HYSEN BACI TARTAR ( fragment) / Tregim nga Guri Çoka

HYSEN  BACI  TARTAR

       

Tregim nga  Guri Çoka   

Një fllad i hollë atë ditë fillimvjeshte përkëdhelte fytyrën e Hysenit ku dukej sikur fluturonte mbi  kalin e tij vraç , një racë e bukur e rritur në  krahinat e egra të Anadollit. Ishte një dhuratë e një luftëtari  të kapur rob nga Hyseni në ushtrinë e Ali Pashës , i cili i kishte shpëtuar jetën nëpërmjet gjeneralit. Marku ishte i inkuadrur jeniçer në ushtrinë osmane prej disa vjetësh.Oficerët turq ushtarët shqiptarë i syrgjynosnin(2) në Anadoll për të mbrojtur kufijtë lindorë,ku vuajtjet dhe pasiguria e tyre ishin të tejskajshme.Tabori osman ku bënte pjesë dhe Marku u ndodh papritur ballpërball me kalorsinë nën komandën e gjeneral Hasanit.

Përplasja e vrullshme e Hysenit me Markun bëri që dhe kuajt të përplaseshin njeri me tjetrin. Markut i ra mburoja nga dora ,u përkul nga e djathta për ta kapur por humbi ekuilibrin dhe ra në tokë.

Hyseni u lëshua mbi të duke shfrytëzuar gabimin e kundërshtarit dhe tymin e pluhurit që u përhap gjithandej,por në momentin e duhur, kali hingëlliti fort dhe u hodh para të zotit ku e pengoi Hysenin të qëllonte të ziotin e tij.  Kalorësi e falnderoi shqip kalin që i shpëtoi jetën dhe po priste në ankth vendimin e Hysenit. Hyseni tërhoqi shpatën pas,vështroi robin në sy dhe i foli:

-Shqiptar je ?-Po u përgjigj kalorësi.

Ushtari i kapur rob, duke mbajtur për freri kalin, ku hingëllinte dhe përplaste këmbët në tokë sikur parandjente kobin që e priste të zotin , shikonte në dritën e syrit Hysenin .  Dukej qartazi që i kërkonte ndihmë për ta shpëtuar. Hyseni ju afrua , ia nguli sytë dhe i foli shqip :

-Si të quajnë ?

-Mark -iu përgjigj djali dhe tërhiqte fort frerin e kalit që  gërryente  tokën  me  këmbët e para.

Hysenit i mbetën sytë tek sytë e kalit dhe ju duk sikur në thellësi të tyre po shikonte shpirtin e tij të dlirë, dëshirën e tij për të rendur hapësirave pa fund , por dhe shpirtin e butë dhe të pafajshëm  të  të zotit. Marku  zgjati  frerin në duart e  Hysenit dhe i tha:

-Ju u kuptuat tani me njeri tjetrin , është i yti !  -Kali më shumë për të shpëtuar të zotin , hodhi dy hapa para dhe nguli këmbët duke kthyer kokën nga i zoti , sikur ti  thosh  Hysenit :

-Unë vij tek ty për të shpëtuar mikun tim dhe jo për ta braktisur dhe nguli këmbët e para në atë tokë rënore aq të nxehtë jo vetëm nga temperatura e shkretëtirës të Anadollit por dhe nga beteja që zhvillohej, vringëllima e shpatave, thirrjet e kalorësve të dëshpëruar në grahmën e vdekjes dhe thirrjet e daulleve që ushtonin për nxitjen e ushtarëve në betejë.

Dyluftimi do kish përfunduar keq nëse nuk do kishe folur shqip dhe nuk do ishim tërhequr të dy në një kohë ! Sapo ulëm të dy shpatat mbi dhjetë ushtarë të mij na rrethuan me shpata e harqe në duar dhe ishin gati të të qëllonin po të lëvizje qoftë dhe një qime .

