Poezi nga Seti Vladi

Poezi nga Seti Vladi
 
 
FLLAD I MERMERTË
 
Statuja hijerënda me shekujt ngarkuar!
Nga nëntoka e akullt erdhët në muze,
në Olimpin e vetmis’ suaj.
 
Akullnaja të mermerta derdhen mbi ju,
syve të shuar në kokat e heshtjes
mbështetur në shtylla gotike,
bashkudhëtare të përhershme.
 
Unë, ju dhe heshtja
mbështjell me flladin e mermertë.
Ecën larmia e ankthit…
Asgjë s’lëviz,
veç hapave të mi kureshtar’
dhe tuajat, të largëtat histori.
 
Pas syve pa shteg,
si në ëndërr
filmon imagjinata epokën e varrosur,
me sirenat e Dyrrahut,
madhështinë e Butrintit,
dashuritë e Apollonisë…
Me “sikurin magjik” hyj në jetën tuaj:
Dëgjoj këngën buzë valës,
mbi supet e Rozafës
shoh lotin e Gencit fshehur pas mjegullash,
ngjitem kështjellave me bedena,
ndrisin kolore mozaikësh qëndisur,
shoh dramat me maska që luhen në arena.
Në dasma,
me ju kërcej vallen iliriane
me pjergullat lidhur gërshet.
Ushtare vishem anijeve të Teutës,
bëhem piramid’ ilire në det…
 
Statuja të heshtura,
gjurmë të ardhura nga e largëta Iliri,
frymëmarrja e brigjeve,
me pelerinën blu hedhur supesh
nën qiellin e mbuluar me valle resh’ ,
freskoheni nga valët e Ohrit,
Drinit e Shkumbinit,
gjithmonë xixëlloni rreshtave të historisë
përherë në zgjim.
 
 
 
KITARA
 
Këndon kitara mbrëmjeve me hënë
valëzat në breg nxitojë të mblidhen,
dritarja në gjumë syrin s’ka vënë
telave në tastierë trëndafila u hidhen.
 
Kanarina të fton ty, moj kitarë,
nga një e vetme të bëheni dy,
zërin ajo, ti tingujt ujëvarë
mbi trëndafil sonte të shkundet me ty.
 
Kush nuk këndon me ty, moj kitarë,
kujt syri s’i qesh e pas teje rend,
me ty kush s’e kujton dashurin’ e parë,
kush nuk u dogj në tingujt argjend!
 
 
 
BRENGA E MALEVE
 
Përsëri këto male me brenga fashohen,
pyjet shkulin flokët e qielli nxin,
me terrin e natës skifterët maskohen
në blerimin e jetës mbjellin elegjin’.
 
Si shigjeta harqesh vrapojn’e ndërrojn’ fole,
në mjegulla lumenjsh dhimbjen rrëmbejnë
pastaj hidhen dallgësh e qiejsh nëpër ré,
dramat kamikaze brigjeve shpërthejnë.
 
Male yjesh ndezur, betejash përvëluar
historinë tuaj shekujt kanë vulos,
as ëndërr e parë e legjendë dëgjuar
në gjirin e blertë vdekja të firmos’.
 
 
 
A. MOISIU, VIRTUOZI I SKENËS
 
E ku, fjala që mbolle s’u bë trëndafil,
gjurmët ku aktrove s’u bënë ankth i erës,
s’u bënë katër stinët ku jeta gjallëroi
hutim ziliqarësh rrëzuar para vlerës.
 
Ndriçove Moisi dhe re si ylber
skenave t’magjishme me nure madhështie,
kapele yjesh përkule para teje
gatuar prej dheu e stralli Shqipërie.
 
Gjoksin shkallmove n’shpirtin hamletian
ngritur tallaz nga tradhëtia që ndesh,
prapësirën e botës as ai s’e ndreqi dot,
iku me dilemën “të jeshë a të mos jesh’ “.
 
@seti pezaku vladi
1/1/2018
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s