Dhënja e fjalës dhe eposi / Nga: Fatmir Minguli

Dhënja e fjalës dhe eposi

 

Nga: Fatmir Minguli

Ai e kishte lënë fotografinë te klubi i Gëzimit dhe pse e kishte lënë aty, nuk u muar vesh asnjëherë. Nga mbrapa ishte shkruar ‘’Junik 1948, Ahmeti dhe Bardha’’. Ishin një dhëndër dhe një nuse, fotografuar ditën e dasmës. Asgjë më tepër s’ kishte nga mbrapa kësaj fotografie, e asgjë nuk dihej për personin që e kishte lënë aty.

Vetëm që ai  i kishte thënë Gëzimit, që ta ruante me kujdes, se vetë ajo fotografi ruante diçka shumë të çmuar, një vlerë të pallogaritshme. Por kur ishte herën e fundit, i kishte lënë porosi që mundësisht atë foto ta shihte ndonjë njeri i ditur, -jo shkrimtar- e porositi i panjohuri,- ndonjë studjues i eposit të shqiptarëve, ndonjë që do të bënte skanerin e asaj fotogarfie magjike. Kur fliste dukej sikur i përtypte fjalët…

Junik 1948! Ku ishte kuptimi i këtij shënimi? Ndonjë takim partishë!

Fotografia rrinte vazhdimisht aty në qoshe të murit, diku poshtë mbajtëses së televizorit të klubit. Të gjithve u shkonte syri te ajo por nuk fliste asnjeri, jo për gjë, por ç’të flisnin.

Gëzimit nuk i hiqej nga mendja ajo fjala që i kishte thënë i panjohuri i fotogarfisë, për eposin e shqiptarëve, për fjalën e dhënë, një gjë e ngjashme me Kostandinin dhe Doruntinën. Të ishte legjendë, nuk ishte e mundur, se ishte fakti i fotografisë. Të ishte mashtrim apo vënje në lojë e të panjohurit, prap nuk shkonte…

Kështu kalonin ditët e muajt dhe fotografia shpesh harrohej nga të gjithë. Por ja që një ditë me shi, me një shi të furishëm që gati po i shkulte tendat e klubit nga stuhia që po kalonte nëpër Durrës, ja pikërisht ato çaste në klub ja behu i panjohuri i fotografisë së bashku me një palk thatim.

Mbasi u qetësuan dhe pinë nga një raki, plaku filloi të flasë duke mos i hequr sytë nga fotografia.

-Ata të dy nuk janë të martuar, edhe pse në foto ashtu duken, por nuk janë të martuar, ajo nuk është nusja e tij.

Ne shtangëm dhe e drejtuam vëmendjen nga plaku, fytyra  e të cilit ishte shumë e hollë në profil dhe dikush nga ne e quajti ‘’fytyrëmprehti’’, e harruam fortunën dhe mundësinë e shkuljes së çadrës.

Fytyrëmprehti fliste sikur të mos kishte njeri aty reth tij, gati si i hipnotizuar, fliste dhe shikonte nga fotografia dhe i panjohuri që solli fotografinë i kishte ngulur sytë. Ai fliste:

‘’Babai i atij djalit në fotografi ka qenë nizam, në ushtrinë e perandorisë turke së bashku me një djalë nga Tepelena. Kur erdhi viti 1912, ata u kthyen secili në shtëpitë e veta duke i dhënë fjalën njeri tjetrit se do ta trashnin miqësinë  me martesën e fëmijve të tyre. Kaq thanë dhe secili jetonte në vendin e vet.

Vitet kalonin, ata ishin martuar dhe gratë e tyre lindnin vetëm djem derisa gruaja e atij të  Tepelenës lindi vajzë. Lajmi shkoi te miku i Junikut dhe fjala e dhënë u pre. Djali më i ri, gati tetë vjeç dhe ishte i mirë si në raport moshe për martesë, po do priste, se ishte dhënë fjala.

Kur erdhi koha për martesë, xhaxhai i djalit me krushq të tjerë u nis për të marrë nusen. Udhëtuan me kuaj për ditë e netë gjersa arritën në shtëpinë e mikut. Rregulli e donte që as i jati i dhëndrit dhe as dhëndri nuk duhej të shkonin e të merrnin nusen.

Ishte viti 1948 dhe kufijtë ishin të lirë se me Jugosllavinë ishim mirë politikisht. Ishte ky favor midis dy vendeve, që dhëndri kishte vendosur për të  shkaur në fshatin e nuses së premtuar dhe e kishte parë atë po pa i dhënë të ditur as njerit, as babait të tij. Thjeshtë kishte hequr merakun por dhe vajza i kishte pëlqyer.’’

Tek fytyrëmprehti fliste, ne na dukej sikur zëri i tij vinte nga shumë larg, seç kishte në atë zë, një shushurimë pemësh, si ca gurgullima lumenjsh malorë, sikur  vetë ai nuk ishte aty.

Ndihej ndoshta aroma e eposit të paramenduar gjithmonë nga ne kur binte fjala për të fshehtën e fotografisë.

Pa pritur e pa kujtuar fytyrmprehti u çua bashkë me të panjohurin dhe u zhdukën si dy hije, sikur të mos kishin qenë kurrë aty. Ne ngrimë nga habia por edhe pak si të frikësuar.

