Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

RRËSHQITJE E LUMTUR
(Për gruan jetësore)

Pas shumë ecejake, me sfilitje plot mundime,
duke derdhur djersë e duke grisur këpucë,
kur më kapi rob, të dashurisë me luftime,
atëherë ajo më fali jetën dhe gjysmë buzë…

Afrova pakëz buzët, te buza e saj e ëmbël,
ku kish dy pite mjalti, të bletës në koshin bosh,
ndjeva dridhmë të fortë nga koka të këmbët,
dhe atë çast, padashur rrëshqita poshtë.

Aty gjeta ato lodra që më kishin munguar
dhe lodrova pakëz me ngazëllim të plotë,
por më shkundi rryma, trupin e dridhmuar,
dhe atë çast padashur rrëshqita më poshtë.

Pastaj më zunë befas, ca ethe me gjëmime,
që më rrëzuan përmbys te këmbët me agoni,
ku shkrepja e fortë me shkarkim vetëtime
më shkriu dhe na saldoi së bashku të dy!…

Atë truall trupor, me rrëshqitje vrundull,
nuk besoja ta kish femër tjetër në botë,
ku me rënkime në humnerën e lumtur,
rashë brenda saj dhe nuk dola më dot!…

 

THESI I BOSHATISUR

Kemi pasur një thes mielli
mbushur plot e përplot,
ku ne shqiptarët të gjithë
ushqeheshim dje dhe sot.

Por kusarët pa mbarim,
dhe qeveritaret e pazotë,
e zbrazën për qejfet e tyre,
nga këtu, gjer nëpër botë.

Kur këtij thesi arritën,
t’i zbrazin dhe fundin,
ata filluan menjëherë,
të tundin e ta shkundin.

Dhe e shkundin përherë,
aq shpesh, sa mundin,
duke lënë pa ngrënë,
si qytetin dhe katundin.

Pasi paria dhe hajdutëria
hëngri pa hesap sa u ngop,
zunë t’i bien thesit bosh,
ta godasin fort me shkop.

Dhe thonë bjeri t’i biem,
Se prapë ca miell, ai ka,
përderisa pluhur të bardhë,
lëshon përpjetë në hava!…

Por tani mbetën pa supë,
gjithë pensionistët e ngratë,
Mbetën pa ilaçet e tyre
Të sëmurë dhe sakatë.

Mbetën pa pjesë thesi,
dëshmorë e të përndjekur,
naftëtarët dhe minatorët,
që kanë gjakun me hekur.

Mbetën pa çikëz ndihmë,
varfanjakë e të papunë,
të penduarit për t’u kthyer,
nga njeri, në majmun.

Por nga goditjet pareshtur,
thesi ynë u ça dhe u gris,
aq sa mbetën pa thërrime
dhe minjtë rrotull Shqipërisë.

Dhe keqja më e madhe
si për ty dhe për mua,
është se përveç thesit,
morën dhe shumë miell hua.

Tani, si i bëhet këtij halli,
vetëm Zoti mund ta di,
nëse i kthen në miell,
reshjet kur na hedh shi!…

 

NJË COPË QIELL I BRAKTISUR

Më zuri mbrëmja larg në udhën e kujtimeve,
gjurmët më shpunë, te shtëpia jote e heshtur.
Të kërkova cep më cep, moj shtojzovallja ime,
po s’të gjeta askund, nëpër ajër ishe tretur.

Qepallat kishin mbyllur, dritaret dhe dera,
fantazma e kurbetit, mbante çelësin në brez.
Jetën e asaj shtëpie, kishte shqyer era,
zverdhimi kish përhapur shkretimin përreth.

Oh, ç’mu drodh zemra, sërish në atë truall,
ku më tërhiqje nga larg, me grepin e vetullës,
dhe flakët e fustanit, mbi gjunjët zbuluar,
më ndiznin puthjet, nën degët e pjergullës.

Tani ato puthje, kishin marrë zogjtë e avllisë,
për të thurur foletë në degët e rrapit të lartë.
Mbeta shpirtgoditur nga nostalgjia e djalërisë,
para shtëpisë së mekur, me trëndafila të thatë…

Eh, s’kthehet më kurrë, ajo kohë e paharruar
edhe po t’i lutem zotit, dit’ e net pafundësisht,
edhe sikur të zbraz breshër, nga sytë e pikëlluar,
se aty dashuria jonë, kishte vdekur madhërisht.

Ti ike dhe në zemër, më le një shirit të zi,
Po nuk di kush më mallkoi, kaq mizorisht,
të mbetem gjithë jetën, me imazhin tënd në sy
dhe me një copë qiell të braktisur përjetësisht!…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s