërore në qytetin e Kavajës, vëllai i madh i të cilit kishte rënë dëshmor në betejë me gjermanët në Zikxhafje.

Dajë Zyberi mbaj mend se shëronte dhimbjen e kokës, kushdo, gra e burra, fëmijë e pleq, vinin nën dehelizën tonë (ballkonin) dhe i luteshin t’u shkruante…Ai nuk shkruante, as frynte, por, diçka bënte. Vetëm di se njerëzit vinin me dhimbje koke që nga larg, por, largoheshin pa të, të lehtë pendë. Dajë Zyberi merrej me punët në bujqësi, ai bënte edhe shitjen e produkteve të ndryshme në markatën e Kavajës dhe Durrësit. Nuk u martua kurrë, gjyshja thonte se ia kishin ndryrë fatin e martesës…

Sa herë që futesha në odën e tij, që mbante aromë të mirë, vëzhgoja fshehurazi nëpër qoshe që të gjeja kyçet e drynat e rëndë me të cilën ia kishin ndryrë e farkuar dëshirën e shenjtë…Nuk e di pse, por ai, gjithmonë më çonte në një vend të vetëm, tek Ajazt, për të qepur brekushet, këmishët dhe xhamadanët. Ishte një rrobaqepëse e zonja, si dhe ai, beqare e vjetër…Edhe pse i mitur, mendoja se kyçin martesës së tij ia kishin vënë, pikërisht për të mos marrë atë. E vërteta nuk u mor vesh kurrë, u kall në varr me dajë Zyberin dhe rrobaqepësen misterioze, që për fat të keq, nuk mund t’ia kujtoj emrin…

Më priste dhe përcillte me dashuri, mbante erë të mirë, taman si ajo që ndjehej në odën e dajës. Ishte e mirë, e bukur dhe pse në moshë, sigurisht që rridhte nga një familje e mirë, besimtarësh…

Une jetoja larg fshatit, ne nje qytet te vogel, keshtu qe gjyshi, sa fillonin pushimet verore, vinte dhe na merrte per ne fshat. Gezimi yne nuk kishte te pershkruar…Im gjysh, çdo të dielë dilte në pazarin e Kavajës dhe çdo të premte në xhaminë e fshatit, ku hoxhë Feriku falte të Xhumanë. Gjyshi udhëtonte me kalë ose mushkë. Si në Kavajë, ashtu edhe në xhami, respektohej prej të gjithëve. Këto i kam parë dhe ndjerë vetë, se gjyshi kishte qejf që një herë vëllain tim të madh, Agimin, një herë mua të na mirrte me vete, ngado që të shkonte. Na donte shumë dhe e donim shumë. Shkurt, të dielën dhe të premten, ne e kishim si ditë feste.

Gjyshi me dajë Zyberin nga deheliza e tyre shihnin detin, Durrësin dhe gjithë krahinën përtej, kurse nga një dritare e vogël pas shtëpisë, ku ishte lagjia e Matonsave, dukej fusha e Kavajës, Papaci i Gëlemsit dhe rezervuari i Kanaparajt. Gjyshi, nga deheliza, ku pushimin për të përcjellë vapën ose muzgjeve vonë para gjumit, tregonte histori të ndryshme.

Mbaj mend një të tillë për 7 prillin e 1939, të cilën nuk mund ta harroj kurrë, se në prill të atij viti mësuesi Hasan Cankja na kishte zhvilluar një temë mësimi për Mujo Ulqinakun…Taljont erdhën me dënome dhe gjemi, kujtonte gjyshi teksa picërronte syte e vegjël…U nxi deti dhe qielli, sikur krraknin korba, mëllenja e laraska. Dridhej e gjëmonte vendi. U fshehëm në pyllin e Xhanokut, një pjesë shkoi më larg në Ksulëz. Gjëmonin topat si në kohën e Nemces dhe Karadakut…

Gjyshi kishte shumë toka, si Djerrkukësin, një mara djerr e pyll, thurur me një gardh ferrkuqesh ku binin në sy thanat, dushqet dhe frashërit, që përshkohej mespërmes nga një përrua, brigjeve të të cilit kërlesheshin kulet e manaferrave dhe kulumbrive. Plona, një pllajë diku e pjerrët dhe diku e sheshtë, ku mbillej gruri “Kapell” dhe një farë misri që e sillte bukën të ëmbël, thonte gjyshja. Aty mbarështoheshin të gjitha llojet e pemëve, shegët, rrushi “Tajkë e Kuqe” dhe “Tajkë e Bardhë”, kumbullat, zerdelitë, kaisitë, sheftelitë, mollët, ftonjtë, fiqtë: shijakë, bualli, draçi, cingëll, bradashesh, krrapzi i zi, krrapzi i bardhë, rrotllari, bishtëgjati, deri vollëzat, mushmollat, etj. Kishte dhe shumë qershi, bile ishte një qershi dhe me emrin tim, pse jo dhe të gjithë vëllezërve të mi.