Unë e ndjeva rrezikun dhe brita : -Mos e ngani , është gjaku ynë !

-Eja pas meje-sytë e kalit më treguan që je një njeri i mirë !

Hyseni ia paraqiti gjeneral Hasanit si të njohurin e tij . Qysh atëhere kali si ndahej Hysenit , por dhe Marku e quante si shpëtimtarin e jetës së tij . Rendte mbi kalë i humbur në mendime me një gëzim të brendshëm plot mall dhe dëshirë se mund të takonte nënën dhe motrën e tij. Pelerina e kuqe , rrethuar me shirita ngjyrë ari valëvitej vrullshëm pas supeve të tij. Ishte viti i pestë që ishte larguar nga fshati e familja duke rendur në këmbë në drejtim të Janinës . Qysh atëhere nuk ishte kthyer më. Rendte mbi kalë dhe sa më shumë i afrohej vendlindjes shmallej me rrugët, shtigjet, livadhet e pyjet ku kish kaluar duke rendur sa mundte nga frika se mos ia kalonte me kalë dhe humbte bastin.  I dukej si një kujtim i largët por dhe me fat. E si mund ta takonte ndryshe gjeneral Hasanin apo kapedan Jaho Deshikun e Kosta Peçin? Kur kujtonte atë ditë ,kur të nesërmen e thirri në kështjellën e tij dervish Hasani dhe sot e kësaj dite skuqet deri te veshët. Vuri buzën në gaz dhe vështroi nga e  majta e tij Markun ku vraponte mbi kalin që ia kish dhuruar vetë,një këmbim i dëshiruar prej të dyve. Markun , kish  kërkuar nga  gjeneral Hasani  ta mbante si ndihmësin e tij , dhe si rregull në ushtrinë e Ali Pashës, ndihmës  tartari  rrugëtonte  në të majtë të tartarit, dy tre  metra më  pas. Ishte  djalë i pashëm , i shkathët  por dhe  trim . Marku Hysenin e quante si shpëtimtarin e tij , se të rrallë ishin robërit që shpëtonin nga dora e Pashait . Ata, si robër lufte, gjithmonë syrgjynoseshin në Anadoll, ku asnjëherë nuk ktheheshin në familjet e tyre , ose viheshin në ballë të një sulmi ku ishte e sigurtë se do vriteshin ose ngarkoheshin me detyra të rrezikshme që u kushtonte jetën . Marku vuri re vështrimin dhe buzëqeshjen e Hysenit dhe u mat ta pyeste , por Hyseni ia priti:

-Të nesërmen e asaj dite ,ku nga gëzimi i fitores së garës nuk fjetëm gjatë gjithë natës por e festuam me gjithë bashkëfshatarët , lajmi u përhap shpejt në gjithë vilajetin e Janinës.

Gjeneral Hasanit i duhej një djalë i besuar për ta përdorë si korier dhe për këtë kishte porositur usta Brahon për të më çuar në Janinë. Dhe sapo më çoi lajmëroi dhe Dervish Hasanin. Selamllëku(1) e gëzoi gjeneralin dhe porositi usta Brahon që të më çonin të nesërmen në kështjellën e tij.

-Kisha shumë emocione o Mark. Më priti para keshtjellës në mes të një shpure(2) kalorësish .

Qetësia e usta Brahos që kisha në krah më dha besim në vetvete dhe sikur mi hoqi emocionet. Biseduam gjatë ,më dha porositë e detyrat që do kryeja . Më porositi që çdo gjë do ishte sekret midis tyre si njeriun më të besuar. Detyrat që më ngarkoi dhe besimin që do kish tek mua sikur më dha krahë . Thirri salihdarët(1) e tij dhe i porositi të më bënin gati uniformën e një tartari ,dhomën e fjetjes në çardhak(2) përballë dhomës së tij. Usta Brhua shpesh më kish thënë të më shpinte në Janinë por unë nuk kisha si mund ti lija vetëm nënën dhe motrën ,të afërmit por dhe Verën , vajzën ku fytyra e saj më shfaqet në çdo moment të vështirë. Usta Brahua në sy të gjeneral Hasanit mu betua se do ishin nën mbrojtjen e tij dhe e ka mbajtur fjalën,vetëm se motra me letrat që më shkruan më plogështon shumë për mallin që i ka marrë për mua!

