Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

NGJESHUR PËR SHPIRTIN E MALEVE

I shikoj këto fshatra të largëta
Më duken si brinjët e atdheut
Të fortë
Ngjeshur për shpirtin e maleve
Krenaria e tyre përngjan
Me shkreptimën e vetëtimave
Që kolliten si bubullimat

Nga një largësi e pamatshme
Imagjinoj bukurit e shtrojerave
Ku fshiheshin buzëqeshjet e virgjëra
Të vashave
Sytë e të cilave
Ngjanin kaltërsisë së qiellit
Ose letrave tona të dashurisë
Kur shkruanim vetëm kaltër

I zgjas duart e mia të mykura
Përqafoj myshqet
Dhe algat e kuqe në shpirtin e Lumëbardhit
Prej dritareve të ngushta
Dhe të vogla
Me xhelozi më përcjellin nuset

Shikoj lisat e çeliktë
Që ngjajnë me shpirtin e atdheut tim
I shikoj
Dhe më ngufat një përmallim
Ulem në trotuaret e metropolit
Dhe i zgjati duart kah Jugu i largët
Dhe tretem/ nëpër fushat
E padukshme të nostalgjisë.

 

LULJA E VAZOS

Një lule malli
Që rritet në saksi
Për çdo ditë venitet
Në një shtëpi

Ujitet me vaj
E buzëqeshje acari
Lulja nga atdheu im
Që vyshket si bari

Kështu lulet rritën
Me dhembje e ofshamë
Nëpër dhe të huaj
Pa mburrje e pa nam.

 

ECIN PA QËLLIM

Këtu nuk i thonë
Bukës bukë
As ujit ujë
Krejt fjalë të tjera
Ka në vend të huaj

Gjatë tërë ditës
Llomotisin fjalën okej
Thua se
Nuk dinë gjë tjetër
Pos të të qeshin në fytyrë
Mu si një lakej

Shpejtojnë diku
Ecin pa qëllim
Ata e din cakun
Nuk janë në mërgim

Ne bredhim rrugëve
Kërkojmë punë e digjemi me mall
Zhytemi e baltosemi
Deri sa bëhemi përrallë.

 

KUKULLA ZËRINË

I kam njëqind kukulla
Këtu në mërgim
Por më e bukura
Është ajo e vendit tim

Kjo nuk është tullace
I ka flokët e gjata
E bukura nga Kosova
Me shumë krajata

Mërzitet për lumin
Për male e kodrina
Kukulla ime e bukur
E quajtura Zërina.

 

I LAJNË MËKATET E PËRQAFIMEVE TË VJEDHURA

Mbi krahët e një fluture një varkë e bardhë
Rrëshqet nëpër sfondin e kujtesës
Nëpër flokët e xixëllonjave kullosin yjet
Në pasqyrën e detit
Hëna i krehë flokët e thinjura të natës

Si delet e kaltra lodrojnë meteorët
E disa edhe derdhen
Mbi syprinën e brymtë të tokës
Këto imazhe fantazmagorike
Errësira i përcjellë me xhelozi

Përtej Urës së Gurit të dashuruarit
Bredhin si zogjtë e ikur të natës
Me ujin e ftohtë të Lumëbardhit
Pastruesit e rrugëve
I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura

Veç ka zënë e nga flokët e kalasë
Zgjohet një mëngjes i shprishur
Këtu gjërat përherë fillojnë nga e para
Në kishën e Shën Mërisë kungohen lulet
E nga Xhamia e Flamurit zbresin engjëjt

2.

Zbresin dhe ecin nëpër rrugët e shirave
Ecin deri në takim me ëndrrën
Pranë honit të mallkuar
Djajtë me qindra vite lozin
Një valle të lashtë të errësirës

Në oborrin kundruall kambanores
Një qukapik i verbër
Çmendurisht çukit
Nëpër zgërbonjat e drurëve të mykur
Në shpirtin e dërmuar të barit
Fshikullon një acar i padukshëm

Mbrëmë nuk u hapën portat
Më duket se trokitja zgjati
Njëqind vjet
Dhe asnjë dritare në sfond
Nuk dukej se po hapet

E shirat e kaltra
Kurrsesi të ndalen
Zbresin nga një shteg i ngushtë
Zbresin si lotët e nuseve
Kur lusin Hyjin
Për kthimin e burrave nga lufta.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s