Njeri nga ne tha me të qeshur:

-Janë të dërguar të eposit të veriut…e mbase nuk janë të kësaj kohe por ndoshta pak si fantazma…

Ne  kishim harruar furtunën që po bënte kërdinë aty jashtë, u rikthyem në realitet dhe porositëm nga një raki. Të gjithë u habitëm kur Gëzimi nuk na kërkoi lekë. I kishin lënë ata të dy, pa i parë njeri.

I vetmi njeri që e ndjente thellë këtë histori, çuditërisht ishte Gëzimi, i cili me një këmbëngulje të veçantë pyeste për eposin e kreshnikëve, për eposin e shqiptarëve e për fjalën e dhënë.

Këto lloj historishë duket se nuk sqarohen kur duam ne, por kur do vetë historia, ndoshta vetë ata persona që e kanë ndërtuar këtë histori. Kështu ndodhi me të vërtetë. Ishte Gëzimi ai që e zbuloi të fshehtën. Ishte ftuar në një dasëm në një fshat të Kavajës, diku në kufi me Pezën, në Lispatros më duket. Aty tek festonin e hanin e pinin për qejf , pranë tij  një plak që ngjante krejt me fytyrëmprehtin por që nuk kishte aspak lidhje me të, po i thonte se ‘’këto dasma të sotme nuk kanë aq shumë lezet.’’

Gëzimi nuk ia vuri veshin por fytyra e tij sikur u rënqeth dhe kohë pas kohe filloi ta ngacmonte duke e pyetur se për çfarë dasmash e kishte fjalën. Fytyrëmprehti i dytë i tha se kishte fjalën për dasmat me dhënje fjale burrash. Gëzimi i tronditur e harroi rakinë dhe mezet sepse oreksi i’u pre menjëherë dhe parandjeu atë që ndodhi më pas. Plaku foli:

-Këtej nga ky fshat ka shkuar një nuse në Junik në vitin 1948, mori pjesë në dasëm por nuk fjeti asnjë minutë me dhëndrin dhe pas dy ditësh u kthye prap në fshat.

Plaku fliste dhe zëri i tij vinte si i inçizuar në ato pllakat e gramafonit të hershme dhe përsëri Gëzimi sikur po ndjente një lloj afrimi me historinë e fotogarfisë. Plaku vazhdonte dhe fliste si në jerm dhe po tregonte historinë pikërisht aty ku kish filluar dasma e Junikut por që Gëzimi i dha rëndësi kësaj pjese.

‘’Xhaxhai i dhëndrrit e mori nusen dhe ishte nisur për rrugën e gjatë drejt Junikut. Në kohën që nusja hipi në kalë duke u ndarë me të sajët, i tha të atit se nuk e ndjente veten mirë, por i ati i tha se kishte dhënë fjalën dhe ajo do shkonte ‘’gjallë a vdek’’. Rrugës nusja pati një hemoragji dhe pas pak minutash vdiq. E kthyen në shtëpi se nuk ishin shumë larg dhe karvani i krushqëve u nis pa nuse.

Por xhaxhai ishte në siklet të madh se kishte dhënë fjalën që do çonte nusen në shtëpinë e dhëndrit. Ç’ të bënte? E vrau mendjen dhe diku në afërsi të Kavajës u kujtua se në fshatin Lispatros, diku në kufi me Pezën kishte një mik për kokë. E ktheu krushqinë drejt e në shtëpinë e mikut dhe aty pa që ai kishte një tufë me vajza. Pa e zgjatur i kërkoi një nga vajzat për ta martuar në Junik dhe të plotësonte dhe fjalën e dhënë. Miku ra dakort dhe nusja i’u bind të atit dhe mbas dy ditësh mbritën në dasëm.

Por djali e njohu që nuk ishte vajza që kishte parë dhe nuk foli. Dasma vazhdoi me të gjitha zakonet e vendit dhe atë natë u bë dhe fotografia misterioze. Në darkë kur u futën në dhomën e tyre, ai i tha asaj se nuk do ta prekte duke i thënë se ai atë tani e kishte atë motër, sepse ai  kishte dhënë fjalën që do merrte vajzën që i kishte thënë i ati.

Mbas dy ditëve të tjera kur u muar vesh gjithçka, vajza e kthyen në fshatin e saj dhe  ashtu siç ishin shkuan në Tepelenë dhe morën pjesë në hidhërimin e mikut të parë, duke vajtuar për fatin e keq të vajzës.’’

Këtu plaku fytyrëmprehtë ndaloi për një çast dhe Gëzimi  u drodh, jo nga ajo që plaku tregoi por nga ngjashmëria e plotë midis këtij plaku dhe atij që i erdhi atë natë me fortunë në klubin e tij.

Plaku pasi piu një gotë me raki i tha përsëri Gëzimit:

-Ti je njeri i zgjedhur nga unë, prandaj po ta tregoj deri në fund se si mbahet fjala e dhënë  dhe i tregoi se kur vajza e Lispatrosit u martua sipas fatit tjetër të saj, të gjitha shpenzimet e dasmës ia hoqi miku nga Juniku.

Fotografia qëndron sot e kësaj dite në mur, aty te klubi i Gëzimit dhe të gjithë ne ndjejmë një lehtësim, një lloj qetësie, sikur edhe ne e kishim mbajtur fjalën e dhënë duke mos treguar asgjë për fytyrëmprehtin misterioz, për të cilin u hapën fjalë se ishte një nga studjuesit e folklorit shqiptar, por i përjashtuar me kohë nga…

Durrës 20 janar 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s