_Po ti Mark a ke shumë kohë pa parë familjen ?

-Plot gjashtë vjet o Hysen ?

Hysenit i erdhi mirë që Marku e thirri pa ia përmendur titullin , kjo e afronte më shumë me të .

-Mos ki merak se sa të kthehemi në Janinë do shkosh të shmallesh me ta !

-Kaq vite në kështjellën e gjeneral Hasanit me se je marrë ? _e pyeti Marku .

-Përveç luftrave kam qenë në krye të grupit të tartarëve ku më porositi dhe gjenerali për të  të mbajtur dhe ty ,pork kam një vit që me porosi të Pashait më kanë ngarkuar detyrën e dizdarit.(3)

1-armëmbajtës .   2-dhomë  e dale deri në 1m jashtë murit të kështjellës .

3-komandant i tatarëve

-Por detyrën e tartarit vazhdoj ta kryej edhe tani.

Dervish Hasani mendon se tartarët që i bien lajmet nga Stambolli Pashait janë të vonuara, sepse ngjarjet në portën e lartë ndryshojnë në çdo ditë dhe kjo i bën të vështira marrjet e vendimeve nga Pashai.

-Gjatë rrugëtimit vajtje ardhje për në Stamboll ka shumë pengesa o Mark. Unë bëj gjysmën e rrugës me kalë dhe pjesën tjetër me këmbë. Eci rrugë pa rrugë nëpër qafa e maja malesh, në mes pyjeve e shkëmbijve ashtu si dhe dhitë e egra. Në çdo fshat apo stan ,aty ku duhet të eci me kuaj kam miqtë e Devish Hasanit apo kapedan Jahos. Aty gjej ushqim,vend për të marrë një sy gjumë,por dhe kuaj të shpejtë për të vazhduar rrugën.

Kështu lajmet te gjeneral Hasani i shpiem tre ditë më parë se te Pashai. Gjeneral Hasani ia shpie Pashait lajmet të freskëta. Pashai në fillim nuk e besonte por më von kur të dhënat të ngjashme ja binin dhe tartarët e tij filloi ta besonte dhe e thërriste si “parashikues”.

Por me qenë se si besimtar gjeneral Hasani ishte bektashian dhe jo vetëm që e respektonte fenë por dhe i festonte ritet fetare të bektashizmit ,Pashai filloi ta thërriste duke i venë titullin e fesë së tij Dervish. Dhe qysh atëhere dhe sot atij i thërasin dervish Hasani. Por kjo i pëlqeu dhe gjeneral Hasanit dhe një ditë u gjet mbi kalë me një uniformë të re të dervishit ,ku bashkë me kpedan Jahon ishin thirrur nga Pashai në kështjellën etij, për një cështje me rendësi. Pashai jo vetëm që e përgëzoi por e nderoi dhe si një njeri të zotit dhe iu drejtua :

-Nuk e merrja dot me mend sa lezet paska shpata dhe kama në brezin e një Dervishi !-dhe e përqafoi Hasanin i malluar.

-Por qysh atëhere dhe deri tani kam mbetur majë Kalit o Mark. -Prandaj më duhesh Ti, se më zvendëson besueshmërisht dhe denjësisht.Për këtë do të të ndihmoj dhe unë.

-Do jemi bashkë në shumë rrugëtime .Do tju prezantoj me gjithë njerzit e miqtë që më kanë ndihmuar mua dhe do të ndihmojnë dhe ty. Kështu do ti kem më të mbrojtura shpatullat në çdo të papritur o Mark.

