Poezi nga Gentjan Hasanas
***
E trishtë qenka,
nga dhoma ime të shoh pemën te oborri;
lakuriq,
e heshtur,
e mpirë prej dimrit,
gjumë letargjik…
Ah frutat, një ëndërr e pakapshme pranverore!
Gjethet me vizën në mes,
si dy buzë që dikur folën gjuhën e gjelbër…
Foleja bosh, midis dy degëve,
përkujtimore nga një jetë tjetër…
I heshtur dhe unë,
i mpirë prej vetmisë
Ah frutat, një ëndërr e pakapshme pranverore!
Mbi kopertinën e një libri,
si dy gjethe të kuqe,
më ke lënë vulën e buzëve,
përkujtimore nga një jetë tjetër…
E trishtë qenka,
tek mendoj se…
cfarë poezie do të shkruante pema për mua,
duke parë nga oborri në dhomën time…
***
Vetë mjekohej
Në çdo të prerë me sëpatë
lëshonte recinën…
Sapo plaga zinte kore,
me sqepar ia skërfitja prapë
(e ëmbël dënesa…gjuha e pishave)
Pastaj,
ulesha me shokë e pinim recinë…
Shëndet për këtë gjak!
Një ditë,
i dehur nëpër pyll,
kërkova të qaj mbi trupin e saj,
ndërsa ndieja se humbisja udhën…
të gjitha të prerat e pishës,
plagë me hapeshin në trup,
e m’u keputën gjunjët…
***
Piva aq shumë mbrëmë
sa ika në botën tjetër.
( Keni qenë ndonjëherë në botën tjetër?)
Në mëngjes,
kërkoja nëpër dhomë …
Ku është varka që më shëtiti në qiej,
velat, nga kreshtat e kuajve të erës?
Kisha torba me yje të vegjël,
me kupa pija pluhur blu të kthjellët.
Po Krishti, ku është?
Ai lindi …!
Edhe pse s’u shënua në aktet e gjendjes civile.
Oh … më jepni prapë të pi!
Më jepni verë të gjitha ditët e jetës sime
të përjetoj ringjalljen!
Në u dashtë të kem një dhimbje …
Më lini esëll
veç ditën e kryqëzimit!