Poezi nga Behar Çaushllari

Poezi nga Behar Çaushllari
 
 
TOMORRI, MALI I SHENJTË
 
Kur u mblodhën perënditë,
Njerëzimin të udhëzonin,
Ti mali im, ofrove mrekullitë,
që me to, të të mbronin.
 
Mund të zgjidhej nje mal tjetër,
Që të ishte përmbi retë
Por, shenjtërimin e vjetër,
E ndriçuan tek ti rrufetë…
 
Me magjinë dhe bukurinë,
rrezatimin tënd të shenjtë,
Ke ndihmuar gjithë njerëzinë,
Duke kthyer dhe në jetë…
 
I shtrirë, si asnjë mal tjetër,
ke dëgjuar gjëmime jete,
Dëshmitar i kohës së vjetër
Ruan të fshehta dhe sekrete.
 
Ke mrekulluar gjithë natyrën
Qiellin, malet, fushat përqark,
Bora jote, na zbardh fytyrën,
Diellin mban gjer vonë në darkë.
 
Mbi shpinë ke bardhësinë,
Në gjirin tënd mbledh përjetë,
me lutjet te na falësh, mirësine
Ne fronin tend rri perëndia vet.
 
 
 
ZONJA E NDRITSHME E SHTËPISË
 
Një emër që botes i dha vlerë,
Ajo që lind fëmijët me magji,
Kur ecën kudo e bëhet erë,
Ditën në punë, natën e gdhi…
 
Nuk mundet shtëpia, të quhet e tillë,
Pa zonjën e ndritshme, aty të qëndrojë.
Me dorë dhe mendje e kthen në vilë,
Dhe kur ndjen lodhje, fillon të këndojë.
 
Hallallin e gjirit mban në krah, duke qarë,
Për gatimin, pastërtinë punon si motor,
Shpesh i duhet të punojë edhe në arë,
Sepse asgjë nuk lëviz pa venë ajo dorë.
 
Vallë ku e gjen ajo gjithë energjinë?
Tërë sfidat me kurajo t’i përballojë!…
Dhe asnjëherë s’lë pas dore bukurinë,
Që paraqitjen kurrë mos të harrojë.
 
Bën për të gjithë, çdo gjë që kërkojnë,
Orekseve të tyre gjithçka ua plotëson.
Mbrëmjeve kur shpesh fëmijët vonojnë,
I pret tek dera dhe kurrë s’i dënon…
 
Çdo send dhe mall në dorën e saj merr vlerë
E gjithë pasuria do të humbiste pa zonjën e shtepisë
Me kujdesin dhe mendjën e mprehtë për herë
Detyrim për ne, ti falemi asaj si vet perëndisë…
 
 
 
ÇILUA, MANARI IM
 
Në fëmijërinë time të bukur,
Me shumë shokë lodërtarë,
Çdo ditë, gjithmonë jam lutur,
Për Çilon tim, kecin manar.
 
Vite shumë kanë kaluar,
Por unë s’mund të harroj,
Kecin tim aq të zgjuar,
Që fëmijërinë ma gëzoi.
 
Idhulli im, nuk qe njeri,
Por si i tillë, më la gjurmë
Keci i hirtë me të vegjlit bri,
veshur me pulla të murrmë.
 
Trupin dhe sytë, si kaprolli,
Gushën me rroshe e kishte,
Zemrën dhe shpirtin ma vodhi
Te dera çdo ditë më trokiste.
 
Gjithmonë e merrja me vete,
E mësova të hipte në pemë.
Kokën mbi gju ma mbështeste,
I urtë, si qengjat kur flenë.
 
Nuk doja gjë tjetër në bot
Vetëm ai të gëzonte.
Pa të, ndjehesha njeri kot,
Kur Çilua dëshirat s’i plotësonte.
 
Dhe kur kopetë i përzienim,
Bashkë me keca të tjerë,
Ata ziheshin sa brirët thyenin,
Vritej dhe Çilua shpeshherë…
 
Kur ndonjë kec i madh e rrezonte,
Dhe Çilua përpiqej më kot,
Kthente kokën, nga unë shikonte,
I turpëruar që s’e mundi dot…
 
Por prapë, mbi dy këmbë ngrihej,
Godiste kundërshtarin me furi,
Luftonte me të, derisa shtrihej,
Dhe unë krenar, pranë tij.
 
Prej tij merrja përvojë sa mundja,
ta përdorja me shokët e mi,
Por sa herë dhe unë, kur humbja,
dëshiroja si Çilua të kisha bri.
 
Papritur, një ditë ai ngulmoi,
Një kumbulle t’i hipte në majë
Por aty ku, shkau dhe fluturoi,
Gabimin shumë shtrenjtë e pagoi.
 
Ra mbi një mur, me kurriz,
Bërtiti, me sa pati në kokë,
Por s’mundi më kurrë të lëvizë,
Iku para kohe, nga kjo botë!
 
Erdhi kasapi në çast me vrap,
Vetëm nga dhimbja ta shpëtojë,
Kokën ia vari lart në tra,
Ah… Çilua gjuhën kafshoi!…
 
Por nga shtëpia s’e lanë me aq,
E therën, e rropën pa mëshirë,
Gabimin fatal e pagoi paq,
Vetëm se qumështin e nënës kish pirë.
 
Një tavë me mish, mbushur plot,
Të gjithë po hanin nga një thelë.
Unë sytë të mbushur me lot,
Qaja për Çilon e mjerë!…
 
Iu luta të ëmës së tij,
Një Çilo të më bënte prapë,
Por më fali një shyt pa bri,
Dhe nga ngjyra ishte arap.
 
Kur dhisë iu luta përsëri,
Më tha: “Çilo nuk lind dot më!
Më lehtë mund të bëj një njeri,
Që të qajë, me lot dhe me zë!”
 
 
 
BRERIMA, PËRROI GURGULLUES
 
Brerima emër i shenjtë për mua,
Pasi me të në shpirt kam jetuar.
Në dorë me një kokërr ftua,
Drejt saj për not duke vrapuar.
 
E bukur dhe freskuese në korrik,
vende- vende gurgullonte shumë,
Por ne kurrë nuk e kishim frikë,
Dhe kur gurët i rrokulliste në lumë.
 
E rrethuar me Lisa dhe me shkozë,
Me dru frashri dhe me mëllezë,
Brerima na priste, si burra seriozë,
Ngrinim leqe për mëllenja e thëllëzë.
 
Për dimër na mbante me dru lisi
Në verë me gjeth, për bagëtinë.
Vëllai i madh ishte për ne prijësi
Kishte marrë nga babai kujdestarinë.
 
Në dimrin shpesh herë, të acartë,
Asgjë nuk na e ngrohte shtëpinë,
Po për ne Brerima jehonte ujë të artë,
Në ato vite, që kurrë nuk na vinë…
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s