-Mos ki merak do kemi njeri tjetrin! Marku u kënaq dhe këtë ia shprehu dhe fytyra e qeshur dhe tha:

-Të kam borxh jetën Hysen dhe ti vazhdon më vë në pozitë akoma?

-Mos harro se jemi shqiptarë dhe në ketë milet të trazuar duhet ti vemë shpinën njeri tjetrit o Mark! _ia ktheu Hyseni.

-Kjo më ka trembur gjithmonë o Hysen.

-Sa herë luftoja , në ç”do betejë , sytë më mbeteshin pas shpine -u shpreh Marku.

Hyseni e dëgjonte me vëmëndje dhe bindej për zgjuarësinë e tij , se trimërinë ia kish parë ballë për ballë në luftë . Këtë moment Marku ,ma përmend gjithmonë , si një moment  kritik  të  jetës  së  tij ,ku jeta e tij shpëtoi për një fije. Në këto mendime e sipër Hyseni tërhoqi frerin e kalit, shtërngoi mamuzetë dhe kali u hodh furishëm përpara. Troku i tij në kalldrëmin e rrugës së re të sapo ndërtuar e shoqëroi deri në Zagori . Aty qëndroi para portës së Nuço Karamezinit, mik i ngushtë i babait të Ali Pashë Tepelenës . Aty dorëzoi një bujurdi të dërguar nga gjeneral Dervish Hasani . Djali i Nuços , shok me Hysenin ,Sotiri kapi frerin e kalit dhe iu lut të zbrisnin , të shlodheshin dhe të hanin një kafshatë bukë . Hyseni hodhi shikimin nga Marku.

-Mos nguro por zbrit , më njif dhe me shokun tënd ! Pushuan për një kohë të shkurtër por koha  kalonte shumë shpejt dhe u nisën përsëri për në Malshovë ,fshat në jugperëndim të Zagories. Aty ndaluan te porta e Zaharëve , në lagjen e sipërme, të cilët ishin miq të Ali Pashës,dorëzuan dhe aty një bujurdi nga gjenerali dhe pa u menduar u nis në një rrugë për në lagjen e poshtme . Marku e vuri re që nuk po ktheheshin nga rruga që erdhën dhe me ndrojtje e pyeti Hysenin :

-A është rruga nga erdhëm ,apo po gaboj unë o Hysen ?

Hyseni tërhoqi frerin e kalit dhe qëndroi:

-Ke të drejtë ! E shikon atë fshatin atje,Leskaj quhet, është shtëpia ime, kam kohë pa e takuar nënën dhe motrën, plot pesë vjet o Mark !

-Nuk do qëndrojmë shumë , sa për tu shmallur dhe do udhëtojmë shumë shpejt se para mesnatës do jemi në Janinë , kjo është porosia e Gjeneralit.

-Kjo është një sakrifice e madhe për ty o Mark , ma bëj hallall,se unë jam mësuar të udhëtoj me ditë të tëra.

-Mos e thuaj atë fjalë se dhe për mua nuk ështe ndonjë sakrifice e madhe se jam mësuar me udhëtime të gjata:_foli Marku dhe nxiti kalin. Shumë shpejt mbritën te oborri i shtëpisë. Motra Era dëgjoi trokun e kuajve e u ngrit menjëherë.

Sa pa Hysenin, briti fort, ku e dëgjoi jo vetëm nëna por dhe lagjia më tej. U përqafuan të malluar,u prezantoi dhe Markun si shokun dhe mikun e tij më të ngushtë dhe u ulën në sofatin para derës së shtëpisë ,ashtu si rrinin para pesë vjetësh.

-Do rrimë shumë pak sa të shmallemi dhe do nisemi se e kemi me shumë ngut.

-Marku duke qeshur dhe duke përqafuar nënën e  Hysenit thirri : _Nuk kemi kohë as për peta!?