Gjyshi kishte qef që pas çdo lindjeje të njerit nga ne, të mbillte një qershi që e pagëzonte me emrin e sapovënë. Kështu, Gimi, Ylli, Ndriçimi, Bardhuli, Skënderi…Një vend i bekuar dhe i bukur ishte dhe ullishta e Shyqyrisë, në të cilën rridhte një krua prej shtufit, me një ujë si lot i kristaltë, ku mbushte ujë i gjithë fshati. Meqë tokat i punonte vetë, gjyshi mbante dy pendë qe, ku Ylberi, Bardhoshi, Ziku…shquheshin për bringat e mëdha, hata, sa të kallnin datën. Babë Rapi ishte mjeshtër në vënien e mullarëve, saqë të gjithë seferakët vinin dhe e merrnin, ishte mjeshtër i zënies së çikave, kështu që bari ruhej, shkonte gjatë gjithë dimrit dhe nuk kalbej.

Para shtëpisë, gjyshi e kishte shtruar oborrin me kalldrëm, kishte mbjellë edhe një rreshtë me ferra të buta, trungjet e trashë dhe kurorat e të cilave e mbanin vendin me hije dhe fresk. Gurët e kalldrëmit ishin prej gipsi, kështu që netëve lëshonin një dritë të kaltër që të ndillte vetiu nëpër ëndrra.

Gjyshi ishte njeri i lirë, lindur e rritur në gjirin e natyrës, thonte se nëna e kishte lindur teksa hidhte farë misri në brazda. Ai nuk e pëlqente ndrydhjen, mungesën e lirisë dhe hapësirës, kështu që nuk e honepsi dot kurrë komunizmin, pse jo shpesh e më shpesh e quante atë, udri. Udri qoftë! Udri ishte një qënie fantazmagorike, si kecka, xhinitë, nona e votrës, dragoji, e të tjera krijesa të mbinatyrëshme me të cilat fshati popullonte hapësirat e tij të frikëshme dhe misterioze. Vendet ku ato dilnin me kaull ishin varrezat, lëmi i Cilpicëve, shkëmbi i xha Kasemit, ullishta e Kajes, Zajet e Dyshkezenes, përroi i Sakjeve, si dhe shelgjet e Tares.

Gjyshi nuk na linte kurrë të dilnim vetëm përgjatë vapës apo zhegut të drekës, por edhe natës pas akshamit. Për njeriun, shprehej, vakti është nga këndimi i gjelave deri në rënien e diellit në ujë. Dielli vërtetë binte në ujë, zhytej në Adriatik, për t’u shfaqur të nesërmen nga gjineshtrat e Gëlemasit. Babë Rapi, kur Shqipëria u prish me Rusinë, tha diçka, tregoi një histori që edhe pse i vogël, nuk e kam harruar dhe sot e kësaj dite. Ishim mbledhur pasdarke në oborrin me kalldrëm, ku gurët feksnin në ngjyrime të ndryshme.

Një hënë e verdhë me ca rremba të kuq varej si fener i thyer në kupë të qiellit. Burrat, gratë dhe fëmijët e mëhallës ishin mbledhnur nën hijen e ferrave të egra, ndarë grupe-grupe. Daj Vathi, pa u ulur ende mirë mbi një gurë tha, se kishte parë anijet e fundit me civilë rusë që po iknin nga Durrësi nxitimthi…Pastaj, si të kujtohej për diçka të lënë mangët, shtoi, thonin se një vaporr i madh kinez kishte hyre në port…Kshte shumë marinarë, si mizë lisi…

Gjyshi hoqi qeleshen dhe kruajti kokën, pasi bëri disa herë…hëm, hëm.., lëvizi në postiqen e tij, duke u kthyer nga xha Molla. Eh, po mësojnë si ai që me Krishtin u prish, por me Muhametin s’un u poq…Pastaj ra heshtja, një heshtje e gjatë, sa dhe frymëmarrjet nuk dëgjoheshin…Profecia e gjyshit tim të mirë, doli. U shembën kisha dhe xhamia. Shkoi më keq dhe më për dreq. Pse jo, mbetëm të vetëm, fillikat, përballë botës. Mbytur në urrejtje, fytafyt me vetveten…Shihnim plot trishtim molin e portit që rrallë e më rrallë ankoronte anije…

Këto, m’u kujtuan sot nga Babë Rapi, gjyshi im i mirë, të cilit i qoftë i lehtë dheu, që e zbukuroi me duart e tij përgjatë gjithë jetës ngaqë e deshi shumë, vërtetë shumë. Varri i ndrittë, këtij njeriu të mirë!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s