Të gjithë qeshën me gjithë zemër. Nëna tha duke qeshur: -Historia e petave të mia mori dhenë deri në Janinë mor bir! Po ju në zonën tuaj në Mat i përdorni ? Po moj nënë i përdorim.

-Kjo ishte për mua fat  e mbarësi moj nënë: _tha Hyseni. Motra, si zakonisht,e ngacmoi duke i thënë:_Po Verën nuk do ta takosh? Hyseni u skuq deri te veshët, por Marku ndërhyri duke kthyer përgjigje :

-Së afërmi do vijmë përsëri të dy me Hysenin!

Këtë radhë u skuq Mira ,motra e Hysenit . Hyseni qeshi dhe për herë të parë e pa motrën nga koka te këmbët dhe mendoi por nuk e shprehu me zë : _Tani po e vë re se qenka rritur!? Rendën të dy mbi kuaj ,sapo kaluan një zabel(1) të vogël,matanë përroit,të dy kthyen kokën. Motra i pershendeti me një shami që mbante në dorë. Kthyen kuajt vrullshëm dhe Marku i foli:

-Dua të shikoj Ndesinë o Hysen!

-Andej do kalojmë o Mark ,dua që të bindesh që është ashtu si ta kam treguar !

Sapo mbritën te qendra në mes të fshatit, të gjithë fshatarët, të ndodhur aty, e rrethuan të malluar dhe donin të shmalleshin me të. U takuan shpjt e shpejt dhe Hyseni u kërkoi ndjesë se e kishin me ngut për tu larguar .U përshëndet me ta dhe po kërkonte me sy Markun i cili i shoqëruar nga disa të rinj po freskohej te çezma. Hyseni u afrua te çezma i hodhi krhun në sup Gimit ,shok i tij dhe fqinj i Verës. I dha një shami mëndafshi dhe i kërkoi ta sqaronte se e kish me shumë ngut,së shpejti do vi prapë i thuaj. U larguan me ngut duke i përshëndetur me dorë bashkëfshatarët. Rrugës nuk kishin kohë për të biseduar, ecnin vrullshëm për të arritur kohën e humbur. Duhej patjetër të arrinin në mesnatë në Janinë, ishte kërkesë e gjeneral Hasanit dhe Hyseni ishte korekt në zbatimin e detyrës. Pas rreth dy orësh udhëtimi , Marku e kujtoi se jemi afër burimit dhe kuajt kanë etje dhe nevojë për pak pushim.

-Ke të drejtë foli Hyseni. U zbritën kuajve dhe i lanë të lirë për të pire ujë dhe të këputnin ndonjë gjethe.

U flladitën dhe vetë dhe u ulën pak për tu shlodhur. Marku i përhumbur në mendimet e tij nuk i hiqej nga mendja motra e Hysenit Era.

”Sa e çiltër dhe e sinqertë dukej”- mendonte. Hyseni lëvizi për tu mbështetur më mirë te trungu i pemës. Marku u skuq deri te veshët duke kujtuar se mos ndoshta Hyseni e vuri re. Por shpejt qeshi me veten e tij kur kuptoi se ishte errësire dhe Ai s’kish mundësi ta shikonte. Zëri Hysenit theu heshtjen dhe u duk sikur çau errësirën :

“Moj Malëshova në brinjë,

Ç’i bëre trimat e mirë,

Ata trima kapedanë,

Me pisqollë e jataganë,

Kosta me Dervish Hasanë,

Dhe me Jaho kapedanë,

Një natë me mugëllinë,

Dhëmbelit përpjetë ju ngjinë,

Me llohë e vetëtimë.

Trimat venë në Janinë,

Për të lidhur miqësinë,

Me atë Vezir Alinë.

Aliut fjalën ia dhanë,

Të luftojnë turkomadhë,

Që na ka zënë vatanë.”

Hyseni mbaroi fjalën u ngrit, kapi frerin e kalit , u hodh vrik mbi të dhe vazhdoi vrullshëm rrugën.

-vazhdon-

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s